Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 7.1: Llojet e fjalive Fjalia e thjeshtë dhe fjalia e përbërë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 7.1

Llojet e fjalive fjalia e thjeshtë dhe fjalia e përbërë

Kujtojmë:
Fjali quhet një bashkim fjalësh ose edhe një fjalë e vetme që përmban kuptim. Në të folur, fjalitë veçohen nga njëra-tjetra me ndryshimin e intonacionit dhe me pushimet. Në të shkruar, ato veçohen me anë të shenjave të pikësimit. Sipas kumtimit dhe intonacionit, fjalitë ndahen në këto lloje: dëftore, dëshirore, nxitëse dhe pyetëse. Çdo kumtim mund të pohojë ose të mohojë diçka. Kështu, sipas modalitetit (mundësisë), fjalitë mund të jenë pohore ose mohore. Fjalia mund të jetë e thjeshtë ose e përbërë. Fjalia e thjeshtë ka zakonisht një kallëzues, kurse fjalia e përbërë ka dy ose më shumë kallëzues. Kemi dy lloje fjalish të thjeshta: Fjali të thjeshta me dy gjymtyrë kryesore (kryefjalë + kallëzues ± gjymtyrë plotësuese) dhe fjali të thjeshta me një gjymtyrë kryesore.
Fjalia me një gjymtyrë kryesore mund të jetë:
a. pavetore (Diku vetëtiu.);
b. e shprehur me folje (Si e quajnë shokun tënd më të ngushtë?);
c. e shprehur me emër (Shi i ftohtë dimri.).

Përgjatë të folurit përdorim edhe fjali të paplota. Fjalitë e paplota nuk e kanë të shprehur një ose disa gjymtyrë.

Mirë se erdhët në Holandë!
Më është kërkuar shpesh të përshkruaj se si është të rritësh një fëmijë me aftësi ndryshe, në mënyrë që nëpërmjet përvojës sime njerëzit që nuk e njohin këtë përvojë unike, të kuptojnë e të përpiqen të imagjinojnë se si ndihet një prind që lind dhe me shumë mund rrit një fëmijë ndryshe nga të tjerët. Unë u përgjigjem: “Është kështu…” Të presësh një fëmijë që të vijë në jetë, është si të programosh një udhëtim për të shkuar me pushime në Italinë përrallore. Fillimisht duhet të blesh një tufë librash udhëzues dhe menjëherë fillon të bësh planin e mrekullueshëm: Koloseu, statuja e Davidit të Mikelanxhelos, shëtitje me gondola në Venecia… Madje fillon të mësosh disa shprehje të nevojshme në gjuhën italiane. Ah… gjithçka është kaq eksituese! Pas disa muajsh pritjeje plot ankth e padurim, më në fund vjen dita e shumëpritur. Plaçkat janë paketuar. Valixhet janë gati. Pas disa orësh fluturim, avioni prek tokën. Stjuardesa buzëqesh si gjithnjë dhe thotë: “Mirë se erdhët në Holandë!” “Holandë?!” – thoni ju plot shqetësim. “Çfarë do të thotë kjo?! Unë e kam prerë biletën për në Itali, jo për në Holandë! Unë duhet të isha në Itali tani! Kam ëndërruar gjithë jetën të shkoj në Itali!” “Ka ndodhur një ndryshim në planin e fluturimit. Kemi zbarkuar në Holandë dhe tani, s’kemi ç’të bëjmë, do të qëndroni këtu.” – nënvizon e zënë ngushtë stjuardesa. “Ajo çka është e rëndësishme, është që nuk ju kanë sjellë në një vend të neveritshëm, të tmerrshëm apo të pistë, plot uri e sëmundje. Është thjesht një vend i ndryshëm nga ai që prisnit.” Tani gjendem këtu. Kam nevojë të blej të tjerë libra udhëzues, të mësoj një gjuhë tjetër dhe të takoj njerëz të rinj, njerëz që kurrë s’e kisha menduar se do më bëheshin aq të afërt. Është thjesht një vend ndryshe. Ritmi i jetës këtu është më i ngadaltë se në Itali dhe me ndryshime të vogla, pak të dukshme. Por pasi mësohesh, pas njëfarë kohe, fillon të marrësh frymë, fillon të shohësh përqark… Fillon të vëresh që Holanda ka shumë mullinj të bukur me erë… që Holanda ka tulipanë shumëngjyrësh të mrekullueshëm. Holanda ka dhe Rembrandin! …Por gjithë të njohurit e tu ikin e vijnë në Itali dhe mburren me kohën fantastike që kalojnë atje. Gjithë jetën tënde ti do t’i thuash vetes: “Po, atje duhet të kisha shkuar dhe unë. Këtë kisha planifikuar. As e kisha menduar ndonjëherë të shkoja në Holandë, as për ta vizituar, jo më për të jetuar përgjithnjë!” Dhe dhimbja që nuk do kesh mundësi të shkosh atje, nuk do të largohet kurrë, kurrë, kurrë …, sepse humbja e asaj ëndrre është një humbje shumë domethënëse, nga ato humbje që të ndryshojnë gjithë jetën. Por, tani jemi këtu. Nëse do ta kalosh gjithë jetën duke vuajtur faktin që nuk pate mundësi të shkosh në Itali, ti nuk do të jesh kurrë i lirë të gëzosh e të shijosh të veçantat dhe gjërat e bukura … në Holandë.
(Ese nga Emili Perl Kingsli 1987, nëna e një fëmije me sindromën Dawn.)

Krijoni një fjali të thjeshtë për çdonjërin prej llojeve të fjalive të thjeshta.

Fjalia e përbërë
Fjalia e përbërë përbëhet prej dy ose më shumë njësish kallëzuesore ( pjesë të ngjashme nga forma me fjalitë e thjeshta) dhe formon njësi me kuptim të plotë nga ana gramatikore dhe intonacionore.

Le të shohim shembullin e mëposhtëm:
Të rinjtë po grumbulloheshin duke kënduar në sheshin ku do të zhvillohej manifestimi. Që këtu kemi të bëjmë me një fjali, kjo në të folur bëhet e qartë nga intonacioni (zëri fillon të ngrihet te fjala Të rinjtë dhe ulet te fjala manifestimi) dhe nga pushimi (pauza) i gjatë në fund të saj, e cila në të shkruar shprehet me pikë. Nga ana strukturore kjo fjali përbëhet prej dy pjesësh:
1. Të rinjtë po grumbulloheshin duke kënduar në sheshin dhe 2. ku do të zhvillohej manifestimi. Pavarësisht se ngjajnë me fjalitë e thjeshta, këto pjesë nuk janë fjali, sepse veçmas nuk janë të plota as nga kumtimi as nga intonacioni. Ato janë të lidhura ngushtë dhe nuk mund të qëndrojnë pa njëratjetrën.

Pjesët e fjalisë së përbërë lidhen me njëra-tjetrën në dy mënyra:
1. Me anë të lidhëzave dhe të fjalëve lidhëse (përemra lidhorë dhe ndajfolje lidhore).
I ati u gëzua shumë, kur e pa Arlindin me diplomën në dorë. (kur-lidhëz nënrenditëse kohore) Mbledhja e senatit të shkollës u zhvillua në sallën ku zhvillohen projektet. (ku-lidhëz nënrenditëse vendore) Ai e zgjidhi atë çështje sipas mënyrës që iu duk më e drejtë. (që (e cila)- përemër lidhor)
2. Me anë të intonacionit (pa lidhëza dhe fjalë lidhëse).
Shikoi punën, mos i shiko gunën. Thëllimi ngiste kopshteve, aromat e bimëve dhe të drurëve derdheshin nëpër fshat. Fjalitë e përbëra ndahen në dy grupe: a) fjali të përbëra me bashkërenditje, b) fjali të përbëra me nënrenditje.

 

Fjali të përbëra me bashkërenditje janë ato fjali që përbëhen prej dy a më shumë fjalish
homogjene, pjesët e të cilave lidhen me lidhëza bashkërenditëse ose pa lidhëza (asidentike).
Shembull 1: Historia e kopjimeve dhe e botimeve të mëvonshme të dramave të Eskilit, si dhe të bashkëkohësve të tjerë të mëdhenj,/ as nuk u zgjidh,/as nuk mbaroi me dekretin e Likurgut Fjalia e përbërë është e ndërtuar nga tri pjesë me bashkërenditje shtuese (këpujore) të lidhura midis tyre me anën e përsëritjes së lidhëzës shtuese (me kuptim mohues të përforcuar) as…as…
Shembull 2: Ishte një nënë, kishte një djalë, të vetëm e kishte. Kjo fjali është e përbërë nga tri pjesë të pavarura për nga kumtimi, të lidhura me njëra-tjetrën nga intonacioni. Kjo është fjali e përbërë asidentike.

Fjali të përbëra me nënrenditje janë ato fjali, të përbëra së paku prej dy njësish kallëzuesore në formë fjalie, me raporte nënreditëse varësie, në të cilat pjesët lidhen me lidhëza nënrenditëse ose me fjalë lidhëse. Njësia (pjesa) që shërben si bazë organizuese e fjalisë së përbërë, quhet fjali kryesore, ndërsa ajo që e plotëson, e sqaron atë që është e varur gramatikisht prej saj, quhet fjali e nënrenditur ose fjali e varur.

Fjali e varur përcaktore
Nisur nga shembulli i mësipërm, themi se një fjali kryesore mund të ketë dy a më shumë fjali të varura. Fjalia e varur mund të varet edhe prej një fjalie që është vetë e varur. Fjalia që varet nga fjalia kryesore, quhet fjali e varur e shkallës së parë, kuse fjalia që i nënrenditet kësaj, quhet fjali e varur e shkallës së dytë e kështu me radhë.