Kurrikula
Kursi: Sociologjia Klasa 12
Identifikohu
Mësimi me video

Tematika 1 Mësimi 4: Vlerat Kulturore

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Mësimi 4

VLERAT KULTURORE

1. Ç’janë vlerat kulturore?
Në shkencat sociologjike është mirëpranuar përcaktimi i sociologut Robin Uilliams, se vlerat kulturore janë kritere të përgjithshme sipas të cilave anëtarët e së njëjtës kulturë përcaktojnë se çfarë është e dëshirueshme ose e padëshirueshme, e mirë ose e keqe, e bukur ose e shëmtuar. Vlerat kulturore nuk janë pohime përshkruese. Ato janë vlerësime dhe gjykime që kanë të bëjnë me të gjitha aspektet e veprimtarisë, të mendësive dhe të jetesës së anëtarëve të së njëjtës kulturë.

2. Shumëllojshmëria e vlerave kulturore
Çdo popull ka mjaft vlera kulturore, origjinale, të dallueshme nga ato të popujve të tjerë. P.sh., fryma e bashkëpunimit me të tjerët dhe bindja ndaj autoriteteve quhen vlera shumë të rëndësishme në kulturën japoneze. Sociologu Robin Uilliams ka argumentuar se në shoqërinë e SHBA-së janë sunduese dhjetë vlera kryesore:
1) barazia e kuptuar si mundësi të barabarta për të gjithë njerëzit për të punuar, për të fituar dhe për të përparuar në jetë;
2) shpirti konkurrues;
3) parapëlqimi i veprimtarisë praktike në krahasim me
atë mendore;
4) shpirti praktik për zgjidhjen e problemeve;
5) fryma optimiste e
përparimtare;
6) përdorimi i logjikës shkencore, i arritjeve teknike në përmbushjen e detyrave;
7)
drejtimi me përparësi kah rritja e mirëqenies materiale dhe jo kah rritja e prestigjit në shoqëri;
8) demokracia e shtrirë në të gjitha fushat e jetës dhe të veprimtarisë
shoqërore;
9) liria individuale që respekton lirinë e tjetrit;
10) përcaktimi i arritjeve
të individit edhe nga anëtarësimi në grupe shoqërore të caktuara.

Në masa të caktuara këto vlera janë të pranishme edhe në shoqëritë e tjera të urbanizuara të Perëndimit dhe shërbejnë si model për shoqërinë shqiptare të ditëve tona.

3. Vlera në kulturën tradicionale shqiptare
Përvoja historike tregon se vlerat kulturore kanë luajtur rol të rëndësishëm në funksionimin e shoqërive tradicionale, ku pothuajse nuk vepronin fare organet shtetërore. E tillë ka qenë, deri në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, ajo pjesë e shoqërisë shqiptare e zonave malore që nuk iu nënshtrua regjimit të pushtimit osman. Prandaj, në kulturën tradicionale të popullit shqiptar ka një fond shumë të pasur vlerash, si atdhetaria, shpirti humanist për të ndihmuar të tjerët veçanërisht kur pësojnë fatkeqësi, ndershmëria, dëshira për t’u arsimuar, përkushtimi ndaj drejtësisë, optimizmi dhe vendosmëria për të përballuar çdo vështirësi e sakrificë etj. Mjaft vizitorë, artistë e studiues të huaj dhe shqiptarë janë shprehur se në kulturën tradicionale shqiptare dallohen si më origjinale tri vlera: besa, mikpritja dhe toleranca ose, më saktësisht, harmonia ndërfetare.

3.1 Besa – “kontratë shoqërore” e pashkruar
Në kushtet e mungesës së organeve shtetërore, fjala e dhënë ose besa ka pasur rëndësi jetike për funksionimin e shoqërisë tradicionale shqiptare. Besa ka qenë një formë “kontrate shoqërore” e pashkruar. Çdo shqiptar duhej të shlyente me përpikëri çdo detyrim që buronte prej fjalës së dhënë ndaj të tjerëve. “Standardi etik i shqiptarit – shkruan intelektuali i shquar shqiptar Faik Konica, – është besa, pra fjala e dhënë. Pavarësisht nga rrethanat, kur një shqiptar jep fjalën, ajo nuk mund të shkelet dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj marrëveshjeje të shkruar.” Si bëhej i detyrueshëm zbatimi me rreptësi i “kontratave” besë? Në mungesë të organeve shtetërore detyruese, si policia, gjykatat etj., zbatimi i besës bëhej i detyrueshëm nga dy faktorë kryesorë psikokulturorë: nga forca e opinionit dhe hyjnizimi i saj. Në vetëdijen e shqiptarëve, përgjithësisht, ishte rrënjosur bindja se cenimi sadopak i besës ishte jo vetëm një turp i pashlyeshëm, por ai do të “provokonte” dhe zemërimin e forcave mbinatyrore. Këto forca, sipas bestytënive do të ndëshkonin pa mëshirë familjen dhe të afërmit e atij që dhunonte besën, pra të besëprerit. Kështu, justifikohej çdo sakrificë deri në vetëflijim për mbajtjen e fjalës së dhënë.

3.2 Miku si “nëpunës”
Në fondin e vlerave të kulturës tradicionale shqiptare vend të rëndësishëm zë edhe mikpritja, e kuptuar si respekt dhe nderim i veçantë për mikun. Në fillim të shekullit XX, studiuesja angleze Edit Durham ka shkruar se, shqiptarët ishin njerëz të varfër dhe punëtorë, që bënin një jetë të vështirë e të rrezikuar në mjediset e tyre mes maleve, por që të prisnin me bujari mbretërore. Në mungesë të nëpunësve të organeve shtetërore, miku kryente funksione shoqërore të rëndësishme. Në shumë drejtime, ai ishte një lloj “nëpunësi”. Miku luante rol të pazëvendësueshëm për fejesën dhe martesën e të rejave dhe të rinjve, për zbutjen e kapërcimin e konflikteve dhe deri për faljen e gjakut dhe pajtimin e familjeve, të fiseve në hasmëri. Gjithashtu, miku ishte burim kryesor informacioni, këshillues për vendime të rëndësishme, organizator i malësorëve për veprimtari të përbashkëta, si ndërtim rrugësh e urash, dhe sidomos për luftën kundër pushtuesve. Zgjidhja pothuajse e të gjitha problemeve të bashkëjetesës dhe të mbijetesës në bashkësitë fshatare vetëqeverisëse përcaktohej nga puna e ndershme dhe me përkushtim e “nëpunësit” – mik. Ndaj, në vetëdijen e shqiptarëve, miku hyjnizohej. “Qysh në çastin që dera i hapej, – ka shkruar Ismail Kadare, – udhëtari pushonte së qeni njeri i zakonshëm dhe ngrihej menjëherë në stadin e mikut, që ishte për shqiptarin po aq i shenjtë e i paprekshëm sa edhe hyjnitë.”

4. Ndryshime bashkëkohore
Pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, shteti socialist totalitar u përpoq t’i orientonte vlerat kulturore të popullit shqiptar kah ato të vendeve socialiste të Lindjes: barazia shoqërore kuptohej si barazi në nivelin ekonomik, arsimor etj.; u frenuan nisma individuale; fryma kolektiviste synonte të rrafshonte individualitetin e spikatur të shqiptarëve etj. Në fillim të viteve 1990 Shqipëria hyri në rrugën e zhvillimit të ekonomisë së tregut, të zhvillimeve demokratike në të gjitha fushat e jetës. Në këtë proces të shumanshëm edhe në vetëdijen e popullit shqiptar po zbehen vlerat kulturore me ngjyresë socialiste dhe po ringjallen, po kristalizohen vlera kulturore perëndimore. Ndër to spikatin: kuptimi i barazisë, si mundësi të barabarta për të gjithë shqiptarët për të përparuar në të gjitha fushat e jetës dhe të veprimtarisë; respektimi i prakticizmit tregtar; nxitja e shpirtit konkurrues, përkrahja e nismave vetjake etj.