Kurrikula
Kursi: Sociologjia Klasa 12
Identifikohu
Mësimi me video

Tematika 2 Mësimi 4: Shoqërizimi dhe ciklet e jetës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Tematika 2 Mësimi 4

SHOQËRIZIMI DHE CIKLET E JETËS

1. Fëmijëria
Në disa shoqëri të zhvilluara të Perëndimit, fëmijëria përfshin 12 vitet e para të jetës së njeriut, duke përjashtuar foshnjërinë.

1.1 Trajtime të ndryshme
Në shoqëritë moderne të kohës tonë, kjo periudhë e shoqërizimit të fëmijëve dallohet qartë nga të tjerat. Por, nuk ka ndodhur kështu gjatë gjithë historisë së shoqërisë njerëzore. Historiani Filip Arie ka argumentuar se shoqëritë europiane mesjetare nuk kishin koncept të fëmijërisë. Jeta e fëmijëve ishte shumë e ngjashme me atë të të rriturve. Ndër të tjera, kjo nënkuptonte që fëmijët të punonin me orar të zgjatur. Modele të tilla të trajtimit të fëmijëve janë të pranueshme edhe në ditët tona në shoqëritë në zhvillim të Azisë, Afrikës etj. Në këto vende mjaft fëmijë fillojnë të punojnë që në moshën 4-5 vjeçare. Shumica e anëtarëve të shoqërive industriale të Perëndimit një trajtim të tillë të fëmijëve e quajnë të papranueshëm. Në shumicën e shoqërive bashkëkohore fëmijët janë shoqërizuar në atë mënyrë që vishen e sillen ndryshe nga të rriturit dhe janë nën mbrojtjen e tyre.

1.2 Fëmijëri e shpejtuar… dhe në shoqërinë shqiptare
Gjatë tri-katër dhjetëvjeçarëve të fundit, sociologët dhe psikologët kanë vërejtur se, veçanërisht në familjet pak a shumë të pasura, periudha e fëmijërisë po shkurtohet. Mbi fëmijët, dashur pa dashur, po ushtrohet trysni që të vishen, të flasin dhe të veprojnë si të rriturit. Fëmijë me “fëmijëri të shpejtuar” quhen djemtë dhjetëvjeçarë të veshur me xhinse të disenjuara dhe vajzat e të njëjtës moshë, që zbukurohen me bizhuteri dhe bëjnë makijazh. Mjetet e komunikimit masiv, veçanërisht televizioni, në ditët tona përçojnë në botën e fëmijëve seksualitetin, dhunën dhe shumë probleme të tjera të vlerësuara për të rritur. Prindërit përgjithësisht janë të kënaqur kur fëmijët e tyre lexojnë, ose diskutojnë për ngjarje botërore të ndërlikuara me të rriturit ose në grupet e tyre të bashkëmoshatarëve. Diskutime të tilla shpesh interpretohen si nivel i lartë i inteligjencies së fëmijëve. Edhe shkolla nxit pjekurinë e shpejtuar të fëmijëve.
Në shoqërinë shqiptare, tradiconale dhe të ditëve tona, prindërit përgjithësisht nxitin zhvillimin e parakohshëm mendor të djemve të tyre dhe krenohen me të. Në kulturën tradicionale shqiptare burrërimi më i shpejtë i djemve, quhej si tregues i vitalitetit të familjes, të fisit. Mjaft sociologë dhe psikologë e kanë vlerësuar të dëmshme dukurinë e fëmijërisë së shpejtuar. Psikologu David Elkind ka arsyetuar se një model i tillë sjelljeje i vë fëmijët përballë problemesh të ndërlikuara, ndërkohë që ata kanë aftësi dhe përvojë shoqërore të pamjaftueshme për t’i kuptuar dhe zgjidhur me sukses.

 

 

2. Adoleshenca
Në shoqëritë e zhvilluara industriale adoleshenca (13-19 vjeç) quhet si një fazë ndërmjet fëmijërisë dhe moshës së pjekur të hershme.

2.1 Moshë e trazuar
Në përfytyrimet e shumë njerëzve adoleshenca është mosha më e trazuar nga ana emocionale dhe shoqërore. Adoleshentët janë mjaft të prirur të konfliktohen me prindërit, mësuesit dhe të tjerët. Nga një studimanketim del se 67.2 % e nxënësve të shkollave të mesme të Tiranës konfliktohen rreth një here në muaj me prindërit e tyre, rreth 45.1% përjetojnë mosmarrëveshje së paku një herë në muaj me mësuesit e tyre dhe 46.4% konfliktohen rreth një herë në muaj me njëri-tjetrin.

2.2 Paqëndrueshmëri përmes kontradiktave
Periudha e adoleshencës shoqërohet me ndryshime të shpejta fiziologjike e psikologjike, që lidhen edhe me pubertetin, d.m.th. me pjekurinë seksuale dhe aftësimin për riprodhim. Kjo është një periudhë paqëndrueshmërie në veprime, mendime dhe përjetime. Shumica e sociologëve mendojnë se një paqëndrueshmëri e tillë është kryesisht rrjedhojë e kontradiktave në procesin shoqërizues. Në të gjitha shoqëritë moderne, adoleshentët marrin mesazhe kontradiktore për seksualitetin: përgjithësisht programet televizive i nxitin të jenë seksualisht aktivë, kurse të rriturit i këshillojnë të vetëpërmbahen. Ose në shoqërinë amerikane një i ri 18 – vjeçar quhet i përgjegjshëm për të shkuar në luftë përkrah të rriturve, por nuk ka të drejtë të pijë me ta pije alkoolike. Trajtime të tilla të adoleshentëve përcaktohen edhe nga pozita shoqërore kontradiktore e tyre: ata nuk janë fëmijë dhe nuk vlerësohen si të rritur.

3. Mosha e rritur e hershme
Në shumicën e kulturave bashkëkohore kjo moshë nis rreth të 20-tave dhe përfundon në vitin e 40 të jetës. Në fillimet e moshës së rritur të hershme personaliteti i njeriut është formuar në linjat kryesore. Megjithëkëtë, ai mund të pësojë ndryshime të rëndësishme si rrjedhojë e papunësisë, e divorcit, e sëmundjeve të rënda etj. Gjatë kësaj faze të jetës, njerëzit përgjithësisht përfshihen në veprimtari të shumëllojshme për arritjen e një vargu qëllimesh të vendosura më herët dhe në proces. Të rriturit e rinj marrin përgjejgjësinë për mjaft detyrime të jetës së përditshme, të cilat më parë u takonin prindërve ose të tjerëve. Madje, mjaft njerëz krijojnë familjen e tyre, duke u mbështetur në përvojën e familjes së prindërve. P.sh., në Republikën e Shqipërisë në vitin 2016 rreth 82.1% e femrave dhe 92.6% e meshkujve që u martuan dhe krijuan familjen e tyre ishin të grup-moshës 20-40 vjeç. Gjatë kësaj moshe, shumica e njerëzve që martohen, lipset t’i përshtaten edhe modeleve intime të jetës së bashkëshortes ose bashkëshortit.

4. Mosha e pjekurisë
Në moshën e pjekurisë (41-65 vjeç) veçanërisht burrat harxhojnë shumë energji krijuese për të përparuar në karrierën profesionale, politike e shoqërore. Ndërkohë bëhen më të vetëdijshëm se më parë për dobësitë e shëndetit. Në shoqëritë industriale të zhvilluara, gratë e reja në moshë janë marrë kryesisht me rritjen e fëmijëve. Gjatë moshës së pjekurisë ato përjetojnë përgjithësisht një gjendje të rënduar mërzie e boshësie. Fëmijët, tashmë të rritur, kërkojnë më pak vëmendjen e tyre, kurse burrat janë të dhënë pas karrierës. Në kushte të tilla, për të “mbushur” kohën, mjaft gra punësohen, fillojnë studimet në nivele universitare dhe mbiuniversitare, fillojnë karrierë profesionale, shoqërore etj. P.sh., në SHBA gjatë tre-katër dhjetëvjeçarëve të fundit, është shtuar pesha specifike e grave me moshë mbi 40 vjeç të punësuara jashtë ekonomisë shtëpiake. Gjithashtu, gjatë dhjetëvjeçarit 2007-2017 rreth një ndër tetë studentë në universitetet amerikane ishte me moshë mbi 35 vjeç. Por gratë në moshën e pjekurisë përballen me shumë vështirësi në procesin e arsimimit dhe të përparimit në karrierën profesionale, politike, shoqërore etj. Përvoja tregon se në moshën e pjekurisë suksesin e grave në karrierë e pengojnë artificialisht shumë faktorë. Në shoqërinë shqiptare të ditëve tona, gratë në moshën e pjekurisë e kanë të vështirë, jo vetëm për të përparuar në karrierë, por edhe për t’u punësuar. Shumë gra të kësaj grup – moshe janë pa punë ose të punësuara në ekonomitë e vogla shtëpiake, që janë përgjithësisht pronë e bashkëshortit. Në rrethana të tilla, gratë në moshën e pjekurisë e kanë të vështirë të pohojnë personalitetin e tyre në shoqërinë shqiptare.

5. Pleqëria
Në shumicën e shoqërive të zhvilluara bashkëkohore pleqëria fillon pas vitit të 65-të të jetës. Në shoqëri të ndryshme ka pasur dhe ka kuptime e trajtime jo të njëjta për veçoritë dhe funksionet shoqërore të kësaj grup-moshe. P. sh. në shoqëritë paraindustriale të moshuarit nderoheshin shumë sepse, jo vetëm zotëronin tokën dhe format e tjera të pasurisë, por edhe mençurinë e përvojës së jetës. Në shoqëritë paraindustriale me zhvillime të ngadalshme, përvoja e të moshuarve kishte rëndësi të madhe për zgjidhjen e problemeve të ndryshme shoqërore, të zhvillimit të ekonomisë etj. Në shoqëritë e zhvilluara industriale, shumica e njerëzve, veçanërisht të rinjtë punojnë jashtë ekonomisë shtëpiake. Në rrethana të tilla, dobësohet shumë ndikimi i të moshuarve mbi veprimtarinë dhe mënyrën e të menduarit të tyre. Gjithashtu, në një shoqëri në zhvillim të vrullshëm dhe të shumanshëm ndodh që të moshuarit të mos çmohen sa duhet, madje herë-herë të shpërfillen me forma të ndryshme. Shpesh, ata vlerësohen si të paaftë për t’u përditësuar me zhvillimet e reja, si përfaqësues të frymës konservatore, që i pengon të rinjtë të përparojnë etj. Shoqëritë industriale quhen shoqëri të orientimit rinor. Kriteret kryesore për të vlerësuar një person në shoqëri të tilla janë: bukuria trupore, niveli i lartë i veprimtarisë fizike dhe qëndrimet e reja.