Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 9.3 Përdorimi i presjes te fjalitë e përbëra me nënrënditje

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 9.3

Pikësimi: Përdorimi i presjes te fjalitë e përbëra me nënrenditje

Përdorimi i presjes te fjalitë e përbëra me nënrenditje varet kryesisht nga vendi që zë pjesa e varur në fjalinë e përbërë.

Ndahen me presje:
a. pjesët e nënrenditura të fjalisë së përbërë, që ndodhen përpara pjesës kryesore: Që jemi përpjekur shumë, këtë e di. Gjithë sa tregova më lart, ndodhi dy vjet të shkuara. Kur ata u kthyen te hani, thashethemet kishin mbërritur para tyre. Ngaqë s’i durohej, i vajti drejt e në zyrë.
b. pjesët e nënrenditura të fjalisë së përbërë, që ndodhen në mes të kryesores. Pas tyre gjithmonë vihet presje: Lajmi që shokët e kishin fituar ndeshjen, e gëzonte.
c. fjalitë e nënrenditura mënyrore e shkakore, kur hyjnë në mes të kryesores, ndahen me presje nga të dyja anët: Muajin e tretë, me pretekst se lodhej shumë në punë, agronomi ua la krasitjen ndihmësve të tij. Raste të tilla kemi dhe në fjalitë kohore: Lotët, si i kalonin nëpër qerpikët e dendur e të gjatë, i rridhnin nëpër faqet e bardha dhe binin përmbi shilten e butë.
d. fjalitë e nënrenditura përcaktore në rastin kur përemri lidhor i cili është përdorur në rasën gjinore dhe fjalitë e varura nisin me një emër: Shtriu dorën në drejtim të kodrave, faqet e të cilave ishin tarracuar.
e. fjalitë e nënrenditura kushtore e lejore në të tria pozicionet e tyre: Megjithëse rruga ishte e largët dhe e vështirë, asnjë prej tyre nuk u kthye pas. Në qytetin tënd, në ardhsha prapë, do të të vizitoj.

Nuk ndahen me presje:
a. pjesët e nënrenditura të fjalisë së përbërë (në shumicën e tyre) kur janë në rendin fjali kryesore-fjali e varur: S’është as e re, as e papritur pamja që kam sot para syve. Ai mezi gjeti një shitës ambulant që po shiste qershi. Gëzimit i erdhi mirë që askush tjetër nuk shprehu frikë.
b. pjesët kryesore të fjalive të përbëra kundrinore kur gjenden në mes të pjesës së nënrenditur. Në këtë rast, nuk kemi përdorim të presjes as para, as pas tyre: Cilin mendon të caktojmë komandant?
c. fjalitë e nënrenditura qëllimore që vijnë pas fjalisë drejtuese, kur janë ndërtime pa lidhëza dhe formë e paskajores: Djali shënoi gojën me dorë për të mbajtur të qeshurit.
d. fjalitë qëllimore me lidhëzën që, kur vendosen pas fjalisë drejtuese, përveç se kur fjalia drejtuese është shumë e gjatë (Ti rri rojë gjithë natën në dhomën e heshtur, që drita të mos ndërpritet kurrë): Duhet të guxosh që të mos kesh frikë. fjalitë e nënrenditura shkakore kur fjalia kryesore ka si bërthamë kallëzuesore togjet: kjo ndodh, kjo vjen, kjo ngjan etj.: Kjo ndodhi se nuk u kujdese siç duhej. fjalitë e nënrenditura rrjedhimore që kanë në fjalinë kryesore ndajfoljet mjaft ose tepër: I sëmuri ishte tepër i dobët që të linte shtratin. fjalitë e nënrenditura krahasore të bashkëlidhura të pabarazisë dhe ato të bashkëlidhura me ndajfoljen sa: Rruga e gjatë dukej më e shkurtër se ç’mund të pandehni ju. Nxitova sa munda.