Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 3.1
Drejtshkrimi i fjalëve me prejardhje të huaj
Një pjesë e mirë e fjalëve të huaja që kanë hyrë në gjuhën shqipe (mbizotërojnë emrat) i takojnë sidomos terminologjisë tekniko- shkencore; ato kanë hyrë kryesisht përmes gjuhës së shkruar. Më poshtë po rendisim disa rregulla që duhet të kemi parasysh për shkrimin e emrave të përgjithshëm a të përveçëm me prejardhje të huaj.
Drejtshkrimi i fjalëve me prejardhje të huaj me grupet ia, ie, io, iu dhe ai, ei, oi, ui
1. Fjalët që kanë-ia, -ie-,-io-, -iu-, me i të patheksuar në trup të tyre, shkruhen me –ia-, -ie-,-io-, -iu-, dhe jo me –ja-, -je-, -jo-, -ju-:
Shembuj:
-ia-: australian, aviator, miliard, piano, psikiatër, racial, special;
-ie-: ambicie, bankier, higjienë, karrierë, malarie, mumie, pionier;
-io-: agjitacion, aksion, biografi, legjion, nocion, version;
-iu-: akuarium, helium, kalcium, kolokuium, koniunkturë, simpozium, etj.
Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të huaj: Diana, Iliada, Molieri, Vietnam, Etiopi, Kioto etj.
Kujdes! Shkruhen me –ja-, -je-, jo-, -ju- fjalë si: havjar, plejadë, konvejer, major, medalje, vjenez, rajon, pavijon, adjutant etj.
2. Kur grupet e zanoreve ai, ei, oi, ui ndodhen në trup të fjalës shkruhen me zanore dhe më pas vihet -j, kurse kur këto grupe ndodhen në fund të fjalës në emra të përveçëm të huaj, shkruhen me –i.
Shembuj:
a. Bojkotoj, fejton,, kajsi, kajzer, kombajnë, lajtmotiv, volejboll, etj.
b. Havai, Sidnei, Shangai, , Tolstoi, Trubeckoi etj.
Kujdes! Fjalët peizazh dhe Ilinois edhe pse grupi i zanoreve është në trup të fjalës, shkruhen me-i
Disa fjalë, si: hokej, koktej, kauboj, tramvaj bëjnë përjashtim nga rregulli.
Drejtshkrimi i fjalëve të huaja me grupet au, eu
3. Fjalët e burimit grek, latin a iliro-trak që kanë në përbërjen e tyre grupet e zanoreve au, eu shkruhen njësoj dhe në gjuhën shqipe.
Shembuj:
a. Emra të përgjithshëm: audiencë, auditor, autentik, autokton, autopsi, kozmonaut, mauzole, eufemizëm, eufori, eunuk, leucemi, neurologji, reumatizëm etj.
b. Emra të përveçëm: August, Aurora, Australi-a, Centaur-i, Euripidi, Euklid-i, Pleurat-i etj.
Kujdes! Disa fjalë me grupin eu në fillim ose në trup të fjalës duke qenë se janë ngulitur të tilla në gjuhën shqipe shkruhen me v dhe jo me u, si p.sh.: Evropë, evropian, nevralgji, nevralgjik, nevrasten, nevrastenik, nevrik.
Vërejmë se, edhe pse sipas drejtshkrimit, emrat Evropë dhe evropian shkruhen me v, gjithnjë e më shumë në gjuhën shqipe këto emra po shkruhen me eu- (Europë, europian).
Rregulla të tjera për drejtshkrimin e fjalëve me prejardhje të huaj Lexoni rregullat e paraqitura në tabelën e mëposhtme dhe përpiquni të shtoni shembuj të tjerë fjalësh të huaja që ju njihni:
1. Fjalët me prejardhje nga greqishtja e vjetër, që në këtë gjuhë kanë y (ypsilon) shkruhen me i : amidon, analizë, antonim, distrofi, dinasti, dizenteri, etimologji, gjimnaz, hipertension, kristal, psikiatri, simfoni, simbol, tiran etj.
2. Fjalët e huaja që në gjuhët e origjinës shkruhen me -oo- shkruhen me dy zanore dhe në shqip: alkool, kooperativë, koordinatë, zoogjeografi, zoolog etj.
3. Fjalët me burim nga latinishtja a nga gjuhë të tjera romane që kanë një c të ndjekur nga zanorja e ose i, shkruhen me c dhe jo me ç apo s. agjenci , bilanc, celebroj, censurë, central, cerebral, certifikatë, deficit, elektricist, incizoj, klasicist, konciz, leucemi, procedoj, proces, suficit etj.
Nga ky rregull bëjnë përjashtim rastet: -kur fjalët shkruhen me ç, si: biçikletë, çiklist, çimento etj. -kur fjalët shkruhen me s, si: dispensë, mensë.
4. Shkruhen me d, t dhe jo me dh, th fjalët nga greqishtja e vjetër, si: dekagram, demografi, diagnozë, diplomaci; antipati, apati, apoteozë, hipotekë, kartotekë, maratonë, patolog, simpati, telepati, termometër etj.
5. Shkruhen me j dhe jo me zh ose xh fjalët: juri, projekt, projektor dhe gjithë fjalët e krijuara nga fjala projekt e juri. Por këtu përjashtohen fjalët e huazuara drejtpërdrejt nga frengjishtja, të cilat shkruhen me zh, si: grupazh, shantazh, zhongler, zhul, zhupon etj.
6. Fjalët me prejardhje nga greqishtja, latinishtja e gjuhët latine që në shqipen kanë një gj të ndjekur nga zanorja e ose i, shkruhen me gj e jo me g: agjenci, antropologji, gjenetikë, gjips, gjirafë, higjienë, legjion, patologji, Egjipt, Eugjen, Ifigjeni, Virgjil etj.
7. Shkruhen me gn fjalët: magnetik-e, magnetofon, por me nj fjalët: dinjitet, injorancë, injorant etj.
8. Shkruhen me h- fjalët me prejradhje nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja: halucinacion, hegjemoni, hekzametër, helenist, helikë, helikopter, heliocentrik, hidraulik, hidrocentral, hipertension, histeri etj.
9. Shkruhen me l dhe jo me ll fjalët që burojnë nga greq. e vj., latinishtja ose nga gjuhët romane: arkipelag, atlas, balsam, bulon, diplomaci,diplomat, diplomë, etimologji, fals, falsifikim, halucinacion, holandez, kolonë, kolos, komplot, logaritëm, logjikë, lotari, luks, lustër, lustroj, patolog, psalm, psalt, spekuloj, vulgar, vulgarizim etj. Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtij tipi: Apolon-i, Apoloni-a, Atlantida, Atlantiku etj. Ndër fjalët me burim nga anglishtja shkruhen me l: gol, golf , kloun, klub dhe me ll: basketboll, futboll, hendboll, penallti, volejboll etj.
10. Shkruhen me -zme jo me -sm- fjalët që burojnë nga greqishtja e vjetër ose që janë ndërtuar me elemente të kësaj gjuhe: fantazmë, kozmetik, kozmik, kozmogoni, kozmos, plazmë, sizmik, sizmograf etj.
11. Fjalët e huaja që janë marrë kryesisht nga gjuhët romane dhe që në këto gjuhë kanë rr, shkruhen me rr e jo me r: arrestim, arrestoj, arrivist, arrogancë, barrikadë, hemorragji, irracional, karrierë, karrierist, korrekt, korrekturë, korrelacion, korrespondencë, korridor, korrigjoj, serrë, surrealizëm, surrogat, tarracë, territor, terror, terrorist etj.
12. Fjalët me parashtesën dispërpara një bashkëtingëlloreje dhe ato me parashtesën trans- e ruajnë gjithmonë s-në e parashtesës në shkrim pavarësisht nga shqiptimi në disa raste me z: disharmoni, diskreditoj, diskriminim, disnivel, disponoj, dispozitë; transaksion, transfuzion, transit, transliterim, transmetim etj.
13. Fjalët që burojnë nga greqishtja e vjetër, latinishtja, gjuhët romane ose që janë formuar në shqip me elemente të këtyre gjuhëve që kanë një -s intervokalike (midis dy zanoreve), shkruhen me z: dezertim, dinozaur, dioqezë, fizioterapi, fizkulturë, vazelinë etj.
Shkrimi i emrave të përveçëm të huaj
Shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështetet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse duke iu përshtatur sistemit grafik të shqipes. Me përjashtim të rr-së, bashkëtingëlloret dyfishe të këtyre emrave nuk ruhen në shkrim në gjuhën shqipe.
Shembuj:
Emra njerëzish: Bethoven,Brams, Çehov, Fadejev, Gëte, Hajne, Rabindranat Tagore, Rasin,Uiliam Shekspir, Turgeniev, Tomas Man, Vagner, Zhan-Zhak Ruso etj.
Emra vendesh: Azerbajxhan, Bombei, Delhi, Hagë, Johanesburg, Kajro, Laipcig, Mançester, Napoli, Nju-Jork, Otava, Stokholm, Tajlandë, Varshavë, Xhamajkë etj.
Nga ky rregull i përgjithshëm përjashtohen rastet e mëposhtme:
1. Disa emra të përveçëm me prejardhje të huaj që shkruhen sipas traditës së ngulitur prej kohësh, si p.sh.: Bruksel, Paris, Selanik, Vjenë, Zvicër etj.
2. Emra të përveçëm me –ij në fund të fjalës të burimit rus shkruhen me –i, si p.sh.: Belinski, Çajkovski, Stalinslavski etj.
Kur emri me prejardhje të huaj përdoret për herë të parë në një tekst ai shkruhet sipas rregullit të larpërmendur, por shënohet në kllapa dhe forma shkrimore, ashtu siç shkruhet në gjuhën nga buron.
Shembuj: Noam Çomski (Noam Chomsky), Xhon Lajëns (John Lyons), Xhorxho Grafi (Giorgo Graffi), Xhenaro Kierkia (Gennaro Chierchia) etj.