Kurrikula
Kursi: Sociologjia Klasa 12
Identifikohu
Mësimi me video

Tematika 1 Mësimi 2,3: Gjuha dhe funksionet e saj

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Mësimi 2,3

SIMBOLET KULTURORE DHE GJUHA

1. Ç’është simboli kulturor?
Në sociologji, simboli kulturor përcaktohet si diçka që mbart dhe përçon kuptime të caktuara ndër anëtarët e një kulture. Simbolet mund të jenë figura e tinguj, shenja e fjalë, veprime e gjeste të njerëzve. Si simbole mund të shërbejnë edhe sende e objekte të botës materiale ose natyrore. Pothuajse në të gjitha kulturat, ndryshime të caktuara në mimikën e fytyrës kanë kuptime simbolike të rëndësishme, që përdoren dendur në komunikimet e përditshme ndërmjet njerëzve. Simbolet e çdo kulture formohen shkallë – shkallë në procesin e veprimtarive dhe të jetesës së anëtarëve të saj. Në formimin e simboleve ndikojnë edhe marrëveshjet ndërmjet anëtarëve të së njejtës kulturë. Në kulturën tradicionale të popullit shqiptar mjaft gjeste, lëvizje, mënyra sjelljeje, veshjeje etj., kanë kuptime simbolike të rëndësishme. Studiues të huaj dhe shqiptarë mendojnë se burrat shqiptarë filluan të mbanin xhoka të zeza pas vdekjes së Skënderbeut, si shenjë zie për këtë hero të madh. Veshjet e larmishme tradicionale të grave, sidomos në zonat veriore të Shqipërisë, kanë pasur kuptime simbolike të shumta dhe të përcaktuara qartë. Nga prerja, disenjoja dhe ngjyra e veshjeve mund të gjykohej me saktësi jo vetëm për moshën dhe statusin shoqëror të gruas që i mbante, por edhe për gjendjen e saj shpirtërore. Përgjithësisht, në jetën e përditshme dhe në ceremoni gëzimesh, sa më të reja të ishin gratë, aq më e pranishme ishte në veshjet e tyre ngjyra e kuqe e ndezur. Kurse në ceremoni mortore gratë përdorin veshje me ngjyra të errëta deri krejt të zeza. Rritja e masës së mbizotërimit të ngjyrës së zezë përcaktohej nga mosha e grave, nga afëria e tyre me të ndjerin dhe mosha më e re e tij. Por në mes të një grupi grash të veshura me të zeza që shkonin në ceremoni morti të hidhur, mund të ishte një nuse e re e veshur me rroba të kuqe. Simbolikisht një veshje e tillë përcillte mesazhin: kjo nuse ishte brenda 40 ditëve të para pas martesës dhe, që t’i ecte jeta mbarë, nuk i lejohej të vishej me të zeza edhe për vdekjen e njerëzve të afërm në moshë të re.

2. Funksionet shoqërore kryesore të simboleve
1. Simbolet kulturore drejtojnë ndërkomunikimet, veprimet e anëtarëve të kulturës në çdo rrethanë. Prandaj, është e domosdoshme që ata të njohin kuptimet e njësuara të simboleve. Kështu shmangen keqkuptimet, të cilat pengojnë bashkëveprimet ndërmjet anëtarëve të kulturës, por mund të rrezikojnë edhe jetën e tyre. Këtë mund ta ilustrojmë me një shembull. Shenjat e kodit rrugor dhe dritat e semaforëve janë simbole me kuptime të njësuara pothuajse në shkallë botërore. Ato drejtojnë lëvizjet e njerëzve dhe të automjeteve në rrugë. Në një udhëkryq me trafik të rënduar do të ndodhnin aksidente të pashmangshme, nëse drejtuesit e automjeteve dhe kalimtarët nuk do të zbatonin me korrektësi kërkesat e sinjaleve të semaforëve dhe të shenjave të kodit rrugor.
2. Simbolet kulturore përforcojnë, sfumojnë ose kundërshtojnë mesazhet gojore. P.sh., përfytyroni një mjedis të kulturës shqiptare, ku një nëpunës u lexon vartësve një urdhër pune. Pothuajse në çdo rast mesazhet e urdhrit përthyhen në ndryshimet e mimikës së fytyrës së nëpunësit. Nëse nëpunësi është i ngrysur në fytyrë, kjo do të thotë se të gjitha mesazhet e urdhrit duhen marrë seriozisht. Nëse nëpunësi buzëqesh herë pas here kur lexon urdhrin e punës, vartësit e tij e kuptojnë se disa pjesë të urdhrit të punës mund të mos zbatohen. Dhe nëpunësi i zhvlerëson mesazhet që përcjell urdhri i punës nëse gjatë leximit të tij u shkel syrin herë pas here vartësve.
3. Simbolet kulturore luajnë edhe role disi të fshehtë. P.sh., në vendet demokratike të stabilizuara të Perëndimit, autovetura shpreh simbolikisht në shumicën e rasteve statusin shoqëror, ekonomik, politik e arsimor të pronarit të saj. Një autoveturë luksoze, e madhe, e kushtueshme për t’u blerë dhe për t’u përdorur tregon se pronari i saj është i pasur, nëpunës i lartë, profesionist i suksesshëm si mjek, avokat, noter etj. Ndërsa autovetura e vogël, jo e kushtueshme për t’u blerë dhe për ta përdorur, simbolikisht tregon se pronari i saj siguron të ardhura modeste, përgjithësisht nën nivelin mesatar. Kështu, në vendet e stabilizuara të Perëndimit hierarkia e autoveturave shpreh hierarkinë shoqërore.

3. Kultura të ndryshme, simbole të veçanta
Çdo kulturë ka simbolet e veta, mjaft prej të cilave ndryshojnë nga ato të kulturave të tjera. Një gjest ose një objekt, një tingull ose një figurë, një mënyrë veprimi ose komunikimi, që mund të ketë kuptim simbolik të rëndësishëm në kulturën e një populli, mund të mos ketë kuptim, mund të ketë kuptim tjetër ose të kundërt në një sistem tjetër kulturor. P.sh., në disa kultura, tundja e kokës nuk ka asnjë kuptim simbolik. Në disa kultura të tjera, tundja e kokës do të thotë se personi me të cilin flet të ka dëgjuar me vëmendje dhe të ka kuptuar. Ndërsa në kulturën shqiptare, lëvizja e kokës shpreh dy kuptime të kundërta. Me një lëvizje të lehtë të kokës lart-poshtë pothuajse çdo shqiptar shpreh miratim dhe nxitje për mendimet ose veprimet e dikujt tjetër, kurse me lëvizjen e kokës majtas – djathtas shpreh mosmiratim ose kundërshtim. Prandaj, shpesh të huajt keqkuptohen nga lëvizjet e kokës të shqiptarëve. Disa sjellje mund të jenë të zakonshme për anëtarët e një kulture, por mund të kenë kuptim simbolik fyes për pjesëtarët e një kulture tjetër. P.sh., përgjithësisht amerikanët e ngrenë tonin e zërit kur dëshirojnë që bashkëbiseduesi të flasë me zë më të lartë. Për anëtarët e kulturës arabo-saudite një ngritje e tillë e tonit të zërit nga amerikanët vlerësohet si fyerje për ta. Në mjaft kultura quhet shprehje mirësjelljeje kur burrat u hapin derën grave dhe i lejojnë të kalojnë të parat. Ky veprim, në disa kultura bashkëkohore të vendeve të zhvilluara perëndimore, interpretohet si nënvlerësim për gratë, duke u bazuar në arsyetimin: respekti i veçantë për gratë, nënkupton inferioritetin e tyre në krahasim me burrat.

4. Dy prirje zhvillimi të simboleve
Në zhvillimin e sistemit të simboleve të çdo kulture, sidomos në kohët moderne, veprojnë dy prirje të kundërta, që janë: E para. Shtimi i simboleve, që përdoren vetëm nga grupime më të vogla të anëtarëve të një kulture, si: banorët e një krahine ose fshati, zanatçinjtë e një profili, të rinjtë, sportistët, artistët e deri anëtarët e një familjeje. P.sh., me gjestin e ngritjes së jakës të xhaketës ose të këmishës, muzikantët i shprehin njëri-tjetrit mendimin se personi për të cilin flitet nuk ka vesh muzikor. E dyta. Shtimi i numrit të simboleve, që përdoren me kuptime të njësuara në kulturat e gjithë popujve të qytetëruar. Ndër to, vend të rëndësishëm zënë simbolet, që përdoren në shkenca të ndryshme, si: fizika, matematika, biologjia, kimia etj. P.sh., në gjithë botën Fe simbolizon hekurin, Zn simbolizon zinkun etj. Gjithashtu, rëndësi të madhe praktike kanë simbolet që drejtojnë veprime të caktuara në transportin detar dhe ajror ndërkombëtar etj.

5. Simbolet në proces ndryshimi
Shumica e simboleve kulturore ndryshojnë në rrjedhën e kohës. Këto ndryshime pasqyrojnë zhvillimet kulturore, ekonomike, politike, shkencore etj. të shoqërisë. Në vendet e urbanizuara të Perëndimit bluxhinset visheshin në fillim nga njerëzit që merreshin me punë krahu. Në këto kushte bluxhinset u shndërruan në një simbol të klasës punëtore. Por, në vitet 1960 bluxhinset filluan të përdoreshin gjerësisht edhe nga studentët që rridhnin nga familje të pasura e të mesme. Studentët i vishnin bluxhinset për të treguar jo vetëm afrimin me njerëzit e thjeshtë, por edhe kundërvënien e tyre ndaj disa aspekteve kryesore të kulturës tradicionale. Në kulturën shqiptare ka ndryshuar kuptimi simbolik “shkallës” së ëmbëlsisë së kafesë në ceremoni mortore. Në shoqërinë tradicionale shqiptare kafeja e ëmbël përcillte mesazhin: i ndjeri ka qenë në moshë të madhe, i ka lënë fëmijët të martuar dhe në gjendje të mirë ekonomike; kafeja e mesme simbolikisht nënkuptonte se i ndjeri ishte në moshë mesatare dhe i ka lënë fëmijët ca të martuar e të tjerë të pamartuar; kafeja fare e hidhur përcillte mesazhin: i ndjeri ka qenë fare i ri, i pamartuar ose i martuar me fëmijë të vegjël. Në shoqërinë shqiptare të ditëve tona kafeja nuk i përcjell më mesazhe të tilla.

6. Përcaktimi sociologjik i gjuhës
Nga pikëpamja sociologjike, gjuha është një sistem simbolesh me kuptime të njësuara nëpërmjet të cilave anëtarët e një kulture, të një shoqërie komunikojnë me njëri-tjetrin. Të gjitha kulturat kanë gjuhën e vet të folur, por jo të gjitha kanë pasur ose kanë sistem të shkruari. P.sh., gjuha e banorëve të fisit Janomamo*) , që jetojnë në Amerikën Latine, edhe në ditët tona nuk shkruhet, por vetëm flitet. Kultura dhe gjuha janë të lidhura ngushtë dhe ndikojnë në mënyrë të ndërsjellë në zhvillimin e njëra-tjetrës. Përgjithësisht, sa më e zhvilluar të jetë një kulturë, aq më e pasur është edhe gjuha që e shpreh atë dhe anasjelltas. P.sh., banorët e fiseve që banonin në luginën e lumit Kamilaroj të Australisë kishin kulturë fare të pakët në fushën e dijeve matematikore. Edhe gjuha e tyre, që e shpreh këtë kulturë, është po aq e varfër. Ata kishin 3 fjalë dhe 3 bashkime të tyre për sistemin e numërimit. Konkretisht: 1 – mall; 2 – bullan; 3 – gulibà; 4 – bullan-bullan; 5 – bullan-gulibà; 6 – gulibà-gulibà. Ndërkohë, kultura dhe gjuha e zhvilluar e çdo populli të qytetëruar ka një numër shumë të madh fjalësh, të cilat pasqyrojnë sistemin e numërimit dhe dijet matematike që i përdorin njerëzit në jetën e përditshme.

7. Gjuha shqipe dhe kulturat europiane
Populli shqiptar jeton që nga lashtësia në trojet e veta në Ballkan. Gadishulli Ballkanik ka qenë dhe është një nga rajonet më të trazuar të Europës, ku historikisht janë ndërthurur dhe ndeshur me denduri të lartë ndikimet kulturore të Perëndimit dhe të Lindjes. Në kushte të tilla, gjuha shqipe ka pasqyruar dhe pasqyron jo vetëm trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar, por edhe mjaft zhvillime kulturore e gjuhësore të popujve të tjerë. Gjuhëtarë të huaj dhe shqiptarë nga më të shquarit, si Norbert Jokli, Eqrem Çabej etj., kanë argumentuar se gjuha shqipe luan një rol qendror në shpjegimin e mjaft dukurive kulturore e gjuhësore shumë të ndërlikuara në nivel europian. Kështu, disa njësi frazeologjike rumune, që shprehin situata kulturore të caktuara, shpjegohen me ndikime të traditave kulturore e të gjuhës shqipe. Gjithashtu, mjaft ndikime të latinishtes kanë kaluar në gjuhën rumune dhe në disa gjuhë të tjera europianoveriore të “përthyera” përmes gjuhës shqipe.

Ismail Kadare i është kundërvënë pikëpamjeve dashakeqe të studiuesve të huaj që synojnë ta zbehin rolin e gjuhës dhe të kulturës shqipe në familjen e gjuhëve e të kulturave europiane. Ai ka shkruar:.. “Gjuha shqipe është një monument i madh kulturor i shqiptarëve… ajo është një dukuri shumë e pasur, një pasuri e gjithë njerëzimit”. Për këtë arsye, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, është rritur ndjeshëm interesimi i gjuhëtarëve profesionistë të vendeve të tjera europiane për gjuhën shqipe.