Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 10.2: Teknikat e shkrimit të teksteve argumentuese Reklama

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 10.2

Teknikat e shkrimit të teksteve argumentuese

Si të shkruajmë një tekst argumentues?
Paraqitja e përgjithshme e temës (problemit) Në një tekst argumentues, para se të paraqitni tezën, është mirë t’i bëni të ditur lexuesit problemin që do të trajtohet. Hyrja duhet të përmbajë një përshkrim të përgjithshëm të temës, në të cilin të paraqiten disa detaje dhe aspekte që mund të jenë të dobishme për të bërë të ditur tezën tuaj.

Teza
Paraqitni tezën, duke sqaruar me detaje opinionin tuaj. Kur bëhet fjalë për një problem të shtruar nga dikush tjetër, siç ndodh në temat shkollore, duhet të analizoni me kujdes anët pro dhe kundër të tezave të ndryshme e të vendosni se cilën tezë do të bëni tuajën e do ta zhvilloni më tej.

Argumentet në dobinë tuaj
a. Paraqitni të gjitha të dhënat dhe argumentet e favorshme, duke nënvizuar lidhjen që kanë me tezën tuaj.
b. Sigurohuni për vërtetësinë e të dhënave dhe saktësinë e provave të përzgjedhura dhe paraqitni argumentet në mënyrë të tillë që ecuria e arsyetimit tuaj të jetë e qartë për dëgjuesin ose lexuesin.

Teza e përkundërt
a. Në këtë fazë, teksti argumentues duhet të parashikojë idetë dhe mendimet që kundërshtojnë tezën tuaj dhe të parapërgatitni argumente për t’i rrëzuar ato.
b. Jepen argumente në favor të tezës së përkundërt.
Për të diskutuar argumentet që kundërshtojnë tezën tuaj dhe mbështetin tezën e përkundërt, përdorni teknikën e “kontrastit”. Shpërbëjeni tezën e përkundërt në disa pika (vende) dhe hidhini poshtë njëra pas tjetrës, duke i kundërshtuar të dhënat në dobinë tuaj. Arsyetimi logjik merr më shumë vlerë në këtë mënyrë.

Përfundimet
Pasi keni hedhur poshtë argumentet kundër, ripohoni tezën tuaj, në mënyrë të përmbledhur, duke u mbështetur në pikat e forta të vetë tezës.

Karakteristikat gjuhësore – burimet shprehëse të gjuhës për të bindur marrësin e mesazhit
a. t’i kushtohet vëmendje marrësit të mesazhit, përmes analizës së detajuar të karakteristikave të tij (moshës, kulturës, karakterit, interesave etj.), në mënyrë që të përzgjidhet struktura, argumentet, leksiku më i përshtatshëm dhe të mbahet i gjallë interesi i tij;
b. t’i kushtohet vëmendje rolit tuaj si dhënës i mesazhit; me modesti, ju duhet të mbështesni çdo mendim me shprehje të përshtatshme gjuhësore. Opinioni juaj nuk është kategorik, ndaj mund të përdorni shprehje të tilla: sipas meje, siç e shoh unë etj.;
c. të përdoret leksik i mirëorientuar; është e përshtatshme të përdoren fjalë “pozitive” për të
paraqitur tezën “negative”, kur paraqiten mendimet kundërshtuese;
d. të përdoret koha e tashme si kohë mbizotëruese e foljeve në përdorim;
e. ndërthurni shprehjen e mendimeve me sekuenca të llojeve të tjera tekstore (përshkruese, paraqitëse, rrëfyese), me funksionin bindës, pë të krijuar një lloj atmosfere, për të fituar vëmendjen e dëgjuesve.
f. prania e konektorëve të shumtë: ndajfoljet, lidhëzat dhe lokucionet që tregojnë dhe sqarojnë argumentin.

Në tekstin argumentues ndajfoljet dhe lidhëzat shërbejnë për të krijuar marrëdhënie:
a. kundërshtuese (por, pavarësisht, megjithatë, ndërsa, në anën tjetër …);
b. demonstruese -identifikuese (në fakt, me pak fjalë, në
përfundim …);
c. shkak-efekti (kështu, pra, që, për këtë arsye, në përputhje me rrethanat…);
d. të vazhdimësisë kohore (në fillim, pastaj, pas kësaj, si rezultat, më në fund…);

Reklama
Reklama gjithashtu është një teskt argumentues që shpjegohet në këtë mënyrë: njoftim publik që bëhet në radio, në televizion, në stenda, për ta bërë të njohur një mall, një shfaqje teatrore. Gjithashtu tërësia e botimeve, e filmave, që bëhen për këtë qëllim, afishja, pllakat etj. janë forma të reklamës. Reklama paraqet mesazhin para përdoruesve potencialë dhe para përdoruesve aktualë, me qëllim që t’i nxisë me çdo kusht të blejnë prodhimin e reklamuar apo të përdorin shërbimin e ofruar. Një nga karakteristikat e saj është përdorimi i imazheve të thjeshta plot jetë dhe plot ngjyra, të afta për të tërhequr vëmendjen e personave rreth prodhimeve, ku tekstet reduktohen në pak fjalë: të ashtuquajtura slogane (fraza të shkurtra, por me efekt të sigurt), ku nuk iu nevojitet shumë përshkrimi i produkteve. Në to nuk ndihet shumë nevoja e prodhimeve dhe shërbimeve në krahasim me kënaqësinë dhe emocionet që sjellin këto prdhime të reklamuara. Reklama studiohet kryesisht në dy fusha: e para, që lidhet me fushën e marketingut dhe e dyta ka të bëjë me studimin gjuhësor të servirjes së produktit.

Reklama është tekst argumentues që:
a. ngjall interes me anë të elementeve të ndryshme si slogani, ngjyrat, imazhet etj.
b. vë në dukje aspektet pozitive të objektit,
c. përdor figura retorike,
d. ka funksion bindës,
e. tërheq vëmendjen e konsumatorit.
Në të përdoret përemri ti dhe ligjërimi është i drejtpërdrejtë, konfidencial, me batuta të shpejta dhe me fjalë të reja që godasin mbi fantazinë e konsumatorit, mënyrë që produkti i ri të dallojë nga produktet e mëparshme.

Shembulli i një reklame
Si të kemi flokë të bukur dhe të shëndetshëm?
Një “dietë” e shëndetshme për flokët tuaj
Një dietë e ekuilibruar është mjaft e domosdoshme për të pasur flokë të bukur dhe të shëndetshëm, edhe pse shpesh vetëm kjo nuk mjafton. Mirëmbajtja e flokut është gjithashtu shumë e rëndësishme. Nëse keni probleme me rënien e flokut, fillimisht kushtojini kujdes ushqyerjes së shëndetshme. Një dietë e pasur, mundëson furnizimin me lëndët ushqyese. Dietologët sugjerojnë si “dietë për flokët” përdorimin e kumbullave, fasuleve të kuqe, bajameve, si dhe lloje të tjera drithërash dhe frutash të thata që treten lehtë. Për një rezultat edhe më të kënaqshëm, përdorni shampon dhe kapsulat X.
Kapsulat X përmbajnë të gjithë lëndët e nevojshme ushqyese për flokë të shëndetshëm nga rrënja deri në majë, si ekstrakt meli, vitaminë B5, biotinë dhe aminoacidin L-cisteinë. Nëse merrni një kapsulë në mëngjes dhe një në darkë, pas 4 javësh do të shihni rezultatet e para. Shampo X është një kombinim i përsosur i lëndëve ushqyese – glikoproteinat përshpejtojnë rritjen, vitamina B5 rrit dhe rigjeneron flokun duke i dhënë shkëlqim dhe volum, ekstrakti i melit e ushqen flokun me mineralet e nevojshme, aminoacidet e mollës pastrojnë dhe zbusin flokun.

Analiza e reklamës
Imazhi na paraqet një vajzë të bukur dhe të buzëqeshur. Ndodhet në një vend ekzotik dhe në mënyrë metaforike mbi flokët e saj qëndrojnë dy elefantë që tregojnë forcën dhe shëndetin e këtyre flokëve. Vajza duket tepër e lumtur me produktin që përdor, i cili ia plotëson kënaqshëm kërkesën që ajo ka për flokë të shëndetshëm.
Më poshtë ndodhet një foto e produktit që reklamohet. Teksti reklamues dhe fotoja e produktit ndodhen poshtë imazhit të fotos së vajzës, për të na treguar se mesazhi publicitar i drejtohet femrave. Në këtë reklamë kemi:

 paraqitjen realiste të pamjes së produktit.

 përshkrimin e produktit bashkë me të dhënat, mënyra se si produkti përdoret dhe përmbërjen e tij.

Premtimi: me përdorimin e këtij produkti do të keni flokë të shëndetshëm. Slogani: Një “dietë” e shëndetshme për flokët tuaj