Kurrikula
Kursi: Sociologjia Klasa 12
Identifikohu
Mësimi me video

Tematika 1 Mësimi 7-8: Vlerësimi i kulturave

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Tematika 1 Mësimi 7-8

Vlerësime të Kulturave: Etnocentrizmi

1. Ç’është etnocentrizmi?
Në dijet sociologjike etnocentrizëm quhet vlerësimi dhe gjykimi i një kulture nga kriteret e një kulture tjetër. Si rrjedhojë e psikozave etnocentrike i njëjti fakt kulturor kuptohet e interpretohet në mënyra të ndryshme, duke u nisur nga sisteme kulturore të ndryshme. Në situatën e parë të sipërpërshkruar incidenti ndërmjet turistit amerikan dhe nepalezëve ndodhi ngaqë një gjest i zakonshëm përshëndetjeje dhe mirësjelljeje i kulturës amerikane (gjesti që shoqëron fjalën OK) konsiderohet si një fyerje poshtëruese për femrat nga pikëpamja e kulturës së popullit të Nepalit. Ndërsa tregtari grek, sipas kërkesave të kulturës së vet, këmbënguli që shitblerja e tokës të bazohej në një marrëveshje të nënshkruar. Ndërkohë fshatari shqiptar kërkesën e grekut për një dokument të shkruar e interpreton si dyshim te fjala e dhënë prej tij, te besa e tij. Ai kundërshtoi t’i shiste tokën një të huaji, që nuk besonte te burrëria e tij, duke i shprehur përkthyesit mendësinë tradicionale shqiptare: “Sa më larg një njeriu që dyshon te besa e burrit”. Buzëqeshja e japonezëve shpesh ka krijuar keqkuptime ndër anëtarët e kulturave të tjera që nuk e njohin kulturën japoneze. Amerikanët përgjithësisht i shprehin hapur gjendjet e tyre emocionale, jo vetëm kur janë të gëzuar, por edhe kur janë të dëshpëruar. Përkundrazi, kultura japoneze ka një normë, sipas të cilës çdo anëtar i saj në komunikimet me të tjerët nuk duhet të shprehë kurrsesi gjendjen e vet shpirtërore të rënduar. Sado e hidhëruar të jetë, japonezja duhet të flasë me të tjerët duke buzëqeshur. Kësisoj, buzëqeshja e japonezes nuk shprehte aspak cinizëm. Përkundrazi, një buzëqeshje e tillë përfaqësonte zbatimin me përpikëri të një kërkese të traditës kulturore japoneze.

2. Dukuri njerëzore e përgjithshme
Etnocentrizmi është një reagim njerëzor i përgjithshëm, i pranishëm në të gjitha shoqëritë dhe grupet shoqërore, madje në të gjithë individët. Por shkalla e shfaqjes së etnocentrizimit nuk është e njëjtë. Mendësitë dhe praktikat etnocentrike përgjithësisht janë më të pranishme në veprimtarinë e njerëzve më pak të arsimuar, më fanatikë nga pikëpamja fetare ose që kanë punuar e jetuar brenda një sistemi kulturor. Këta të fundit në gjuhën e përditshme quhen “njerëz të pashëtitur”. Shfaqjet e etnocentrizmit janë më të dukshme në veprimtarinë e rretheve politike të popujve të mëdhenj, të cilat kanë zbatuar politika armiqësore, shtypëse kundër kulturave të popujve të vegjël ose më pak të zhvilluar. Por edhe popujt e vegjël shpesh nxitin prirjet etnocentrike të kulturës së tyre, si kundërshtim ndaj trysnisë asimiluese të kulturave të popujve të mëdhenj. Në raste të tilla, mendësitë dhe praktikat etnocentrike përforcojnë ndjenjën e atdhetarisë, vetëdijen dhe bashkimin kombëtar. Nën trysninë e psikozave etnocentrike, ndryshimet e njërës kulturë nga tjetra përshkruhen me terma me ngarkesë negative. Kështu, çdo popull me prirje etnocentrike e vlerëson veten “më të qytetëruar”, “më përparimtar”, “besimtarë të vërtetë”, “më superior” në krahasim me popujt e tjerë, të cilët i etiketon si “barbar”, “të prapambetur”, “të pafe”, “inferiorë” etj.

3. Rrjedhoja të etnocentrizmit
Dukuria e etnocentrizmit është mjaft e dëmshme, veçanërisht në ditët tona, kur po rritet gjithnjë më shumë shkalla e bashkëpunimit të popujve të botës në fushat shoqërore, ekonomike, politike, kulturore etj. Në studimet sociologjike përshkruhen mjaft raste të prishjes së marrëveshjeve ekonomike, politike, kulturore etj. me përfitim të ndërsjellë për popuj me kultura të ndryshme, si rrjedhojë e keqkuptimeve ose kontradiktave të shkaktuara nga mendësi etnocentrike. P.sh., në vitin 1793 mbreti i Anglisë dërgoi një përfaqësi tregtare në Kinë, për të nxitur shkëmbimin e mallrave me këtë vend të madh. Vizitorët “barbarë” u lejuan të krijonin disa pika tregtimi dhe të përfitonin nga blerjet me çmime të ulëta të sendeve të luksit, që prodhoheshin në Kinë. Kurse kinezët u treguan mospërfillës ndaj gjithçkaje që ofronin europianët, duke u shprehur me mendjemadhësi: “Perandoria jonë Hyjnore ka gjithçka me bollëk, nuk ka mungesa brenda kufijve të saj. Prandaj, ajo nuk ka nevojë të importojë fabrika të barbarëve të jashtëm”. Këto psikoza etnocentrike i penguan kinezët të përfitonin nga fabrikat angleze, që ishin ndër arritjet teknologjike më të përparuara të kohës

4. Nxitje e qëllimshme e prirjeve etnocentrike
Në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore, dhe sidomos gjatë viteve 1960 – 1985, organet drejtuese të partisë – shtet, ndoqën të ashtuquajturën politikë e rrugës së veçantë të ndërtimit të socializmit në një vend të vetëm. Për të justifikuar një politikë të tillë, dhe sidomos dështimet e saj, drejtuesit kryesorë të regjimit socialist kultivuan sistematikisht mendësi e praktika me natyrë etnocentrike të skajshme. Nga nëpunësit e lartë të regjimit, madje edhe nga shtypi i kësaj periudhe, gjithë kulturat e vendeve të tjera vlerësoheshin sipas kritereve të kulturës politike shqiptare të profilit komunist. Nga ky këndshikim, pothuajse të gjitha kulturat joshqiptare vlerësoheshin të degjeneruara; antipopullore. Mendësi dhe praktika të tilla e penguan shumë përparimin e Republikës së Shqipërisë jo vetëm në fushën e kulturës, por edhe në të gjitha fushat e tjera të veprimtarisë shoqërore, ekonomike, shkencore etj., pasi e veçuan gati tërësisht shtetin shqiptar nga zhvillimet e vrullshme dhe të shumanshme europiane e botërore.