Kurrikula
Kursi: Sociologjia Klasa 12
Identifikohu
Mësimi me video

Tematika 6 Përmbledhje Analiza Sociologjike e Besimeve Fetare

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Tematika 6

ANALIZA SOCIOLOGJIKE E BESIMEVE FETARE

FEJA DHE FUNKSIONET SHOQËRORE TË SAJ

1. Kuptimi sociologjik i fesë
Fetë kanë qenë dhe janë të shumëllojshme. Për këtë arsye, sociologët e kanë të vështirë të formulojnë një përcaktim që t’i përfshijë të gjitha fetë. Që në fillim të shekullit XX, sociologu i shquar Emil Dyrhejm, arsyetonte se gjithçka, që i tejkalon kufijtë e dijeve tona, është bazë ose pikënisje e përvojës shoqërore – njerëzore, e cila quhet fe. Sipas tij, në periudha kohore të gjata njerëzit i kanë kuptuar dhe interpretuar objektet, ngjarjet dhe përvojat në dy mënyra që ndryshojnë shumë nga njëra – tjetra. Ajo çka është vlerësuar si profane përfshin të gjitha elementet e zakonshme të jetës së përditshme. Kurse ajo që Dyrhejmi e quante të shenjtë i referohet të jashtëzakonshmes, të mbinatyrshmes, e cila përgjithësisht u ngjall njerëzve një ndjenjë nderimi respekti deri edhe frikë. Dallimi ndërmjet profanes dhe të shenjtës ka qenë bazë e shumë besimeve fetare gjatë historisë së njerëzimit. Meqenëse feja ka të bëjë me gjithçka, që gjendet përtej përvojës së përditshme, vlefshmëria e saj nuk mund të çmohet as nga arsyetimet e zakonshme dhe as nga shkencat. Feja është çështje besimi, që nuk ka nevojë të mbështetet në prova shkencore. Kjo ide shprehet edhe në librat e shenjtë të shumicës së feve. P.sh., në Testamentin e Ri të Biblës të krishterëve u predikohet të “rendin pas besimit e jo pas dëshirave”, dhe besimi përshkruhet si “bindje për gjërat e pakuptueshme”.

Në mjaft vende të botës ka pasur ose ka edhe fe, të cilat nuk bazohen në të mbinatyrshmen. P.sh., konfucianizmi ka të bëjë kryesisht me pranimin e harmonisë natyrore të botës, dhe jo me zbulimin e të vërtetave, që gjenden në të. Gjithashtu, jo çdo fe është e lidhur me pranimin e qenies së një zoti të vetëm, me porositë morale ose me shpjegimin e origjinës së krijimit të Botës. Studimet tregojnë se fetë dallohen shumë prej njëra – tjetrës. Megjithëkëtë, të gjitha fetë përfshijnë sisteme simbolesh, që iu referohen ndjenjave të nderimit, të adhurimit e të frikës, si dhe ritualet e ceremonialet e kryera nga bashkësitë e besimtarëve.

Ritualet fetare janë të shumëllojshme. Ato përfshijnë të falurit, psalmimin, të mbajturit kreshme ose agjërim në ditë të caktuara të vitit etj. Ritualet fetare shpesh realizohen prej individëve në vetmi. Por, çdo fe ka edhe ceremoniale, që praktikohen bashkërisht prej besimtarëve. Mjaft sociologë i quajnë ceremonialet kolektive si tiparin kryesor, që e dallon fenë nga magjia.

2. Funksionet kryesore të fesë
Emil Dyrhejmi ka shkruar se, pavarësisht nëse ka ose jo forca mbinatyrore, besimet fetare kanë lindur dhe janë zhvilluar si pjesë e kulturës për të shprehur e kontrolluar veprimin e forcave shoqërore. Fetë kryejnë funksione të ndryshme shoqërore dhe kulturore.

2.1 Feja dhe forcimi i unitetit shoqëror
Feja ndikon në forcimin e unitetit të anëtarëve të shoqërisë nëpërmjet predikimit dhe kontrollit të zbatimit të vlerave dhe normave të njëjta. Në shoqëritë e thjeshta primitive, totemi*) ishte një simbol i dukshëm i një uniteti të tillë.

Feja e njëjtë – faktor uniteti shoqëror
Dyrhejmi ka argumentuar se ceremonitë dhe ritualet fetare të praktikuara kolektivisht ripohojnë solidarësinë e grupit shoqëror, sidomos në çastet me rëndësi të veçantë individuale e shoqërore, si lindja, martesa dhe vdekja. P.sh., mbajtja e zisë, veçanërisht nga gratë, nuk është thjesht shprehje e vetvetishme e hidhërimit për të ndjerin. Ajo është më shumë një detyrim që anëtarët e një grupi shoqëror, të fisit etj., ia diktojnë njëri – tjetrit me rastin e vdekjes së një njeriut të tyre. Mbajtja e zisë e paraqet më të bashkuar një fis ose grup shoqëror të caktuar në sytë e shoqërisë.

Dallimet fetare – burim mosmarrëveshjesh
Në rrjedhën e zhvillimit të historisë, ndryshimet në besimet fetare shpesh kanë shërbyer si bazë e ndasive, e mosmarrëveshjeve ndër grupime njerëzish brenda shoqërive të caktuara ose si burim konfliktesh ndërmjet shoqërive të ndryshme. Gjatë mesjetës së hershme (shekujt XI – XII), të krishterët e Europës, të nxitur nga motive fetare, organizuan kryqëzata të shumta kundër myslimanëve në Lindje, të cilat kanë qenë nga luftërat më të përgjakshme në historinë e njerëzimit. Gjatë rrjedhës së dyqind viteve, ushtritë e krishtere dhe islamike vranë e masakruan mijëra njerëz. Në periudhën moderne të zhvillimit të shoqërisë, veçanërisht gjatë shekujve XIX dhe XX deri në ditët tona, mosmarrëveshjet ndërfetare në shkallë botërore përgjithësisht janë zbutur. Madje, po krijohen e përhapen edhe fe e rryma të reja besimi, që përpiqen të kultivojnë gjerësisht tolerancën fetare, të forcojnë unitetin e besimtarëve të të gjitha feve. P.sh., mesazhet kryesore të fesë Bahai, të themeluar në vitin 1844, theksojnë se ka ardhur koha për bashkimin e njerëzimit në një familje të vetme, se ky proces historik do të shoqërohet me krijimin e një qytetërimi tërësor etj.

Toleranca, harmonia ndërfetare e shqiptarëve
Si rrjedhojë e zhvillimeve historike komplekse, që nga shekulli XV deri në ditët tona,shqiptarët janë me përkatësi fetare, katolike, ortodokse, protestante, myslimane syni dhe bektashi. Në një gjendje të tillë socialfetare komplekse natyrshëm shtrohet pyetja: Si kanë ndikuar dallimet fetare në ecurinë e zhvillimeve politike, shoqërore, kulturore etj. të popullit shqiptar në rajonin e Ballkanit, të mbarsur historikisht me mosmarrëveshje dhe konflikte të shumëllojshme? Pushtuesit e ndryshëm dhe qarqet politike kundërshqiptare të vendeve fqinje gjithnjë janë përpjekur të nxitin konfliktet fetare ndër shqiptarët, me qëllim që të lehtësonin realizimin e planeve të tyre për të mbajtur nën sundim ose për të copëtuar Shqipërinë. Por shqiptarët, duke vënë kurdoherë idealin kombëtar mbi atë fetar, kanë punuar dhe luftuar së bashku pa dallim feje për çështjen e madhe të atdheut, të kombit. Në këto përpjekje të përbashkëta me armë e me penë, u farkëtua toleranca, harmonia ndërfetare, që është një nga vlerat më të vyera të kulturës shqiptare. “Unë besoj se dihet gjithkund, – thekson Faik Konica, – që shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe, ndoshta, ky është i vetmi vend në Europë, ku nuk ka pasur luftëra fetare”.

2.2 Përcaktimi i kuptimit të jetës
Përvoja tregon se, në procesin e zhvillimit të shoqërisë, njerëzit vetëdijësohen gjithnjë e më shumë për rritjen e rrezikshmërisë së faktorëve, që kërcënojnë jetën e tyre, si: sëmundjet vdekjeprurëse ose profesionale, katastrofat natyrore e tekniko – teknologjike, trazirat shoqërore e veprimtari të ndryshme kriminale etj. Gjithashtu, shumë njerëz ballafaqohen me vështirësi të llojllojshme të jetës së përditshme. Nën trysninë e këtyre rrethanave mjaft njerëzve jeta u duket pa kuptim, e pashpresë. Një gjendje e tillë psikologjike e stresuar, veçanërisht kur është e skajshme, i shtyn jo pak njerëz drejt vetëvrasjes. Çdo shoqëri është e interesuar që anëtarët e saj të kapërcejnë gjendje të tilla psikologjike të rënduara. Për këtë, krahas familjes, shkollës, institucioneve kulturore etj., një rol të pazëvendësueshëm luajnë besimet fetare. Lidhur me këto çështje jetike shumica e feve përgjithësisht predikojnë këto ide kryesore:
1. Çdo jetë njerëzore është dhuratë e Perëndisë ose e Allahut.
2. Çdo jetë nga lindja deri në vdekje duhet t’i përkushtohet një qëllimi të lartë, që lidhet me Perëndinë ose Allahun.
3. Është mëkat ose gjynah të bësh vetëvrasje etj. Me ide të tilla besimet fetare ndikojnë në drejtpeshimin psikologjik të njerëzve, i ngushëllojnë dhe i vetëdijësojnë ata për të përballuar dhimbjet e shkaktuara nga fatkeqësitë ose vështirësitë e jetës së përditshme. Studimet kanë provuar se, në shoqëritë më të ndikuara nga besimet fetare, pesha specifike e njerëzve që kryejnë vetëvrasje është përgjithësisht më e vogël.

2.3 Feja – faktor i kontrollit shoqëror
Çdo shoqëri është e interesuar të nxitë mënyra sjelljesh konformiste të anëtarëve të saj. Për këtë, një rol shumë të rëndësishëm kanë luajtur dhe ende luajnë fetë e ndryshme. Si e kryejnë këtë funksion besimet fetare? Që nga lashtësia deri në ditët tona, shumë norma kulturore të rëndësishme janë shenjtëruar prej besimeve fetare. Shumica e feve predikojnë se fuqitë mbinatyrore përcaktojnë normat kulturore, kontrollojnë zbatimin e përpiktë të tyre dhe ndëshkojnë rreptë të gjithë njerëzit, që i dhunojnë ato. Kësisoj, përmes mistifikimit, besimet fetare i detyrojnë njerëzit të zbatojnë me korrektësi normat kulturore, sidomos ato më jetiket për funksionimin dhe zhvillimin e shoqërisë. Veçanërisht në Europën mesjetare shumë mënyra sjelljesh quheshin si shprehje e vullnetit të Zotit dhe mbretërit përgjithësisht deklaronin, se sundonin në emër të së drejtës hyjnore. Në ditët tona, pak udhëheqës politikë i drejtohen fesë në këtë mënyrë. Megjithëkëtë, shumica e tyre kërkojnë publikisht bekimin e Zotit. Me një veprim të tillë çdo udhëheqës nxit qytetarët e vendit të vet ta shohin udhëheqjen prej tij si të drejtë dhe të arsyeshme.

2.4 Krijimi shoqëror i së shenjtës dhe ndikimet e saj
Sociologu Peter Berger ka shkruar se feja është një krijim shoqëror, i ngjashëm me anë të tjera të shoqërisë, por që ka cilësinë e veçantë të së shenjtës. Anëtarët e shoqërisë përvetësojnë kuptimin e së shenjtës në procesin e shoqërizimit, domethënë nëpërmjet mënyrave shoqërore të përditshme, si: predikimet e lutjet fetare, bekimet e shenjta etj. Sipas Bergerit, krijimi shoqëror i së shenjtës synon të përligjë e të bëjë të qëndrueshme mënyrat e rregullat e jetës shoqërore. P.sh., martesa e shenjtëruar ka më shumë autoritet ndër modelet kulturalisht të miratuara të martesave. Shumica e njerëzve, përgjithësisht, janë më të prirur t’i drejtohen të shenjtës, simboleve të shenjta kur ndodhen në vështirësi të mëdha ose u rrezikohet jeta, sidomos në kohë trazirash shoqërore, luftërash dhe fatkeqësish natyrore. Studiuesit kanë zbuluar se edhe ushtarët që nuk besojnë, përgjithësisht futen në betejë duke u lutur që “Zoti të jetë në anën e tyre”.

Tipat e organizatave fetare zyrtare (Eklesia, dinominejshën, laicizmi)

Të gjithë fetë kanë pasur ose kanë bashkësitë e veta të besimtarëve të organizuara në forma të ndryshme. Në rrjedhën e historisë dhe në ditët tona janë më të përhapura organizatat fetare zyrtare dhe jozyrtare. Organizatat fetare zyrtare janë dy llojesh: eklesia dhe dinominejshën, të cilat dallohen shumë nga njëra-tjetra, sidomos në marrëdhëniet me shtetin dhe organizma të tjera shoqërore.

1. Eklesia
Eklesia është organizatë fetare zyrtare e lidhur zyrtarisht me shtetin. Në historinë e shoqërisë ka pasur shumë eksesi. P.sh., gjatë disa shekujve Kisha Katolike ka qenë e lidhur zyrtarisht me Perandorinë Romake. Konfucianizmi ka qenë fe shtetërore në Kinë deri në fillim të shekullit XX. Edhe në ditët tona islamizmi është fe shtetërore në Iran dhe Pakistan. Që nga mesjeta e hershme deri në ditët tona numri i eklesive dhe i anëtarëve të tyre në botë janë zvogëluar vazhdimisht. Meqenëse janë të lidhura zyrtarisht me shtetin, eklesitë kanë ose llogaritin si anëtarë të tyre të gjithë ose shumicën e anëtarëve të shoqërisë. Gjithashtu, eklesitë i detyrojnë më shumë anëtarët e tyre t’u përshtaten politikave shtetërore.

2. Dinominejshën
Dinominejshëni është organizatë fetare zyrtare, që nuk lidhet zyrtarisht me shtetin. Ajo, në përgjithësi është më tolerante sesa eklesia. Anëtarët e dinominejshëve iu përmbahen me korrektësi besimeve të tyre fetare. Por, ato e pranojnë pluralizmin fetar, njohin të drejtën e njerëzve të tjerë për të ndjekur besime, që ndryshojnë nga feja e tyre. Sot, në SHBA ka disa dinominejshën, si: katolikët, luterianët, metodistët etj. Në rrjedhën e historisë, së paku që nga mesjeta e hershme deri në ditët tona, shumica e eklesive u shndërruan në dinominejshën. Ky proces u përshpejtua veçanërisht gjatë shekullit XX. Shndërrimi i eklesive në dinominejshën shpreh rritjen e shkallës së pavarësisë së ndërsjellë të organizatave fetare zyrtare nga shteti, rritjen e shkallës së lirisë së vetëdijes fetare të njerëzve.

3. Laiciteti
Procesi i ndarjes së shtetit dhe i mjaft institucioneve të tjera të shoqërisë, veçanërisht të shkollës nga feja quhet laicizëm. Një proces i tillë ka qenë aspekt i rëndësishëm i revolucioneve kundërfeudale, demokratike moderne, që janë zhvilluar në Angli në shekullin XVII, në Francë në shekullin XVIII, etj. Laicizmi nuk nënkupton kundërvënien e shtetit dhe të institucioneve shoqërore, kulturore e arsimore ndaj organizatave fetare. Ky proces shpreh thjesht çlirimin e strukturave shtetërore, shoqërore dhe arsimore nga lidhjet e drejtpërdrejta me organizatat fetare. Lëvizja komplekse e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (gjysma e dytë e shekullit XIX deri në vitin 1912) synonte mëvetësimin e popullit shqiptar prej Perandorisë Osmane dhe zhvillimin e vrullshëm ekonomik, shoqëror, politik e arsimor-kulturor sipas standardeve të vendeve më të përparuara të Perëndimit. Pjesë përbërëse e programit të kësaj lëvizjeje ka qenë orientimi për laicizmin e shtetit shqiptar të pavarur, të institucioneve kulturore dhe arsimore të tij. Të gjithë qeveritë shqiptare nga 28 nëntori 1912 deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore janë përpjekur të realizojnë reforma me profil laicizues në jetën politike, kulturore e arsimore.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990 shteti i orientimit socialist që u instalua në Republikën e Shqipërisë ideoi dhe realizoi praktika ateiste, të cilat u ashpërsuan më shumë në vitin 1967 e në vijim. Në nenin 27 të Kushtetutës të miratuar më 28 dhjetor 1976 theksohet se në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë “shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste”. Ateizmi është një sistem pikëpamjesh e praktikash që u kundërvihen besimeve e përvojave fetare, që nuk pranon ekzistencën e forcave mbinatyrore. Në historinë e shoqërisë njerëzore ateiste ka pasur që në lashtësi. Por numri dhe pesha specifike e ateistëve janë rritur në shoqërinë moderne, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas përllogaritjeve të përafërta, në vitin 2017 kishte rreth 450-500 milionë ateistë, që përbënin afro 7% të popullsisë së botës. Prej anketimeve të realizuara në SHBA nga Instituti “GALLUP”, rezulton se në vitin 1967 vetëm 1 % e të anketuarve janë shprehur se nuk kishin besimin te Zoti. Rreth 50 vjet më vonë, në vitin 2017 pesha specifike e të anketuarve mosbesues te Perëndia ishte 11 %.

4. Organizatat fetare zyrtare në Shqipëri
Kisha Katolike Shqiptare, Kisha Ortodokse Shqiptare, Komuniteti Mysliman Shqiptar, Komuniteti Bektashian Shqiptar dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë janë dinominejshën, d.m.th. organizata fetare zyrtare të palidhura zyrtarisht me shtetin shqiptar. Sipas të dhënave zyrtare të botuara, në vitin 1937 myslimanët përbënin rreth 69.3 për qind*) të popullsisë. Myslimanët shqiptarë ishin të grupuar në dy bashkësi të mëdha: synitë dhe bektashinjtë. Veç këtyre ekzistonin edhe disa sekte e urdhra mistikë, që përgjithësisht kishin pak besimtarë. Myslimanët banonin në shumicën e qyteteve e të fshatrave, por ishin më të përqendruar në Shqipërinë e Mesme dhe Verilindore. Në vitin 1937 shqiptarët e besimit ortodoks përfaqësonin rreth 20.4 për qind të popullsisë. Këta banonin kryesisht në Shqipërinë Jugore, sidomos në rrethet Korçë, Gjirokastër, Berat e Vlorë. Në qytetet kryesore të Shqipërisë së Mesme, si Tirana, Durrësi dhe Elbasani besimtarët ortodoksë ishin të paktë. Besimtarët katolikë përbënin rreth 10.2 për qind të popullsisë së shtetit shqiptar të vitit 1937. Shumica e tyre banonin në rrethet Shkodër, Lezhë, Mirditë dhe Durrës. Krishterimi protestant ungjillor është përhapur në hapësirat shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Shumica e protestantëve shqiptarë, më parë dhe aktualisht, kanë banuar dhe banojnë në Shqipërinë jugore, sidomos në Qarkun e Korçës. Pas Luftës së Dytë Botërore, si rrjedhojë e proceseve demografike komplekse, është rritur shumë numri i besimtarëve të feve kryesore. Megjithëkëtë, përpjesëtimet ndërmjet përqindjeve të tyre janë të përafërta me ato të vitit 1937.

TIPAT E ORGANIZATAVE FETARE JOZYRTARE (sekti, kulti)

Për të qartësuar këto probleme është e nevojshme të analizojmë tipat kryesorë të organizatave fetare jozyrtare, të cilat janë dy llojesh: sekti dhe kulti.

1. Sektet
Sekti është një tip i përgjithshëm i organizatave fetare jozyrtare, që nuk janë të mirintegruara brenda shoqërive më të gjera. Sektet ndryshojnë nga organizatat fetare zyrtare në shumë drejtime:
1. Organizatat fetare zyrtare dallohen prej sekteve nga përbërja shoqërore. Shumica e organizatave fetare zyrtare kanë ose llogarisin si anëtarë të tyre njerëzit me gjendje ekonomike më të qëndrueshme, më me autoritet në shoqëri. Kurse sektet tërheqin pas vetes njerëz me probleme e shqetësime të shumëllojshme, me prirje kundërkulturore etj. Njerëz të tillë, veçimin dhe largimin nga shoqëria i shohin përgjithësisht si rrugë të shpëtimit nga vështirësitë dhe fatkeqësitë e jetës. Gjithashtu, ndryshe nga organizatat fetare zyrtare, sektet rrallë kërkojnë që pasuesit e tyre t’i përshtaten shoqërisë. Madje, herë-herë sekte të ndryshme kanë shprehur armiqësi ndaj shoqërive më të gjera, të cilat përgjithësisht i quajnë si mishërim të keqkuptimeve, të ligësive dhe të veseve të shumëllojshme.

2. Organizatat fetare zyrtare drejtohen ose udhëhiqen përgjithësisht nga nëpunës me arsim fetar dhe të mirorganizuar në të gjitha nivelet, kurse sekteve përgjithësisht iu mungon hierarkia e drejtuesve. Në sekte udhëheqja shpesh bazohet në cilësitë karizmatike*) të udhëheqësve, me të cilat ata përpiqen të tërheqin pas vetes besimtarë të feve të ndryshme. Udhëheqësit e sekteve përgjithësisht janë të aftë të nxitin qëndrime emocionale të forta te pasuesit e tyre, të cilët i shohin ata si përfaqësues të frymëzimit hyjnor.

3. Organizatat zyrtare i kushtojnë vëmendje të veçantë ritualeve të rregullta fetare, gjatë të cilave anëtarët janë pak a shumë pasivë. Ata përsëritin fjalë të caktuara, këndojnë ose kryejnë lëvizje të matura. Përkundrazi, anëtarët e sekteve gjatë shërbesave fetare janë mjaft aktivë e të vetvetishëm, ekzaltojnë përvojat dhe emocionet vetjake.

4. Duke mos pasur strukturë organizative të qëndrueshme, sektet përgjithësisht janë më jetëshkurtër se organizatat fetare zyrtare. Anëtarët e sekteve zakonisht rekrutohen nga organizatat e tjera fetare. Këta janë njerëz, që braktisin fenë e mëparshme dhe përqafojnë besimin e sektit përkatës. Anëtarësimi në sekte përgjithësisht nuk trashëgohet nga dy ose më shumë breza të së njëjtës familje.

 

Në krahasim me dinominejshët, sektet janë më pak tolerantë ndaj besimeve të tjera fetare.

2. Kultet
Kulti është një lëvizje fetare, që mund të ketë diçka të vogël të përbashkët ose nuk ka asgjë të përbashkët me organizatat e tjera fetare në një shoqëri të caktuar. Ndryshe nga sekti, që përgjithësisht formohet prej veçimit të një grupi besimtarësh nga organizatat fetare më të gjera, kulti është diçka pothuajse krejtësisht e re.

Në historinë e shoqërisë njerëzore kultet janë formuar në dy rrugë kryesore:

E para, nëpërmjet përpjekjeve të udhëheqësve të caktuar për të organizuar lëvizje fetare të re mbi bazën e zbulesës personale. Një kult i tillë është Kisha e Jezu Krishtit e Ditëve të Shenjta më të Fundit (Mormons) e themeluar në vitin 1830 nga Josif Smith në shtetin e Nju-Jorkut. Megjithëse zbatonte disa parime kristiane të pranuara nga shoqëria amerikane, mormonizmi në fillimet e veta ishte kult. Kjo sepse predikoi dhe praktikoi mjaft ide e rituale fetare të reja për atë kohë, duke përfshirë edhe martesat e individëve me fe të ndryshme. Në ditët tona mormonizmi nuk është më kult. Ai ka braktisur praktikat jotradicionale dhe është shndërruar në kishë të qëndrueshme.

E dyta, kultet mund të krijohen edhe nga përhapja e ideve dhe e ritualeve fetare tradicionale të një shoqërie në një shoqëri tjetër, ku nuk njiheshin më parë. Në këtë mënyrë, duke predikuar elemente të fesë Hinduiste në Kaliforni të SHBA, Maharishi Mahesh Jogi në fund të viteve 1950 formoi kultin e quajtur Ndërmjetësimi Transendental. Gjatë viteve 1970 ky kult kishte rreth gjysmë milioni pasues, por që nga kjo kohë popullariteti i këtij kulti është në rënie. Në fillim islamizmi depërtoi në shoqërinë shqiptare të shekullit XV në trajtën e kultit. Në rrjedhën e kohës u shndërrua në eksesi dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në dinominejshën. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit në Shqipëri janë përhapur në trajtën e kulteve disa fe të ndryshme, që nuk njiheshin më parë. P.sh., kult mund të quhet Feja Bahai etj.

FE BOTËRORE: KRISHTERIMI, ISLAMIZMI, JUDAIZMI

Tradicionalisht dhe në ditët tona ka pasur dhe ka mijëra fe të ndryshme. Shumica e tyre kanë shtrirje gjeografike të kufizuar dhe pak besimtarë. Të tjerat, që quhen fe botërore, kanë miliona pasues, të shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e botës. Gjashtë fe quhen të tilla: krishterimi, islamizmi, judaizmi, hinduizmi, budizmi dhe konfucianizmi.

1. Krishtërimi
Krishterimi është feja më e përhapur në shkallë botërore. Në vitin 2018 të krishterët përbënin 32% të popullsisë së botës. Shumica e besimtarëve të krishterë jetojnë në Europë dhe Amerikë. Me rrënjët në fenë judaiste dhe si një veçim prej saj, krishterimi u përhap me shpejtësi edhe në saje të personalitetit karizmatik të Krishtit. Ai i këshillonte pasuesit e tij jo të kundërshtonin, por t’i përshtateshin Perandorisë Romake, që ishte shteti më i madh sundues i asaj kohe. Krishti shpallte si qëllim të jetës së tij shndërrimin e shoqërisë në një mbretëri të Zotit, të bazuar në dashurinë që i trajton të gjithë njerëzit si vëllezër dhe motra. Nga pikëpamja fetare Krishterimi sfidoi shoqërinë romake të asaj kohe që besonte në fe politeiste, të cilat predikonin ekzistencën e shumë perëndive. Ndërsa krishterimi, është fe monoteiste, d.m.th. fe që njeh dhe nderon një fuqi hyjnore të vetme. Në rrjedhën e shekujve numri i të krishterëve u rrit me ritme të shpejta dhe krishtërimi u përhap në shumë shoqëri. Ndonëse në fillim të krishterët përndiqeshin, në shekullin IV krishtërimi u shndërrua në fe zyrtare të Perandorisë Romake. Në zhvillimin e vet gjatë shekujve, krishterimi u degëzua në tri variante kryesore: katolicizmi perëndimor, ortodoksizmi lindor e protestanizmi, si dhe në dhjetëra nënvariante të tyre. Krishterimi është fe abstrakte, jo shumë e lidhur me ndonjë shoqëri ose kulturë të caktuar. Të qenët abstrakt ka lehtësuar përhapjen e Krishterimit nga Europa në mjaft vende të kontinenteve të tjera. Kjo fe është përhapur në dy rrugë kryesore:
1) nëpërmjet emigrimeve masive të të krishterëve europianë në shumë vende të botës;
2) përmes kolonizimit të shumë popujve joeuropianë prej shteteve të krishtera të Europës.

Krishterimi ka ushtruar ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e shumë aspekteve të sistemeve kulturore të vendeve perëndimore e më gjerë. Sociologu Maks Veber ka argumentuar se krishterimi ka luajtur rol të veçantë në lindjen dhe zhvillimin e shoqërisë industriale moderne në vendet e Perëndimit.

2. Islamizmi
Islamizmi është feja e dytë më e përhapur në shkallë botërore. Besimtarët e saj quhen myslimanë. Në vitin 2018 myslimanët përbënin 23% të popullsisë së botës. Shumica e tyre banojnë në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore. Por myslimanë ka të shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e botës. Në vitin 2018 në SHBA islamizmi ishte feja e tretë më e përhapur pas krishterimit dhe judaizmit. Dokumenti bazë i fesë islame është KURANI. Muhamedi është profeti i saj. Në gjuhën arabe fjala “islam” ka si kuptime kryesore “nënshtrim” dhe “paqe”. Kjo fjalë shpreh kryesisht nënshtrimin ndaj Allahut dhe arritjen e paqes së brendshme individuale. Myslimanët e shprehin devocionin ndaj Allahut me pjesëmarrjen e rregullt në forma të ndryshme të veprimtarive fetare.
Së pari, nëpërmjet praktikimit të përditshëm të pesë të falurave. Ky rit është kryer çdo ditë që nga viti 622, kur profeti Muhamed i mblodhi për herë të parë besimtarët për të ushtruar këtë praktikë fetare të re.
Së dyti, nëpërmjet agjërimit çdo vit të rreth 30 ditëve të Ramazanit dhe të disa ditëve, para dhe pas Ramazanit.
Së treti, duke u dhënë lëmosha të varfërve, sidomos në ditë të caktuara festash fetare.
Së katërti, duke shkuar për haxhillëk në Mekë. Çdo besimtari mysliman i kërkohet që, së paku, një herë gjatë jetës së tij të falet në Mekën e Shenjtë.

Islamizmi u përhap me ritme të shpejta pas vdekjes së profetit Muhamed. Myslimanët përpiqen të përsosen moralisht nëpërmjet zbatimit me besnikëri të normave dhe të ritualeve fetare. Islamizmi predikon idenë se të gjithë njerëzit janë të përgjegjshëm para Allahut për bëmat e tyre në këtë botë. Shpirtrat e atyre që zbatojnë me përpikëri parimet fetare shkojnë në xhenet (parajsë) dhe vlerësohen me nderime të përjetshme. Kurse shpirtrat e njerëzve jobesimtarë pas vdekjes shkojnë në xhehenem (ferr), ku vuajnë pa fund ndëshkime të shumëllojshme. Me predikime të tilla feja myslimane i nxit besimtarët të zbatojnë edhe normat kulturore e ligjore të shoqërisë dhe njëkohësisht i ngushëllon për fatkeqësi të ndryshme, që mund t’u ndodhin.

3. Judaizmi
Në vitin 2018 besimtarët judaistë përbënin 0.3% të popullsisë së botës. Shumica e tyre jetojnë në Amerikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme. Judaizmi është fe me evolucione komplekse dhe me rrënjë në të kaluarën e hershme historike të popullit izraelit. Ai ka pasur ndikime të rëndësishme në zhvillimet kulturore e fetare, veçanërisht te krishterimi dhe islamizmi. Izraelitët përgjithësisht mendojnë se e kaluara e tyre shtrihet deri në kulturat e lashta të Mesapotamisë dhe të Egjiptit, rreth 4000 vjet para Krishtit. Që nga kjo kohë deri në shekullin XIII para erës së re besimet fetare të izraelitëve kanë qenë politeiste. Përgjithësisht, izraelitët e lashtë besonin në shumë perëndi dhe në idenë se objektet e botës natyrore kanë ekzistencë shpirtërore. Pikë kthese në historinë e zhvillimit të judaizmit shënon veprimtaria e Moisiut, i cili ka jetuar në shekullin XIII para erës së re. Pas shndërrimit shpirtëror nëpërmjet përjetimeve në çastet e pranisë së Zotit, Moisiu ushtroi ndikim vendimtar për shndërrimin e judaizmit në fe monoteiste. Një element dallues mjaft i rëndësishëm i judaizmit është i ashtuquajturi konvinent, që interpretohet si marrëdhënie ose komunikim i veçantë i izraelitëve me Zotin. Izraelitët, përgjithësisht, mendojnë se vetëm ata kanë pasur privilegjin e një komunikimi të tillë. Ndaj ata e quajnë veten “popull i zgjedhur”. Konvinenti realizohet duke u bazuar në 10 Porositë e Zotit të zbuluara prej Moisiut. Izraelitët e vlerësojnë Testamentin e Vjetër si histori të vuajtjeve të tyre dhe njëkohësisht si tërësi normash, që duhen zbatuar.

FE BOTËRORE: HINDUIZMI, BUDIZMI, KONFUCIANIZMI

1. Hinduizmi
Në vitin 2018 besimtarët hinduistë përbënin rreth 15% të popullsisë së botës. Shumica e tyre jetojnë në Indi dhe Pakistan. Mjaft studiues mendojnë se hinduizmi është feja botërore më e vjetër. Fillesat e saj gjenden në qytetërimin e luginës Hindu rreth 2500 vjet para erës së re. Në rrjedhën e mijëra vjetëve feja hinduiste dhe shoqëria indiane kanë qenë aq të ndërthurura, sa nuk mund të kuptoheshin pa njëra – tjetrën. Për këtë arsye hinduizmi e ka pasur shumë të vështirë të përhapej në shoqëritë e tjera. Hinduizmi është fe tolerante. Ai pranon pikëpamje fetare të shumta dhe të ndryshme, duke mos bërë dallime të qarta ndërmjet besimtarëve dhe jobesimtarëve. Hinduizmi është fe politeiste. Është aq i larmishëm, saqë disa studiues mendojnë se hinduizmi nuk është fe e vetme, por një bashkësi fesh me disa karakteristika të përbashkëta. Megjithëkëtë, shumica e pasuesve të fesë hinduiste pranojnë idenë e metamorfozës, d.m.th besimin se të gjithë qeniet e gjalla janë pjesë e një procesi të përjetshëm të lindjes, të vdekjes dhe të rilindjes. Besimtarët e kësaj feje e shohin çdo veprim të njerëzve të lidhur me rrjedhojat e tij për përparimin shpirtëror, moral. Sipas predikimeve të kësaj feje, nëse besimtari zbaton me korrektësi parimet e normat e hinduizmit, pas vdekjes fizike, shpirti i tij rilind në trupin e një fëmije të një kaste më të lartë. Në të kundërt, nëse besimtari nuk zbaton kërkesat e fesë, pas vdekjes fizike, shpirti i tij rilind në trupin e një fëmije të një kaste më të ulët. Kësisoj besimtarët hinduistë lëvizin në hierarkinë e kastave nëpërmjet rilindjeve në vartësi të zbatimit ose të moszbatimit të parimeve ose normave të fesë hinduiste.

2. Budizmi
Në vitin 2018 pasuesit e fesë budiste përbënin rreth 7% të popullsisë së botës. Shumica e tyre jetojnë në Azi. Fillesat e budizmit gjenden në mësimet e Sidaratha Gautamës. Ky ka qenë princ hindu në një mbretëri të vogël të Nepalit Jugor gjatë shekullit të VI para erës së re. Pas disa vite udhëtimesh e meditimesh Gautama arriti në atë që budistët e përshkruajnë si bodhi ose gjendje e ndriçuar. Duke zbuluar kuptimin e thelbit të jetës, në këtë mënyrë Gautama u bë Buda, i cili magjepsi me karizmën e tij vetjake pasues të shumtë. Budistët gjithë jetën e quajnë vuajtje. Ata nuk e mohojnë mundësinë për kënaqësi, por mendojnë se gëzimi i njerëzve është pothuajse gjithnjë diçka kalimtare. Kjo ide vegoi në shpirtin e Budës gjatë udhëtimeve të tij në shoqëritë e pllakosura nga varfëria e skajshme. Ndryshe nga anëtarët e kulturave perëndimore, budistët nuk e vlerësojnë pasurinë si mundësi për kapërcimin e vuajtjeve. Rrugën e shpëtimit ata e shohin në një jetë të vetëdisiplinuar dhe në meditimin, në mënjanimin nga detyrat dhe kënaqësitë e botës tokësore. Ashtu si hinduizmi, edhe budizmi predikon idenë se përparimi shpirtëror arrihet nëpërmjet cikleve të rilindjeve, në të cilat çdo njeri vijues reflekton gjendjen shpirtërore të jetëve të mëparshme. Personi, që arrin ndriçimin ose bodhin e plotë, ndërpret mundësinë për të rilindur dhe kështu çlirohet nga vuajtjet. Ky është një përfytyrim i ngjashëm me konceptin e nirvanës, që përfaqëson një përkryerje tërësisht shpirtërore. Pikësynimi kryesor i budistëve është arritja e gjendjes nirvana, e cila predikohet edhe prej hinduistëve. Gjithashtu, budizmi afrohet me hinduizmin edhe në predikimin e idesë se bota është një gjithësi morale me rregullshmëri të lartë, por pa praninë e Zotit.

3. Konfucianizmi
Që nga viti 200 para erës së re deri në fillim të shekullit XX konfucianizmi ka qenë fe shtetërore në Kinë. Pas Luftës së Dytë Botërore ndikimi i fesë konfucianiste në shoqërinë kineze është zbehur shkallëshkallë. Në vitin 2018 pasuesit e konfucianizmit përbënin 0.1% të popullsisë së botës. Konfucianizmi i ka fillesat në veprimtarinë e mendimtarit të shquar kinez Konfuci, i cili ka jetuar rreth viteve 551 – 479 para erës së re. Ai ka qenë një nga mësuesit më të kulturuar të kohës së tij. Pasuesit nuk e shikonin Konfucin si profet fetar, si të dërguar të Perëndisë, por si “më të mençurin e burrave të mençur”. Konfuci kishte gjithnjë në qendër të vëmendjes problemet, vuajtjet dhe shqetësimet e njerëzve. Mirëpo, ndryshe nga Buda, që e kërkonte shpëtimin nga vuajtjet e shumëllojshme në mënjanimin e individit nga shoqëria, Konfuci predikonte se shpëtimi vetjak mund të arrihet duke jetuar brenda shoqërisë në përputhje me parimet specifike të sjelljes morale. Kështu, konfucianizmi ka qenë i lidhur pandashmërisht me kulturën tradicionale kineze. Konfucianizmi bazohet në një përfytyrim disi origjinal të humanizmit, që quhet xhen. Në praktikë kjo nënkupton që interesi vetjak të jetë dytësor në raport me përshtatjen ndaj rendit shoqëror ekzistues. Gjithashtu, brenda familjes njerëzit duhet ta ndërtojnë jetën e tyre, duke u bazuar në virtytet e besnikërisë, të respektit e të përkujdesit për të tjerët, sidomos për të moshuarit. Sipas përfytyrimeve të kësaj feje, besnikëria personale ndihmon krijimin e një familjeje të fortë e të qëndrueshme, e cila shërben si bazë për një shoqëri të shëndetshme e harmonike. Ndryshe nga shumë sisteme të tjera kulturore, kultura kineze tradicionalisht nuk i ka pasur të zhvilluara përfytyrimet për dukuritë e mbinatyrshme. Edhe konfucianizmi nuk ka një koncept të qartë për të shenjtën. Për rrjedhojë, konfucianizmi më shumë është trajtuar si një drejtim i historisë së filozofisë, të kulturës e të mënyrës së jetesës të shoqërisë kineze sesa si fe. Vetë Konfuci studiohet më shumë si filozof i shquar i Kinës së Lashtë. Budizmi dhe konfucianizmi quhen edhe fe etike, pasi u kushtojnë vëmendje të veçantë problemeve morale të sjelljes.

NDRYSHIME FETARE NË SHOQËRITË MODERNE

Në rrjedhën e zhvillimit të shoqërisë njerëzore kanë ndryshuar vazhdimisht edhe besimet fetare. Modele të rëndësishëm ndryshimi janë shekullarizimi dhe fondamentalizmi.

1. Ç’është shekullarizimi?
Sipas pikëpamjes tradicionale, shekullarizimi është dobësimi i ndikimit, i rolit të besimeve fetare në jetën e shoqërisë. Shekullarizimi përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në mënyrat e të menduarit, një zhvendosje nga kuptimi fetar i bazuar në besime drejt kuptimit shkencor të botës, të bazuar në njohjen e arsyetuar. Në ditët tona shumica e njerëzve në botë nuk i kuptojnë sëmundjet si shprehje të ndikimit të vullnetit hyjnor. Janë të paktë njerëzit që për disa sëmundje, kryesisht psikike, këshillohen me përfaqësuesit e fesë, të cilët mbështeten te besimi. Kur sëmuren, shumica e njerëzve parapëlqejnë të vizitohen te mjeku, veprimtaria profesionale e të cilit bazohet në njohuritë shkencore. 

2. Si shfaqet shekullarizimi?
Sociologët përgjithësisht mendojnë se shekullarizimi është një proces kompleks, që shfaqet në këta drejtime kryesore.
1. Veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore priret të ulet shkalla e besueshmërisë në vërtetësinë e besimeve fetare. P.sh., në vitin 1979 sociologët Teodor Kaplou dhe Hauërd Bahr studiuan opinione fetare të të rinjve 16 – 19 vjeçarë në Municie Indiana të SHBA, ashtu siç kishin vepruar në vitin 1929 Helen dhe Robert Lynd. Në këtë bashkësi përgjithësisht të krishterësh, të gjithë përgjigjedhënësit e vitit 1929 pohonin: “Krishterimi është fe e vërtetë dhe të gjithë njerëzit duhet të bëhen të krishterë”. Kurse 50 vjet më vonë vetëm rreth një e treta e të rinjve të kësaj grup – moshe pranonin një pohim të tillë.
2. Shekullarizimi shprehet në zbehjen e ndikimit të organizatave fetare në veprimtarinë e organeve shtetërore, të familjes, të institucioneve arsimore, kulturore etj.
3. Procesi shekullarizues shpërfaqet në pakësimin e peshës specifike të anëtarëve të organizatave fetare dhe të pjesëmarrësve në ceremonitë fetare. Në SHBA nga viti 1990 deri në vitin 2017 pesha specifike e studentëve të kolegjeve që janë shprehur se nuk kanë parapëlqime fetare është rritur më shumë se dy herë, nga 12.3% në 27.5%.
4. Prirjet shekullarizuese shprehen në ndryshimin e thjeshtimin e besimeve dhe të praktikave fetare. P.sh., kisha katolike nuk përdor më gjuhën latine në shërbesat fetare, por gjuhët që fliten prej besimtarëve të popujve të ndryshëm.

3. Shekullarizimi në shoqërinë shqiptare
Edhe në Shqipëri procesi i shekullarizimit ka përshkuar veprimtarinë e të gjitha organizatave fetare, veçanërisht pas Shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1912. Regjimi i mbretit Ahmet Zogu i nxiti në masë të ndjeshme prirjet shekullarizuese, duke u nisur nga dy pikësynime kryesore:
1. Të zhvillonte
më tej mirëkuptimin ndërfetar dhe harmoninë ndërmjet shqiptarëve të të gjitha besimeve fetare.
2. Të
modernizonte shoqërinë shqiptare sipas disa modeleve perëndimore.

Pas Luftës së Dytë Botërore deri në fund të viteve 1980 prirjet shekullarizuese u përforcuan, si rrjedhojë e bashkëndikimit të dy faktorëve kryesorë:
Së pari, masivizimi i vrullshëm i arsimit, përmirësimi i shpejtë i nivelit arsimor të masave popullore, rritja e numrit të specialistëve me arsim të lartë në strukturën e popullsisë. Siç tregon edhe përvoja e vendeve më të përparuara të Perëndimit, zhvillime të tilla nxitin në një masë të ndjeshme proceset shekullarizuese.
Së dyti, masat e shumanshme e të përshkallëzuara të partisë – shtet e të organizatave të masave për të çrrënjosur besimet fetare, për të krijuar një shoqëri ateiste. Në vitin 1967 në Republikën e Shqipërisë u ndalua zyrtarisht ushtrimi i besimeve dhe i praktikave fetare. Rrethana të tilla deri në vitin 1990 nuk mund të mos u diktonin shumicës së shqiptarëve, sidomos të rinjve një lloj “ateizmi” të detyruar.

4. Ç’është fondamentalizmi?
Në studimet sociologjike fondamentalizmi fetar përcaktohet si organizatë fetare konservatore, që përpiqet të restaurojë elementet themelore të fesë. Fondamentalizmi fetar në trajta më vepruese u përhap gjerësisht në mjaft vende, sidomos në Amerikë, që nga fundi i shekullit XIX. Ai përfaqëson një përpjekje të shumanshme për të ruajtur besimet fetare tradicionale në klimën e ndryshimeve të shpejta shoqërore e kulturore, si rrjedhojë e rritjes së popullsisë me banim në qytete, e masivizimit të arsimit e të njohurive shkencore, e ndryshimit të mendësive dhe të mënyrave tradicionale të jetës etj. Lëvizjet fondamentaliste synojnë të asnjanësojnë ndikimet e proceseve shekullarizuese nëpërmjet restaurimit të besimeve fetare në trajtën e tyre fillestare, të pastër.

5. Fondamentalizmi i krishterë
Mjaft sociologë mendojnë se fondamentalizmi i krishterë ka këto veçori kryesore:
E para, fondamentalistët përgjithësisht mendojnë se shumë klerikë, madje edhe të përkushtuar, dashur pa dashur, kanë përqafuar interpretime jo të drejta të Biblës. Për këtë arsye, fondamentalistët kërkojnë interpretimin e përpiktë të shkrimeve të shenjta. P.sh., ata përkrahin pikëpamjen se Zoti e krijoi botën sipas përshkrimeve të Biblës.
E dyta, fondamentalistët e krishterë janë më pak tolerantë ndaj feve të tjera. Ata e quajnë fenë e tyre si të vetmen fe të vërtetë dhe priren të gjejnë gabime në besimet e tjera.
E treta, fondamentalistët janë më emocionalë në përjetimet fetare. Ndryshe nga anëtarët e organizatave fetare më të konsoliduara, që vetëpërmbahen gjatë praktikave fetare, fondamentalistët e krishterë priren drejt ritualeve më emocionale, të cilat marrin formën e ringjalljes shpirtërore.

Fondamentalistë të krishterë ka në shumë vende të botës. Nga një anketim kombëtar i realizuar në SHBA në vitin 2016 rezulton se rreth 25% e të rriturve të anketuar i përshkruanin pikëpamjet e tyre si fundamentaliste, 40% i konsideronin ato të moderuara dhe 31% liberale.

6. Fondamentalizmi islamik: paragjykime dhe realitete
Edhe në shumicën e organizatave islamike të vendeve të ndryshme të botës janë gjallëruar prirjet fondamentaliste, sidomos që nga fundi i shekullit XIX deri në ditët tona. Me fondamentalizmin islamik është spekuluar dhe ende vazhdon të spekulohet. Herë–herë ai është njëjtësuar me veprimet e dhunshme, deri edhe me terrorizmin. Në të vërtetë, fondamentalizmi i mirëfilltë islamik, ashtu sikurse fondamentalizmi i krishterë, nuk ka asgjë të përbashkët me ushtrimin e dhunës dhe me aktet terroriste. Në shumë vende myslimane lëvizjet fondamentaliste përfaqësojnë një formë të qëndresës, jo vetëm ndaj reformave modernizuese me profil shekullarizues, por edhe ndaj rritjes së ndikimeve të kulturave perëndimore në kulturat e tyre. Shumë udhëheqës fondamentalistë islamikë mendojnë se, për të përballuar trysninë e kulturave perëndimore është e domosdoshme të bëhet i njohur identiteti i fesë islamike në trajtën e saj fillestare, të pastër. Por, sidomos nga fillimi i viteve ’90 të shekullit XX deri në ditët tona janë shtuar bashkëpunimet e shumëllojshme ndërmjet vendeve të industrializuara perëndimore dhe shumicës së vendeve islamike. Në këtë proces është rritur shkalla e këmbimeve të ndërsjella ndërmjet kulturave perëndimore dhe atyre islamike. Në procesin e zhvillimeve demokratike, edhe në vendin tonë janë ringjallur besimet dhe praktikat fetare të ndaluara zyrtarisht nga shteti socialist gjatë viteve 1967–1990. Ato përshkohen nga fryma e tolerancës dhe ndjenjat njerëzore më fisnike. Si të tilla, fetë në Shqipëri po japin ndihmesë të rëndësishme në përgatitjen shpirtërore të masave popullore për të përballuar vështirësitë dhe mosmarrëveshjet e shumëllojshme ekonomike, shoqërore, psikologjike etj., të procesit të kalimit nga ekonomia e rendi socialist në ekonominë e tregut dhe rendin e ri demokratik.