Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 5.3
Karakteristika të stilit dhe të gjuhës së artikullit të gazetës/kronikës
Rregullat kryesore për shkrimin e një artikulli
1. Në një artikull duhet të përshkruhen vetëm faktet, duke shmangur komentet.
2. Struktura sintaksore duhet të jetë e thjeshtë; të mbahen parasysh këto veçanti: përdorim i fjalive të shkurtra që e lehtësojnë leximin, përdorim i kujdesshëm i shenjave të pikësimit; veçori të ligjërimit bisedor, të ndërthurura me fjalë të zgjedhura nga ligjërimi libror. Një anije ushtarake ruse është përplasur në ujërat e Detit të Zi, në brigjet turke, me një tjetër anije, e cila transportonte kafshë. Pas përplasjes, anija ruse ka nisur të fundoset. Fatmirësisht, të gjithë personat në bord kanë mundur të shpëtojnë.
3. Përdorimi i mbiemraveose i shprehjeve që krijojnë efekt dhe e bëjnë më të pëlqyeshëm tekstin (përdorimi i figurave retorike).Por ky përdorim duhet të mos e tejkalojë masën. Kujtojmëqë qëllimi i gazetarit është vetëm të tregojë ngjarje dhe jo t’i fantazojë (sajojë) ato. Jolie ishte e veshur e tëra në ngjyrë të zezë, duke filluar që nga këpucët, fustani, pardesyja e syzet, por, megjithatë, dukej shumë bukur.
4. Gjuha e artikullit/kronikës duhet të jetë e kuptueshme për të gjithë lexuesit dhe të tërheqë vëmendjen. (Megjithatë, disa shkrime përmbajnë edhe fjalë teknike, neologjizma, fjalë të huaja, shkurtesa, të cilat jo gjithmonë janë të kuptueshme.)
5. Para se të publikohet një artikull,është e nevojshme që informacionet të verifikohen mirë, nga disa burime, në mënyrë që të sigurohemi për vërtetësinë e tyre.
Shembuj:
Për herë të parë, arbëreshët festojnë 550- vjetorin e fitores së Skënderbeut në Krujë.
Sipas programit artistik, arbëreshët vizituan varrin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Emocionet e tyre ishin të pakufishme.
Hashim Thaçi, nëpërmjet një postimi të bërë në “Facebook”, ka reaguar ashpër në lidhje me deklaratat e komisionerit Johanes Hahn, që tha se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me pretendime për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Në aspektin gjuhësor, artikulli karakterizohet nga përdorimi i fjalive të përbëra me marrëdhënie nënrenditëse, ku mbizotërojnë pjesët e nënrenditura kohore, shkakore, ftilluese.
Ministri Panariti theksoi gjatë bisedës me zyrtarët pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të stendës shqiptare se, në sajë të mbështetjes së këtij sektori, prodhimi dhe eksportet këtë vit u rritën me 50 për qind më shumë se një vit më parë, gjë që mundësoi edhe praninë, për herë të parë të Shqipërisë, me një stendë të vetën në këtë panair ndërkombëtar.
Foljet janë zakonisht në kohën e kryer (si rregull, jo në kohën e kryer e thjeshtë) të mënyrës dëftore dhe lidhore ose në kohën e tashme në mënyrën dëftore dhe lidhore. Teatri “Teuta” i Ulqinit po zhvillon një tur shfaqjesh në Shqipëri me premierën “Nana”.Pas shfaqjes që u dha me 22 prill në teatrin ‘Migjeni” në Shkodër, teatri i diasporës shqiptare u ngjit këtë të hënë, në orën 20:00, në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë.