Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 15.1 Fjalia e ndërmjetme

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuhë Shqipe 12 Mësimi 15.1

Fjalitë e ndërmjetme

Fjali e ndërmjetme quhet fjalia e përfshirë në një fjali tjetër, pa qenë e lidhur organikisht me të, dhe që kryen funksionet e fjalëve e të togjeve të ndërmjetme:
Kishim ndryshuar, kjo s’do mend, po gjallëria e viteve të shkollës vlonte gjithnjë në zemrat tona. Një fjalë e mirë të vret më shumë se pushka, thotë një plak në fshatin tonë.

Fjalitë e ndërmjetme përbëjnë një tip të veçantë fjalish; ato janë të shkëputura gramatikisht nga fjalitë në të cilat gjenden; ato as nuk bashkërenditen, as nuk nënrenditen me fjalitë ku bëjnë pjesë.
Sipas ndërtimit, fjalitë e ndërmjetme janë dy llojesh:
a. pa mjete lidhëse (Të them të vërtetën, edhe unë lëkundem.);
b. me mjete lidhëse (Me sa di unë, nuk jemi të detyruar të hyjmë në këtë garë.). Fjalitë e ndërmjetme me mjete lidhëse përdoren më shumë, krahasuar me të parat. Mjetet e lidhjes që kanë në krye fjalitë e ndërmjetme, janë këto:
––lidhëzat siç, si, që, sikurse, sikundër, në mos etj.;
––përemri sa, i paraprirë nga parafjalët me, nga (me sa, nga sa), por edhe i pashoqëruar me parafjalë;
––ndajfoljet: si, ku.

Këto lidhëza e mjete lidhëse nuk e ruajnë më kuptimin e funksionin e tyre të mirëfilltë për të vënë në marrëdhënie varësie fjalinë së cilës i përkasin.

Fjalitë dhe togjet e fjalët e ndërmjetme
Ngjashmëri: Ndërmjet fjalive dhe fjalëve e togjeve të ndërmjetme vihet re një ngjashmëri e madhe kuptimore dhe intonacionore. Ato mund të shprehin:
a. vërtetësinë e kumtimit: Mirë thonë, s’ka më të shpejtë në botë se mendja e njeriut. Natyrisht, rruga që kemi nisur është e drejtë.
b. vlerësimin emocional të kumtimit (mund të tregojnë urim, dëshirë, lutje, zemërim etj.): Sa për trimëri, iu bëftë nëna, shokun s’e ka. Për çudi, fauna është tepër e varfër.
c. burimin e kumtimit: Nga përpjekjet e saj, thonë, tundej mali sikur po shembej. Sipas tij, jeta është e vështirë.
d. tërheqjen e vëmendjes së bashkëbiseduesit: Ky, ta marrësh vesh ti, ka qenë nga miqtë e babait tënd. Ama, fëmijë kishte shumë.
e. lidhjet logjike të kumtimeve: Ky fragment, siç u tha dhe më lart, është nga më të bukurit e veprës. Në fund të fundit, ju dukeni njerëz të mirë.
f. karakterin e thënies: Unë u tremba, të them sinqerisht. Shkurt, ti do të mbarosh shkollën e pastaj do të vendosësh.

Dallime: Fjalitë e ndërmjetme dhe togjet e fjalët e ndërmjetme krahas tipareve të përbashkëta, kanë edhe dallime midis tyre.

Vendi dhe pikësimi
Fjalitë e ndërmjetme më shpesh përdoren në mes të fjalisë, më pak në krye e në fund. Fjalitë e ndërmjetme të çdo tipi, kur janë të paravendosura dhe të prapavendosura, ndahen rregullisht me presje nga gjymtyra ose fjalia së cilës i referohen, ndërsa kur janë në mes të fjalisë, vihen midis dy presjeve: Me sa më kujtohet, ti ke qenë me ta atë ditë. Unë, të them të drejtën, kisha dëshirë të rrija me të. Mua më vinte keq, ç’është e drejta.