Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 9.2 Fjalia e përbërë me nënrenditje kushtore, lejore dhe krahasore

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 9.2

Fjalia e përbërë me nënrenditje kushtore, lejore dhe krahasore

Të thuash “Po!”
Ndoshta fjala më pozitive se çdo tjetër, më premtuesja për rritjen e vazhdueshme dhe e hapur për dashurinë është fjala e thjeshtë: “Po”. “Po” është “shkrirësja” më e mirë e simboleve ose koncepteve të ngurtësuara. Një njeri i aftë të dashurojë, i thotë “po” jetës, “po” gëzimit, “po” diturisë, “po” njerëzve, “po” ndryshimeve. Bindet se të gjitha gjërat dhe të gjithë njerëzit kanë diçka për të na dhuruar, se në çdo gjë janë të gjitha gjërat e tjera. Dhe nëse fjala “po” ju duket shumë e rrezikshme, provo të përdorësh fjalën “ndoshta”. Të thuash “jo” është e barabartë me mohimin. Të mohosh diçka apo dikë do të thotë ta largosh prej nesh, dhe ndoshta përgjithmonë. Xhejms Xhojsi e përfundon romanin “Uliksi” me pohimin më të gjatë që gjendet në letërsinë e shkruar, madje në mjaft faqe, në të vërtetë, personazhi Moli pëshpërit “po”. “Po, po, po, po, po, po!” “Nuk e di se kur është bërë pyetja, – ka shkruar Dag Hammarskjold në librin “Markings”, – madje nuk e di nëse unë i jam përgjigjur ndonjëherë. E megjithatë në një farë pike i jam përgjigjur “po” dikujt apo diçkaje. Dhe duke u nisur nga ai çast, kam pasur sigurinë se jeta kishte një kuptim, se jeta kishte një qëllim.” Nëse duam të dashurojmë, së pari duhet t’i themi “po” dashurisë. Dhe t’i thuash “po” dashurisë, do të thotë t’i matim me pjekuri dhe objektivitet fjalët që i drejtojmë gruas, fëmijëve tanë, shefit të zyrës, kolegëve, miqve dhe komshinjve, shitësit apo furnizuesit me benzinë. Në të vërtetë, fjalët që përdorim, zakonisht tregojnë se cilët jemi, çfarë kemi parë dhe mësuar. Ne jemi fjalët tona, dhe ato mund të jenë një hap i rëndësishëm në rrugën që ndjekim për zbulimin e dashurisë. Leo Buscaglia, Dashuri, përkthyer nga Zhak Pilika

Fjalia e përbërë me nënrenditje kushtore
Fjalia e përbërë me nënrenditje kushtore shpreh marrëdhënie kusht-pasojë. Ajo paraqet dy veprime a gjendje të ndërvarura midis tyre në mënyrë të tillë që realizimi ose mosrealizimi i asaj që thuhet në fjalinë e varur, bën të mundur ose të pamundur atë për të cilën bëhet fjalë në fjalinë drejtuese. Mjetet kryesore për shprehjen e marrëdhënieve kushtore janë lidhëzat e lokucionet lidhëzore dhe trajtat foljore të fjalisë së varur. Fjalitë e përbëra kushtore lidhëzore janë forma më e zakonshme e shprehjes së marrëdhënieve të këtij lloji. Lidhëzat e lokucionet lidhëzore që lidhin fjalinë e varur kushtore me fjalinë drejtuese janë: në, në qoftë se, në rast se, po, po qe se, sikur, kur, me kusht që etj.: Po të jemi të bashkuar, do t’i kapërcejmë të gjitha pengesat. Në qoftë se ai i di të gjitha, pse na pyet ne atëherë? Shumë të përdorura janë dhe fjalitë kushtore pa lidhëza, të ndërtuara me mënyrën lidhore. Ato shprehin marrëdhënie kushtore po aq të qarta sa edhe fjalitë lidhëzore dhe e pranojnë lidhëzën, pa ndryshuar strukturën e fjalive. Këto fjali fillojnë gjithmonë me kallëzuesin: Ta kisha pranë shtëpinë, do të punoja këtu. Të shikosh punën e madhe që bëhet atje, bindesh për këto që pot ë them unë. Fjalia kushtore, nga vendi që zë në fjalinë e përbërë, ndahet në dy grupe: fjali kushtore me rend të ngulitur, fjali kushtore me rend të lirë. Në fjalitë kushtore me rend të ngulitur përfshihen ato fjali që ndërtohen me lokucionet lidhëzore me kusht që dhe mjaft që, të cilat vendosen gjithmonë prapa fjalisë drejtuese. Rendi më i zakonshëm i fjalisë së varur kushtore është paravendosja, por këto fjali njohin, ndonëse më rrallë, dhe vendosjen në mes të fjalisë drejtuese: Unë po i harroj të gjitha, por me kusht që edhe ti t’i harrosh. Kuptove? Po të mos kishim qenë të bashkuar, nuk do t’i bënin ballë të gjitha vështirësive. Fëmijës, po s’qau, nuk i japin të pijë.

Fjalia kushtore zakonisht ndahet me presje në të tria pozicionet e saj.
» Fjalia e përbërë me nënrenditje lejore
Fjalia e varur lejore shpreh një veprim a gjendje që pritet të pengojë realizimin e veprimit të fjalisë drejtuese, por që nuk arrin ta ndalojë atë. Brendia e fjalisë drejtuese nuk është pasojë logjike e brendisë së fjalisë së varur, por e kundërta e asaj që pritej të ndodhte: Ndonëse është shkruar njëqind e tridhjetë vjet më përpara, nuk e ka humbur aspak rëndësinë e saj të parë. Sado i zoti që të jesh, do të kesh nevojë për ndihmën e shokëve. Fjalitë lejore lidhen me fjalitë prej së cilave varen, me lidhëzat ose lokucionet lidhëzore megjithëse, ndonëse, pavarësisht se, sido që, edhe pse, sido që etj.
Fjalitë e varura lejore, me përjashtim të atyre që ndërtohen me shprehjen vërtet që, të cilat vendosen gjithmonë përpara fjalisë drejtuese, mund të vendosen përpara fjalisë drejtuese, prapa ose në mes të saj. Megjithatë, rendi më i zakonshëm është paravendosja: Megjithëse u mundua shumë, nuk arriti dot të lidhte mendimet. Fjalia lejore zakonisht ndahet me presje në të tria pozicionet e saj.

Fjalia e varur krahasore
Fjalia krahasore zë vend të veçantë midis fjalive të varura në përgjithësi dhe shërben për të krahasuar një veprim, një tipar a një sasi. Ajo shpreh një fakt që krahasohet me një fakt tjetër që është dhënë prej fjalisë drejtuese. Krahasimi mund të bëhet në plane të ndryshme barazie ose mosbarazie: Bukuria dhe hijeshia e asaj tabloje më shumë më brengosi sesa më ngjalli kënaqësi. Sa më e egër bëhej lufta e armiqve kundër tij, aq më e vendosur bëhej lufta e tij kundër armiqve. Fjalia e varur krahasore lidhet me fjalinë prej së cilës varet me lidhëzat e lokucionet lidhëzore si, siç, sikur, sikurse, ashtu si, se, sesa etj. Nga prania ose jo e fjalëve korrelative (aq, kaq, ashtu, kështu, më shumë etj.) në pjesën drejtuese, fjalitë krahasore i kemi të tipit korrelativ dhe jokorrelativ (më të pakta): Sa i gjallë ishte djali, aq e ndrojtur ishte vajza. Kjo përgjigje më shumë e gëzoi, sesa e çuditi. Kur i thanë se cila ishte e përqafoi ashtu si përqafon nëna foshnjën. Fjalia krahasore mund të ketë si kallëzues të njëjtën folje (ose folje sinonimike) që shërben si kallëzues edhe për fjalinë drejtuese. Në këto raste, kallëzuesi i fjalisë krahasore ndonjëherë nuk shprehet dhe atëhere fjalia e varur del në formën e fjalisë mungesore: Dalëngadalë, alkooli ngiste muhabetin si era zjarrin.
Fjalia e varur krahasore, në përgjithësi, kur vendosen përpara fjalisë drejtuese ose futen në mes të saj, ndahen me presje. Ndahen gjithashtu me presje, në të shumtën e rasteve, edhe fjalitë krahasore që vendosen pas fjalisë drejtuese: Ajo kishte menduar shumë herë për këtë gjë, ashtu si kishin menduar edhe të tjerët. Sa më shumë fliste, aq më tepër nxehej. Djaloshi, sa më shumë dëgjonte rreth ndodhisë, aq më shumë bindej se kishte pasur të drejtë.