Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 6.2 Ligjërimi libror

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 6.2

Ligjërimi libror

Lexoni tekstin e mëposhtëm dhe vëzhgoni ligjërimin e përdorur.

Të drejtat, shpresat dhe aspiratat e Shqipërisë
Shkëlqesisë së tij,
Woodrow Wilson,
President i Shteteve të Bashkuara
Washington D.C.

Shkëlqesi:
Duke qenë përpara faktit se “lufta e tanishme i ka rrënjët në indiferencën kundrejt të drejtave të kombeve dhe kombësive të vogla”, duke qenë përpara faktit që Fuqitë Aleate janë të vendosura të ndikojnë në zgjidhjen e problemeve në Ballkan dhe duke shpresuar që koha të cilën këto probleme do të marrin të jetë e shkurtër, kemi nderin t’ju dërgojmë, Shkëlqesi, këtë deklaratë për të drejtat, shpresat dhe aspiratat e Shqipërisë dhe kokulur i lutemi Shkëlqesisë Suaj të marrë përsipër këtë barrë të ndershme, duke ndikuar kombin tuaj të virtytshëm në Konferencën e Paqes, për të mbrojtur interesat jetike të kombit tonë pa miq, siç janë paraqitur në këtë memorandum.

Ne kemi nderin, Shkëlqesi, të qëndrojmë,
Shërbyesit tuaj më të bindur
(Zonja) Kristo A. Dako
Dimitri Bala, Sekretar

Të drejtat, shpresat dhe aspiratat e Shqipërisë
Sevasti K. Doko
Sot pranohet si fakt historik që populli shqiptar është më i vjetri, më kompakti dhe më homogjenësh, si dhe faktori më i rëndësishëm i të gjitha kombeve ballkanike. Origjina dhe ndërgjegjja e tij e lartë kombëtare e të qenit shqiptar nga raca, gjuha, zakonet dhe ndjenjat e veçojnë plotësisht nga racat fqinje dhe i japin individualitetin përkatës, me anë të të cilit ai u ka bërë ballë prej shekujsh të gjitha përpjekjeve për ta shkombësuar dhe asimiluar. Historia e Shqipërisë është një listë e gjatë betejash të virtytshme, jo vetëm për të ruajtur integritetin dhe pavarësinë e saj, por edhe për të penguar barbarët që të mos pushtojnë Europën dhe më thellë. Dy ngjarje historike të mëdha e tregojnë këtë. Në kohët e lashta, Aleksandri i Madh shpëtoi Europën nga pushtimi pers; gjatë Mesjetës, Skënderbeu luftoi me turqit për 40 vjet kur ata ishin në majën e fuqisë së tyre pushtuese, duke siguruar në këtë mënyrë paqen e kombeve perëndimore dhe duke u dhënë mundësinë që të arrinin këtë stad qytetërimi dhe njohurie që kanë tani…
(Shkëputur nga Sevasti
Qiriazi , Jeta ime: jetëshkrim i pabotuar i “Mësueses së Popullit” , Tiranë, Vernon Publishing, 2016, fq.331.) *Teksti memorandumit dërguar Shkëlqesisë së Tij, Woodrow Wilson, Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Departamentit të Shtetit dhe Zyrës se Aleatëve për Punët e Jashtme, 12 tetor 1918

Për të komunikuar në rrethana të natyrës formale a zyrtare, njerëzit përdorin ligjërimin libror, i cili, karakterizohet nga qëndrueshmëria, përdorimi i efektshëm i mjeteve gjuhësore dhe respektimi i normës letrare. Kështu, kur i drejtohemi një zyre publike a një institucioni të lartë shtetëror me një kërkesë tonën a për një ankesë, kur shkëmbejmë polemika më dikë në mënyrë publike, kur përcjellim të dhëna shkencore etj., kumtimi zakonisht bëhet me shkrim dhe me një gjuhë të përzgjedhur standarde. Ligjërimi libror ka në përgjithësi tiparet e gjuhës së shkruar, por ka edhe variantin e folur. Në këtë ligjërim norma gjuhësore ruhet me kujdes dhe çdo shkelje e saj ndihet menjëherë.

Veçori të përgjithshme të ligjërimit libror
a. Kur shkruajmë komunikimi dhënës-marrës nuk ndodh në të njëjtën kohë.
b. Dhënësi dhe marrësi/-t nuk kanë kontakt të drejtpërdrejtë me njëri- tjetrin. Fizikisht ata janë larg njëri- tjetrit, kështu që tregues të ndryshëm të komunikimit joverbal (reagimi, gjestet, mimika) mungojnë.
c. Koha për të përgatitur mesazhin si ligjërim të shkruar është më e gjatë sesa replikat që kthehen aty për aty në një bisedë të zakonshme.
d. Rol të veçantë luan tradita gjuhësore apo ose modelet shkrimore të lëvruara nga personalitete të së kaluarës apo ose të aktualitetit.
e. Përmbajtja e ligjërimit organizohet përmes formave logjike të të menduarit dhe fjalitë janë të gjata e të përpunuara. Ana logjike del në plan të parë.
f. Mbizotëron objektiviteti. Emocionet e shkruesit shfaqen në mënyrë të përmbajtur, gjithnjë të kontrolluara nga logjika.
g. Shpesh çështjet shihen nga të gjitha anët, jepen imtësi, mënjanohen gjërat e rastit, përsëritjet e kota.
h. Toni përgjithësisht është i përmbajtur, formal, i zgjedhur, ose me mirësjellje të ftohtë.

Veҫori të ndërtimit të teksteve
a. Teksti është i sistemuar. Ka një strukturë dhe përmbajtje të organizuar sipas një teknike të caktuar.
b. Zbatimi i rreptë i normës nis me drejtshkrimin dhe me pikësimin. Fjalët shkruhen të plota, sipas rregullave drejtshkrimore; edhe shqiptimi në lexim duhet të jetë po i tillë.
c. Bie në sy përdorimi i emrave në vend të foljeve , p.sh.:
– zë vendin (ligj. i thjeshtë)
– zëvendësoj (ligj. bisedor)
– realizoj zëvendësimin (ligj. libror)
d. Përdorimi i lokucioneve lidhëzore dhe parafjalore: duke qenë se, nga shkaku që, me kusht që, në drejtim të, në krahasim me etj.
e. Përdorimi i dendur i trajtave pësore të foljes: u caktuan këto funksione, u bënë me dije pjesëmarrësit se… u ngritën grupe pune për verifikimin e… etj.
f. Veta e dytë e përemrave vetorë e pronorë përdoret shumë rrallë në këtë lloj ligjërimi.

Leksiku libror
a. Shumë fjalë e shprehje të leksikut abstrakt që karakterizojnë këtë ligjërim, përdoren edhe si terma në fusha të ndryshme të shkencës. Si rrjedhim, në këtë grup ka edhe fjalë të huaja e ndërkombëtare, si termat e teknikës, të mjekësisë, të filozofisë, të gjuhësisë, të elektronikës etj.
b. Fjalët përzgjidhen me kujdes, në mënyrë që të mos lihet shteg për keqkuptime.
c. Një vend të gjerë zënë formimet brenda shqipes, si emrat abstraktë të veprimit me prapashtesat -im, -je ose të cilësisë me prapashtesat -i, -ri, -si, fjalët e përbëra terma (ballafaqim, drejtshkrim, i kundërligjshëm, vetëmohim etj.), ndajfoljet me prapashtesën -isht (botërisht, posaçërisht, sigurisht, shkurtimisht, tmerrësisht, vendosmërisht etj.), mbiemrat me prapashtesën –or(e) (burimor, ideor, lëndë drusore, qëllimor, cilësi racore, thelbësor etj.).
d. Togfjalëshat dhe ndërtimet sintaksore shërbejnë për të shmangur pasojat e polisemisë. P.sh., dalin një varg foljesh të afta për diferencime abstrakte, që zëvendësojnë foljet themelore. Është zëvendësohet me: ndodhet, gjendet, shtrihet, paraqitet, përbën, kurse ka zëvendësohet me ekziston, paraqitet, zotëron, disponon; dhe bën me: zhvillon, kryen etj., p.sh.: ndodhet në veri, shtrihet në anën e majtë; gjendet me shumicë; paraqet veçori; zotëron cilësi; përbën hapin e parë etj.
e. Përdoret gjerësisht sinonimia.
g. Në leksikun e ligjërimit libror nuk zënë vend krahinorizmat e arkaizmat, as fjalët e zhargoneve ose mjete të tjera shprehjeje që nuk pajtohen me normën gjuhësore të standardit.