Keni Pyetje?
Mesazhi u dërgua. Mbylle
0
0 vlerësime

Sociologjia Klasa 12

960 Studenta Regjistruar
  • Përshkrimi
  • Kurrikula
  • Vlerësimi

Vështrim hyrës në mendimin sociologjik

Teksti “Sociologjia 12” synon t’u përcjellë nxënësve të arsimit të mesëm të lartë, një sistem dijesh sociologjike bashkëkohore, që shpjegojnë dukuritë e proceset shoqërore kryesore, ligjësitë më thelbësore të formimit dhe të ndryshimit të modeleve të sjelljes së njerëzve, të funksionimit dhe të zhvillimit të marrëdhënieve shoqërore.

Përgatitja e këtij teksti është mbështetur në arritjet e mendimit sociologjik bashkëkohor, të vendit dhe vendeve perëndimore më të zhvilluara. Ky tekst realizon të gjitha kërkesat e programit përkatës të miratuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për gjimnazet e Republikës së Shqipërisë.

I. Historik i shkurtër

Në krahasim me disa shkenca të tjera, si: matematika, fizika, historia, ekonomia etj., sociologjia është një shkencë më e re. Sociologët kanë argumentuar se shkëndija të mendimit sociologjik gjenden që në veprat e mendimtarëve të shquar të lashtësisë, si: Platoni, Aristoteli etj.. Sociologjia si shkencë u formua dhe u kristalizua më vonë, si kërkesë e zhvillimeve të shoqërisë moderne, që nga periudha e Revolucionit Industrial dhe të revolucioneve shoqërore gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVIII deri në ditët tona.

Termi “sociologji” u vu në qarkullim shkencor për herë të parë në vitin 1839 nga sociologu i shquar francez Ogyst Konti. Ky term përbëhet prej fjalës latine soci(etas), që do të thotë shoqëri dhe fjalës greke “logos”, që ka kuptimin dije, shkencë. Kështu, vetë termi “sociologji” mund të përkthehet si shkencë për shoqërinë.

Në sajë të punës së përkushtuar të sociologëve të shquar, janë përpunuar koncepte që ndriçojnë dukuritë, proceset e institucionet kryesore të funksionimit e të zhvillimit të shoqërisë, si: kultura dhe metodat e kërkimit sociologjik, shoqërizimi dhe devianca, shtresimi gjinor dhe familja, racat dhe etniciteti, besimet fetare dhe urbanizimi, shtresëzimi i shoqërisë dhe lëvizjet shoqërore, shoqëria tradicionale dhe moderne, puna dhe shoqëria pasmoderne etj.

II. Teoritë kryesore

Për dukuri dhe procese të ndryshme socio-kulturore sociologët kanë ofruar argumentime teorike të ndryshme, kanë përpunuar teori të shumta. Teori të tilla janë formatuar sipas tre linjave teorike themelore, që quhen paradigma teoriko-sociologjike. Sipas sociologut bashkëkohës Xhorxh Ritzer, paradigma teoriko-sociologjike është një imazh themelor për çështjet e shoqërisë, që mund e duhet të trajtohen dhe për mënyrat e interpretimit të përfundimeve të veprimtarisë kërkimore. Tri janë paradigmat kryesore teoriko-sociologjike.

1. Paradigma strukturore-funksionale. Sipas kësaj paradigme shoqëria është një sistem i shumë pjesëve të ndryshme, të cilat kryejnë funksione të veçanta, ndërveprojnë për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e saj. Pjesët ose strukturat kryesore të çdo shoqërie, që nga rendi skllavopronar deri në ditët tona, kanë qenë dhe janë: sistemi ekonomik, sistemi politik, familja, organizatat fetare etj.

Secila strukturë ose pjesë e saj kryen njëkohësisht një ose më shumë funksione, të cilat klasifikohen në dy lloje kryesore. Funksione të dukshme, rrjedhojat e të cilave janë të njohura ose të parashikuara prej shumicës së anëtarëve të shoqërisë. Funksione të fshehta. Shumica e anëtarëve të shoqërisë nuk i njeh ato ose nuk i parashikon rrjedhojat e funksioneve të tilla. P.sh., ndër funksionet e dukshme kryesore të veprimtarive të ndryshme sportive janë argëtimi në kohën e lirë i shikuesve dhe teleshikuesve të shumtë, përmirësimi i shëndetit fizik dhe mendor i shumicës së njerëzve që angazhohen në veprimtari sportive në kohën e lirë etj. Mjaft sociologë mendojnë se funksionet e fshehta më të rëndësishme të veprimtarive sportive janë krijimi i profesioneve të reja dhe i degëve të reja të industrisë, që përgatisin pajisje sportive të shumëllojshme dhe që qarkullojnë shuma të mëdha parash. Funksioni i fshehtë më i rëndësishëm i sporteve është nxitja e shpirtit të konkurrencës në radhët e shumë anëtarëve të shoqërisë.

Struktura të caktuara shoqërore, së paku në periudha të caktuara, kryejnë funksione të padobishme për zhvillimin e shoqërisë. Funksione të tilla quhen disfunksione shoqërore. Për shembull, angazhimi i nxënësve në shumë veprimtari sportive të sforcuara i pengon ata të arrijnë rezultate të mira në përvetësimin e mësimeve etj.

Përvoja historike tregon se kur disfunksionet e një strukture shoqërore bëhen shqetësuese për shoqërinë, shpejt a vonë shoqëria merr masa për ndryshime të pjesshme ose rrënjësore të strukturave të tilla. P.sh., sidomos në vitet ’70 dhe ’80 të shekullit XX ekonomia e planifikuar dhe sistemi politik njëpartiak, u bënë pengesë për zhvillimin ekonomik, politik dhe kulturor të shoqërisë shqiptare. Në fillim të viteve 1990 shoqëria shqiptare mori masa për ndryshimin rrënjësor të këtyre dy sistemeve: u kalua nga ekonomia e planifikuar në ekonominë e tregut dhe nga sistemi politik i diktaturës së proletariatit në sistemin politik demokratik shumëpartiak. Ndryshme të tilla i hapën rrugë zhvillimeve të shumanshme të shoqërisë shqiptare sipas standardeve të përparuara të shoqërive demokratike perëndimore.

Ndihmesë të veçantë në formësimin e kësaj paradigme kanë dhënë sociologët: Ogyst Kont, Emil Durhejm (1859 – 1917), Herbert Spencer (1820 – 1903), Talkot Parsons (1902 – 1979), Robert K. Merton (1910 – 2003) etj.

2. Paradigma e konflikteve shoqërore. Sipas kësaj paradigme shoqëria është një sistem i karakterizuar prej pabarazive dhe konflikteve shoqërore, të cilat përcaktojnë ndryshimet e zhvillimet kryesore të saj. Kjo paradigmë e përshkruan shoqërinë të ndarë ashpër prej modeleve të pabarazisë ndërmjet klasave e shtresave shoqërore, ndërmjet grupeve racore dhe etnike, ndërmjet grupeve moshore dhe atyre me përkatësi gjinore të ndryshme, të cilët përfitojnë në mënyrë të pabarabartë nga shpërndarja e të mirave materiale, e vlerave arsimore, kulturore etj. Grupet e paprivilegjuara përpiqen të përmirësojnë gjendjen e tyre ekonomike, arsimore, kulturore etj. Ndërkohë grupet e privilegjuara përpiqen të ruajnë privilegjet e tyre. Kontradiktat, konfliktet ndërmjet grupeve shoqërore të privilegjuara dhe atyre të paprivilegjuara kanë funksionuar si një nga burimet kryesore të tronditjeve dhe të zhvillimit të shoqërisë njerëzore nga shoqëria skllavopronare deri në ditët tona.

Në zhvillimin e paradigmës së konflikteve shoqërore kanë dhënë ndihmesë të veçantë Ralf Dahrendor (1929 – 2009), Samuel Hantington (1927 – 2008) etj.

3. Paradigma ndërvepruese – simbolike. Sipas kësaj paradigme njerëzit e përjetojnë botën, ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe sigurojnë funksiononin normal të shoqërisë nëpërmjet kuptimeve simbolike.
Përmes simboleve kulturore orientohen gjithë bashkëveprimet e njerëzve në shoqëri. Përvoja tregon se reagimet e njerëzve të ndryshëm janë të ndryshme ndaj të njëjtit simbol ose fakt social. P.sh., prania e një oficeri policie në mjediset e një stacioni treni, shumicës së njerëzve u përforcon ndjenjën e sigurisë, ndërkohë që u provokon ankth personave në kërkim nga organet e drejtësisë, trafikantëve që kanë lëndë narkotike ose armë pa leje etj.

Disa sociologë që i përmbahen me përparësi paradigmës ndërvepruese – simbolike, në disa aspekte e krahasojnë shoqërinë me teatrin. Sipas tyre, sikurse aktorët në skenë, edhe anëtarët e shoqërisë veprojnë në mënyrë të orientuar, me qëllim që të nxisin emocione, mendime dhe sjellje të caktuara te të tjerët. Sidomos gjatë dy-tre dhjetëvjeçarëve të fundit është rritur shumë ndikimi i kësaj paradigme në studimet sociologjike.

Ndihmesë të veçantë në themelimin dhe formësimin e kësaj paradigme kanë dhënë sociologët Marks Veber (1864 – 1920), Xhorxh H. Mid (1863 – 1931), Erving Gofman (1922 – 1982) etj.

III. Pikësynimet kryesore të tekstit

Në këtë tekst mësimor konceptet sociologjike formojnë një sistem njohurish të lidhura logjikisht. Ato janë përzgjedhur në atë mënyrë që, nga njëra anë, të shërbejnë si themel i shëndoshë për formimin e mëtejshëm sociologjik të nxënësve, që do të vazhdojnë studimet universitare dhe, nga ana tjetër, të jenë të mjaftueshme, për t’i drejtuar në jetën e përditshme nxënësit që nuk do të arsimohen në shkollat e larta.

Në këtë tekst trajtimet teorike lidhen organikisht me analizën e fakteve konkrete të realitetit shqiptar dhe të realiteteve shoqërore të vendeve të tjera, sidomos të atyre demokratike perëndimore më të zhvilluara.

Një parashtrim i tillë priret të realizojë disa pikësynime kryesore:

Së pari, njohuritë sociologjike përgjithësisht karakterizohen nga një shkallë e lartë përgjithësimi. Për të lehtësuar përvetësimin e tyre në këtë tekst ndiqen së paku dy linja kryesore: nga njëra anë, mjaft ide sociologjike parashtrohen në mënyrë disi të figurshme dhe, nga ana tjetër, njohuritë sociologjike ilustrohen e konkretizohen me shembuj të shumëllojshëm mbresëlënës.

Së dyti, nëpërmjet analizave krahasuese të realiteteve konkrete të shoqërive të ndryshme, nxënësit do të kenë mundësi të njohin më mirë veçoritë e zhvillimeve shoqërore, ekonomike, politike, kulturore etj., të disa vendeve, sidomos të Shqipërisë.
Libri, “Sociologjia” do të japë ndihmesë të rëndësishme, jo vetëm për t’ua zgjeruar nxënësve horizontin e njohurive teorike, por edhe për t’i orientuar në zgjidhjen praktike të problemeve të jetës së përditshme në përputhje me vlerat e standardet e përparuara bashkëkohore kombëtare e botërore, për të parashikuar dukuri e ngjarje të caktuara etj. Edhe nëpërmjet njohurive sociologjike nxënësit do të njohin më mirë veten, pozitën dhe rolin e tyre në shoqërinë shqiptare. Ata do të vetëdijesohen për alternativat, që duhet të përzgjedhin në çaste të ndryshme të jetës së tyre etj.

Së treti, ky tekst synon t’i pajisë nxënësit e shkollës së arsimit të mesëm të lartë me njohuri e aftësi psikokulturore të domosdoshme për t’u orientuar edhe në disa shoqëri e sisteme kulturore të tjera, veçanërisht në ato të vendeve më të industrializuara të Perëndimit. Një formim i tillë do t’i ndihmojë nxënësit të vetëdijesohen edhe për veçoritë e kulturës shqiptare, për vendin e saj në ansamblin e kulturave europiane e më gjerë etj.

Së katërti, me tërësinë e elementeve të tij, veçanërisht me debatet për çështje të rëndësishme, me esetë analitike, veprimtaritë, projektin studimor në tri faza etj., ky tekst mëton t’u kultivojë nxënësve të menduarit kritik dhe krijues për problematikën e gjerë e të ndërlikuar të zhvillimeve shoqërore. Pajisja me një mekanizëm të tillë formimi intelektual do t’i ndihmojë ata të orientohen në zhvillimet e shumanshme, të shpejta të shoqërisë dhe dijeve sociologjike në ditët tona dhe për të ardhmen.

IV. Profile të metodikës së studimit

Ky tekst sociologjie synon të plotësojë kërkesat intelektuale të nxënësve me nivele të ndryshme përparimi në mësime. Kjo realizohet përmes harmonizimit në masa të caktuara të përshkrimit të fakteve e shembujve konkretë, analizave teorike të dukurive e prirjeve të zhvillimeve shoqërore, tipave të shumëllojshëm të ushtrimeve logjike me shkallë të ndryshme vështirësie, leximeve plotësuese të larmishme me nivel teorik më të ngritur që parashtrohen në rubrikën për më kureshtarët etj.

Në fund të çdo tematike ka një test vetëvlerësues, nëpërmjet të cilit nxënësit kontrollojnë vetë nivelin e përvetësimit të dijeve. Çdo mësim fillon me parashtrimin e çështjes ose të problemeve kryesore në mënyrë disi “intriguese”, duke përshkruar me gjuhë më të thjeshtë e herë – herë më artistike ndonjë fakt shoqëror domethënës, duke reflektuar rreth ndonjë mençurie ose anekdote që përcjell natyrshëm mesazhe të rëndësishme në linjën e mësimit, duke paraqitur kundërthënie problematike të ndonjë shoqërie ose grupimi shoqëror etj.

Nisur nga veçoritë e përmbajtjes së çdo mësimi, të çdo nënçështjeje të tij, shtjellimi realizohet duke kaluar nga analiza e fakteve dhe e shembujve domethënës në argumentimin e koncepteve ose anasjelltas. Shumica e fotografive dhe simboleve grafike janë përzgjedhur në atë mënyrë që të ilustrojnë idetë e tekstit pa u pajisur me sqarime.

Në tekst ofrohen më shumë çështje për diskutim dhe tema për ese ose veprimtari. Ato janë orientuese. Mësuesit mund të zgjedhin ato që përkojnë më shumë me interesat e nxënësve të qyteteve ose të krahinave të ndryshme.