Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 13.1
Si të mbajmë një fjalim para një publiku
Në klasën e dhjetë dhe të njëmbëdhjetë keni mësuar ç’është fjalimi dhe ç’është të folurit në publik, keni mësuar të shkruani një fjalim duke përdorur teknika të ndryshme strukturore për organizmin e tij. Në temat e kaluara keni lexuar dhe dëgjuar fjalime dhe ligjërata dhe i keni analizuar ato. Tani është koha të vini në praktikë dijet që keni marrë dhe të mësoni si të mbani një fjalim përpara një publiku të caktuar.
Kur paraqesni një punë a një projekt; kur recitoni një poezi, kur tregoni një ndodhi; kur mbani një fjalim për të bindur shokët e klasës për t’ ju zgjedhur në Këshillin e klasës, në Senatin e shkollës ose në Qeverinë e nxënësve; kur paraqesni përpara shkollës a në komunitet ose qoftë edhe përpara mësuesve një iniciativë që keni menduar të ndërmerrni etj., ju jeni duke bërë një paraqitje individuale përpara një publiku.
Çfarë duhet të kemi parasysh kur bëjmë një paraqitje të çfarëdo lloji përpara të tjerëve?
Hapi i parë: Paraqesni veten: thoni emrin, mbiemrin, vendin nga vini dhe shkollën apo klasën në të cilën jeni. Nëse paraqiteni në emër të një grupi të rinjsh, thoni emrin e grupit rinor dhe diçka informuese rreth tij, p.sh.: nëse jeni pjesëtar i Rrethit letrar të shkollës, president ose anëtar i Qeverisë së nxënësve, anëtar i skuadrës së futbollit të shkollës etj.
Hapi i dytë: Bëni me mendje një listë të gjërave që do të thoni rreth vetes dhe listojini ato duke vendosur përparësi. Planifikimi i kujdesshmëm ju bën të ndiheni më të sigurtë në atë që do të bëni dhe do të thoni.
Hapi i tretë: Fillojeni paraqitjen tuaj me diçka që është e rëndësishme për ju ose që ju bën të ndryshëm nga të tjerët. Jini krijues dhe origjinal, tërhiqni vëmendjen me diçka që ju përfaqëson, p.sh.: ju dëshironi të flisni për mbrojtjen e kafshëve dhe mund ta nisni paraqitjen tuaj duke u treguar shokëve disa foto ku keni dalë me qenin tuaj të lezetshëm duke bërë gjëra të bukura, inteligjente ose ndonjë foto të dalë me të në situata komike.
Hapi i katërt: Qëndroni drejtë dhe përpiquni të ndiheni komod. Qëndroni me këmbët tuaja të larguara në gjatësinë e shpatullave, rreth 15-20 cm larg njëra-tjetrës. Qëndroni përballë dëgjuesve me kokën drejt. Shoqërojeni të folurin tuaj me gjeste e lëvizje trupore, por këto të mos jenë të ekzagjeruara, pasi mund t’i shpërqendroni dëgjuesit. Gjatë një paraqitjeje mund të ketë edhe probleme të natyrave të ndryshme, ndaj mbani parasysh që është e rëndësishme të ruani qetësinë, të mos i ktheni shpinën dëgjuesve, të buzëqeshni, dhe, pse jo, mund ta përdorni këtë situatë për të krijuar një situatë humori ose ta përdorni në dobi të temës për të cilën po flisni.
Hapi i pestë: Mos e mbani shikimin të ngulur në fletë, por përpiquni të krijoni kontakte me sy me të pranishmit. Nëse keni frikë se mos humbisni radhën e ligjërimit tuaj, vendosni shenja me ngjyra në fletën tuaj dhe mos shkruani me një shkrim të ngjeshur. Nëse e keni shkruar në kompjuter tekstin tuaj, përdorni më mirë një shkrim më të madh se 12 dhe organizojeni atë në paragrafë. Flisni, mos lexoni. Teksti i shkruar ose materiali i përgatitur në slajdera mund t’ju shërbejë si pika referimi për t’ju mbajtur në rrjedhën e duhur. Nëse jeni duke lexuar një tekst, bëni herë pas here pauza të shkurtra për t’i dhënë kohë dëgjuesve tuaj që të përtypin informacionin, hiqni shikimin çdo 5-10 sekonta për të parë dëgjuesit.
Hapi i gjashtë: Jini realist. Përdorni logjikën në parashtrimin e çështjeve, mbështetuni në fakte dhe ngjarje reale, paraqitni shembuj dhe përdorni inteligjencën emocionale për të ndikuar e për të frymëzuar dëgjuesit.
Hapi i shtatë: Jepini rëndësi të veçantë hyrjes dhe mbylljes së ligjëratës ose të fjalimit tuaj, në mënyrë që ai të jetë mbresëlënës. Një fjali shprehëse, nxitëse apo një pyetje retorike që përsëritet disa herë mund të shërbejë për ta përfshirë publikun që ju dëgjon dhe për ta bërë atë për vete.
Hapi i tetë: Përpiquni të shmangni fjalët parazite dhe përsëritjen e tyre (hëm…hëm, domethënë, atëherë, pa dyshim, sigurisht që…) , dhe pauzat që nuk i shërbejnë të folurit apo ndikimit emocional të dëgjuesit. Gjithashtu shmangni gjeste e lëvizje trupore të përsëritura, si: prekja ose largimi i flokëve nga fytyra, fërkimi i duarve, shtrembërimi i këmbëve dhe ndryshimi i shpeshtë i pozicionit të tyre, nëse jeni duke folur në një vend të dukshëm. Shmangni hapat para mbrapa. Përdorini lëvizjet për të vendosur kontaktin me dëgjuesit tuaj.
Hapi i nëntë: Për të larguar frikën e të folurit përpara të tjerëve, mos përfytyroni një sallë bosh, por një sallë të mbushur me miq.
Hapi i dhjetë: Duhet të dini se kur duhet ndalur së foluri. Një fjalim ose një ligjëratë e gjatë e lodh dëgjuesin. Kur bëni paraqitjen e një pune a projekti dhe keni përgatitur një material ndihmës me slajdera, sugjerohet të përdoret raporti 10:20:30 (10 slajdera, 20 minuta, 30 madhësia e shkronjave).
Këshilla më e mirë në të gjitha rastet është: “Pak e saktë!”
Kur flasim përpara të tjerëve, përveç mesazheve që përcjellim përmes fjalëve, rëndësi të veçantë ka dhe gjuha e trupit. Shihni figurat e mëposhtme dhe formuloni një tekst udhëzues me sugjerime dhe këshilla, ku të përcaktoni se çfarë nuk duhet të bëjmë gjatë mbajtjes së nja fjalimi përpara një publiku.