Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 9.1 Fjalia e përbërë me nënrenditje qëllimore shkakore dhe rrjedhimore

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 9.1

Fjalia e përbërë me nënrenditje qëllimore, shkakore dhe rrjedhimore

Dikur kam mbajtur syze. Fillova të përdor syzet kur po stërmundohesha me Omer Khajamin, kur përpiqesha ta përktheja sa më mirë Omer Khajamin. Kur po lexoja disa libra në bibliotekën e Berlinit, disa libra me gërma shumë të vogla, mendova se më nevojiteshin syzet. Shkoja vazhdimisht në atë bibliotekë. Nuk e di, a ju kam treguar si mund të dallosh një gjerman nga një francez, një rus apo një grek? A jua kam treguar këtë?

Shumë studiues, shkojnë e studiojnë në Berlin, në universitetet gjermane. Disa nga ata gjermanë janë profesorë të mëdhenj, dijetarë të mëdhenj. Një herë, po diskutonin si mund të dallosh kush është student gjerman, kush është student francez, kush është student grek e kështu me radhë. Dikush tha që po të jetë bjond është gjerman. Jo, tha një tjetër, mund të takosh disa gjermanë që duken si grekë. Pra, kjo nuk qëndron. Kështu njëri dha këtë shpjegim. Studenti gjerman është ai që hyn në bibliotekë së bashku me portierin që e hap derën dhe del nga biblioteka së bashku me portierin kur ai e mbyll derën. Ky pra është student gjerman. Studenti francez shkon në bibliotekë dhe qëndron rreth një orë. Pastaj del për të pirë një cigare dhe nuk kthehet më. Ndërsa studenti grek është ai që shkon në bibliotekë, e gjen librin që do të lexojë dhe pa e hapur fare librin del pas pak jashtë nga biblioteka (të qeshura).

Në atë kohë punoja shumë dhe qëndroja në bibliotekë që kur hapej e deri kur mbyllej, sepse duhej ta përfundoja punën. Mendova se më nevojiteshin syzet dhe i kam mbajtur ato që nga 1927 deri sa shkrojta disertacionin për gradën e doktorit mbi Skënderbeun. Duhej të lexoja shumë libra. Më vonë i lashë syzet dhe zbulova se nuk më nevojiteshin fare. Ishte vetëm një iluzion. Mendoja se kisha nevojë për to. Kam marrë një këshillë nga një libër. Kur ndjeheni të lodhur mbyllni librin, ndërprisni leximin. Por, në atë kohë unë nuk e mora parasysh këtë këshillë dhe doemos kur je shumë i lodhur, nuk mund të lexosh. Kështu që mendova se më nevojiteshin syzet. Por në të vërtetë s’kisha nevojë fare për to.
F. Noli, vepra 5, Tiranë 1988

Fjalia e përbërë me pjesë të varur qëllimore
Fjalia e varur qëllimore tregon qëllimin për të cilin kryhet veprimi i shprehur në fjalinë drejtuese, atë që synohet të arrihet nëpërmjet këtij veprimi. Fjalia e varur qëllimore i referohet zakonisht gjithë fjalisë prej së cilës varet. Ajo lidhet me të me lidhëzën që, me lokucionet lidhëzore me qëllim që, në mënyrë që ose bashkohet me të drejtpërdrejt, pa lidhëz: Vëre gjënë në vend, ta gjesh me sy mbyllur. Që të arrije në majën e kullës, nuk duheshin më tepër se dy minuta. Ata kërkonin të nxirreshin mësime nga e kaluara, në mënyrë që gabimet të mos përsëriteshin më. Para kallëzuesit të fjalive qëllimore mund të vendosen pjesëzat gjoja, si, vetëm e vetëm, vetëm sa, pikërisht etj., të cilat i japin fjalisë ngjyrime kuptimore të ndryshme: Çdo ditë vinte atje gjoja që të kontrollonte punimet. Djali, si për t’i shpëtuar vështrimit të saj, nisi të rrëmojë në çantën.
Si fjali qëllimore, ndonëse të rralla, merren edhe ndërtimet me trajtën e paskajores: Për t’ia humbur gjurmët kësaj bisede, i tha Kristinës të sillte kafetë. Fjalia e nënrenditur qëllimore mund të vendoset para, pas ose në mes të fjalisë drejtuese. Fjalitë qëllimore me lidhëzën që, me lokucionin lidhëzor me qëllim që dhe ndërtimet sinonimike me paskajore i pranojnë të tria pozicionet e mundshme. Kur është para fjalisë drejtuese, fjalia e varur ndahet nga ajo me presje; kur hyn në mes të kryesores, fjalia e varur ndahet me presje nga të dyja anët. Zakonisht ndahen me presje, edhe kur vijnë pas fjalisë drejtuese, fjalitë qëllimore me lokucionet me qëllim që, në mënyrë që: Doli në rrugë, me qëllim që t’i priste aty mysafirët.

Fjalia e përbërë me pjesë të varur shkakore
Fjalia e përbërë me pjesë të varur shkakore shpreh marrëdhënie shkak-pasojë, tregon shkakun ose arsyen e asaj që thuhet në fjalinë drejtuese. Fjalia e varur shkakore bashkohet me kryesoren me anë të lidhëzave dhe lokucioneve lidhëzore: se, pse, sepse, ngaqë, nga shkaku se, për shkak se, nga frika se, meqë, duke qënë se, tek, kur, derisa, si, siç etj. Nga to, më e përdorshme është lidhëza se: Unë ju ndihmoj, se ju e meritoni. Ata bisedonin me zë të ulët, nga frika se mos i zgjonin fëmijët që po flinin. Të vish medoemos, se ndryshe më mbetet qejfi. Meqë hytë, rrini. Fjalia e varur shkakore bashkohet me kryesoren jo vetëm me lidhëza ose lokucioneve lidhëzore shkakore. Edhe lloje të tjera lidhëzash (kohore, kryefjalore, mënyrore etj.) shërbejnë për ndërtimin e fjalive të varura shkakore: Kur është me aq ngut, do të vete t’i thërras vetë. Pamjen e tyre të jashtme, si njeri me përvojë që ishte në këtë art të vështirë, ai mund ta përshkruante me hollësi. Si është puna që po nxiton kështu?
Fjalia e nënrenditur shkakore mund të ketë rend të ndryshëm. Ka fjali që kanë rend të ngulitur, rrjedhimisht vetëm një pozicion, ka të tjera që zënë dy pozicione dhe ka fjali që i gjejmë në të tria pozicionet. Rend të ngulitur, pas fjalisë drejtuese, ka fjalia shkakore që lidhet me drejtuesen me lidhëzën që: E ke gabim që mendon kështu. Para saj nuk vendoset presje. Rend të rëndomtë të prapavendosur kanë fjalitë shkakore me lidhëzën se, pse, sepse, për arsye se, nga shkaku që. Ky rend mund të ndryshojë vetëm në rast se përdoren lidhëza dyshe se… pa ose në rast se lidhëzës se i përgjigjet në kryesoren ndajfolja prandaj ose kur ka disa pjesëza të caktuara. Kur paravendoset, pas saj vihet presje: Do vete gjer atje, se kam punë. Ndoshta pse eci shtigjeve të parrahura gjer në atë orë, nuk pa njeri. Vendosen në të shumtën e rasteve pas fjalive kryesore fjalitë shkakore me lokucione lidhëzore duke qenë se, duke marrë parasysh se. Fjalitë shkakore me lidhëzat e tjera mund të vendosen para, pas ose në mes të fjalisë drejtuese.

Fjalia e përbërë me pjesë të varur rrjedhimore
Fjalia e përbërë me pjesë të varur rrjedhimore shpreh: – ose marrëdhënie në mes një sasie a intensiteti të paraqitur në fjalinë kryesore si shkak dhe rrjedhimit që vjen prej saj, të shprehur në fjalinë e varur; – ose marrëdhënie në mes faktit a ngjarjes së shprehur nga fjalia kryesore dhe përfundimit logjik të tij, të shprehur në fjalinë e varur rrjedhimore. Në fjalinë e varur kemi përdorimin e lidhëzave sa, sa që, aq sa, që, kështu që etj., ndërsa në fjalinë kryesore fjalët korrelative (që mundësojnë bashkëlidhje) aq, kaq, i atillë, i tillë, gjer atje, në atë shkallë etj. Në këtë rast, flasim për tipin korrelativ të fjalisë rrjedhimore: Analiza qe kaq e imtë, sa zgjati plot tetë orë. Zbathur ajo ecte aq lehtë, sa nuk i ndiente dhe vetë çapat e saj. Por, kjo fjali ka dhe tipin jokorrelativ (jo të bashkëlidhur): Për tri javë u tret, sa mezi mbahej në këmbë. Ai kishte ndryshuar krejt, aq sa nuk e njihje. Në tipin e fjalive rrjedhimore jokorrelative mund të vendosen fjalët korrelative dhe fjalia nuk pëson ndryshime thelbësore gramatikore e semantike, për shembull: Gjyshi u egërsua, sa i dridhej tërë trupi. Gjyshi u egërsua (aq fort), sa i dridhej tërë trupi.

Kujdes! Fjalia e varur rrjedhimore me të njëjtin korrelat dhe lidhëz (aq… sa), si dhe fjalia krahasore ndryshojnë nga njëra-tjetra nga kuptimi leksikor i kallëzuesit: te fjalia rrjedhimore kemi rrjedhim si pasojë e një sasie të madhe që paraqitet si shkak, kurse te fjalia krahasore kemi krahasimin e një sasie të paraqitur në fjalinë krahasore me një tjetër që paraqitet në të varurën, të shprehur me kallëzues me kuptim leksikor të njëjtë, të afërt ose të kundërt. Vini re këtë dallim:
Ferdinanti ishte thyer në betejën e Sarnos dhe ndodhej aq keq sa e shoqja kërkonte ndihma nga besnikët (fjali rrjedhimore). Alfonsi i dha Skënderbeut aq të holla sa ishin të nevojshme për të financuar këtë ekspeditë (fjali krahasore). Fjalia e nënrenditur rrjedhimore rëndom ka rend të ngulitur, e varura vjen pas kryesores: Lumenjtë vinin të rrëmbyer, sa nuk kapërceheshin dot. Kur disa fjali rrjedhimore kanë të bëjnë secila me gjymtyrë homogjene të fjalisë kryesore, hyjnë dhe në mes të fjalisë kryesore: Ishte një rrap i madh, i moçëm, sa nuk mbahet mend, me një trung të trashë. Fjalitë rrjedhimore ndahen rregullisht me presje.