Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 14.3 Letra zyrtare dhe Curriculum vitae

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 14.3

Letra zyrtare dhe Curriculum vitae

Letra zyrtare (formale)
Një letër adresohet te një marrës për qëllime të ndryshme dhe bën të mundur komunikimin në largësi. Teksti mund të shkruhet në letër dhe të dërgohet nëpërmjet shërbimit postar ose të shkruhet në kompjuter dhe të dërgohet me e-mail, duke përdorur internetin. Në bazë të marrëdhënieve ndërmjet dhënësit (shkruesit të letrës) dhe marrësit (marrëdhënie profesionale, miqësore), kontekstit (rrethanave që karakterizojnë komunikimin) e temave që trajtohen, letra mund të jetë formale ose informale (zyrtare ose jozyrtare). Një letër konsiderohet formale (zyrtare), kur u drejtohet institucioneve publike ose private, zyrave, kompanive ose subjekteve të ndryshme. Marrësit e letrës zyrtare janë persona që nuk i njohim nga afër dhe me të cilët kërkojmë të vendosim një raport zyrtar. Qëllimi i saj është të kërkojë informacion, të dhëna ose të propozojë diçka. Duke pasur funksion kryesisht informativ, letra zyrtare karakterizohet nga një regjistër formal, nga përdorimi i termave të saktë teknikë dhe i shprehjeve të mirësjelljes (formulat e kortezisë). Disa nga llojet më të njohura dhe më të përdoruara të letrës zyrtare janë: letra të punës, kërkesë për informacione, kërkesë për aplikim, letër pranimi, letër largimi nga puna, letër dorëheqjeje, ankesë, ftesë zyrtare etj..

Skema e ngulitur, elemente të formës
Teksti i letrës zyrtare hartohet mbi bazën e rregullave të ngulitura saktë, që përcaktojnë një model të caktuar, ku janë të pranishme:
· vendi dhe data, në krye të faqes, në anën e djathtë ose poshtë në anën e majtë;
· koka me adresën e plotë të dhënësit: emri dhe mbiemri, adresa, nr.i telefonit, e-maili;
· lënda: një rresht i shkurtër që përmbledh gjithë përmbajtjen e letrës;
· formula e hapjes (i/e nderuar Z./Zj…);
· pjesa qendrore e letrës: teksti sintetik i letrës, drejtuar marrësit me përemrat etikë (të mirësjelljes ju, ne);
· formulat e mbylljes: në pritje të përgjigjes suaj, duke ju falenderuar, juaji miqësisht..;
· emri, funksioni dhe nënshkrimi i letërshkruesit në mbyllje të letrës.

Teksti model
Letra formale: Shpërndarja e një katalogu librash.
Përmes letrës së mëposhtme, Shtëpia e Librit X informon klientët të ketë marrë shpërndarjen ekskluzive të katalogut të librave shkollorë.
Tiranë, 1 shtator, 2015

I nderuar klient
Nga 1 shtatori 2015, Shtëpia e Librit X ka marrë përsipër shpërndarjen e katalogut të teksteve shkollore, të klasave 1-9 dhe të klasave 10-12, të arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2015-2016.Tekstet e përzgjedhura do të jenë në dispozicion në pikën tonë kryesore të shitjes, si dhe filialet e rrethinave, duke filluar nga 5 shtatori 2015. Porositë për tekstet do të pranohen vetëm nga shkollat përkatëse, sipas procedurës së njohur edhe më parë, nga ora 09-17. Në lidhje me tekstet që mungojnë, po përpiqemi që kërkesat tuaja të plotësohen sa më shpejt dhe sa më mirë.
Gjithë të mirat!

Elemente të gjuhës
Letra e mësipërme është e strukturuar qartë, në mënyrë sintetike dhe me mirësjellje.
Paraqitja formale ndjek rregullat e hollësishme:
a. pjesët e ndryshme janë të dallueshme në sajë të hapësirave boshe, dhe ndjekin njëra-tjetrën në mënyrë të saktë. b. ngjeshja e përmbajtjes i jep mundësi dhënësit të realizojë qëllimin kryesor ; atë të informimit dhe të ngjallë interesin e atyre që e lexojnë.
c. karakteristik është përdorimi i formulave të standardizuara dhe përemrave të mirësjelljes.

Curriculum vitae / Jetëshkrimi
Një lloj i veçantë i letrës zyrtare e është kërkesa për punë që përbëhet zakonisht nga dy pjesë, të shkruara mundësisht në dy fletë të veçanta:
a. letra shoqëruese,
b. curriculum vitae / jetëshkrimi
Letra e shoqërimit duhet të jetë e qartë, koincize dhe e rregullt (elegante) në formë. Ajo duhet të përmbajë informata të dobishme për të përshkruar personalitetin e kandidatit. Dhënësi përdor vetën e parë dhe i drejtohet marrësit duke përdorur vetën e dytë shumës, ju. Letrës së shoqërimit i bashkangjitet curriculum vitae, ku paraqiten në një mënyrë detajuar të gjitha të dhënat në lidhje me kandidatin, për të cilat duhet të sigurohet marrësi.

Dërgimi mund të bëhet përmes shërbimit postar ose me e-mail, në varësi të kërkesës së njoftimit të shpallur.

Qëllimi për të cilin shkruhet Curriculum vitae është ai i informimit apo paraqitja e vetes tek një punëdhënës i mundshëm, në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të saktë. Shprehja latine “curriculum vitae”, e cila do të thotë “udhëpërshkrim” në lidhje me karrierën e një personi, përfshin raportin e detajuar të studimeve të përfunduara, përvojën e punës, aftësitë profesionale të fituara dhe të gjitha të dhënat që duhet t’i jepen marrësit. Kurrikulumi, i shkruar me kompjuter, zakonisht formulohet në formë skematike dhe organizohet në mënyrë koherente në blloqe të ndryshme informacioni në lidhje me:
a. të dhënat personale,
b. studimet e kryera,
c. përvojën në punë,
d. aftësitë kompjuterike,
e. gjuhët e njohura,
referencat, pra emrat e njerëzve ose kompanive që mund të garantojnë besueshmërinë e kandidatit dhe aftësitë e tij profesionale.