Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mësimi 7.4 Fjalia e përbërë me nënrenditje vendore kohore dhe mënyrore

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 7.4

Fjalia e përbërë me nënrenditje vendore, kohore dhe mënyrore

Kur vdiq Skënderbeu
Kur vdiq Skënderbeu, asnjë sy nuk mbeti i papërlotur. Mbretëresha dhe i biri dymbëdhjetëvjeçar, të gjunjëzuar përpara kufomës së tij, po lebetiteshin. Princërit, rreth e rrotull, po qanin si foshnja, dhe e vajtonin pas mënyrës shqiptare, me këngë1: “O trim Gjerq, zot e mbret, o atë i shënjtë dhe mbrojtësi ynë, qysh na le jetimë dhe të shkretë, si dhëntë pa bari? Ku të vemi tani të kërkojmë ndihmë në shtrëngimet? E kush do të na mpronjë tani nga armiqtë dhe nga tërbimi i turqve? Mjerë ti, o Shqipëri, mjerë ne derëzestë, mjerë i math e mjerë i vogël, mjerë tërë Krishtërimi që humbi një të këtillë kryemprojtës!” Lekë Dukagjini, si i marrosur nga hidhërimi, rendi në shesh të qytetit, e duke çjerrur kraharorin, e dyke çkulur mjekrën dhe flokët, bërtiti2: “Ejani, o shqiptarë. Sot ra kryekështjella e Shqipërisë; fortesat tona u përmbysnë; fuqia jonë humbi; qytetet tona ranë përdhe; tërë shpresa jonë u shua me vdekjen e një burri!” Klithmat zemërçjerrëse dhe të mallëngjyera të popullit e mbuluan këtë lajmërim të Dukagjinit, të cilin e vërtetonin tingëllimet vajtimtare të këmbanave… Kur e dëgjoi sultan Mehmedi, tha: “Një luan të tillë do mos lindë më dheu kurrë” dhe pastaj shtoi: “Tani Evropa dhe Asia janë të miat! Mjerë krishtërimi, se i humbi shpata dhe mburonja!”… Fryma heroike që kish përhapur Skënderbeu, si gjysmëperëndi, e vjetërisë, rronte e gjallë në zemrat e shqiptarëve vjete pasi fluturoi në qiell shpirti i ndriçim i kryetrimit. Valle vajzash shqiptare, si vallkyrat e legjendave gjermanike, mblidheshin rregullisht çdo tetë ditë mi kështjellat ku kishte mbretëruar dhe, midis buçitjes dhe oshëtimës së betejave, këndonin hymne lëvdatore për kryetrimin e vdekur të kombit dhe i luteshin, si një shenjti, që t’i shpëtonte nga armiku i tërbuar dhe t’u falte vijtoren flamurit dhe armëve kombëtare. Shqiptarët, të ndezur nga këto këngë trimërore, e shikonin me sy hijen e Skënderbeut kaluar në krye të tyre dhe lëftonin si luanë me forcë të përsëritur.
“Historia e Skënderbeut”, Fan Noli, vepra 4, Tiranë, 1989
1 Dimitër Frëngu, k. 40, f. 216.
2 Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 656.

Kujtojmë: Fjalitë rrethanore karakterizohen nga një lidhje më e dobët me fjalinë kryesore a drejtuese. Fjalitë  rrethanore i referohen, zakonisht gjithë fjalisë së plotësuar ose kallëzuesit të saj. Raportet rrethanore kanë një karakter më konkret se raportet që vërehen në fjalitë e tjera. Fjalitë rrethanore janë: vendore, kohore, mënyrore, shkakore, rrjedhimore, qëllimore, kushtore, lejore.

Fjalia e varur vendore
Fjalia e përbërë me nënrenditje vendore është ajo fjali ku janë shprehur marrëdhënie vendore e hapësinore midis fjalisë së varur dhe kryesores. Marrëdhënia vendore është e tipit korrelativ (me fjalë të bashkëlidhura), e cila është edhe më e qartë dhe e tipit jokorrelativ (pa fjalë të bashkëlidhura). Si fjalë korrelative në shqipen letrare përdoren ndajfoljet aty, atje, këtu, këtej, andej, gjer atje etj., kurse si mjete të lidhjes përdoren lidhëzat ku, tek, nga, që nga, gjer ku etj. Fjalia e përbërë me nënrenditje vendore mund të tregojë vendin ku ndodh një ngjarje, drejtimin e lëvizjes etj.: Tek ka rrjedhur, do të pikojë. Ngado që të hedhësh sytë, sheh vetëm dëborë. Shqiptari, tekdo është, mallin e atdheut e ka. Lëkurëpunuesi shikoi me bisht të syrit andej nga i erdhi zëri.
Fjalia e nënrenditur vendore sipas lidhjes korrelative ose jokorrelative zë vend të ndryshëm ndaj kryesores:
a. Fjalia e varur vendore me lidhje jokorrelative mund të pasojë, të prijë ose të hyjë në mes të fjalisë kryesore. Kur prin, fjalia e varur ndahet nga kryesorja me presje; kur pason kryesoren, nuk ndahet me presje; kur hyn në mes të kryesores, fjalia e varur ndahet me presje nga të dyja anët: Ku e zinte nata, s’e zinte dita. Mos e lëndo ku i dhemb. Fjalën e mirë, ku ta gjesh, merre.
b. Fjalia e varur vendore me lidhje korrelative mund të pasojë ose të hyjë në mes të fjalisë kryesore. Kur pason kryesoren, nuk ndahet me presje, ndërsa kur fjalia e përbërë nis me fjalën korrelative, vihet një presje vetëm në fund të fjalisë së varur: Ai treti vështrimin andej nga i shkoi i biri. Aty ku ndahej rruga, ai pa mikun e tij.

Fjalia e varur kohore
Fjalia e përbërë me nënrenditje kohore është ajo fjali që tregon kohën kur ndodh veprimi, ngjarja e fjalisë kryesore. Këto fjali dallohen për larmi të marrëdhënieve kohore, si: njëkohësi, parakohësi e paskohësi.

a. Fjalia e përbërë me nënrenditje kohore në marrëdhënie njëkohësie tregon se veprimi i fjalisë kryesore mund të jetë i njëkohshëm, plotësisht ose pjesërisht, me veprimin e fjalisë së varur. Kjo përputhje shprehet me lidhëzat: kur, tek, sa, ndërsa, sa kohë që etj.: Tek ecte, mendonte i gëzuar se të nesërmen ishte e diel. Sa të rrosh, do të mësosh. Kur gjendej vetëm, ia thoshte ndonjë kënge të njohur.
b. Fjalia e përbërë me nënrenditje kohore në marrëdhënie paskohësie tregon se veprimi i fjalisë kryesore vjen pas veprimit të fjalisë së varur. Kjo marrëdhënie shprehet me lidhëzat: kur, tek, si, pasi, sapo etj.: Për këto do të flasim më mirë kur të arrijmë në vend. Sa mbaronte së foluri plaku, nxirrte kutinë e duhanit. Si mbaronte punët, ulej e bisedonte me të shoqin.
c. Fjalia e përbërë me nënrenditje kohore në marrëdhënie parakohësie tregon se veprimi i fjalisë kryesore ndodh para veprimit që shprehet në fjalinë e varur. Fjalia e varur lidhet me kryesoren me lidhëzat: para se, përpara se, sa etj.: Ruaju sa pa u bërë e liga. Njeriu matet para se të veprojë. Mendoje mirë fjalën përpara se ta nxjerrësh. Kujdes! Në fjalitë e përbëra, veçanërisht kohore, ekziston një bashkëlidhje e caktuar e trajtave kohore dhe kuptimeve kohore të foljeve-kallëzues të fjalive të përbëra. Te periudhat me fjali të varur kohore, bashkëlidhja e trajtave dhe e kuptimeve kohore mund të jetë, në disa raste, i vetmi mjet për të treguar njëkohësi ose jonjëkohësi, ndërsa në tipa të tjerë ajo bashkëvepron me lidhëzën kohore ose e mbështet këtë me kuptimin e saj, për shembull: e tashme – e tashme: Kur vinë përrenjtë, tërbohen lumenjtë (njëkohësi në të tashmen); e pakryer – e pakryer: Kur hynte treni në stacion, dëgjoheshin disa fishkëllima të zgjatura (njëkohësi në të shkuarën). e pakryer në fjalinë e varur – e kryer e thjeshtë në kryesoren: Kur po përgatiteshim për udhë, erdhi lajmi i shumëpritur (kallëzuesi i fjalisë së varur tregon se veprimi i kryesores shtjellohet në një nga momentet e veprimit të fjalisë së varur). Prishja e bashkëlidhjes kohore të trajtave të foljes-kallëzues të fjalive me lidhëzën kur shpreh zhdukjen e marrëdhënieve thjesht kohore dhe shfaqjen e një marrëdhënieje të re midis fjalive, p.sh., marrëdhënien shkakore: Kur është me kaq ngut, do të vete t’i thërras vetë.
Fjalia e nënrenditur kohore mund të pasojë, të prijë ose të hyjë në mes të fjalisë drejtuese. Kur prin, fjalia e varur ndahet nga kryesorja me presje; kur pason kryesoren, përgjithësisht nuk ndahet me presje; kur hyn në mes të kryesores, fjalia e varur ndahet me presje nga të dyja anët: Hekuri rrihet sa është i nxehtë. Vajza, sa dëgjoi zërin e nënës, vrapoi e gëzuar drejt saj. Sapo të vijë shoferi, do të nisemi.

Fjalia e varur mënyrore
Fjalia e përbërë me nënrenditje mënyrore është ajo fjali e cila tregon mënyrën e kryerjes së një veprimi a të paraqitjes së një fakti të shprehur në fjalinë nga e cila varet. Ajo kryen në fjalinë e përbërë të njëjtin funksion që kryen në fjali rrethanori i mënyrës. Fjalia mënyrore bashkohet me fjalinë nga varet me anë të lidhëzave e të lokucioneve lidhëzore: si, siç, ashtu si, ashtu siç, sikur, sikurse, sikundërse etj.: Zemra i rrihte sikur kërkonte t’i dilte nga gjoksi. Si bëfsh, gjeç. Rrinte i heshtur dhe mundohej të tregohej i qetë, sikur aq i bënte. Fjalitë mënyrore në përgjithësi përdoren pa fjalë të bashkëlidhura (korrelative), megjithatë ka raste kur fjalia e varur mënyrore është e tipit korrelativ (me fjalë të bashkëlidhura) dhe ka si korrelat në fjalinë drejtuese ndajfoljet ashtu, kështu: Ashtu si erdhën, ashtu u zhdukën. Kështu është, si themi ne. Ashtu si ju kujtonja, ashtu ju gjeta. Fjalia e nënrenditur mënyrore mund të pasojë, të prijë dhe rrallëherë mund të hyjë në mes të fjalisë drejtuese. Vendi më i zakonshëm i saj është pas fjalisë drejtuese; në këtë rast nuk përdoret presje: Do ta them ashtu siç e kuptoj unë. Kur është para fjalisë drejtuese, fjalia e varur ndahet nga ajo me presje; kur hyn në mes të kryesores, fjalia e varur ndahet me presje nga të dyja anët: Si erdhën, u larguan. Ato, si të shohin, të bëjnë.