Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 12
Identifikohu

Curriculum

Gjuha Shqipe Klasa 12

0/40
Mësimi me video

Mesimi 16.1: Stili politiko shoqëror

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Gjuha Shqipe 12 Mësimi 16.1

Stili politiko-shoqëror

Lexoni tekstin e mëposhtëm dhe evidentoni fjalorin e përdorur.

Kongresi i Manastirit është një ngjarje që shndrit në historinë tonë kombëtare jo vetëm për rezultatet e tij dhe vendimin e njësimit të gjuhës shqipe, por edhe për rrethanat historike e politikoshoqërore, në të cilat ai është mbajtur. Pushtimit osman dhe përpjekjeve të xhonturqve, për ta penguar zhvillimin e mësimit shqip i shtoheshin përpjekjet e fqinjëve tanë jugorë e veriorë për të asgjësuar identitetin nacional të shqiptarëve. Kongresi i Alfabetit dhe njësimi i gjuhës shqipe merr kështu rolin e një sfide, të cilën shqiptarët e kanë ende dhe sot nëpër këmbë. Për ta finalizuar sfidën, duhej patjetër fryma me të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit. Dhe kjo frymë e Kongresit të Manastirit vinte si ndikim i rilindësve. Pashko Vasa me veprën e tij “Shqypnia dhe shqiptarët” si dhe Sami Frashëri me programin e tij nacional “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bënetë”, ishin dy prej korifenjve të patriotizmit shqiptar, të cilët kishin vënë piketat e orientimit politik, kulturor, gjuhësor e nacional të shqiptarëve. Parimi themelor i rilindësve ishte bashkimi i shqiptarëve pa dallim feje, ideje e krahine. Parimi themelor i Kongresit të Shqipes ishte gjithashtu njësimi i shqiptarëve në gjuhë, në kulturë dhe si komb. Kongresi i Manastirit ishte pika kulmore e vendimtare e realizimit të kësaj ideje.

Stili politiko-shoqëror e ka sferën e komunikimit me një masë të gjerë njerëzish. Kohët e fundit ka ardhur duke u zgjeruar më shumë, pas krijimit të partive politike dhe me mundësitë që përftuan shtypshkronjat e më vonë mjetet elektronike. Të flasësh e të shkruash, duke iu drejtuar publikut për çështjet aktuale të jetës, u kërkohet njerëzve nga shtresa dhe profesione të ndryshme. Kjo është bërë një fushë gjithëpërfshirëse dhe me veprim të pandërprerë. Stili i sotëm politiko-shoqëror në gjuhën shqipe ka nisur të kristalizohet herët, që me publicistikën e Rilindjes Kombëtare dhe, së bashku me stilin e letërsisë artistike, ka luajtur rol të dorës së parë në njësimin e gjuhës standarde, në ngulitjen e normave dhe veçanërisht në pasurimin e saj. Ai është zhvilluar në dy variante kryesore: në variantin e veprave, të referateve, të fjalimeve etj. me karakter politik e shoqëror dhe në variantin e publicistikës (të gazetës e të revistës dhe të medias së folur). Në të dyja variantet hyjnë shumë gjini, që nga informacioni i thjeshtë dhe artikulli i gazetës, e deri te raportet dhe veprat politiko-shoqërore të letrarizuara, deri te përshkrimi, te reportazhi, te portretizimi artistik, te kujtimet (memuaret) etj. Pra, tipari themelor i stilit të sotëm politiko-shoqëror është gjerësia e termave dhe tematike, që nga kufijtë e shkencës deri te letërsia artistike. Ky tipar ka përcaktuar edhe një dukuri tjetër: shpërthimin e kufijve të një stili të ngrirë e në të vërshojnë mjete shprehëse nga stilet e tjera e nga ligjërimet e ndryshme, madje edhe nga ligjërimi i thjeshtë, me fjalë e shprehje të ligjërimeve popullore. Kjo jep mundësi që të zhvillohet një stil i pasur e i larmishëm dhe me fuqi të madhe ndikuese. Është gjuha e veprave politiko-shoqërore, e gazetës, e propagandës, e raporteve, e fjalimeve, e bisedave politike dhe e artikujve të kësaj fushe. Nga ana leksikore, ky stil qëndron ndërmjet atij të letërsisë artistike dhe atij shkencor-teknik. Letërsia politiko-shoqërore ka leksik të zgjedhur, me terminologji të gjerë, me fjalë me kuptim kryesisht të drejtpërdrejtë. Sikurse letërsia artistike, ka edhe fjalë me kuptime të figurshme, disa fjalë të vjetruara a dialektore që përdoren sipas rastit, frazeologji popullore etj. Sipas kushteve e veçorive të komunikimit dallohen këto ndarje të mëdha që përbëjnë edhe nënstilet: publicistika; format gojore publike; shtypi; radioja; televizioni; agjitacioni e propaganda.

Publicistika përfshin çdo shkrim ose fjalë me temë shoqërore-politike nga aktualiteti. Ajo përfshin një pjesë të madhe të fjalës publike e të shkrimeve në shtyp, p.sh.: libra, broshura, artikuj, pamflete që përqëndrohen pak a shumë në çështje aktuale.

Format gojore publike përfshijnë fjalimin, diskutimin dhe bisedën publike. Fjala përpara auditorit ka më tej tipat e vet, si: ligjëratë, polemikë, apologji (mbrojtje e dikujt me fjalë), panegjirik (fjalim që mbante një gojëtar për të ngritur lart botërisht bëmat e një heroi a të një njeriu të shquar, për të lavdëruar një qytet etj.) etj. Përveç tonit solemn, në to përdoren dhe përftesa sintaksore (paralelizma, antifraza, përsëritje, pyetje retorike, reticenca) dhe asociacione historike, kulturore, letrare e folklorike, të shoqëruara me përftesat e intonacionit gjatë shqiptimit. Gojëtaria kërkon ndikimin si me forcën e logjikës, të argumentit e të faktit, edhe me emocionalitetin e shqiptimit.

Radioja është gazetari e folur, me lajme shkurt, sa më aktuale, dhe pjesa tjetër muzikë; ndërsa televizioni është gazetari pamore e filmuar. Shtypi përfshin gazetat dhe revistat që i kushtohen aktualitetit. Funksioni i këtij stili është informues me fakte, ngjarje, të dhëna, njohuri nga politika, ekonomia, kultura, shkenca, arti, sportet etj. të kohëve të fundit; dhe gjithashtu ndikues mbi mendimet, qëndrimet e vlerësimet e lexuesve, dëgjuesve, me qëllim që të  ndryshohen ato në një drejtim të caktuar, të nguliten bindje politike, të nxiten reagime shoqërore e deri të përftohen shije e prirje sipas një orientimi të caktuar. Toni i teksteve nuk është asnjanës, por përshkohet nga qëndrimi emocional dhe shpesh ngacmues, polemizues ose goditës. Në tërësi publicistika ndjek gjuhën letrare të shkruar e të folur, por është e hapur për të gjitha ligjërimet e tjera, synohet që teksti të jetë i kapshëm për një masë të gjerë njerëzish. Tekstet publicistike janë heterogjene, si p.sh., kryeartikulli, artikulli problemor, korrespondenca, intervista, recensioni, letra e hapur, përgjigjja. Mjetet gjuhësore që përdoren janë mjete standarde, si: Sipas njoftimeve të agjensisë… Agjensitë e lajmeve bëjnë të ditur… në shtypin e sotëm ndeshim… apo shprehje të barasvlershme, si: kryeqyteti = zemra e atdheut, televizori = ekrani i vogël, nafta = ari i zi etj.

 

 

 

Thelbi i zhvillimit të çdo stili është zgjedhja dhe përdorimi i mjeteve nga thesari i gjuhës, në përputhje me kërkesat e përmbajtjen e një fushe të caktuar. Prandaj, sikurse për gjuhën standarde, edhe për stilet veças, puna e kujdesshme dhe e ndërgjegjshme e shkrimtarit, e shkencëtarit e gazetarit, e mësuesit, e nëpunësit dhe e kujtdo tjetër që flet e shkruan shqip, është e dobishme në radhë të parë për vetë kristalizimin e zhvillimin e mëtejshëm të stileve. Stilet nuk tregojnë “copëzimin” ose “dobësimin” e standardit, përkundrazi, ato janë shprehje e përsosjes, e zgjerimit të funksioneve shoqërore, e rritjes së aftësive dhe e vlerave te gjuhës. Me zgjerimin e funksioneve shoqërore të shqipes standarde, me zhvillimin e vetë gjuhës standarde shqipe, ecën edhe kristalizimi e përsosja e mëtejshme e stileve funksionale të gjuhës sonë. Studimi i stileve të gjuhës, i mjeteve stilistike dhe i përdorimit të tyre ka edhe rëndësi praktike, sepse ndihmon çdo njeri që shkruan, të ruajë veçoritë e stilit, të cilit i përket shkrimi i tij.