Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 7.3
Fjalia e përbërë me nënrenditje kryefjalore, kallëzuesore, kundrinore dhe përcaktore
Stili i romanit “I huaji”
Stili i romanit “I huaji” shquhet për thjeshtësinë dhe natyrshmërinë e tij. Janë këto dy tipare që mund të ngjallin mëdyshje: kur lexon romanin “I huaji” mund të të duket se çdokush mund të zotërojë një art të tillë, por duhet kuptuar se mungesa e zbukurimeve nuk tregon patjetër paaftësi dhe se në art nuk ka rrugë më të vështirë se arritja e thjeshtësisë. Gjurmë të një humori të hollë shfaqen herë pas here dhe është vështirë të përcaktosh nëse Mersoja është një humorist apo transmetues i pavullnetshëm i humorit të Kamysë. E vërteta është se Kamyja është nga ata autorë që nuk e shikojnë një vepër letrare si fushë për të eksperimentuar një teknikë apo për të parashtruar një filozofi. Duke i vënë vetes si qëllim studimin e sjelljes së një njeriu që refuzon të tregojë të fshehtën e vet, ai kalon natyrshëm në pozitën “bihejvioriste” të disa shkrimtarëve. Duke demaskuar mjetet që përdor një shoqëri, e cila preferon më mirë t’i etiketojë njerëzit sesat’i pranojë ata siç janë dhe u jep atyre një esencë që pastaj të mund të tolerojë ekzistencën e tyre, ai e rrethoi padashur Mersonë me aureolën e heronjve ekzistencialistë. Te romani “I huaji” shfaqet prirja e Kamysë drejt klasicizmit. Të jesh klasik do të thoshte për të të sugjerosh sa më shumë duke thënë sa më pak. Në këtë drejtim, Kamyja nuk mjaftohet me sugjerimin e një universi dashurie e mirëkuptimi me botën: ai demaskon ata që e ndiejnë nevojën e të shprehurit pompoz që të mund të arrijnë të kapin hijen e një ideje apo të një ndjenje. Ky klasicizëm nuk është as i kulluar, as i pafajshëm. Heshtjet e Mersosë nuk janë vetëm heshtje ekstaze: ato janë një nemitje e qëllimshme kundrejt llomotitjeve të pacipa. Por “I huaji” është klasik në një mënyrë më të thellë. Në romanin e vet Kamyja ka gjetur një formë origjinale. Me këtë rast mund të përmendim shprehjen që ai ka përdorur për një tjetër vepër të tij: “Kam përshtatur formën me subjektin, kjo është e gjitha”.
Rajmonda Vuçini, parathënie“I huaji”, A. Kamy, sh.b. “F. Noli”, 1991
Kujtojmë:
Fjalia e përbërë me nënrenditje është tërësia sintaksore e përbërë prej dy a më shumë njësish kallëzuesore në formë fjalie, me raporte nënrenditjeje vartësie midis tyre. Njësia që shërben si bazë organizuese e fjalisë së përbërë quhet fjali kryesore, kurse ajo që e plotëson, e sqaron atë e që është e varur prej saj, quhet fjali e nënrenditur ose e varur. Një fjali kryesore mund të ketë dy a më shumë fjali të varura. Fjalia e varur mund të varet edhe nga një fjali që është vetë e varur. Fjalia, kryesore ose e varur, prej së cilës varet një fjali tjetër, quhet fjali drejtuese.
Fjalitë e përbëra me nënrenditje kryefjalore, kallëzuesore, kundrinore dhe përcaktore kanë një sërë tiparesh të përbashkëta funksionale e strukturore. Ato kanë lidhje shumë të ngushtë me fjalinë që plotësojnë. Fjalitë kryefjalore, kallëzuesore dhe kundrinore zëvendësojnë një gjymtyrë të domosdoshme të pashprehur, të fjalive që plotësojnë, ndërsa fjalia përcaktore, e cila jep karakterizimin e një objekti/frymori, mund të japë një përcaktim të domosdoshëm ose të plotësojë kuptimin e tij.
Fjalia kryefjalore
Fjali me pjesë të nënrenditur kryefjalore quhet ajo fjali e përbërë që ka një pjesë të varur, e cila kryen ndaj pjesës kryesore funksion të ngjashëm me atë të kryefjalës. Sipas mjetit të lidhjes, fjalia kryefjalore është:
a. lidhëzore (me lidhëzat se, që, sikur, në, nëse, po, si etj.): I dukej sikur gjithë pazari i Korçës i kishte sytë tek ai. Rastisi që në atë udhë të mos kishte asnjë kalimtar. Fjalitë kryefjalore lidhëzore mund të jenë: dëftore, urdhërore, dëshirore dhe pyetëse. Mjetet lidhëse ndonjëherë mund të mos shprehen, duke u lidhur drejtpërdrejt fjalia kryefjalore me fjalinë drejtuese, kur e ka kallëzuesin në mënyrën lidhore: Veçanërisht tani kërkohet të ngrihet niveli profesional i mësuesve.
b. përemërore (me përemra a ndajfolje pyetëse, si: kush, ç’, çfarë, se, sa, i sati, ku etj.):
Ç’erdh njëherë, s’vjen përherë.
Kush mbjell, korr.
Rendi i fjalive në fjalinë me nënrenditje kryefjalore është i lirë. Mund ta gjejmë fjalinë kryefjalore në rendin:
a. fjali kryesore-fjali e varur. Në këtë rast, fjalia e varur nuk ndahet me presje nga fjalia kryesore: Ndodh nganjëherë që të zemërohen edhe të urtët.;
b. fjali e varur-fjali kryesore. Në kë të rast, fjalitë ndahen me presje: Kush duron, trashëgon.
Fjalia kallëzuesore
Pjesë e nënrenditur kallëzuesore quhet ajo fjali që kryen funksionin e pjesës emërore të kallëzuesit emëror ose funksionin e përcaktorit kallëzuesor: Plaku u shtir sikur nuk dëgjoi gjë. Pjesa e varur kallëzuesore bashkohet me kryesoren me lidhëzat se, që, sikur, kur, tek; drejtpërdrejt kur kallësuesin e ka në lidhore; me përemra të pacaktuar; me përemra lidhorë dhe me ndajfolje lidhore: Ishte pikërisht kjo që e gëzonte fort. Siç ka qenë ashtu është dhe tani. Fjalia e nënrenditur kallëzuesore mund të vendoset para, pas ose në mes a trup të fjalisë kryesore. Kur është e vendosur pas fjalisë drejtuese, ajo nuk paraprihet nga presja: Ai shtirej sikur flinte. Kur është në mes të fjalisë kryesore, fjalia e nënrenditur kallëzuesore futet mes presjesh dhe kur është para saj, ndahet me presje: Ashtu është nusja, si mendoja unë, syzezë, e gjatë. Si jam unë, qofsh edhe ti.
Fjalia kundrinore
Pjesa e nënrenditur kundrinore kryen funksion të ngjashëm me atë të kundrinorit (të drejtë, të zhdrejtë pa parafjalë ose me parafjalë): Ç’të mbjellësh, do të korrësh. Deshi të thoshte diçka. Fjalitë e varura kundrinore bashkohen me kryesoren me lidhëzat ftilluese se, që; drejtpërdrejt kur kallësuesi është në lidhore; me përemra lidhorë të pacaktuar; me përemra e ndajfolje pyetëse: Mitrush Kuteli na tregon se me ç’mjeshtri mund të përdoret gjuha shqipe. Thuaji të vijë menjëherë. Bëri ç’thanë shoqet. Fjalia e nënrenditur kundrinore ka rendin e zakonshëm: fjali kryesore-fjali e varur. Në këtë rast, fjalia e varur nuk ndahet me presje nga fjalia kryesore: Shikoni si janë katandisur! Fjalinë kundrinore mund ta gjejmë dhe në rendin e anasjelltë: fjali e varur-fjali kryesore. Në këtë rast, fjalitë ndahen me presje: Që kanë shpifur, këtë e di. Por, ndonjëherë, pjesa kryesore mund të gjendet në mes të fjalisë së nënrenditur kundrinore.
Fjalia përcaktore
Fjalia me pjesë të nënrenditur përcaktore është ajo fjali e përbërë në të cilën pjesa e varur tregon në përgjithësi një karakteristikë të një sendi/frymori të shprehur prej një gjymtyre emërore. Fjalia e varur përcaktore kryen një funksion të ngjashëm me atë të një gjymtyre përcaktore ose luan rolin e një ndajshtimi: Njeriu që vetëm për vete punon, është si një dru që pemë s’lëshon. Fjalia përcaktore lidhet me kryesoren me anën e përemrave e të ndajfoljeve lidhore, po ashtu me anën e lidhëzave ftilluese, të përemrave e ndajfoljeve pyetëse. Si përemra lidhorë, në periudhën me fjali të varur përcaktore, funksionojnë fjalët që, i cili: Shqiptar i vërtetë është ai, që nuk e ndan veprën nga fjala. Si ndajfolje lidhore kemi: ku, nga, kur, si, përse, për shembull: Vetëm dritarja ku qëndronte Rina, ishte e çelur. Vajzës nuk i kujtohej dita kur kishte dalë në atë fotografi. Fjalia e nënrenditur përcaktore vendoset zakonisht pas fjalisë drejtuese, por mund të ndodhet dhe në mes të fjalisë kryesore; pas saj vihet presje: Vogëlushja që sapo ishte zgjuar, fërkonte sytë e përgjumur
Kujdes! Te disa tipa fjalish të përbëra, trajta mënyrore e fjalisë së varur mund të varet nga modaliteti i vetë brendisë së fjalisë së varur, ndërsa në disa tipa të tjerë, si fjalitë e lartpërmendura (fjalia e varur kryefjalore, kundrinore, kallëzuesore a përcaktore lidhëzore), mënyra e foljes-kallëzues e fjalisë së varur mund të varet nga modaliteti i brendisë së fjalisë me të cilën ka të bëjë fjalia e varur. Kur një fjali kundrinore ka të bëjë me një folje, e cila për nga kuptimi leksikor tregon dëshirë a shprehje të vullnetit, folja-kallëzues e saj vihet në mënyrë lidhore. Po kështu edhe te fjalitë kryefjalore dhe përcaktore lidhëzore: Çiraku i vogël ëndërronte të bëhej si ustai i vet. Mënyra dëftore përdoret domosdo në fjalinë e varur, kur kjo ka të bëjë me emra a mbiemra kallëzuesorë që shprehin një vlerësim objektiv, si: fakt, e vërtetë, e ditur etj.: Ish e vërtetë që ata qenë të zotërit e atyre viseve.
• Me paratë e mbledhura kishte gjetur një avokat.