Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 12.2 Stili juridiko administrativ

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 12.2

Stilet funksionale në gjuhën shqipe. Stili juridiko-administrativ

Lexoni një pjesë nga Ligji që sanksionon e flet për të drejtat e mbrojtjen e fëmijëve. Ç’lloj teksti është ai dhe cilat janë disa nga karakteristikat e këtij teksti? Diskutoni mbi fjalorin e përdorur në këtë tekst.

LIGJ Nr. 18/2017 PËR TË DREJTAT DHE MBROJTJEN E FËMIJËS
Objekti
Ky ligj përcakton të drejtat dhe mbrojtjen që gëzon çdo fëmijë, mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse, që garantojnë me efektivitet ushtrimin, respektimin, promovimin e këtyre të drejtave, si dhe mbrojtjen e veçantë të fëmijës.

Neni 2
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim:
a. mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional, në zbatim të Kushtetutës, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të akteve ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të legjislacionit në fuqi;
b. parashikimin e parimeve bazë ku mbështeten politikat kombëtare për të drejtat e fëmijës, mekanizmat efikasë, si dhe autoritetet përgjegjëse në nivel qendror e vendor dhe kompetencat e tyre në fushën e të drejtave dhe të mbrojtjes së fëmijës;
c. garantimin e mirëqenies dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijës, duke promovuar e mundësuar zhvillimin e tyre në shoqëri, ndihmën dhe përkujdesin efektiv për fëmijën, shëndeti dhe mirëqenia e të cilit janë në rrezik…

Sfera e stilit juridiko- administrativ përbëhet nga veprimtaria me shkrim e me gojë në fushën ligjvënëse, ekzekutive e gjyqësore të të gjithë organizmave përkatës dhe administratës së tyre. Leksiku i këtij stili është më i kufizuar në krahasim me stilet e tjera, fjalët gjithmonë përdoren me kuptim të drejtpërdrejtë, nuk ndërtohen figura letrare, ka terma, fjalë të huaja e ndërkombëtare.

Hartohen me stilin administrativo-juridik:
shkresat e dokumentet zyrtare
lutjet, telegramet
kushtetutat e statutet
urdhëresat
peticionet
rregulloret
ligjet e vendimet gjyqësore
lejet

Shenjë e dukshme e këtij stili, janë:
a. disa lokucione lidhëzore e parafjalore,
b. disa togje fjalësh,
c. disa shprehje të ligjërimit libror.
Nga përsëritja e dendur dhe e vazhdueshme, këto shprehje janë kthyer në formula tipike gjuhësore. P.sh.: duke qenë se, duke marrë parasysh se, në drejtim (të), si rrjedhim, është rregull që, në bazë të ligjit, sipas nenit, në emrin tim, kam nderin të parashtroj, i drejtohem asaj ministrie, shpresoj që lutja do të merret parasysh, me nderime, ju njoftojmë që etj.
Me gjithë karakterin e tij përgjithësisht më të ngurosur, edhe ky stil ka pësuar ndryshime e zhvillime, duke u çliruar nga disa fjalë, shprehje e ndërtime të vjetruara, nga disa kallëpe burokratike e duke u bërë më i zhdërvjellët, si në leksik edhe në sintaksë.
Disa ndryshime e zhvillime të këtij stili përgjithësisht të ngurosur:
a. fjala kërkesë në vend të lutje,
b. shprehjet përshëndetje në vend të me nderime,
c. në emrin tim në vend të në emrin tim personal etj.,
d. fraza është përpunuar dhe është afruar më shumë me atë të stileve të tjera.

Pra, krahas përvijimit e kristalizimit të këtij stili, po bëhet edhe specifikimi më i drejtpërdrejtë i mjeteve gjuhësore. Nga njëra anë, shtohen elementet e leksikut të përgjithshëm që hyjnë në këtë stil si mjete asnjanëse, të përbashkëta për të gjitha stilet dhe përpunohet kështu stili si një pjesë e gjuhës standarde,; nga ana tjetër, përvijohen më qartë mjetet gjuhësore me vlerë stilistike që karakterizojnë këtë stil. Në këtë mënyrë bëhen më të dallueshëm kufijtë e këtij stili me stilet e tjera. Të dyja këto dukuri janë tregues të zhvillimit të stilit funksional. Këto veçanti lidhen si me zhvillimin e gjuhës standarde në përgjithësi, ashtu edhe me luftën që bëhet për ta pastruar gjuhën e shkresave zyrtare nga fjalët e shprehjet, të cilave tashmë u ka kaluar koha. Ja si ndryshon në kohë një nen, si nga gjuha e përdorur, edhe nga termat e përshtatura me ndryshimet.
a. në Kanun e gjejmë të shprehur: §.1201. “Lajmtar thirret aj, i cilli çon në vend porosin e dërguesit.”
b. ndërsa në Kushtetutën sot thuhet: Neni 36 “Liria dhe fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara.”
Siç vihet re, për të njëjtën nen, për të njëjtën përmbajtje kemi një fjalor të ndryshëm lidhur si me termat juridike edhe me gjuhën standarde. Vërejini me kujdes këto ndryshime duke i krahasuar të dy nenet me njëri-tjetrin.

Disa kërkesa për tekstet e kësaj fushe:
a. Gjithçka paraqitet nga pikëpamja e përgjithshme e interesave të shtetit dhe jo e ligjëruesit të veçantë.
b. Paraqitja gjuhësore bëhet me përpikmëri, duke përfshirë të gjitha rastet e mundshme, me qëllim që të mos ketë mundësi për një interpretim tjetër.
c. Tekstet të mos ndryshohen brenda periudhave të shkurtra, rrjedhimisht ky është një stil tradicional dhe konservator.
Në këtë stil, gjuha nuk duhet të jetë e ngjeshur në dhënien e informacionit. Përkundrazi duhet të jepet me imtësi çdo objekt, ose marrëdhënie. Tepria gjuhësore, e panevojshme për këtë stil lehtësohet shpesh përmes shkurtesave. Kështu shpjegohet krijimi i shkurtimeve për emërtimet e institucioneve të organizatave: INSIG, BKT, OJQ, UT etj. Për të ndërtuar këto tekste përdoren disa forma, si p.sh.: modele të gatshme që kanë kokën, datën adresën, lëndën me shkurtime, me formulat e hyrjes e të mbylljes, nënshkrimin bashkë me vulën ose edhe formularët që e parashkruajnë pjesën më të madhe të tekstit; po ashtu, ligjëruesi, në mënyrë të shtrënguar, thotë, me sa më pak fjalë, si përdoren disa forma, si p.sh.: modele të gatshme që kanë kokën, datën, adresën, lëndën me shkurtim, me formulat e hyrjes e të mbylljes, nënshkrimin bashkë me vulën ose edhe formularët që e parashkruajnë pjesën më të madhe të tekstit dhe ligjëruesi në mënyrë të shtrënguar thotë me sa më pak fjalë atë që kërkon ky stil.

Një model i një shkrese zyrtare që është plotësuar sipas kërkesave të mësipërme. Shumë materiale përdorin rrugë të ndryshme të renditjes së materialit me kolona, ligje, nene, me pika etj.

p.sh.:

Neni 33
1. Kushdo ka të drejtë të dëgjohet para se të gjykohet.
2. Nga kjo e drejtë nuk mund të përfitojë personi që i fshihet drejtësisë.
Si shihet, në këtë nen të të Kushtetutës sonë, synohet të thuhet e plotë, me paraqitje objektive, pa emocionalitet e shprehësi gjithçka, me shprehi të sistematizuara e të njëtrajtshme.