Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 17.1
Drejtshkrimi i nyjës të dhe së
Nyjat i, e , të, së kryejnë shërbime të ndryshme në gjuhë para mbiemrave të nyjshëm, mbiemrave prejnumërorë, përemrave, emrave në gjinore etj. Ato kanë gjini numër e rasë. Shpesh lind pyetja se në cilin rast duhet të përdorim nyjën të apo nyjën së.
Disa raste kur duhet përdorur nyja të dhe jo së
Kur midis një emri femëror në rasën gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës dhe një emri në rasën gjinore, që luan funksionin e përcaktorit, ndodhet një fjalë tjetër (ose disa fjalë të tjera), që përcakton gjithashtu emrin e parë, atëherë nyja e emrit të fundit përcaktues është të dhe jo së. Shënim: Kjo rregullë vlen edhe për rastet kur midis një emri femëror në rasën gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës që përcaktohet nga një mbiemër i nyjshëm) ndodhet një/ disa fjalë tjetër/ të tjera.
Shembuj:
(pronari) i fabrikës së tullave dhe (pronari) i fabrikës së re të tullave;
(shkaku) i përhapjes së shpejtë të sëmundjes;
(përurimi) i shkollës 9-vjeçare të qytetit;
(martesa) e motrës së saj të dashur etj.
Ndërkohë që, kur një emër femëror në rasën gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës përcaktohet nga një emër në rasën gjinore ose nga një mbiemër i nyjshëm, nyja e përdorur është së.
Shembuj:
historia e luftës së popullit… (dhe jo të popullit); pas korrjes së grurit… etj.
a. Kur pas një emri femëror të shquar të rasës gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës, vijnë dy a më shumë emra femërorë në gjinore njëjës, të gjithë marrin përpara nyjën së (e jo të), në rast se secili përcakton emrin në gjinore që ndodhet menjëherë para tij, p.sh.:
punimet e ndërtesës së shkollës së mesme.
b. Por kur një emër në rasën gjinore, që vjen pas një emri femëror në gjinore të shquar njëjës, përcakton tërë grupin emëror të cilit i përket ky i fundit, atëherë ai merr përpara nyjën të e jo së, p.sh.: zhvillimi i industrisë së naftës të Shqipërisë, sepse emri të Shqipërisë nuk përcakton vetëm emrin në gjinore së naftës, por gjithë grupin emëror i industrisë së naftës.
Përkufizim: Një emër në rasën gjinore, që vjen pas një emri femëror në rasën gjinore të shquar njëjës, merr nyjën së kur përcakton drejtpërdrejt këtë emër dhe nyjën të kur nuk përcakton drejtpërdrejt këtë emër.
1. Disa raste kur duhet përdorur nyja së dhe jo të
Kur mbiemri i nyjshëm qëndron para emrit që përcakton, atëherë nyja e tij lakohet kështu:
Emërore e lumtura nënë
Gjinore (i,e) së lumturës nënë
Dhanore së lumturës nënë
Kallëzore të lumturën nënë
Rrjedhore (prej) së lumturës nënë
Edhe tek emrat femërorë të nyjshëm nyja lakohet gjithashtu si nyjë e këputur:
Emërore e hëna
Gjinore (i, e ) së hënës (vazhdoni lakimin)
2. Kur në rasën gjinore të një emri femëror të nyjshëm ndeshen dy nyja të përparme së, atëherë e para nga këto (dhe jo e dyta) zëvendësohet me të:
p.sh.: përpara forcës të së vërtetës (dhe jo së së vërtetës)
3. Kur dy emra në rasën gjinore vijnë pas një emri në emërore dhe i dyti përcakton jo emrin që ndodhet para tij, por tërë grupin emëror, atëherë ai merr, sipas gjinisë së emrit në emërore, nyjën i ose e:
p.sh.: libri i gjuhës i klasës III dhe jo së klasës III
kampionati i futbollit i këtij viti dhe jo të këtij viti
4. Mbiemri i nyjshëm që vjen pas një kundrinori të drejtë, të shprehur me një emër në kallëzore të shquar, merr nyjen e, kur është përcaktor, dhe nyjen të, kur ka funksion kallëzuesori. Si përcaktor, mbiemri që vjen pas një kundrine lidhet me të drejtpërdrejt dhe tregon një tipar të tij, p.sh.: E gjeta këmishën e larë (ç’këmishë?); e larë – përcaktor.
Ndërsa si kallëzuesor, mbiemri tregon përsëri një tipar të kundrinorit, por lidhet njëkohësisht me kundrinorin dhe foljen, p.sh.: E gjeta këmishën të larë (si e gjeta?); të larë – kallëzuesor