Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 2.1
Njësitë gjuhësore: Fonema, morfema dhe fjala
Lexoni tekstin e mëposhtëm dhe gjeni fjalët që që kanë dy a më shumë morfema. Dy janë karakteristikat kryesore të teknikës së muraturës në ndërtimet e Gjirokastrës; përdorimi i gjerë i muratures pa lidhës dhe vendosja e brezave të drurit. Në pjesën më të madhe dhe sidomos në katet e sipërme, muratura ndërtohet krejtësisht pa lidhës, ndërsa në katet e poshtme, zakonisht përdoret lidhësi prej balte dhe prej llaçi gëlqereje. Në disa raste, me llaç gelqereje ndërtohet vetem faqja e jashtme e muraturës. Arsyet e një teknike të tillë duhen kërkuar, në radhë të parë, në gurin shtresor, i cili lejonte rreshta thuajse horizontale dhe në përgjithësi një lidhje të mirë. Kësaj rrethane i duhet shtuar dhe mungesa e madhe e ujit. Ndërtimet e shumta të mureve me llaç në mbarë banesat popullore të vendit e provojnë se depërtimi kapilar në muraturë nga ujërat e reshjeve nuk përbën problem. (Marrë nga Elementet kryesore arkitektonike dhe konstruktive, formulimi i tyre dhe teknikat e ndërtimit)
Fonetika (gr. phone – tingull, zë) është një nga disiplinat gjuhësore, krahas gramatikës dhe semantikës, që ka si objekt të vetin sistemin tingullor (fonetik) të gjuhës.
Shkrimi alfabetik shërben për paraqitjen e gjuhës së folur me anë shenjash grafike, kur duam të dërgojmë mesazhe të shkruara. Këto shenja janë shkronjat, ose grafemat. Në fillimet e veta, shkrimi alfabetik ka ndjekur parimin fonetik, fjalët janë shkruar sipas parimit “çdo fonemë me një grafemë dhe anasjelltas”, por me kalimin e shekujve, shkrimi i gjuhëve me traditë të vjetër shkrimore nuk i përgjigjet më shqiptimit të sotëm, siç ka ndodhur në anglisht, frëngjisht, italisht etj. Shqipja është ndër gjuhët ku shkrimi i fjalëve ndjek pothuaj parimin fonetik (por në shkrimin e shqipes ndiqet edhe parimi morfologjik dhe ai historik-tradicional), dmth shumica e fjalëve në këtë gjuhë shkruhen ashtu siç shqiptohen. Në inventarin e fonemave të një gjuhe, gjuhë të ndryshme kanë edhe fonema të veçanta; ndaj është e vështirë të mësosh një gjuhë të huaj, e cila përmban fonema që nuk gjenden në gjuhën amtare.
· Sa fonema ka gjuha letrare shqipe? Provoni t’i kujtoni ato të gjitha në rend.
Shkrimi alfabetik përdoret edhe për transkriptimin1 e gjuhëve dhe dialekteve të ndryshme në një alfabet të përbashkët. Ai është i rëndësishëm sidomos për ato gjuhë ku një fonemë shkruhet në forma të ndryshme. P.sh., fonema zanore /i/ në anglisht shkruhet sipas rastit ee; three [θ ri], i; this [δ is], ai; mountain [mauntin], e; eleven [i’levən], y; baby [beibi].
Ja si shënohen fonemat në alfabetin fonetik ndërkombëtar (IPA):
1. zanoret
a [a], e [e], ë [ə], o [o], i [i], u [u], y [y].
2. bashkëtingëlloret
b [b], c [ts], ç [tʃ], d [d], dh [δ], f [f], g [g], gj [Ɉ], h [h], j [j], k [k], l [l], ll [ɫ], m [m], n [n], nj [ɲ], p [p], q [c], r [ɾ], rr [r], s [s], sh [ʃ], t [t], th [θ], v [v], x [ʣ], xh [ʤ], z [z], zh [ʒ].
Fjala dhe morfema
Përkufizim: Fjala është njësia themelore e gjuhës. Ajo është njësia më e vogël e mëvetësishme dhe e kuptimshme e saj.
Gjuha është e përbërë prej fjalësh të cilat kanë formë dhe kuptim. Forma e fjalës është e përbërë nga bashkimi i tingujve, në të folur, dhe në gjuhën e shkruar, nga bashkimi i shkronjave. Ky bashkim tingujsh/shkronjash është i lidhur ngushtësisht me kuptimin, një element ky që sapo thuhet, për mendjen tonë zbërthehet në atë që kjo fjalë përfaqëson në botën që na rrethon ose që është produkt i përvojave tona njohëse. Nëse themi fjalën libër, ne menjëherë mendojmë për objektin dhe jo për fonemat ose shkronjat e fjalës.
Çdo fjalë është e përbërë nga forma dhe kuptimi. Fjalët e një gjuhe, të gjitha së bashku, përbëjnë leksikun e gjuhës. Shumica e fjalëve mund të ndahen e të zbërthehen në njësi më të vogla bartëse të kuptimeve leksikore ose gramatikore, të cilat quhen morfema. p.sh., punë-tor, anë-tar, për-pun-o-j, det-ar, për-dredh, zh-vesh, mal-e, mbyll-im, ujë-ra etj.
Morfema është njësia më e vogël e kuptimshme që mund të dallohet në përbërje të fjalës.
Ajo nuk mund të ndahet më tej në njësi më të vogla të kuptimshme. Morfema mund të zbërthehet vetëm në fonema. p.sh., morfemat punë dhe tor të fjalës punëtor përbëhen nga fonemat p/u/n/ë dhe t/o/r. Vini re: Fjala ndryshon nga morfema, sepse fjala mund të ndahet në morfema, kurse morfema, siç e thamë edhe më lart, është e pandashme në njësi më të vogla të kuptimshme. Po kështu, ndërsa fjala mund të kryejë funksione të ndryshme në fjali (kryefjalë, rrethanor etj.), morfema nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Disa morfema shërbejnë për të formuar fjalë të reja, ndaj quhen morfema fjalëformuese, kurse morfemat që shërbejnë për të shprehur forma të ndryshme të fjalës gjatë përdorimit në fjali, quhen morfema trajtëformuese.
p.sh., fjala punëtor është krijuar nga fjala punë, me ndihmën e morfemës fjalëformuese (prapashtesë) tor; fjala punojnë është formuar nga fjala puno me ndihmën e morfemës trajtëformuese (mbaresa e vetës së tretë shumës) jnë.
Përbërësit e fjalës
Fjala në gjuhën shqipe ka këto përbërës:
a) Rrënja është pjesa kryesore e fjalës, e cila gjendet në çdo fjalë, duke i hequr morfemat fjalëformuese (parashtesat dhe prapashtesat) dhe trajtëformuese (mbaresat). p.sh., fjalët qytetar, qytetëroj, qytetërim, i/e qytetëruar, kanë si rrënjë morfemën-rrënjë qytet. Pjesa që i mbetet fjalës pasi t’i heqim morfemën trajtëformuese (mbaresën), quhet temë. P.sh., fjala anëtarëve, ka për temë morfemën anëtar.
PARASHTESË + RRËNJË + PRAPASHTESË = TEMA E FJALËS
anëtar (tema) + ve (morfemë trajtëformuese, që tregon numrin shumës të emrit)
b. Parashtesa është morfemë fjalëformues që qëndron para temës dhe shërben për të krijuar fjalë të reja, p.sh., për-punoj, për-kthej, zh-vendos, ç-liroj etj.
c. Prapashtesa është morfemë fjalëformuese, që qëndron pas temës për të formuar fjalë të reja,
p.sh., anë-tar, pun-o, qytet-ar etj.
d. Mbaresa është morfemë trajtëformuese, që qëndron gjithmonë në fund të fjalës dhe shërben për të formuar trajta të ndryshme të së njëjtës fjalë. Pra, mbaresa shpreh kuptimin gramatikor të rasës, të gjinisë, të numrit, të vetës, të kohës, etj. P.sh., libr-i, libr-it, libr-ave, puno-n, puno-jmë etj.