Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 15.2
Fjalitë e ndërkallura
Çfarë janë fjalitë e ndërkallura?
Fjali të ndërkallura quhen ato fjali që kanë të dhëna të ndryshme plotësuese për një fjali apo fjalë të porsathënë. Këto shprehin diçka që folësi nuk e konsideron kryesore, prandaj thuhen kalimthi dhe kanë një lidhje logjike të dobësuar me përmbajtjen e tekstit ku gjenden: Aleks Stavri – pseudonimin poeti e formoi me shkronjat e para te emrit të tij dhe me emrin e fshatit – e pasuroi mjaft poezinë shqipe. Te Fusha e Kuqe (ajo quhej kështu se më mes të saj ngrihej një shkëmb i kuq), Gentin e prisnin shokët e skuadrës. Fjalitë e ndërkallura janë tri llojesh:
a. pa lidhëza: Edhe kur dilte jashtë – kjo ndodhte rrallë – nuk e ndiente veten mirë. Një mbrëmje –ishte në të perënduar të diellit – në fshat erdhi i nipi.
b. me lidhëza bashkërenditëse (këto fjali kanë në përbërje lidhëzat dhe, edhe, e, por): Një palë – dhe këta nuk ishin pak – filluam punë që të nesërmen. Ata e bënin rrugën dy-tri orë (po shpesh edhe me pak).
c. me lidhëza nënrenditëse a fjalë lidhëse (lidhëzat: se, sepse, meqë, megjithëse, ndonëse, edhe pse, edhe kur, si, sikur, sikundër, aq sa, kur, që, në qoftë se etj.; përemra lidhorë që, i cili dhe ndajfolje lidhore): Me alfabetin e Manastirit (se ai u bë shumë i përdorshëm) u shtypën në vijim shumë libra. Kapiteni shënonte me kujdes (sa vinte edhe jetën në rrezik) gjithçka. Nuk donte ta shihte fytyrën e saj – e cila ndriste tani nga gëzimi – të mbuluar nga tisi i trishtimit.
Nga forma, këto fjali të ndërkallura përkojnë me fjalitë e varura, por dallohen prej tyre se kanë një pavarësi të madhe kuptimore e sintaksore-intonacionore dhe kanë nuancën e shtojcës. Ekziston dhe grupi i fjalive të ndërkallura që ndodhen jashtë kufijve të fjalisë me të cilën bashkohen. Ato japin të dhëna shtesore, sqarime, përshkrime të natyrës etj.: Të martën, më në fund, ndodhi diçka: pas shiut u shfaq ylberi i vogël. (Pranvera në qytetin tonë vinte jo nga toka, ku sundonte guri, i cili nuk e njihte ndryshimin e stinëve, por nga qielli. Shenjat e saj ishin hollimi i reve, zogjtë dhe ylberet e rralla.).
Fjalitë e ndërkallura dhe fjalitë e ndërmjetme
Fjalitë e ndërkallura kanë disa tipare të përbashkëta me fjalitë e ndërmjetme, por dallimet midis tyre janë edhe më të rëndësishme.
Afri
si fjalitë e ndërmjetme, edhe të ndërkallurat nuk janë të lidhura organikisht me fjalinë së cilës i referohen;
janë të veçuara nga pikëpamja intonacionore;
mund t’i përkasin si fjalisë në përgjithësi, ashtu edhe gjymtyrëve të saj të veçanta;
mund të bashkohen me fjali të tjera pa mjete ose me mjete lidhëse.
Dallime
fjalitë e ndërkallura, ndryshe nga fjalitë e ndërmjetme, nuk shprehin kuptime modale e emocionale, nuk shënojnë burimin, mënyrën e thënies etj., ato janë shumëkuptimshme e shumëformshme;
fjalitë e ndërkallura gjenden vetëm në mes e në fund të fjalive me të cilat bashkohen, fjalitë e ndërmjetme gjenden në të tria pozicionet;
fjalitë e ndërkallura mund të dalin edhe jashtë kufijve të fjalisë së cilës i referohen; kjo gjë nuk ndodh me fjalitë e ndërmjetme.
Fjalitë e ndërkallura përdoren mjaft si në ligjërimin e folur, ashtu edhe në ligjërimin e shkruar. Këto fjali takohen sidomos në stilin shkencor e publicistik, por edhe në letërsinë artistike.
Vendi dhe shenjat e pikësimit
Fjalitë e ndërkallura vendosen vetëm në fund e në mes të një fjalie tjetër, asnjëherë para saj. Ndahen nga fjalitë e tjera me vizat e pushimit ose me kllapat. Zgjedhja e shenjës varet kryesisht nga synimi i autorit: veçimin më të madh të fjalisë së ndërkallur dhe mëvetësinë më të madhe e shënon ndarja me vizat e pushimit. Fjalia e ndërkallur që ndahet me vizat e pushimit, shqiptohet si diçka që, për nga rëndësia, nuk qëndron aq larg nga fjalia së cilës i shtohet, ndërsa fjalia e ndërkallur që ndahet me kllapat, shënon diçka plotësuese, të dorës së dytë. Ndonjëherë përdoret edhe presja, por përdorimi i saj në këto raste nuk këshillohet.