Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 10.3
Fjalimet politike
Gjuha që përdoret në një fjalim politik, është gjuha e orientuar drejt publikut. Politikani shkruan pikërisht për të bindur dëgjuesit për vlerat dhe të mirat e ideve të tij, për t’i bindur ata që të votojnë ose pranojnë idenë e tij, nismën e tij ose atë të grupimit të tij. Sigurisht që gjuha e oratorit ka edhe anën emocionale. Dhe pse fjalimet mbahen me gojë, fjalimi njihet si tekst i shkruar, i cili punohet me kujdes si një strukturë e lidhur mirë. Janë fjalë që bëhen të njohura gojarisht, por që parakuptojnë një tekst të planifikuar si të shkruar, i cili, kur shkruhet, përvijohet duke patur parasysh që do të finalizohet si i folur. Janë zakonisht fjalë të natyrës monologuese dhe situate e shfaqjes së tyre në publik parakupton edhe përkujdesjen për mimikën, intonacionin dhe paraqitjen gati recitative. Folësi duhet të përpiqet të bëjë për vete dëgjuesin, duke rrezatuar empati, duke i folur me zemër publikut për të fituar simpatinë e tij.
Disa rregulla për të shkruar një fjalim janë:
a. lidhja emocionale me publikun duhet të vlerësohet më tepër se lidhja logjike;
b. gjatë paraqitjes, ndryshime të vogla të zërit dhe tonit bëjnë përshtypje para publikut;
c. gjuha e përdorur të jetë e thjeshtë dhe mundësisht me fjali të shkurtra që të kujtohen më lehtë;
d. ndërmjet fjalive të ketë ndalesa të vogla që i shërbejnë si folësit edhe dëgjuesit; i pari bën një pushim të vogël dhe i dyti ka kohë të përpunojë konceptet e përmendura;
e. përsëritja e koncepteve, përmbledhja e përfundimeve dhe citimi i politikanëve ose personazheve të zakonshme shërben për ta përforcuar idenë e fjalimit;
f. një fjalim duhet të ketë një tezë që mbrohet me argumente;
g. humori mund të përdoret si taktikë për të tërhequr vëmendjen, por duhet bërë me shumë kujdes;
h. një fjalim i mirë, është ai që thotë gjëra që publiku dëshiron t’i dëgjojë.
Disa veçanti të ngjizjes gjuhësore:
a. Përdorimi i përemrave vetorë unë, ne dhe përemrave pronorë im, jonë, për t’u afruar me marrësit e mesazhit, herë si individ e herë si grupim politik ku oratori bën pjesë.
b. Përdorimi i ndajfoljeve të kohës e të vendit për të konkretizuar atë që thuhet (tregues të tillë, si: këtu, sot).
c. Fjali të shkurtra, kryesisht me bashkërenditje.
d. Përdorimi i figurave retorike dhe fjalëve që përsëriten, të cilat, në këtë mënyrë, vihen më në dukje për t’i dhënë ngjyrime fjalimit. P.sh., gjatë një fjalimi thuhen: “Në këtë shesh shoh forcën tuaj! Kjo këtu nuk është thjesht një masë njerëzish, por në këtë shesh është realiteti i shumë njerëzve, shumë grave e shumë burrave që ditë pas dite luftojnë, flasin, vuajnë e gëzojnë bashkë.”
e. Gjuha duhet të jetë e thjeshtë, e qartë, e kuptueshme dhe e ndërtuar me ide e koncepte që mund të kujtohen; thjeshtësi nuk do të thotë banalitet, por të jetë e punuar deri në detaj. Përdorimi i metaforave, krahasimeve, ironisë, hiperbolave ka efektin e tij mbi dëgjuesit.
SHTËPIA E BARDHË
Zyra e Sekretarit të Shtypit
21 janar 2013
FJALIMI I MARRJES SË DETYRËS NGA PRESIDENTI BARAK OBAMA
Kongresi i Shteteve të Bashkuara
Zëvendëspresidenti Baiden, Zoti Kryetar i Gjykatës, anëtarë të Kongresit të Shtetevë të Bashkuara, të nderuar të ftuar dhe bashkëqytetarë, Sa herë mblidhemi për të shënuar marrjen e detyrës nga një president, provojmë fuqinë e qëndrueshme të kushtetutës sonë; përforcojmë premtimin e demokracisë sonë; sjellim ndërmend se ajo që e mban të bashkuar këtë komb, nuk ka të bëjë më ngjyrat e lëkurës sonë, dogmat e besimeve tona ose origjinën e emrave që mbajmë. Ajo që na bën të veçantë – që na bën amerikanë – është besnikëria ndaj idesë së artikuluar në deklaratën e shkruar më shumë se dy shekuj më parë: “I konsiderojmë si të vetëkuptueshme këto të vërteta: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se nga krijuesi i tyre u janë dhënë disa të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat janë e drejta për të jetuar, për të qenë të lirë dhe e drejta për të kërkuar dhe gjetur lumturinë.”
Sot jemi në vazhdimësinë e një udhëtimi, i cili nuk mbaron kurrë, për të lidhur kuptimin e atyre fjalëve me realitetet e kohës sonë. Sepse historia na ka treguar se, ndërsa këto të drejta mund të jenë të vetëkuptueshme, ato nuk kanë qenë asnjëherë të vetëzbatueshme; se, ndërsa liria është dhuratë nga Perëndia, ajo duhet siguruar nga njerëzit e saj në Tokë. Patriotët e vitit 1776 nuk luftuan për të zëvendësuar tiraninë e një mbreti me privilegjet e një pakice ose ligjet e një turme. Ata na dhanë një republikë, një qeveri të popullit, nga populli dhe për popullin, duke ia besuar kështu çdo brezi detyrën për të ruajtur bindjen tonë themeltare. Dhe për më shumë se dyqind vite e kemi bërë këtë. Me gjak, derdhur nga kamxhiku e gjak, derdhur nga shpata, kemi mësuar se asnjë bashkim i themeluar mbi parimet e lirisë dhe barazisë nuk mund të mbijetojë gjysmë i lirë e gjysmë i skllavëruar. U ribëmë dhe u betuam që të ecnim përpara së bashku.
Së bashku vendosëm që ekonomia moderne kërkon hekurudha dhe autostrada për të përshpejtuar udhëtimin dhe tregtinë, shkolla e universitete për të trajnuar punonjësit tanë.
Së bashku zbuluam se tregu i lirë mund të lulëzojë vetëm në praninë e rregullave që sigurojnë konkurrencën dhe lojën e ndershme.
Së bashku morëm vendimin që një komb i madh duhet të kujdeset për më të dobëtit dhe të mbrojë popullin nga rreziqet dhe fatkeqësitë më të mëdha të jetës.
E gjatë këtij rrugëtimi nuk kemi hequr asnjëherë dorë nga skepticizmi ndaj autoritetit qendror, as nuk i jemi dorëzuar trillimit se të gjitha sëmundjet e shoqërisë mund të kurohen vetëm nëpërmjet qeverisë. Pjesët e qëndrueshme të karakterit tonë janë nderimi i nismës dhe sipërmarrjes, këmbëngulja në vlerën e punës dhe përgjegjësisë personale. Ne, njerëzit e këtij vendi, besojmë akoma se çdo shtetas meriton sigurinë dhe dinjitetin bazë. Duhet të bëjmë zgjedhje të vështira për të ulur koston e sigurimeve shëndetësore dhe masën e deficitit tonë. Por nuk jemi dakord me mendimin se Amerika duhet të zgjedhë midis kujdesit për brezin që e ndërtoi këtë vend dhe investimit në brezin që do të ndërtojë të ardhmen e tij.
Sepse ne mbajmë mend mësimet e së kaluarës sonë, kur vitet e fundit të jetës kaloheshin në varfëri dhe prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk kishin ku të drejtoheshin. Ne nuk besojmë se në këtë vend liria ruhet vetëm për personat me fat, ose lumturia për pakicën. Dimë gjithashtu se pavarësisht me sa përgjegjësi jetojmë, secili prej nesh në një kohë të caktuar mund të përballet me humbjen e punës, sëmundje të papritur apo shtëpi të shkatërruar nga stuhia e tmerrshme. Përkushtimet që bëjmë ndaj njëri-tjetrit nëpërmjet programeve Medicare dhe Medicaid programe sigurimesh shëndeti) dhe Sigurimeve Shoqërore: këto nuk e dobësojnë nismën tonë, ato na forcojnë. Këto programe nuk na bëjmë komb përfituesish; ato na japin lirinë të ndërmarrim rreziqet që e bëjnë të mrekullueshëm këtë vend.
Ne, njerëzit e këtij vendi, akoma besojmë se detyrimet tona si amerikanë nuk janë vetëm ndaj vetes sonë, por ndaj gjithë pasardhësve tanë. Do t’i përgjigjemi kërcënimit të ndryshimit të klimës, duke e ditur se mosbërja e kësaj do të linte në baltë fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm. Disa akoma mund të mohojnë gjykimin mbizotërues të shkencës, por askush nuk mund të shmangë ndikimin shkatërrimtar të zjarreve të furishme, thatësirave paralizuese dhe stuhive të fuqishme.
Ne, njerëzit e këtij vendi, besojmë akoma se siguria e qëndrueshme dhe paqja e përhershme nuk kërkojnë luftë të vazhdueshme. Burrat dhe gratë tona trime në ushtri, të kalitur në flakët e betejës, nuk mund të krahasohen në çmim dhe kurajë. Qytetarët tanë, të brengosur nga kujtimi i atyre që kemi humbur, e dinë shumë mirë çmimin e paguar për liri. Njohja e sakrificës së tyre do të na mbajë përherë vigjilentë ndaj atyre që duan të na dëmtojnë. Por jemi gjithashtu trashëgimtarë të fituesve të paqes, jo vetëm të luftës, atyre që kthyen armiqtë e betuar në miqtë më të garantuar – duhet t’i marrim edhe këto mësime e t’i sjellim në kohën tonë gjithashtu.
Ne, njerëzit e këtij vendi, sot deklarojmë se e vërteta më e vetëkuptueshme – se të gjithë jemi krijuar të barabartë – është ylli që na drejton akoma; ashtu siç drejtoi paraardhësit tanë nëpër Ujëvarën Seneka, në Selma dhe Stounuoll; po ashtu siç drejtoi burrat dhe gratë, të nderuar e të panderuar, të cilët lanë gjurmët e tyre në këtë shëtitore kombëtare, për të dëgjuar predikuesin të thoshte se nuk mund të ecim vetëm; për të dëgjuar zotin King të deklaronte se liria jonë personale është e lidhur në mënyrë të pashkëputshme me lirinë e çdo shpirti në Tokë.
Është detyra e brezit tonë tani të vazhdojë ato që u nisën nga themeluesit tanë. Sepse udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë, derisa gratë tona, nënat dhe motrat tona të sigurojnë jetesën në përputhje me përpjekjet e tyre. Udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë, derisa vëllezërit tanë dhe motrat tona homoseksuale të trajtohen si gjithë të tjerët nga ligji, sepse, nëse jemi me të vertetë të barabartë, atëherë sigurisht që dashuria që i japim njëri-tjetrit duhet të jetë e barabartë gjithashtu. Udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë, derisa të mos ketë asnjë qytetar të cilit i duhet të presë në radhë me orë të tëra për të ushtruar të drejtën për të votuar. Udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë, derisa të gjejmë një mënyrë më të mirë për të pritur emigrantët e rropatur e shpresëplotë, të cilët akoma e shikojnë Amerikën si tokën e mundësive, derisa studentët dhe inxhinierët e shkëlqyer të futen në listën e të punësuarve tanë, në vend që të dëbohen nga ky vend. Udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë, derisa të gjithë fëmijët tanë, që nga rrugët e Detroitit deri në kodrat e Apalasheve e në korsitë e heshtura të Njutaunit, të sigurohen se për ta shqetësohen e përkujdesen, e të ndjehen larg rrezikut.
Kjo është detyra e brezit tonë – të provojë vërtetësinë e këtyre fjalëve, këtyre të drejtave, vlerave të jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë për të gjithë amerikanët. Nuk është nevoja të biem dakord për çdo linjë të jetës, që të mund t’u qëndrojmë besnikë dokumenteve të themelimit tonë. Nuk është e thënë të kemi të njëjtin përkufizim për lirinë, ose pikërisht të njëjtën mënyrë për të ndjekur rrugën e njëjtë drejt lumturisë. Përparimi nuk na kërkon të zgjidhim debate shekullore në lidhje me rolin e qeverisë për të gjitha kohërat, por na kërkon që të veprojmë tani. Sepse tani vendimet na përkasin neve e nuk mund ta përballojmë vonesën. Nuk mund të ngatërrojmë absolutizmin me parimet, të zëvendësojmë politikën me spektaklin, apo të trajtojmë fyerjet si debat të arsyeshëm. Duhet të veprojmë edhe kur e dimë se puna jonë nuk do të jetë e përkryer. Duhet të veprojmë edhe kur e dimë se fitoret e sotme do të jenë të pjesshme dhe se do jetë në dorën e atyre që do të qëndrojnë në këtë vend pas katër vitesh, 40 vitesh ose 400 vitesh të çojnë përpara shpirtin e përjetshëm që na u dha në një korridor të lirë në Filadelfia.
Bashkëqytetarët e mi amerikanë, betimi që kam bërë përpara jush sot, ashtu si betimi i bërë nga të tjerët që kanë shërbyer në këtë ndërtesë, ishte betim përpara Perëndisë dhe vendit, jo përpara partisë ose fraksioneve. Duhet me besim ta zbatojmë atë zotim gjatë kohës sonë në detyrë. Por fjalët që thashë sot, nuk ndryshojnë shumë nga betimi që bën çdo ushtar kur regjistrohet për të shërbyer ose çdo emigrant kur i kthen ëndrrat e veta në vërtetësi. Betimi im nuk ndryshon nga zotimi që bëjmë të gjithë përpara flamurit që valëvitet mbi ne e që mbush zemrat tona me krenari. Ato janë fjalët e qytetarëve dhe përfaqësojnë shpresën tonë më të madhe. Ju dhe unë, si qytetarë, kemi fuqinë të vendosim drejtimin që do të marrë ky vend. Ju dhe unë, si qytetarë, kemi detyrimin t’u japim formë debateve të kohës sonë – jo vetëm me votat që hedhim, por me zërat që ngremë në mbrojtje të vlerave tona më të lashta dhe idealeve më të qëndrueshme. Secili prej nesh le të përqafojë sot me detyrim solemn dhe gëzim të madh atë që është e drejta jonë që në lindje. Me përpjekje të përbashkëta dhe qëllim të përbashkët, me pasion dhe përkushtim, le t’i përgjigjemi thirrjes së historisë dhe të çojmë drejt një të ardhmeje të sigurt dritën e çmuar të lirisë.
Faleminderit. Zoti ju bekoftë ju e bekoftë përgjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
(marrë nga faqja online Ambasada ShBA në Shqipëri)