Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 6.1
Ligjërimet në gjuhën shqipe Ligjërimi i thjeshtë dhe ligjërimi bisedor
Kujtojmë!
a. Komunikimi është një nga proceset socio-kulturore më të rëndësishme, gjithashtu një proces i shprehjes së ndjesive a botës së brendshme të njeriut.
b. Dallojmë tri lloje komunikimesh: ekzistencial, verbal dhe joverbal (p.sh. vallja e bletëve në formën e numrit tetë realizon komunikimin e bletëve me njëra-tjetrën për të treguar se ku ndodhet poleni; komukimi përmes fjalëve; komunikimi përmes gjesteve a gjuhës së trupit etj.).
c. Elementet e komunikimit janë: dhënësi, marrësi, mesazhi, kodi, kanali dhe referenti. Një element i rëndësishëm për dekodimin ose kodimin e mesazhit është konteksti.
d. Konteksti është tri llojesh: i situatës, gjuhësor, kulturor.
e. Llojet e ndryshme të komunikimit realizohen me anë të shenjave të ndryshme. Komunikimi verbal është komunikimi më i rëndësishëm. Shenja gjuhësore, e cila është shenja që përdoret në komunikimin verbal, përbëhet nga shenjuesi dhe i shenjuari.
f. Në procesin e komunikimit dallojmë gjuhën (sistem rregullash të ngulitura) nga ligjërimi (përdorimi i këtij sistemi gjatë aktit komunikues). Ligjërimi është i folur ose i shkruar.
Çdonjëri nga ne ka një mënyrë të vetën të përdorimit të gjuhës; por, duke u bazuar në disa kritere, si rrethanat kur e përdorim gjuhën për të komunikuar me të tjerët, njohja ose jo e personave me të cilët komunikojmë, largësia apo afërsia fizike me ta, statusi social, qëllimi për të cilin komunikojmë etj., rezulton që ligjërimet tona me ato të të tjerëve të kenë edhe ngjashmëri. Ligjërimet e gjuhës sonë në të dy variantet e saj (të shkruar e të folur) i klasifikojmë në tri lloje, duke u bazuar në marrëdhënien që këto ligjerime kanë me normën letrare dhe zbatimin e saj. Kështu dallojmë ligjërimin e thjeshtë ose të shkujdesur, ligjërimin bisedor dhe ligjërimin libror ose të lartë.
Ligjërimet janë shfaqje të shkallëve të ndryshme të zhvillimit që ka arritur vetë norma gjuhësore. Siç vihet re (shih grafikun 1) ligjërimi libror qëndron në shkallën më të lartë të zhvillimit të normës gjuhësore. Ligjërimi bisedor në një shkallë më të ulët, kurse ligjërimi i shkujdesur qëndron jashtë normës standarde.
Në jetën e përditshme, në familje e në punë, në shkollë e në situata shoqërore, në marrëdhëniet e zakonshme për shkak të tregtisë, argëtimit, lojërave, kulturës, udhëtimeve, kur nuk janë të pranishme raporte zyrtare e formale, të hierarkizuara në ndonjë mënyrë, është në përdorim një ligjërim, që e siguron komunikimin e drejtëpërdrejtë gjatë çfarëdo bisede dhe prandaj do ta quajmë ligjërimi bisedor. Ligjërimi bisedor është, pra, varianti që merr standardi kur përdoret në të folur e në biseda të lira, kur norma nuk ndihet si prangë e nuk ruhet plotësisht, por u nënshtrohet ndryshimeve që kërkojnë rrethanat e fushat e marrëveshjes gjuhësore, formimi kulturor i folësit, vetë lloji i ligjërimit ose synimet stilistike.
Ligjërimi i shkujdesur
Ligjërimi i thjeshtë a “i shkujdesur” është ligjërimi i përditshëm i njerëzve të profesioneve e të krahinave të ndryshme, që nuk i përmbahen në të folur normës gjuhësore, e shkelin ose e shtrembërojnë atë. Ky ligjërim është shkalla më e ulët në gjuhë nga pikëpamja e normës gjuhësore, mjetet e shprehjes, që janë të veçanta për të, qëndrojnë jashtë kufijve të gjuhës standarde.
Disa nga karakteristikat kryesore të këtij lloj ligjërimi janë:
a. Në të folur, përdoren trajta dialektore në mënyrë të theksuar.
b. Është i zakonshëm përdorimi i argove dhe i zhargonit (gjuha e fshehtë e një grupi social a profesional) profesional studentor, shkollor etj. Le të marrim disa shembuj; nga futbolli: është me penallti në tru, tifoz valutë; nga mjediset shkollore: i bëri naftën (la shkollën, mësimin), i rri sahati dymbëdhjetë (s’e vret mendjen), s’i paske pirë ilaçet (s’qenke mirë), është bishë (shumë e bukur), më iku pini (u mërzita shumë); nga ligjërimi i shoferëve: i janë thyer balestrat (çalon), ka marrë me vete dhe rimorkion (bashkëshorten), rri furtunë (e sheh gjithnjë të dehur) etj.
c. Subjektivizmi dhe emocionaliteti shfaqen në shkallën më të lartë. Shumë fjalë e shprehje të ligjërimit të thjeshtë kanë ngjyrim emocionues të fortë, prandaj si këtu, edhe kur përdoren në ligjërime të tjera, dallohen qartë si mjete me shprehësi të lartë, por me përmbajtje “të trashë” e “të rëndë”: (eci në) disk “eci zbathur”, u dogj (koha e caktuar për diskutim), (më la) kimia, kinkalerira, pesëminutëshi “inati”, qelbësirë, qurravec, ia shkeli, moj e poshtër (me familjaritet), (ç’janë këto) zarzavate, iu tha syri, ia dha dhëmbët në dorë etj. (të gjitha në kuptim të figurshëm), si edhe emrat që përdoren si sharje: dosë, gjarpër, hajvan, hu, kungull, kastravec, leckë, pelë, pykë, qen, rosak, rrotë, shtazë, tapë etj. Mallkimet e sharjet nga më të ulëtat, epitetet e nofkat i gjejmë në këtë ligjërim. Kështu, shtresa leksikore karakteristike e ligjërimit të thjeshtë i kundërvihet normës letrare.
d. Theksimi i intimitetit nëpërmjet fjalëve ofenduese të thëna me përkëdheli, p.sh., Sa i poshtër je! Belege! etj. Po kështu, në këtë lloj ligjërimi bëjnë pjesë edhe sharjet e rënda e shprehjet fyese të cilat nuk quhen pjesë e normës. Vihet re se emërtimet e perimeve përdoren si sharje, kurse të frutave dhe luleve për të lavdëruar, p.sh., “Kujdestar surrat patate…” (nga filmi “Lulëkuqe mbi mure”).
e. Të folurit shoqërohet me gjeste shpeshherë të ekzagjeruara, ndryshime të mimikës, tonit dhe intonacionit.
– Fjalët shtrembërohen ose cungohen në përbërjen e tyre tingullore, p.sh.: nar për katundar, kusho për kushëri, grupi te gabi për të thënë te firma Gabi (emërtimi Gabi është në vetvete shkurtesë për gabelët dhe nënkupton tregun e rrobeve të përdorura ).
– Mungon ligjërata e zhdrejtë dhe fjalitë me disa pjesë të nënrenditura.
– Ka përsëritje të fjalëve, sidomos kur bashkëbiseduesit janë larg, flasin në telefon ose në një mjedis ku ka zhurmë, p.sh.:
Plaka: I bleve këpucët?
Nusja: I bleva, i bleva. Si s’i bleva.
a. Përdoren shpesh ndërtimet me lidhëzën pak se (ndonjëherë edhe në ligjërimin bisedor), të cilat përdoren zakonisht për të shprehur raporte të natyrës kundërshtore:
b. Pak se ta kam bërë drekën gati, kërkon edhe të ta vë përpara. Edhe pse nuk e ka një përemër pavetor të mirëfilltë, të krahasueshëm me gjermanishten man, frëngjishten on dhe deri diku spanjishten uno, anglishten one dhe italishten si, shqipja përshtat fjalë të ndryshme në këtë funksion të rëndësishëm. Për shembull, emri njeriu, në trajtën e shquar njëjës ndeshet në këtë funksion, zakonisht në ndërtime me foljen di, ndonjëherë edhe i shoqëruar me mbiemër: Nuk di njeriu i shkretë si të reagojë, të flasë apo ta mbajë gojën mbyllur.
c. Përdoren dendur pjesëzat e pasthirrmat: Hallall! I madh! E paparë! O roje! O njësh! O figurë! Etj.