Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 5.1
Kronika Informuese
1. Karakteristikat strukturore, gjuhësore dhe stilistike të tekstit rrëfyes
Lexoni dy tekstet e mëposhtme. Vëreni dhe interpretoni të përbashkëtat dhe dallimet mes tyre.
1. Unë jam shqiptare. Ky përbën faktin më të rëndësishëm të jetës sime, madje më të rëndësishëm se edhe familja, pasi të qenët e ndërgjegjshme për të, më krijoi ndjesinë e gjallë të asaj që duhet të bëj duke i dhënë kështu qëllim jetës sime. Ky fakt përcaktoi si sfondin gjeografik, ashtu dhe atë historik dhe më ka dhënë interesimin tim kryesor, si dhe idealin tim aq herët në jetën time sa mund të mbaj mend: të ngrija popullin tim drejt shkollimit dhe pavarësisë.
(Jeta ime, Jetëshkrim i pabotuar i “Mësueses së Popullit” Sevasti Qirjazi- Dako, Tiranë, 2016.)
2. Kur hynë në Tiranë, po binte mbrëmja. Mjegulla rrinte pezull mbi dritaret, dritat dhe drurët e zhveshur të parqeve. Gjenerali u gjallërua. Nga qelqet e dritares shihte kalimtarët e shumtë që shpejtonin në shi. Këtu ka shumë ombrella, mendoi. Ai donte t’i fliste priftit, sepse heshtja e kishte mërzitur, por nuk dinte ç’t’i thoshte. [..] Në hotel “Dajti” gjenerali e ndjeu veten mirë. Ai shkoi në dhomën e tij dhe ndërroi uniformën. Pastaj zbriti në holl dhe porositi një bisedim telefonik me shtëpinë…
(I. Kadare, Gjenerali ushtrisë së vdekur, Onufri, 2005.)
Të rrëfesh, do të thotë të tregosh për një fakt ose një histori.Tekstet rrëfyese kanë një përdorim mjaft të dendur, me qëllimargëtimin (zbavitjen), por edhe informimin dhe bindjen e rrëfimarrësit. Në bazë të funksionit që kryejnëtekstet rrëfyese mund t’i ndajmë në dy grupe të mëdha: në tekste rrëfyese joletrare dhe letrare. Ato dallohen nga njëri-tjetri për nga qëllimi, gjuha dhe nga mënyra se si e paraqesin realitetin (botën). Ndërsa funksioni kryesor i shkrimit të një teksti rrëfyes letrar është estetik, teksti rrëfyes joletrar shkruhet për qëllime praktike.Ai karakterizohet nga një gjuhë e zakonshme, e saktë dhe e qartë në kuptim. Marrësi i mesazhit përqendrohet te brendia e mesazhit, te faktet dhe ngjarjet reale të jetës. Qëllimi i tekstit rrëfyes joletrar është kryesisht ai informues.
Kujtojmë
Teksti letrar krijohet (projektohet) nga imagjinata e autorit. Edhe në rastet kur teksti rrëfyes letrar i referohet fakteve reale, ai përsëri është shprehje e një interpretimi të veçantë dhe subjektiv të shpirtit njerëzor dhe të botës.Përmes përdorimit të një gjuhe shprehëse e përdorimit të figurave retorike, autori nxit ndjeshmërinë dhe aftësitë interpretuese të lexuesit.
Teksti rrëfyes shprehës komunikon ndjenja, përvoja, emocione në formë vetjake, nga dhënësi i mesazhit (autori)te një marrës real ose imagjinar. Stili i tij ështëithjeshtë, spontan dhe gjuha e drejtpërdrejtë. Pavarësisht nga klasifikimet e ndryshme, të gjitha tekstet rrëfyese kanë të përbashkët:
a. Vazhdimësinë e ngjarjes në kohë dhe hapësirë (rendin hapësinor-kohor);
b. personazhet;
c. rrëfimtarin;
d. historinë, që përbëhet nga fabula dhe subjekti.
Karakteristikat e tekstit rrëfyes
Teksti rrëfyes dallohet me lehtësi, përmes këtyre karakteristikave të thjeshta:
· prania e elementeve të dallueshme hapësinore dhe kohore: kohë dhe vende të mirëpërcaktuara;
· prania e një a më shumë protagonistëve dhe personazheve të tjera që marrin pjesë në ngjarje;
· prania e rrëfimtarit;
· historia e rrëfyer nuk mbështetet te renditja e thjeshtë e ngjarjeve, por te përshkrimi i ngjarjeve që kanë lidhje bashkëshoqëruese mes tyre. Autori rrëfen sipas një rendi artificial, pasi e përqendron vëmendjen në aspekte të caktuara të ngjarjes dhe jo te rrjedha e veprimeve të njëpasnjëshme. Nëse ngjarjet do tërrëfehenin sipas një rendi kronologjik do të kishim një rend natyral të tyre.
· rrjedha e historisë, para dhe pas, bëhet e njohur përmes ndryshimeve të ndodhura.
Gjuha
· Në aspektin gjuhësor, teksti rrëfyes karakterizohet nga prania e treguesve kohorë (më parë, më pas, pastaj..);
· foljet në kohën e shkuar( me mbizotërim të kryerës së thjeshtë e së pakryerës, si dhe të kohës së tashme të mënyrës dëftore e lidhore);
· prania e llojeve të tjera të teksteve: paragrafët përshkrues, dialogues, medituesose reflektues.
BIOGRAFIA E NËNË TEREZËS
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta (Indi). Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu), me origjinë nga Mirdita, dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Lindi në Shkup, të Shqipërisë, sot Republika e Maqedonisë, më datë 26 gusht 1910. Shkupi i merret Shqipërisë prej Maqedonisë më 1 janar 1918, në bazë tëTraktatit të Versajës. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj. Kola dhe Drania kishin 5 fëmijë, dy u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Frikë të madhe kishte nënë Drania mos Gonxhja i vdiste menjëherë pas lindjes, sepse me trup dhe shëndet dukej e dobët. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë, në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali. Kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tri: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj: “Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muajit po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkruaj dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e dëshiroj që Zoti t’ju jap gjithcka që ju dëshiron zemra. Dua t’ju fal gjërat më të përzemerta, Gonxhja”. Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi), ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës…
(Wikipedia, Enciklopedia e Lirë, Gusht 2010.)