Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 10.1
Fjalimi bindës
Kujtojmë: Tekstet argumentuese janë tekste në të cilat folësi ose shkruesi paraqet një opinion – ose tezë – të vetën dhe e mbështet atë me argumente e duke hedhur poshtë opinionet e kundërta, me qëllim që të bindë marrësit e mesazhit mbi vlefshmërinë e asaj që thotë. Eseja, si lloj i veçantë i tekstit argumentues, ka vlera bindëse kryesisht për shkak të vlefshmërisë së argumeteve që sillen (duhet të sillen) në mbështetje të tezës.
Ndër tekstet argumentuese më të njohura janë:
1. fjalimet e politikanëve;
2. mbrojtjet që avokatët bëjnë në gjyq;
3. artikulli kryesor i një gazete të përditshme (kryeartikulli), në të cilin gazetarët me autoritet paraqesin pikëpamjet, opinionet e tyre mbi një ngjarje të veçantë;
4. debatet televizive mes politikanëve;
5. esetë ose punimet shkencore që trajtojnë probleme filozofike, shoqërore, historike etj.
Efikasiteti i tekstit argumentues varet nga:
a. forca e argumenteve;
b. përdorimi i burimeve dokumentuese;
c. kuptimi, përzgjedhja dhe organizimi i të dhënave në funksion të argumentimit (anketa statistikore, fakte, ngjarje konkrete, të kontrolluara lehtësisht, të cituara nga ekspertët ose personalitete të njohura);
d. ndërhyrja me njohuri të tjera vetjake;
e. plotësia dhe thellësia e trajtimit;
f. elementet gjuhësore-formale.
Llojet më të përdorura të argumenteve janë:
a. argumentet që sjellin fakte konkrete: “më mirë mos dilni jashtë, sepse bie shi”;
b. argumentet që sjellin mendimin autoritar për të mbështetur tezën: “sipas asaj që kam lexuar, …”;
c. argumentet logjike: “kam vendosur të mos dal, sepse, nëse dal, nuk studioj dhe, nëse nuk studioj, rrezikoj të marr një notë të ulët…”;
d. argumentet pragmatike, të cilat vënë në dukje rezultatet konkrete pozitive që rrjedhin nga pranimi i tezës: “të këshilloj të studiosh vazhdimisht, në mënyrë që para provimit ta kesh më të lehtë përsëritjen…”;
Elementet e tekstit argumentues
Pohimet Shprehin qëllimin tënd/ çfarë ti beson dhe pse e beson/ është pikëvështrimi që ti do që të pranojnë lexuesit.
Arsyet Shpjegim i pohimit tënd. Arsyet që i përgjigjen “pse-së”. Arsyet logjike i fitojnë argumentet. Arsyet duhet të mbështeten patjetër në prova ose shembuj.
Faktet Provojnë që arsyet, pohimet janë të sakta, të besueshme. Faktet dalin nga statistikat, intervistat, shembujt. Besueshmëria e fakteve është thelbësore.
Kundërshtimet Njohja e opinioneve që kundërshtojnë tezën tënde dhe marrja në konsideratë e këndvështrimeve të ndryshme të çështjes.
Eseja argumentuese
Eseja argumentuese është një tekst që:
a. synon të bindë marrësit për vlefshmërinë e mendimeve (opinioneve) të shprehura, duke iu drejtuar arsyes;
b. jo vetëm paraqet fakte, por edhe i interpreton e i shpjegon, duke i vënë ato në një diskutim kritik.
c. Eseja argumentuese trajton probleme të natyrave të ndryshme (p.sh., shkencore, filozofike, historike, socio-ekonomike, letrare, etj …), por të gjitha kanë të përbashkët:
a. qëllimin për të bindur marrësin e mesazhit në lidhje me një tezë të caktuar;
b. mënyrën përmes së cilës ato priren ta arrijnë këtë qëllim, duke i mbështetetur pohimet me prova të forta.
Struktura e esesë paraqitet si më poshtë:
Adresimi i mesazhit kushtëzon regjistrin gjuhësor, pra zgjedhjet leksikore dhe sintaksore.
Titulli: është tregues i argumentit dhe jo i pozicionit të shkruesit të esesë.
Hyrja: ka funksion referencial. Ajo informon në lidhje me temën.
Problemi: është krahasimi i pozicioneve tezë- tezë e përkundërt, që mund të shprehet në formën e një pyetjeje apo ose të një pohimi.
Teza duhet të jetë e saktë, e qartë.
Argumentet në dobi të tezës duhet të mbështeten në shembuj, të dhëna, statistika, opinione të personaliteteve të njohura dhe të ekspertëve, konsiderata vetjake.
Teza e përkundërt duhet të formulohet sa më qartë.
Argumentet në dobi të tezës së përkundërt.
Rrëzimi i tezës së përkundërt. Duhen hedhur poshtë të gjitha argumentet në mbështetje të tezës së përkundërt, me argumente të mëtejshme, pra duhet të jepen më shumë argumente në dobi të tezës.
Përfundimi. Mund të jetë: a. bilanc i asaj që është thënë, duke demonstruar vlefshmërinë e tezës së mbështetur.; b. përfundim i hapur për zhvillime të reja argumentuese e refleksione.
Model eseje argumentuese për analizë “Teknologjia dhe shkatërrimi i mjedisit”
Tema: Teknologjia dhe shkatërrimi i mjedisit
1. Paraqitja e problemit
1. Në botën globale, përparimi i qytetërimit, zhvillimi i teknologjisë gjithnjë e më e përparuar duket se shkon paralelisht me dukurinë e shkatërrimit të mjedisit, me prishjen alarmante të barazpeshës natyrore e cila kërcënon mbijetesën e njerëzimit.
2. Teza Teza e përkundërt Argumentet në mbështetje të tezës së përkundërt
2. Kjo nuk do të thotë se ekziston një marrëdhënie e drejtpërdrejtë mes përdorimit të teknologjisë dhe emergjencës ekologjike, edhe pse shumë e konsiderojnë zhvillimin teknologjik drejtpërdrejt përgjegjës për shkatërrimin e mjedisit. Ngjarjet katastrofike si; fatkeqësia në centralin e energjisë bërthamore Fokushima, pas tërmetit dhe cunamit më 11 mars 2011, ose pasojat shkatërruese të ndotjes së ujit, ajrit dhe të tokës, të shkaktuara prej mbetjeve të impianteve industriale, gazrave të lëshuara prej automjeteve, pasojave të aktivitetit blegtoral ose bujqësor, shërbejnë në fakt për të treguar një lidhje shkak-pasojë ndërmjet sistemeve moderne të prodhimit dhe dëmtimit të trashëgimisë natyrore.
3. Sqarimi i tezës
3. Por shkaku i degradimit të mjedisit nuk është teknologjia në vetvete; është përdorimi mjaft i deformuar dhe i papërgjegjshëm i mjeteve që ajo ofron. Dëmtimi i mjedisit vjen në fakt për shkak të faktorëve ekonomikë: krizat mjedisore shkaktohen nga zhvillimi i pakontrolluar i prodhimit dhe nga shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore, me pasojë dukuritë e shkretëtirëzimit, shpyllëzimit, zhdukjen e specieve. Shkatërrimi në rritje i pyjeve të Amazonës, p.sh., i shërben fitimeve që dalin nga shfrytëzimi intensiv i tokës nga fermat e mëdha. Shiu acid ose efektet e gazit serë janë shembuj të dëmeve të shkaktuara nga një sistem që nuk kujdeset për efektet mjedisore të aktiviteteve të tyre e të konsumit të tyre. Edhe problemi serioz i mbetjeve që nuk riciklohen u atribuohet pasojave negative të një rritjeje të pakontrolluar të prodhimit e të konsumit dhe jo shpikjes së materialeve plastike dhe mundësive të tyre të gjithanshme të përdorimit. Sot peizazhi natyror është pushtuar nga mbetjet plastike; në qendër të Paqësorit është zbuluar madje “Deti i plehrave”, i cili është një njollë e madhe (sa shteti i Teksasit) e mbetjeve të transportuara nga rrymat e oqeanit.
4. Argumentet e tezës
4. Zinxhiri i pasojave të ngjashme katastrofike u atribuohet (ngarkohet) vetëm interesave ekonomike dhe papërgjegjshmërisë së individit; nëse kjo prirje nuk ndryshon, kjo vjen për faktin se prodhuesit nuk pranojnë të bëjnë konvertime të kushtueshme të impianteve, konsumatorët i hedhin shpesh plehrat në plazhe, pyje ose livadhe; në vend të enëve ricikluese, kompanitë nuk kanë mjedise të përshtatshme për asgjësimin e tyre, si dhe mungojnë kontrollet.
5. Kundërshtimi i tezës së përkundërt
5. Nuk është realiste të besojmë se zhvillimi teknologjik duhet të ndalet për të shpëtuar njerëzimin nga vetë-shkatërrimi. Pikërisht me përdorimin e teknologjive të përparuara është e mundur të rivendoset një ekuilibër midis ekonomisë dhe ekosistemit, duke bërë të mundur ndryshimin e cikleve të prodhimit dhe duke përdorur në mënyrë novatore burimet natyrore për të zvogëluar shpenzimet e energjisë me të njëjtën efektshmëri, për prodhimin e energjisë së pastër, për të përgatitur sistemet e riciklimit, pastrimin, asgjësimin e mbetjeve urbane të posaçme. Këtë e tregon, p.sh., ndërtimi i landfilleve, që përveçse shkatërron çdo ditë me qindra ton mbeturina, prodhon energji elektrike dhe avull për ngrohjen qendrore me biogaz. Risitë janë thelbësore për të trajtuar sfidat e së ardhmes.
6. Përfundime
6. Pra, gjendja aktuale kërkon një vetëdije të qartë të nevojës për mbrojtjen e mjedisit me të gjitha mjetet teknologjike që mund të vihen në shërbim të një modeli të zhvillimit të qëndrueshëm jo-shkatërrues.