Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 2.3: Fjalët e prejardhura

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe Mësimi 2.3

Mënyrat e formimit të fjalëve në gjuhën shqipe. Fjalët e prejardhura

Lexoni tekstin e mëposhtëm dhe nënvizoni fjalët e prejardhura dhe të përngjitura.
Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtarë të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm, më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur. Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij. Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr. Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar gjithmonë, mendoja se, si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister.”. (Marrë nga Ftesë në Studio, Ismail Kadare)

Fjalët në gjuhën shqipe ndahen në fjalë të parme dhe fjalë jo të parme.

FJALË TË PARME
Tema e fjalëve jo të parme është e zbërthyeshme. Këto fjalë formohen prej temash të fjalëve të tjera, p.sh., detar (det), malësi (mal), dritare (dritë), sulmoj (sulm), njësi (një), kryeqytet (krye+qytet), gjellëbërës (gjellë+bërës) etj. Në përbërjen e fjalës jo të parme dallojmë temën prej së cilës është formuar drejtpërdrejt fjala e dhënë dhe parashtesën a prapashtesën që ka shërbyer për formimin e kësaj fjale, p.sh., detar (det + ar), malësi (mal + ësi), dritare (dritë+are). Në temën e fjalëve jo të parme gjejmë rrënjën, parashtesën dhe prapashtesën.

FJALË JO TË PARME
Të parmet janë fjalë që nuk formohen prej temash të fjalëve të tjera, si p.sh.: mal, shok, larg, shpejt etj. Tema e një fjale të parme nuk mund të zbërthehet më tej në pjesë më të vogla të kuptimshme (p.sh., fjala mal). Një temë e tillë quhet edhe temë e thjeshtë e fjalës (ndryshe quhet rrënjë e fjalës).

Fjalëformimi
Fjalët e formuara me të njëjtin lloj mjeti fjalëformues i takojnë një mënyre fjalëformimi. Për formimin e fjalëve të reja në gjuhën shqipe, ka disa mënyra:
1. prejardhja, kur fjala e re formohet me ndihmën e parashtesës, prapashtesës ose parashtesës e prapashtesës njëkohësisht, p.sh., përbuz, gjyqtar, përgënjeshtroj etj.
2. përbërja (kompozimi), kur fjala e re krijohet nga bashkimi i dy ose më shumë temave fjalëformuese, p.sh., bregdet, gjuhëgjatë, zemërmadh etj.
3. përngjitja, kur fjala e re krijohet nga përngjitja e dy ose më shumë fjalëve të veçanta, si pasojë e përdorimit të tyre të gjatë pranë njëra-tjetrës, p.sh., gjithmonë, menjëherë, sepse etj.
4. paranyjëzimi, kur fjala e re krijohet me anën e paravendosjes së nyjës, p.sh., i qeshur (qeshur me i përpara) etj.
5. konversioni, kur fjala e re krijohet si rezultat i ndërrimit të klasës së saj, p.sh., nga emër bëhet folje, pa përdorur asnjë mjet fjalëformues, p.sh., krip (folje) vjen nga kripë (emër), rreth (ndajfolje) vjen nga rreth (emër).

Prejardhja
Prejardhja si mënyrë e formimit të fjalëve, ka disa nëndarje:

a. prejardhja parashtesore, kur temës fjalëformuese i shtohet parashtesa. Me anë parashtesash formohen emra, mbiemra e folje. Disa nga parashtesat në gjuhën shqipe janë:
1. parashtesa pa– (me kuptim mohor) me të cilën formohen emra dhe mbiemra; i paanë, i pafund, i pafaj, i padëmshëm etj.
2. parashtesa mos– (me kuptim mohor), me të cilën krijohen vetëm emra; mospranim, mosbindje etj.
3. parashtesa jo– (me kuptim mohor), me të cilën krijohen mbiemra të panyjshëm; jokalimtare, jonormal etj.
4. parashtesa për– (me kuptim përforcues), me të cilën krijohen kryesisht folje; përcaktoj, përdredh etj.
5. parashtesa (variantet) ç/sh/zh– (i japin fjalës kuptim të kundërt), me të cilat krijohen kryesisht (por jo vetëm) folje prej foljesh; çliroj, zhvendos, shpalos etj.
6. parashtesa mbi– dhe nën– (me kuptim antonimik me njëra-tjetrën), me të cilat krijohen kryesisht emra e folje; mbikalim, mbilodhje, nënshtrim, nënkolonel, nëndrejtor etj.
b. prejardhja prapashtesore, kur temës fjalëformuese i shtohet prapashtesa, p.sh.; gëzim, fshatar, punëtor etj. Disa nga prapashtesat kryesore në gjuhën shqipe janë:
1. (ë)s; blerës, nxënës etj.
2. ar, -tar; argjendar, tregtar, lajmëtar etj.
3. or, -tor; burimor, dialektor, madhor etj.
4. ist; volejbollist, zogist etj.
5. im; acarim, gërmim, plehërim etj.
6. je; shëtitje, gjuajtje, vërejtje etj.
7. ishte, -ishtë; fidanishte, ullishtë etj.
8. i, -(ë)si, -(ë)ri; dashuri, blegtori, drejtësi, vjetërsi, ligjshmëri, robëri etj.
9. shëm; i thyeshëm etj.
10. o, -to, -ro, -so, -zo; puno(j), shkakto(j), mishëro(j), pakëso(j), dorëzo(j) etj.
11. os; gjakos, plagos, fundos etj.
12. as, -azi; brinjas, brinjazi, majtas, majtazi etj.
13. (i)sht; afërsisht, gabimisht etj.
c) prejardhja parashtesore-prapashtesore, kur temës fjalëformuese i shtohet parashtesa dhe prapashtesa njëherazi, p.sh. pagjumësi, pafundësi, i përbotshëm etj.