Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 6.3
Ushtrime mbi llojet e ligjërimeve
1. Dalloni llojet e ligjërimeve të përdorura në tekstet e mëposhtme:
Teksti A
Aventurë në Kolumbi
Pas dekadash të tëra të përfshira në një konflikt civil, Kolumbia tani është një vend i sigurt për të gjithë ata që duan ta vizitojnë. Larmishmëria e këtij vendi mund t’ju mahnisë. Qytete moderne me qiellgërvishës, klube nate, plazhe të mrekullueshme, shëtitje të paharrueshme nëpër Amazonë, qytete koloniale, gërmadha arkeologjike, plantacione kafeje, zhytje, serf… një listë e gjatë e cila nuk ka të mbaruar dhe që ju mund ta përjetoni dhe shijoni vetëm në sajë të një udhëtimi në Kolumbi. Vendet e ndryshme të Kolumbisë u ofrojnë vizitorëve një mundësi unike për të alternuar së bashku si kulturën e Amerikës Latine ashtu edhe ngjarje të ndryshme historike që kanë përcaktuar integritetin e kombit. Gjërat më të bukura në jetë gjejnë shprehje nëpërmjet artit dhe kulturës së përfaqësuar në forma nga më të ndryshmet. Arti dhe kultura e Kolumbisë është pasqyrimi i një kulture dhe i një trashëgimie të pasur ndër shekuj. Ajo është një vend në të cilin vizitorët mund të shijojnë si klimën e ftohtë, ashtu edhe atë të nxehtë. Koha më e përshtatshme për të vizituar Kolumbinë është periudha midis dhjetorit dhe marsit ose midis korrikut dhe gushtit dhe kjo sidomos nëse parapëlqeni të shëtisni në vende të ndryshme. Kjo periudhë kohe u krijon mundësinë vizitorëve për të marrë pjesë në festivale dhe festa që zhvillohen gjatë kësaj stine. Bogota, kryeqyteti i Kolumbisë, i njohur edhe si “Athina” e amerikanëve, ndodhet në një lartësi prej 2600 metrash nga niveli i detit. Do t’ju duhet pak kohë për t’u përshtatur me një terren të tillë, sidomos nëse vini nga vende të ulëta. “La Plaza de Bolivar” është sheshi në qendër të qytetit, ku ndodhen institucionet e pushtetit lokal dhe atij vendor, “Muzeu i artë” (Gold Museum) është një ndër muzetë më të bukur në Kolumbi. Pjesa jugore e Bogotës është e mbushur me dyqane të shumta, duke e shndërruar në një qendër të vërtetë tregtare. Ndërsa hotelet, restorantet dhe kafenetë më të mira janë të vendosura në pjesën veriore të qytetit. Me rreth 1 milion banorë, Kartagjena është qyteti më i vizituar nga turistët. Ajo është e ndarë në dy pjesë, në Qytetin Antik, Ciudad Antigua (Old City), dhe në Qytetin e Ri, Nueva (Neë City). Pjesë karakteristike e qytetit janë muret e holla dhe mjaft të larta dhe ajo që të bie më shumë në sy është arkitektura koloniale tepër e saktë. Katedralet dhe pallatet e vjetra nuk mund të lihen pa u vizituar. Jeta e natës është e zhurmshme, sepse ka shumë klube me muzikë “live”, kryesisht salsa. Një gjë që nuk mund të harrohet pa përmendur, është birra e mirë dhe e lirë.
(Marrë nga arkiva e revistës “Monitor”, nr 479, 2011)
Lloji i ligjërimit:
Teksti B
Ana: Sot në orën e gjeografisë folëm për shtetet e Amerikës së Jugut.
Genti: Hëm… interesante!
Ana: Në fakt, Genti, mësuesja na tha disa gjëra interesante… Pasi përcaktuam në hartë të gjitha shtetet, fillimisht ajo na pyeti se ç’dinim për këto vende. Më pas na kërkoi të bënim një përcaktim me një emër, mbiemër ose një grup fjalësh për secilin shtet.
Genti: Sigurisht, ata bukuroshët e bankës së fundit duhet të kenë thënë ndonjë budallallëk që ju ka bërë të gjithëve për të qeshur!
Ana: Haha, jo, por …u krijua një debat i vogël për emërtimin e Kolumbisë si “vendi i drogës”.
Genti: Epo, të paktën nga media, ky shtet kështu na është bërë i njohur.
Ana : Mësuesja nuk e mohoi. Ajo na tregoi diçka mbi historinë e vendit, luftën guerrile, luftën për të drejtat e njeriut dhe dhunës ndaj gruas, eksportimin e naftës, ndikimin e madh spanjoll në folklor etj. dhe na ftoi ta njihnim në të tjera aspekte. Ajo na tregoi disa foto të mrekullueshme të karnavaleve “Bardhë e zi” dhe karnavaleve të Barrankuilës. Na tha se Kolumbia nuk është vetëm “shtëpia” e Pablo Eskobarit, por edhe e shkrimtarit nobelist Gabriel Garsia Markez, piktorit Fernando Botero, këngëtares me famë botërore Shakira. Gjithashtu na tregoi disa lëvizje të kërcimit në ritmin e kumbias, kërcimit tradicional kolumbian, si dhe disa lëvizje të muzikës salsa dhe marenga. U mahnita! S’më ka shkuar ndonjëherë në mendje që mësuesja të dinte edhe të kërcente aq bukur.
Genti: Ah…tani e kuptova pse ora e gjeografisë të paska mbetur në mendje. Ti je kaq e dhënë mbas muzikës dhe gjuhës spanjolle.
Ana: Po, vërtet. Por mua më mbeti në mendje më tepër mesazhi i mësueses. Ajo tha se duhet t’i kultivojmë sytë tanë për të parë të bukurën. “Një pikë e zezë” nuk përcakton gjithë tablonë.
Genti: Po, e kuptoj. Mësuesja ju ka thënë që s’duhen parë vetëm anët negative të diçkaje, por edhe ato pozitive. Ana: Po, Genti… Ah sikur të na jepet mundësia t’i vizitojmë njëherë këto vende të bukura.
Genti: Pse jo… Dhe mua do më jepej mundësia të bleja ndonjë nga ato kapelet e tyre të bukura tipike spanjolle dhe të kërceja kumbia.
Ana: Hahaha…