Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 15.3
Stilet funksionale të shqipes standarde
Gjuha standarde përdoret në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore, por secila fushë e përdor gjuhën sipas kërkesave e veçantive të veta. Sistemi i mjeteve gjuhësore, të zgjedhura e të përdorura në përshtatje me përmbajtjen dhe kërkesat e një fushe të caktuar të veprimtarisë shoqërore, përbën stilin funksional. Shkurt, stili funksional është trajta që merr përdorimi i standardit në një fushë të caktuar të veprimtarisë shoqërore. Formimi dhe zhvillimi i stileve funksionale është i lidhur me formimin dhe zhvillimin e vetë gjuhës sonë standarde.
Stilet kryesore funksionale të gjuhës shqipe janë:
stili administrativ-juridik
stili teknik-shkencor
stili i letërsisë artistike
stili politiko-shoqëror
Stili i letërsisë artistike
Stili i letërsisë artistike përbëhet nga vepra e krijime të letërsisë artistike. Ndarja e parë e madhe brenda letërsisë veçon, në njërën anë, krijimtarinë gojore popullore ose folklorin dhe, në anën tjetër, letërsinë e kultivuar. Funksioni i veçantë i gjuhës në letërsinë artistike është funksioni estetik: gjuha jo vetëm kumton një informacion letrar, por edhe synon të ketë ndikim estetik, domethënë të ngjallë ndjenjën e së bukurës. Duke qenë krijim artistik, vepra letrare, në një kuptim të caktuar, është kurdoherë edhe krijim gjuhësor, një zbulim i mundësive të shqipes. Gjuha e veprave letrare dallohet për përdorimin e fjalëve të zgjedhura, të cilat shprehin më mirë ndjenjat dhe qëndrimin e autorit.
Në zgjedhjen dhe përdorimin e mjeteve gjuhësore në stilin e letërsisë artistike ka rëndësi:
a. gjinia e shkrimeve;
b. subjekti e personazhet;
c. epoka që pasqyrohet;
d. botëkuptimi e formimi gjuhësor i autorit etj.
Në përgjithësi, leksiku i letërsisë artistike dallohet për funksionin e dyfishtë: fjala aty mund të përdoret me kuptim të drejtpërdrejtë dhe me kuptim të figurshëm, çka nuk është karakteristikë për stilet e tjera.
Si pasqyrim artistik i jetës, i botës, letërsia përdor shumë figurat letrare: “Këtij qyteti s’do t’ia kërkojnë kurrë gërmadhat, / arkeologët, / kohërat s’do t’i hedhin me radhë / hi dhe pluhur mbi kokë. / I gjallë ai / me buzëqeshje të zjarrtë, / do t’i mbushë arteriet, / tymra, shkëndija, avuj, / mbi muzeumet, kohërat dhe harrimin / përjetësisht do të vjellë”. I. Kadare
Vlerat stilistike mund të përftohen edhe me anë të mjeteve gramatikore, si me anë prapashtesash zvogëlimi, përkëdhelie ose përbuzjeje:
E mora shoqezën përkrah,
E matmë rrugën ca-nga-ca,
Sikur na ndillte larg diçka.
L. Poradeci
Në stilin e letërsisë artistike dallohet: proza, poezia dhe drama. Leksiku i prozës dallohet nga ai poezisë në këto drejtime:
Leksiku i poezisë
· fjala zgjidhet me kujdes;
· fjala shenjon, shpreh, evokon, sugjeron;
· fjala hyn në lidhje të ndërlikuara e përfton ngjyrime të reja, peshë dhe pavarësi më të madhe;
· mungon përgjithësisht terminologjia teknikoshkencore,
fjalët e huaja e krahinore, arkaizmat etj. (Për një arritje në teknikë, për një figurë a për një ngjarje të shënuar historike etj., do të gjejmë edhe përdorim të termave; për shembull, Kadareja i përfshinte rregullisht në poezitë e tij fjalët e teknologjië së re, si: antena, ekrane, shtylla tensioni, avionë reaktivë);
· përdoren fjalë me ngjyrim emocionues të dukshëm e me shprehësi të lartë;
· përdoren metafora, metonimia, sinekdoka dhe figura të tjera letrare.
Pema
Dhe vërtet një pemë e re kam qënë,
Që s’më shkulën dot, s’më mbollën gjetkë
Fruta ndonjë tjetri për t’i dhënë,
Apo erë e hije nën një strehë;
Veçse më krasitën me sëpatë
Dhe në trup më hoqën shumë degë,
Ndaj kam dhimbje shpesh me ditë e natë,
Më lotojnë vëndet ku m’i prenë…
D. Agolli
Leksiku i prozës
· leksik shumë i gjerë, i pasur dhe i gjithanshëm;
· leksik i të gjitha ligjërimeve;
· fjalë me ngjyrime emocionuese-shprehëse;
· përdoren historizmat, arkaizmat, krahinorizmat e neologjizmat;
· përdoren terma të degëve të ndryshme të prodhimit, etj., në varësi të temës që trajtohet.
(Ndryshe është leksiku i veprave që trajtojnë tema shkencore, ku përfshihet një numër i madh termash shkencorë-teknikë; ndryshe është, gjithashtu, leksiku i veprave që trajtojnë probleme shoqërore-historike, ku përfshihen fjalë të bisedës së zakonshme, fjalë të vjetruara etj.);
· përdoren figura letrare.