Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 16.2: Stili tekniko shkencor

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 16.2

Stili shkencor-teknik

Lexoni tekstin e mëposhtëm. Ç’lloj teksti është ai dhe cilat janë disa nga karakteristikat e tij? Diskutoni për gjuhën e përdorur në këtë tekst.

Faktorët identifikues të Kombësisë shqiptare
Cilët kanë qenë faktorët që kanë shërbyer si bazë e identitetit etnik për shqiptarët? Kur është arritur kjo njësi shpirtërore e gjuhësore e këtij populli dhe si ka qenë e mundur ruajtja e tij, kur arbrit nuk kanë pasur gjithmonë një religjon të njëjtë, as një shtet të vetin si fqinjët e tyre, por janë ndodhur pandërprerë nën trysninë e kulturave e gjuhëve me prestigj të lartë si ato helene dhe romake apo më agresive si ato greke, serbe e turke?
Sipas Vinçens Dorsës, “me komb nuk kuptohet gjë tjetër veçse një bashkësi njerëzish që njohin një prejardhje të përbashkët dhe një gjuhë të njëjtë, zakone e tradita të vetat”.Po t’i shtojmë këtij përcaktimi edhe bashkësinë e territorit, vërejmë se pak ndryshon nga përkufizimet e sotme të etnisë, qoftë kjo pakicë, popull, kombësi apo komb. Dihet se tiparet bazë për dallimin e bashkësive të ndryshme dhe lidhjen e tyre në një njësi etnike kanë ndryshuar nga koha në kohë. Edhe për arbrit, bashkësia e territorit, gjuha dhe konstitucioni shpirtëror i njëjtë, ndonëse kanë qenë faktorët kryesorë dhe të përhershëm, nuk kanë qenë të vetmit. Kur në periudha të caktuara të historisë së tyre faktorët kryesorë kanë qenë të pamjaftueshëm për t’i dalluar prej të tjerëve, krahas tyre kanë vepruar edhe faktorë të tjerë jokryesorë. (R. Memushaj, Faktorët identifikues të Kombësisë shqiptare, “Albanica”, nr. 30, Palermo, 2009,185.)

Sfera e stilit shkencor-teknik përbëhet nga botimet shkencore, si studime, monografi, artikuj a tekste shkencore, si dhe shkrime të veprimtarisë teknike e të prodhimit, si manuale, rregullore të shërbimeve, riparimeve etj.

Funksioni stilistik i ligjërimit është kumtues. Informacioni paraqitet në mënyrë objektive dhe me vërtetësi, i formuluar saktë, i ngjeshur e pa teprime. Thëniet marrin karakter të përgjithësuar, abstrakt dhe përqendrimi te qartësia e shtjellimit logjik, mënjanon qëndrimin vetjak, subjektiv.

Karakteristika të përgjithshme të leksikut të prozës shkencore-teknike janë:
a. përdorimi i fjalëve me kuptim të drejtpërdrejtë; fjalët me kuptime të figurshme ose figurat letrare janë të rralla;
b. frazeologjia nuk zë vend të rëndësishëm;
c. mungojnë fjalët e vjetruara, turqizmat, fjalët krahinore, fjalët e të folmet shoqërore dhe përgjithësisht mjetet e ligjërimit të thjeshtë e bisedor;
d. mjetet leksikore zgjidhen me kujdes, me synimin që mendimet të shprehen me qartësi e përpikëri të madhe;
e. përdoren terma nga fusha të ndryshme të dijes;
f. gjejmë përkufizime dhe formulime;
g. përdoren më së shumti fjalitë me shumë gjymtyrë dhe fjalitë me nënrenditje shumëshkallëshe;
h. përdoren fjalitë pohuese, mohuese, argumentuese etj.;
i. përdoren trajtat pësore të foljeve (Trupat bymehen nga të nxehtit);
j. përdoren gjerësisht emrat foljorë prapashtesorë me -im dhe –je (punim, studim, faqosje etj.);
k. përdoren një varg emrash në rasën gjinore, lokucione të reja librore (ushtron ndikimin – për
ndikon, në fakt, në krahasim me, për shkak se etj.);
l. vërehet përdorim i dendur i ndajfoljeve me prapashtesën -isht (gjerësisht, parimisht, përfundimisht etj.);
m. përdoren dendur rajtat pavetore të foljeve (dihet, duhet, kapet, kërkohet, lejohet etj.);
n. janë të pranishme, me denduri jo të zakontë, foljet e gjendjes, të të menduarit etj. (gjendet, pranoj, varet, vërej etj.).

1. Përcaktoni se cilit stil i takojnë tekstet e mëposhtme. Veçoni termat dhe tregoni fushën së cilës i përkasin.

a. Nocioni modernitet – shpesh i zëvendësuar prej nocionit avangardë – është një nocion me të cilin, në kritikën dhe praktikën tonë letrare, jo rrallë mbulohen përmbajtje, disponime, ndjeshmëri, norma dhe, madje, forma anakronike. Nocioni modernitet, pa dyshim, hyn në radhën e nocioneve më të pacaktuara, me të cilin, në të njëjtën kohë, mund të thuhet fare pak, por edhe mjaft shumë. Fusha e rrezatimit të tij semantik mund të ngushtohet apo mund të zgjerohet varësisht prej qëllimit të përdorimit, në njërën anë, dhe varësisht prej kontekstit në të cilin ai përdoret, në anën tjetër…
Përballë kufizimeve të çdo natyre qofshin ato – religjioze, ideologjike, zakonore, nacionale apo teorike – moderniteti vë lirinë. Përballë sentimentalizmit, folklorizmit dhe etnografizmit, përballë dekoracionit dhe glorifikimit vetëdija moderne, prandaj, vë gjykimin kritik dhe, më në fund, ironik: ndaj së djeshmes dhe ndaj së sotmes së vet. “Arti modern – thotë Oktavio Paz – është modern sepse është kritik. Kritika e tij është drejtuar në dy anë të kundërta: ajo mohon kohën lineare të epokës moderne, por ajo mohon edhe vetveten.” Moderniteti doemos nënkupton vetëdijen kritike analitike mbi kohën, të orientuar drejt qëllimeve të reja.

Vetëdija mbi modernitetin është vetëdije kritike mbi të sotmen, të pandarë prej së nesërmes së saj. Çdo kohë i shtron detyra të reja letërsisë dhe reagimi modern ndaj këtyre detyrave, përmbushja moderne e tyre, nënkupton përgjigjen më adekuate në perspektivën historike: qoftë si përmbajtje e ngritur, qoftë si mënyrë e ngritjes së saj, qoftë si ndjeshmëri e realizuar. Të përsërisësh sot ato që janë pohuar dhe si janë pohuar dje, do të thotë të jesh anakronik apo, madje, konservativ.
Manifesti i modernitetit, Rexhep Qosja

b. Karta SIM shërben për t’u lidhur me rrjetin PLUS. Ajo mban në kujtesën e saj informacione të regjistruara, si dhe kodet PIN dhe PUK që ju mundësojnë të lidheni me rrjetin GSM dhe të përdorni shërbimet e PLUS-it. Për termat e përdorimit të shërbimeve referojuni kushteve të përgjithshme të planit tuaj tarifor. Nëse karta SIM humbet ose dëmtohet, atëherë duhet të telefononi menjëherë Shërbimin e Kujdesit për Klientin PLUS, në numrat 140, 144, 139 nga aparati celular, ose në numrat 066140, 066144, 066139 nga një operator tjetër kombëtar, për të çaktivizuar kartën (në këtë rast do t’ju kërkohet Bar Code Personal, si dhe disa të dhëna të tjera që vërtetojnë se numri ju përket juve). Në rast se karta SIM humbet ose dëmtohet, ju mund ta zëvendësoni atë nëpërmjet një procedure shumë të thjeshtë pranë dyqaneve të Plus-it, duke ruajtur kështu të njëjtin numër celulari. Udhëzues për përdorimin e kartës SIM

c. Trojet shqiptare, për shkak të kushteve natyrore dhe klimatike të përshtatshme, ofronin mundësi të mira për banim që në periudhat më të hershme. Gjurmët më të vjetra të pranisë njerëzore në këto troje të zbuluara deri më sot, datojnë rreth 30 mijë vjet p.e.s., që njihet edhe si periudha e paleolitit të vonë. Vendbanime të kësaj periudhe janë zbuluar në fshatin Xarë (Sarandë), në një shpellë në Konispol, pranë fshatit Kryegjatë (Fier), në Dajt (Tiranë) dhe në fshatin Gajtan (Shkodër), ku gjetjet kryesore përbëhen nga vegla pune dhe armë gjahu të përgatitura nga gur stralli. Veglat dhe armët përdoreshin nga banorët e lashtë për sigurimin e ushqimit, kryesisht për gjueti. Banorët e paleolitit nuk njihnin as bujqësinë, as blegtorinë. Në periudhën pasuese, atë të mezolitit, 4 mijë vjet p.e.s., dëshmitë vijnë nga vendbanime të zbuluara në Vlush (Skrapar), në një shpellë në Goranxi (Gjirokastër), si dhe në Kryegjatë (Fier), dëshmi e vazhdimit të jetës në këtë vendbanim që nga epoka e paleolitit të vonë. Edhe në këto vendbanime gjetjet kryesore janë vegla pune dhe armë prej stralli. Gjetja e majave të shigjetave dëshmon se banorët e kësaj kohe përdornin harkun me shigjeta, një armë gjuetie mjaft e rëndësishme për sigurimin e ushqimit.
Historia 9, Filara

A. Shkretëtirat
Rajone ku kushtet natyrore nuk janë të favorshme për jetën. Rajone shumë të thata, ranore ose me gurë të vegjël dhe pa bimësi. Mund të jenë ranore (me duna e barhane) ose shkëmbore. Shkretëtirat mbulojnë rreth 1/8 e sipërfaqes së Tokës. Tipet kryesore janë: të nxehta, si Saharaja; bregdetare, si Atakama, Kalahari; të brendshme (kontinentale), si Gobi; të ftohta (tundra dhe rajonet polare), ku temperatura për shumë muaj është nën 6 gradë C.

B. Shkretina
Nga një herë jam si beduini në shkretinë. Më çdo anë shoh qiellin të fshetur në ran’ e skuqur: kurrkund një nisi shprese; tekdo një qiell i përvëluar, një tokë shterpë dhe të djegur. Po ndjek udhën, i prirur prej yllit të venitur që më rrëfen shpresa ime. Po eci oj, dit’ e natë, dhe shumë herë këmbët më gjakosen. Ku vete? Atje tej, më tutje se kjo ran’ e shkretë, m’at’ anë këtij qielli të errët, po shoh një qëllim; ylli im po më rrëfen një udhë.
Po dal! Një zë më pyet: është një qëllim ay apo një mirazh?
Edhe shumë herë jam si beduini në shkretinët.
“Hi dhe shpuzë”, Lumo Skëndo