Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 2.4 Mënyra të tjera të formimit të fjalëve

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu:  Gjuha Shqipe 12 Mësimi 2.4

Fjalët e përbëra, fjalët e përngjitura, nyjëzimi dhe konversioni

 

Mënyrat e përziera të formimit të fjalëve
Lexoni tekstin e mëposhtëm të marrë nga libri Ftesë në studio i I. Kadaresë dhe nënvizoni fjalët e prejardhura dhe të përbëra.
Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë, që e bënin në mësim, e kujtonin të vdekur. Të tjerëve ua shpjegonin se nuk ishte ashtu, se ishte gjallë, por as të parët, as të dytët nuk habiteshin nga kjo. Ishte një gjendje e dyzuar, që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të, si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit. Ishte nga të rrallët njerëz dhe, ndoshta, i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë, duke qenë i gjallë, të përjetojë vdekjen e tij. Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej e natyrshme ta pyesje nëse dilte apo shkonte drejt arkivolit. Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje. Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mundshme, e pikëllimit, që ai qe harruar pa të drejtë, thërrmohej si një enë kristali sapo ndeshej me të. Kur ai hynte në kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme.

Fjalët e përbëra
Përbërja ose kompozimi, është një mënyrë fjalëformimi me anën e së cilës krijohen fjalë të reja nga bashkimi i dy ose më shumë temave fjalëformuese, p.sh., bregdet, gojëmjaltë, kokëshkretë etj.; pas prejardhjes, përbërja është mënyra më prodhimtare e formimit të fjalëve të reja në gjuhën shqipe. Sipas marrëdhënieve që kanë ndërmjet tyre temat përbërëse, fjalët e përbëra ndahen në dy grupe kryesore:
a. fjalë të përbëra këpujore, kur temat kanë marrëdhënie bashkërenditjeje; p.sh., dritëhije (dritë +hije), juglindje (jug+lindje) kuqezi, bar-bufe, hotel-restorant, bar-lulishte etj.
b. fjalë të përbëra përcaktore, kur temat kanë marrëdhënie përcaktore; p.sh., hekurudhë (udhë e hekurt), bregdet (bregu i detit) fatbardhë (fat i bardhë) etj.
Një tip i veçantë i fjalëve të përbëra përcaktore janë shkurtesat, të cilat formohen nga bashkimi i dy a më shumë temave të shkurtuara, p.sh., OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara), ATSh (Agjensia Telegrafike Shqiptare) etj.

Fjalët e përngjitura
Fjalët e përngjitura formohen nga bashkimi në një fjalë të vetme i dy a më shumë fjalëve të veçanta, zakonisht për arsye të përdorimit të gjatë njëra pranë tjetrës. Fjalët e përngjitura u takojnë më shumë pjesëve të pandryshueshme të ligjëratës, si:
a. Ndjafolje: gjithmonë, gjithnjë, paradite, përvit, përreth etj.
b. Parafjalë: përmbi, nëpër, përveç etj.
c. Lidhëza: meqenëse, megjithatë, megjithëkëtë, sesa, sepse etj.
d. Pasthirma: tungjatjeta, faleminderit, mirupafshim etj.
e. Përemrave të pacaktuar: asgjë, askush, cilido etj.
f. Pjesëza: pikësëpari, pothuajse, kushedi etj.
Fjalë të përngjitura janë edhe emrat ecejake-t (ec e jakë), farefis, gjëegjëzë, thashetheme etj. apo ose numërorët njëmbëdhjetë, dymbjëdhjetë… njëqind etj.

Nyjëzimi
Me këtë mënyrë formohen fjalë të reja, kur temës fjalëformuese i shtohet një nyjë përpara, p.sh.: i lexuar, i gëzuar, i lumtur. Me anën e paranyjëzimit (vendosjes së nyjes përpara fjalës) formohen:
a. Mbiemra prej pjesores së foljeve: i ardhur, i fjetur, i vendosur, i shkruar etj
b. Mbiemra prej ndajfoljeve: i bukur, i mirë, i drejtë etj.
c. Emra prej pjesoreve të foljeve: të ecurit, të folurit, të menduarit, të qenit, të parët etj.

Konversioni
Konversioni është mënyra e formimit të një fjale të re, si pasojë e kalimit të fjalës nga një klasë (pjesë e ligjëratës) në një klasë tjetër (pjesë tjetër të ligjëratës), pa qenë i nevojshëm përdorimi i parashtesave apo prapashtesave. Ky kalim ndodh për shkak të ndryshimit të kushteve sintaksore të përdorimit të tyre.
Me anë të konversionit formohen:
a. Emra prej mbiemrash dhe anasjelltas: e verdha (e vezës), kyç (emër), kyç (mbiemër; problem kyç), punëtor (emër), punëtor (mbiemër; njeri punëtor), plak, emër/mbiemër etj. P.sh., djalë i ri, por thuhet edhe një i ri nga lagjja jonë.
b. Parafjalë prej ndajfoljesh (afër, anës, pranë,brenda, larg, drejt etj.) P.sh., U ul afër dritares (parafjalë). Iu ul afër (ndajfolje).
c. Lidhëza prej ndajfoljesh (ku, kur, nga, si etj.) P.sh. Kur do të shkojmë në malin e Dajtit? Mori të përpjetën e malit, kur ra dielli mirë e mirë.
d. Ndajfolje, parafjalë, e pasthirma prej emrash (vjet, mot, buzë, rreth, qyqja korba). P.sh., Korba unë! (pasthirmë)

Mënyrat e përziera të formimit të fjalëve
Në gjuhën shqipe ka gjithashtu edhe fjalë të formuara njëkohësisht me kompozim e prapashtesim, p.sh., pjesëmarrës, kryengritës, marrëveshje etj. Emrat e formuar me përbërje (kompozitë), duhen dalluar mirë nga fjalët e përbëra që kanë si gjymtyrë të dytë një emër të prejardhur me prapashtesë, si edhe nga fjalët e prejardhura të formuara nga tema e një fjale të përbërë.
kryeqytetas formuar nga kryeqytet+as;
kryengritës formuar nga (krye-ngrit) + ës
Gurgdhendës = gur + gdhendës