Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 8.1 Struktura dhe karakteristika të tekstit udhëzues

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 8.1

Teksti udhëzues

Teksti udhëzues tregon norma, rregulla, si dhe ka të pranishme udhëzime e sugjerime të cilat duhen ndjekur gjatë një veprimtarie të caktuar. Funsionet e tekstit udhëzues janë:
a. të japë informacione të sakta dhe të dobishme, udhëzime për të kryer një aktivitet, si p.sh: montimin ose riparimin e një aparature, organizimin e një loje, etj.;
b. të mundësojë përvijimin e rregullave për mënyrën se si duhet të sillemi në situata dhe vende të caktuara, si në shkollë, në rrugë, në muze; të na lejojë të përmbushim detyrimet tona dhe ndalesat (kufizimet).

Teksti udhëzues ka, gjithashtu, edhe funksion bindës, pasi autoriteti i dhënësit të mesazhit e rrit vlerën e këshillave ose rregullave. Tekstet udhëzuese përbëhen nga forma tekstesh të ndryshme në brendësi të tyre, të paraqitura me shkrim ose me gojë. Shembujt më të njohur (më klasikë) të tyre janë: ligjet e nxjerra nga një autoritet publik (kushtetuta, kodi rrugor …), udhëzimet për përdorimin e duhur të barnave, manualet për përdorimin dhe funksionimin e aparaturave, rregulloret, recetat e gatimit etj..

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
TË DREJTAT DHE LIRITË THEMELORE TË NJERIUT,
KREU I,
PARIME TË PËRGJITHSHME,

Neni 15
1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme,dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik. 2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.

Strukturat e tekstit udhëzues

Përmbajnë:
1. Përshkrimin Në tekstet e manualeve, udhëzuesve është e domosdoshme të përdoren ilustrime, foto, skica.

2. Pocedurën Jepen udhëzimet përkatëse për mënyrën e veprimit ose përdorimit.

3. Paralajmërimet (këshillat) Vendosen zakonisht në fund të tekstit. Qëllimi i tyre është të tërheqin vëmendjen për rreziqet e mundshme ose veprimet që duhet të bëhen për t’i shmangur ato.

Shembull: Manuali ndihmës për përdorimin e lidhjeve HDMI
High-Definition Multimedia Interface (HDMI) është një ndërfaqe që transmeton sinjale figure dhe zëri në format  digjital. Lidhja e pajisjeve që mbështesin Sony “BRAVIA” Sync me anë të kabllove HDMI i thjeshton veprimet. Shihni “Kombinimi i pajisjeve të tjera me lidhje HDMI (“BRAVIA” Sync).”

Funksionet HDMI
Sinjalet e zërit digjital të transmetuara nga HDMI mund të dalin nga altoparlantët e lidhur me marrësin. Ky sinjal mbështet Dolby Digital, DTS, DSD dhe Linear PCM. Për hollësi, shihni “Formatet e zërit digjital të mbështetura nga marrësi.”

Marrësi mund të marrë PCM lineare shumëkanalëshe (deri në 8 kanale) me një frekuencë modulimi prej 192 kHz ose më pak nëpërmjet lidhjes HDMI. Sinjalet e hyrjes analoge të figurës në folenë VIDEO të marrësit ose në foletë COMPONENT VIDEO mund të nxirren si sinjale HDMI (vetëm për STRDN1050).

Sinjalet e zërit nuk nxirren nga foletë HDMI OUT gjatë konvertimit të figurës. Marrësi mbështet High Bitrate Audio (DTS-HD Master Audio, Dolby TrueHD), Deep Color (Deep Colour), “x.v.Color (x.v.Colour)” dhe transmetim 4K ose 3D. Për të parë figurë 3D, lidhni televizorin dhe pajisjet e shikimit dhe televizive që mbështesin 3D (luajtës Blu-ray Disc, regjistrues Blu-ray Disc, PlayStation 3 etj.) me marrësin me anë të kabllove HDMI me shpejtësi të lartë, vendosni syzet 3D dhe luani materiale që mbështesin 3D.

Për të përdorur figurë 4K (HDMI BD/DVD, GAME, SAT/CATV, VIDEO1), lidhni me marrësin një pajisje televizive apo shikimi (luajtës për disqe Blu-ray etj.) që mbështet 4K nëpërmjet kabllosh HDMI të shpejtësisë së lartë dhe luani materiale që mbështesin 4K (vetëm për STR-DN1050).

Shënim
Në varësi të televizorit ose të pajisjes së shikimit, figurat 4K ose 3D mund të mos shfaqen. Kontrolloni formatet e figurës HDMI që mbështeten nga marrësi. Për hollësi drejtojuni udhëzimeve të përdorimit të secilës pajisje të lidhur. (http://download.sony-europe.com/pub/manuals/html/Z003850111/SQ/contents/TP0000378903.html)

Karakteristikat gjuhësore
Forma e tekstit udhëzues është e qartë dhe e thjeshtë, dhe karakterizohet nga përdorimi i termave të specializuara (teknike, shkencore, juridike), në mënyrë që të mos krijohen paqartësi në interpretim. Fjalitë janë të shkurtra. Gjuha ka rëndësi themelore në tekstin udhëzues: ajo çfarë thuhet, nuk duhet të shprehet në mënyrë të dykuptimtë. Kur informacionet janë të natyrës teknike (p.sh., tek udhëzimet për përdorimin e aparaturave) janë të pranishme termat e një gjuhe të veçantë teknike, të cilat nuk shpjegohen në tekst, pasi nënkuptohet njohja e tyre nga ana e marrësit të mesazhit. Në tekstet ligjore, struktura është e ngurtë dhe skematike, leksiku është i saktë. Duke qenë se dhënësi i mesazhit përfaqëson autoritetin publik, përdorimi i regjistrit formal përjashton referencat ose adresimin kundrejt/ndajnjë marrësi të përcaktuar. Në tekstet që përcaktojnë mënyra sjelljeje, struktura është më pak e ngurtë, sugjerimet mund të jenë në formë treguese, regjistri gjuhësor shpesh është informal-bisedor. Në rastin e një recete gatimi ose në rregulloret e shkollës mund të përdoret veta e dytë e numrit shumës.
Informacionet ndjekin një rend logjik ose kronologjik. Veçanërisht tek udhëzimet e parashtruara sipas rendit kronologjik përdoren shumë shpesh treguesit kohorë (së pari, pastaj, në fund, etj.) që shënojnë zhvillimin e veprimeve të sugjeruara. Mënyrat dhe kohët e foljeve në tekstet udhëzuese janë të ndryshme: zakonisht përdoret mënyra urdhërore, lidhorja me vlerë nxitëse si dhe format pavetore. Përdoren foljet që tregojnë “detyrim” ose foljet nëkohën e ardhme, kur kemi rregulla që tregojnë atë që duhet bërë (rregulla pozitive). Në të kundërt, kur përcaktohen ato që nuk duhen bërë (rregullat negative),përdoren foljet që tregojnë “ndalim” ose folja modale mund, e paraprirë nga pjesëza mohuese nuk.