Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 14.1 Karakteristikat e tekstit informues paraqitës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 14.1

Teksti informues-Paraqitës

Struktura dhe karakteristikat e tekstit informues-paraqitës
Teksti informues-paraqitës është tekst që i transmeton marrësit të mesazhit informacione dhe njohuri në lidhje me një argument, fakt, dukuri, koncept, të trajtuar nga një këndvështrim i përgjithshëm. Qëllimi i këtij lloji teksti është kryesisht praktik: të informojë përmes shpjegimit, pra të rrisë ose ndryshojë njohuritë e lexuesit mbi një temë të caktuar me anën e shpjegimit.

Tekstet informuese-paraqitëse janë mjaft të larmishme. Ato mund t’i grupojmë në:
a. tekste informuese-paraqitëse të tipit analitik,
b. tekste informuese-paraqitëse të tipit sintetik.

 

Shihni organizuesin grafik të mëposhtëm.

Tekste informuese-paraqitëse ANALITIKE
paraqitjet shkencore
enciklopeditë
tekstet divulgative
curriculum vitae-t
fjalorët
tekstet shkollore
procesverbalet
letërkëmbimet
esetë informuese

Tekste informuese-paraqitëse SINTETIKE
shënimet
njoftimet
skicat
skemat
përmbledhjet

Struktura e tekstit informues – paraqitës
a. Tekstet informuese – paraqitëse kanë në qendër tema, objekte, dukuri, koncepte, të cilat trajtohen në aspekte të ndryshme, sipas qëllimit të informacionit.
b. Në strukturën e tekstit informues-paraqitës, informacionet organizohen sipas temës dhe në bazë të kritereve logjike të mirëpërcaktuara.
c. Tekstet informuese-paraqitëse duhet të japin / sjellin një shpjegim të qartë, koherent dhe të plotë të temës që paraqesin.
d. Në një tekst informues – paraqitës të ndërtuar mirë, çdo paragraf përmban një informacion të ri.
e. Për të arritur qëllimin kryesor, pra një kuptueshmëri sa më të mirë të tekstit, në këto tekste përdoren elemente grafike që e lejojnë marrësin e mesazhit të dallojë temën kryesore, konceptet themelore, termat më të rëndësishëm. Si elemente të tilla mund të shërbejnë:
– titujt e ndryshëm (titujt dhe nëntitujt),
– ndarja në paragrafë,
– ilustrimet, emërtimet,
– përdorimi i shkronjave të veçanta, si p.sh., atyre me ngjyrë të zezë etj.

Vepra e Naim Frashërit për gjuhën letrare të kombit
Lexoni me kujdes tekstin e mëposhtëm:
a. Nga gjuhësia jonë është pohuar me të drejtë se themelet e gjuhës së sotme letrare shqipe, të gjuhës sonë kombëtare, janë hedhur në periudhën e Rilindjes. Një rol të madh në hedhjen e këtyre themeleve luan padyshim vepra e Naim Frashërit.
Dihet se gjuha letrare shqipe ka qenë gjithmonë në lëvizje. Në shekujt XVI-XVIII kjo lëvizje ka qenë e ngadalshme, me mjaft luhatje e ndërprerje dhe shumë e mundimshme. Gjuha e shkruar në ata shekuj, si në përkthime, ashtu dhe në krijime origjinale kishte, në përgjithësi, karakter monovalent(1): – ajo ishte veshje e një përmbajtjeje fetare. Te Bogdani këta kufij fillojnë të kapërcehen. Hapin vigan që e shndërroi shqipen letrare në një gjuhë kombëtare polivalente e bëri Rilindja. Shkrimet e K. Kristoforidhit në vitet ’60 të shek. XIX kishin synime të qarta atdhetare dhe frymëzoheshin nga ideja e madhe e njësisë së kombit e të gjuhës shqipe, çka autori e vërtetoi duke e shkruar shqipen në dy variante – të Jugut e të Veriut dhe duke krijuar njëkohësisht një variant letrar verior të mesëm si urë bashkimi. Megjithatë, edhe shkrimet e Kristoforidhit ishin kryesisht përkthime me përmbajtje fetare. Në një kohë kur në Shqipëri zotëronte thirrja rilindase “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”, as këto shkrime nuk mund ta kishin plotësisht peshën gjuhësore luteriane (2). Një peshë të tillë mund ta kishte vetëm ai lëvrues i gjuhës që do të mishëronte e do të zbërthente në veprat e veta idetë e kërkesat e reja humaniste e iluministe për lirinë e përparimin e njeriut e të kombit. Pikërisht këtë bëri Naim Frashëri dhe prandaj zuri vendin kryesor në bashkësinë e rilindasve, që lëvruan dhe ndërtuan shqipen letrare të epokës kombëtare. Ku i gjeti Naim Frashëri mjetet gjuhësore për veprën e tij? Ato i gjeti në radhë të parë e kryekreje në visarin e gjuhës së popullit tonë, duke përfshirë këtu edhe folklorin. Njëkohësisht ai u ushqye edhe nga lëvruesit e tjerë të shqipes së epokës para Rilindjes e sidomos nga laboratori i veçantë krijues i K. Kristoforidhit, i cili shërbeu si një “shkollë”1 gjuhësore për autorët e Rilindjes dhe të periudhës pas saj. Për veprat e veta në poezi e në prozë, Naimi iu drejtua edhe gjuhëve të tjera,- sidomos greqishtes së vjetër, gjuhëve të Europës Perëndimore dhe persishtes. Këto gjuhë i shërbyen atij si një shtysë a pikëmbështje plotësuese për të përpunuar në mënyrë krijuese lëndën e shqipes dhe njëkohësisht si vijë e përparuar e lëvrimit të gjuhës letrare, që duhej arritur edhe nga shqipja. Kjo duket qartë sidomos te “Kënga e parë” e Iliadës së Homerit, tek e cila jepet mundësia të ballafaqojmë drejtpërdrejt ligjërimin e Naimit me origjinalin në greqishten e vjetër.

b. Naimi bëri një organizim të ri të gjuhës letrare shqipe, i cili u mishërua si në zgjedhjen e mjeteve
leksikore-frazeologjike e fjalëformuese, ashtu
edhe në fushën e gramatikës, në radhë të parë në rrafshin e togfjalëshit e të fjalisë, por, krahas kësaj, edhe në rrafshin e morfologjisë e të morfonologjisë (3). Nëpërmjet veprave të tij të shumta ai krijoi një sistem leksikor e gramatikor letrar me aftësi shprehëse e komunikative shumë më të larta se çdo e folme a dialekt dhe me tipare koinezimi (4). Baza e strukturës leksikore e fjalëformuese së gjuhës së Naim Frashërit është gjuha popullore. Sipas gjedheve të saj e me mjetet e saj fjalëformuese, Naimi ka krijuar shumë fjalë të reja sidomos emra, mbiemra, folje, të cilat jo vetëm kanë zgjeruar kufijtë sasiorë të shqipes letrare, e kanë pasuruar atë në mënyrë simetrike, por edhe i kanë dhënë mundësi të shprehë një përmbajtje më të lartë mendimore e shpirtërore. Të tilla janë, p.sh:
-fjalë të parme si plënk = turp, e thëna = fati, mëngë = gji etj..
-fjalë me ndajshtesa të ndryshme si i bëshëm, i ergjendtë, i florinjtë. mituri-a, i pasosurë etj…
-fjalët e përbëra si buzëpjekur, gjëmëmadhi, krahëshkruar, symëshqerrë etj.

Edhe fjala burramadhe, që përdor Naimi te përkthimi i Iliadës së Homerit (As në bimërat të Ethisë/ Pëllore dhe burramadhe), që duket sikur është krijuar prej tij nën ndikimin e greqishtes, dëshmohet në shqipen që më 1335 (Paulus Burmad)2.

Kjo tregon se si e ka shkrirë Naimi krijimtarinë e vet gjuhësore me shpirtin gjuhëkrijues të popullit. Kjo ka sjellë dhe një fryt tjetër të rëndësishëm: shumë krijime të Naimit janë bërë popullore, gjuha e folur dhe gjuha e shkruar kanë pasuruar njëra-tjetrën.

(Androkli Kostallari, Studime filologjike 4, Akademia e Shkencave, Insituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1990, 27-33.)

Fjalorth:
1. monovalent – këtu ka kuptimin e një gjuhe që flet vetëm për një argument, si p.sh., gjuha e veprës së Bogdanit që lidhet me përmbajtjen fetare. Në kuptimin që i jep autori, fjala polivalente, del si antonim i fjalës monovalente. (i njëvlershëm dhe i shumëvlershëm)
2. pesha gjuhësore luteriane – këtu – kontributi gjuhësor që solli përkthimi i Biblës nga M. Luteri në vendosjen e bazave të gjermanishtes letrare (shumë kohë para se të krijohej njësia politike e shtetit gjerman).
3. morfonologjisë – degë e veçantë e morfologjisë, që ka si objekt studimin e strukturës fonemore të morfemave. (R. Memushaj, 1989.)
4. koinezimi – në gjuhë: një dialekt që fiton fuqinë, duke marrë edhe nga dialektet e tjera dhe me tipare të veçanta standardi.
5. tekste divulgative – popullarizuese, tekste me karakter shkencor që i drejtohen një publiku jospecialist