Kurrikula
Kursi: Sociologjia Klasa 12
Identifikohu
Mësimi me video

Tematika 7 Urbanizimi dhe karakteristikat e punës në shoqëritë më të industrializuara

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Tematika 7

URBANIZIMI DHE KARAKTERISTIKAT E PUNËS NË SHOQËRITË MË TË INDUSTRIALIZUARA

ZHVILLIMI I QYTETEVE PARAINDUSTRIALE

Në studimet sociologjike urbanizimi përgjithësisht përcaktohet si rritje e përqendrimit të njerëzve në zona gjeografike të kufizuara, që quhen qytete. Urbanizimi nuk ndryshoi vetëm shpërndarjen e popullsisë brenda territorit ku banon një shoqëri e caktuar, por edhe shumë modele të jetës shoqërore.

1. Parakushtet e urbanizimit
Në rrjedhën e gjatë të historisë së shoqërisë njerëzore, qytetet janë zhvillim i kohëve të fundit. Anëtarët e species njerëzore kanë banuar në planetin tonë prej rreth 2 milionë vjetësh. Gjatë pjesës më të madhe të historisë së tyre, njerëzit kanë jetuar në grupe të vogla dhe mbijetonin duke gjuajtur kafshë të egra ose duke mbledhur bimë e fruta të ngrënshme. Në kërkim të ushqimit njerëzit e kësaj periudhe, lëviznin vazhdimisht, nuk kishin vendbanime të përhershme. Ata filluan të ndërtojnë vendbanimet e para të përhershme rreth 12 mijë vjet më parë. Studimet shoqërore e kanë karakterizuar krijimin e vendbanimeve të përhershme si revolucioni i parë urban. Zhvillimi i këtij revolucioni u përcaktua nga bashkëndikimi i dy faktorëve kryesorë:
Së pari, ndërsa akujt po shkrinin në fund të periudhës së akullnajave, ngrohtësia dhe pjelloria e tokës i joshën njerëzit të nguliteshin në rajone të caktuara.
Së dyti, rreth të njëjtës kohë njerëzit filluan të zbusin e të mbarështojnë kafshë të ndryshme dhe të kultivojnë disa lloje bimësh në zona ekologjikisht më të përshtatshme. Në proces u krijuan më shumë prodhime, sesa duheshin për të plotësuar nevojat më të pakta të mbijetesës. Një tepricë e tillë çliroi një pjesë të anëtarëve të shoqërisë nga puna për sigurimin e ushqimit. Këta u përfshinë gjerësisht në veprimtari të tjera, si përgatitja e veglave të punës dhe e veshjeve, ndërtimi i banesave, drejtimi i shërbesave fetare etj. Themelimi i vendbanimeve të përhershme shënoi një kthesë rrënjësore në historinë e shoqërisë njerëzore, sepse jo vetëm çoi në specializimin e rritjen e prodhimit, por edhe dendësoi komunikimet e shumanshme e më të qëndrueshme ndërmjet njerëzve, gjallëroi jetën e tyre të përbashkët shoqërore.

2. Qytetet e para
Është vështirë të përcaktohet saktë koha e shndërrimit të vendbanimeve të përhershme në qytete. Disa arkeologë mendojnë, se qytet i parë mund të quhet Xheriko. Ky është një vendbanim i lokalizuar në Izraelin e ditëve tona. Rreth vitit 8000 para erës së re, Xheriko mendohet se ka pasur afro 600 banorë. Me një popullsi të tillë Xheriko vështirë të quhet qytet. Mirëpo, prania e mureve rrethuese të trasha tregon punën e organizuar të specialistëve, që i dha këtij vendbanimi karakter urban. Pas Xherikos qytetet më të mëdha u ndërtuan në Lindjen e Mesme, në Egjipt etj., rreth 4000 vjet para erës së re. Disa nga këto qytete kishin rreth 50 mijë banorë dhe ishin qendra të perandorive që ushtronin pushtetin tregtar, politik e ushtarak edhe në rajone të largëta. Në këto qytete shtresëzimi i shoqërisë ka qenë mjaft i ngurtësuar. Mbretërit ose perandorët përgjithësisht ishin edhe klerikët më të lartë, që ushtronin pushtet absolut mbi fisnikët e niveleve më të ulëta, mbi zejtarët, ushtarakët, fshatarët etj. Skllevërit, përgjithësisht robër të zënë në fushatat ushtarake të shpeshta, merreshin me punë të rënda për ndërtimin e mureve mbrojtëse të qyteteve, të veprave arkitektonike monumentale, si piramidat e Egjiptit etj.

3. Qytetet paraindustriale
Në Europë urbanizimi filloi rreth 1800 vjet para erës së re në ishullin mesdhetar të Kretës.

3.1 Në Europë
Urbanizimi u përhap shkallë-shkallë në Greqi. Këtu u ngritën më shumë se 100 qytet – shtete, prej të cilave Athina ishte më e madhja dhe më e shquara. Veçanërisht gjatë Epokës së Artë të saj (500 – 431 para erës së re), Athina ishte shembulli i parë më i spikatur i mundësive më të gjera, i përparësive të shumta të jetës në qytete në krahasim me jetën në fshatra. Rreth 300 mijë banorët e Athinës të periudhës së lulëzimit të saj zhvilluan disa elemente të kulturës, që janë në themelet e mënyrës perëndimore të jetesës, si: filozofinë, artet, parimet e demokracisë, vlerësimin e shëndetit fizik dhe mendor të simbolizuara në lojërat olimpike etj. Ndërkohë që Athina dhe qytetërimi grek po venitej, qyteti i Romës u bë qendra e një perandorie në fuqizim, e cila sundonte territore të gjera në Afrikën Veriore, në Europë dhe në Lindjen e Mesme. Qytetërimi urban romak, sidomos nëpërmjet gjuhës, arteve dhe shpikjeve teknike, ushtroi ndikim të rëndësishëm në zhvillimet e mëvonshme të kulturës perëndimore.

3.2 Në trojet shqiptare
Qytetet e para me karakteristika më të spikatura urbane, kanë qenë Buthroti (Butrinti i sotëm) dhe Dyrrahi (Durrësi i sotëm), që u themeluan në shekullin VII para erës së re. Apolonia u themelua një shekull më vonë etj. Me kalimin e kohës Dyrrahi dhe Apolonia u bënë qytete të mëdha. Në kulmin e lulëzimit të tyre, ato kishin popullsi prej 40–50 mijë banorësh. Brenda mureve rrethuese të larta e të ndërtuara edhe me gurë të skalitur kishte godina madhështore, amfiteatro, tempuj, banesa luksoze të aristokracisë etj.

3.3 Veçori të qyteteve mesjetare
Gjatë periudhës mijëvjeçare, nga lulëzimi i Athinës deri te rënia e Romës, në Europë u themeluan dhe u zhvilluan mjaft qytete, si: Londra, Parisi, Vjena etj. Në qytetet mesjetare banonte rreth 10% e popullsisë së kohës. Qytete të tilla përgjithësisht rrethoheshin nga mure të larta për t’u mbrojtur nga sulmet e ndërsjella të feudalëve. Në qytetet mesjetare veprimtaria ekonomike realizohej përgjithësisht në mjedise shtëpiake. Qytetet paraindustriale në Europë dhe më gjerë përgjithësisht nuk ishin të ndara në zona tregtare, të banimit, të zejtarisë ose të industrisë etj. Rrugët e qyteteve ishin të ngushta, me shumë kthesa, të përshtatura për qarkullimin e këmbësorëve. Në qytete kishte një rrjedhë të ngadalshme të mënyrës së jetesës së banorëve. Shumica e ndërtesave ishin dy–tre katëshe. Arkitektura e qyteteve të mëdha europiane mbizotërohej nga kryekisha. Sheshi përballë kryekishës shërbente për organizimin e mbledhjeve publike, për ceremoni të ndryshme etj. Shumica e njerëzve, që jetonin në qytetin mesjetar, kishin së paku disa njohje personale me njëri–tjetrin. Lidhjet familjare, fisnore, etnike dhe të fqinjësisë ishin përgjithësisht të qëndrueshme. Hierarkia shoqërore ishte e ngurtësuar. Në të dalloheshin qartë fisnikët, klerikët, tregtarët, zejtarët dhe punëtorët e varfër. Femrat kishin pak të drejta ligjore. Pakicat etnike dhe fetare detyroheshin në forma të ndryshme të banonin në pjesë të caktuara të qytetit. Herë pas here popullsia e qyteteve mesjetare pakësohej shumë nga sëmundjet epidemike vdekjeprurëse, nga luftërat ndërqytetëse ose nga trazirat shoqërore të brendshme.

INDUSTRIALIZIMI DHE SHPEJTIMI I ZHVILLIMIT URBAN

Shumë të dhëna provojnë, se niveli i urbanizimit të mënyrës së jetesës filloi të rritej nën ndikimin e zhvillimit të industrisë.

1. Industrializimi dhe rritja e qyteteve
Nga fundi i periudhës së mesjetës, rritja e qëndrueshme e veprimtarisë tregtare, kryesisht në qytete, çoi në lindjen e klasës së borgjezisë. Megjithëse fisnikëria e trashëguar ekzistonte në shumë shoqëri europiane, në këtë kohë balanca e pasurisë dhe e fuqisë u zhvendos kah borgjezia, pasuria e së cilës bazohej kryesisht në veprimtarinë tregtare. Përfitimet nga kolonitë e shumta në vende të tjera, veçanërisht që nga shekulli XV, i dha një shtysë zhvillimit të ekonomisë së vendeve europiane të Perëndimit. Që nga mesi i shekullit XVIII, përdorimi i energjisë së avullit dhe i pajisjeve teknike e teknologjike gjithnjë e më të përparuara në industri, transport etj., sollën ndryshime rrënjësore në jetën e qyteteve, të cilat janë karakterizuar si revolucioni i dytë urban. Gjatë kësaj periudhe, popullsia e qyteteve në Europën Perëndimore dhe në Amerikën Veriore u rrit me ritme më të shpejta se më parë. Kjo rritje e popullsisë përcaktohej pjesërisht nga shtesa natyrore e popullsisë, por në shkallë më të madhe nga shpërngulja masive e fshatarëve, të cilët synonin të siguronin jetë më të mirë në qytet. P.sh., gjatë shekullit XIX, popullsia e qyteteve gjermane u rrit rreth 5 herë, nga 2,5 milionë në 13 milionë. 

2. Zhvillime ekonomike, arkitektonike e kulturore
Qytetet ndryshuan edhe në drejtime të tjera. Nëse në qytetet mesjetare tregtia ishte vetëm një përmasë e veprimtarive të shumanshme ekonomike e shoqërore, në qytetet kapitaliste tregtia u bë përgjithësisht veprimtari qendrore. Një ndryshim i tillë u shoqërua me shndërrime të caktuara edhe në arkitektonikën e qyteteve: shumica e rrugëve të ngushta e me shumë kthesa të qyteteve mesjetare u zgjeruan dhe u përshtatën për lëvizje më të dendura e më të shpejta të njerëzve, të mallrave dhe më vonë të mjeteve motorike të transportit. Përdorimi i energjisë së avullit dhe të elektricitetit mundësoi përdorimin masiv të trolejbusëve, që lehtësonin lëvizjet e shpejta brenda qyteteve. Në shumicën e qyteteve europiane të kohës moderne, qendra u zhvendos nga kryekisha në zonën e biznesit kryesor, të zyrave bankare dhe të njësive të shitjes me pakicë. Teknologjia më e përparuar mundësoi ndërtimin e godinave gjithnjë e më të larta, të cilat simbolizonin fuqinë e ekonomisë kapitaliste. Veçanërisht në Sh.B.A., gjatë viteve 1860–1950, popullsia e qyteteve u rrit me ritme shumë të shpejta. P.sh., nga viti 1860 deri në vitin 1900 popullsia e Çikagos u rrit rreth 20 herë, nga 100 mijë në 2 milionë banorë. Shumë qytete të shekullit XIX u rritën shumë gjatë shekullit XX dhe u shndërruan në metropole. Në studimet sociologjike metropol quhet një qytet shumë i madh, që shoqërisht dhe ekonomikisht mbizotëron një zonë urbane të gjerë. Qytete të tilla bëhen qendra të rëndësishme të tregtisë, të zhvillimit të industrisë e të kulturës dhe e shtrijnë ndikimin e tyre edhe në mjaft qytete të tjera fqinje më të vogla. Edhe jeta shoqërore e kulturore në qytete pësoi ndryshime të rëndësishme. Puna në shtëpi u zëvendësua nga lëvizja e përditshme e mijëra dhe miliona njerëzve drejt fabrikave të mëdha, drejt zyrave të institucioneve të ndryshme etj. Ndotja nga pluhurat dhe tymi i objekteve industriale u shndërrua në kërcënim për shëndetin dhe jetën e njerëzve. Një studiues në fund të shekullit XIX shkruante, se në Londër “mjegulla e tymrave industriale është bërë vdekjeprurëse”. Në shumicën e qyteteve industriale të mëdha u rrit numri i krimeve të ndryshme. Shumica e qyteteve nuk arritën të përballonin problemet e mprehta ekonomike, shoqërore, ekologjike, psikologjike etj., të shkaktuara nga ardhjet masive të popullsisë fshatare, që ëndërronin një mënyrë jetese më të mirë në qytete.

Shumica e qyteteve europiane vazhdoi të rritej edhe gjatë shekullit XX. Në përgjigje të kërkesave dhe të lëvizjeve të punëtorëve për kushte jetese më të mira, në legjislacionin e vendeve industriale të zhvilluara është përcaktuar minimumi i domosdoshëm jetik. Përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve publike, si: furnizimi me ujë të rrjedhshëm, me energji elektrike, forcimi i masave higjieno-shëndetësore etj. kanë ndikuar në rritjen e kulturës së jetesës edhe të punëtorëve, të masave të gjera të njerëzve. Rritja e prodhimtarisë së punës ka përmirësuar vazhdimisht mënyrën e jetesës për shumicën e banorëve të qyteteve. Megjithëkëtë, varfëria e grupimeve të caktuara të popullsisë, veçanërisht e emigrantëve të pasistemuar mbetet një nga problemet më shqetësuese në shumë rrafshe edhe në qytetet e vendeve më të zhvilluara industriale.

3. Urbanizimi në vendet e Botës së Tretë
Veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, popullsia urbane është rritur me ritme më të shpejta në vendet më pak të zhvilluara që quhen të Botës së Tretë. Kjo rritje e vrullshme është cilësuar si revolucioni i tretë urban. Në vitin 2016 rreth 54% e popullsisë së botës banonte në qytete ose zona urbane. Në vendet më të zhvilluara dhe në vendet më pak të zhvilluara popullsia urbane ishte përkatësisht 78.3% dhe 31.4%. Rritja e popullsisë urbane dhe e qyteteve në vendet e Botës së Tretë është shoqëruar me vështirësi ekonomike të shumëllojshme, me probleme të mprehta shoqërore, si: shkalla e lartë e papunësisë, mungesa e banesave, rritja e kriminalitetit etj.

DUKURI DHE PRIRJE BASHKËKOHORE TË URBANIZIMIT

1. Shpërqendrimi urban
Që nga viti 1950 shumë njerëz filluan të largohen nga zonat qendrore të qyteteve dhe shkuan në rrethina ose përtej kufijve të saj. P.sh., gjatë viteve 1950–1984 nga qyteti i madh i Nju Jorkut u larguan rreth 750 mijë banorë. Në studimet sociologjike një proces i tillë quhet shpërqendrim urban. Në fillim, nga zonat qendrore të qyteteve drejt rrethinave u larguan të pasurit. Mjaft sociologë mendojnë se katër faktorë kryesorë i shtyjnë njerëzit të braktisin zonat qendrore të qyteteve dhe të “arratisen” drejt rrethinave.
1. Shtimi i ndotjes së mjedisit nga pluhurat industriale dhe nga gazrat e automobilave të shumtë, që u shkaktojnë sëmundje të ndryshme deri edhe vdekje, veçanërisht fëmijëve dhe të moshuarve.
2. Rritja e shkallës së përzierjes së popullsisë me përkatësi racore, etnike e shoqërore të ndryshme.
3. Rritja e shkallës së kriminalitetit.
4. Mungesa e sipërfaqeve të gjera për ndërtimin e shtëpive të mëdha, të pajisura me të gjithë mjediset si pishina, fusha tenisi etj.,të nevojshme për një mënyrë jetese bashkëkohore.

Me synimin për të shmangur pasojat e rrezikshme të ndotjeve kimike e të kriminalitetit, për të shmangur shoqërimin e fëmijëve të tyre me fëmijë të emigrantëve me ngjyrë ose të varfër e problematikë, për të jetuar në banesa më të bollshme etj., mjaft të pasur ose pak a shumë të pasur largohen nga qendra e qyteteve dhe e ndërtojnë shtëpinë në rrethina. Si rrjedhojë edhe e kësaj zhvendosjeje të popullsisë, që nga fillimi i viteve ’70 të shekullit XX, më shumë amerikanë banonin në rrethina, se në qytete. Rrugët e gjera e të mirësistemuara dhe përdorimi masiv i autoveturave lehtëson lëvizjen e njerëzve nga zona urbane e qyteteve drejt zonave qendrore dhe anasjellas.

Në vendet e zhvilluara industriale shumë nga zonat urbane të qyteteve fqinje janë zgjeruar aq shumë, sa janë bashkuar me njëra-tjetrën. Gjeografi Zh. Gotman e karakterizoi këtë dukuri me termin megalopolis. Sipas tij, megalopolis është një rajon urban mjaft i gjerë, që përmban një numër qytetesh dhe rrethinat e tyre që bashkohen. Një megalopolis formon bashkimi i zonave urbane të disa qyteteve përgjatë bregdetit lindor të Floridas në SHBA.

2. Përtëritja urbane
Banesat e braktisura në zonat qendrore të qyteteve në vendet e zhvilluara industriale përgjithësisht u banuan prej emigrantëve të varfër me përkatësi kombëtare të ndryshme, prej njerëzve me ngjyrë, prej endacakëve të prirur për krime etj. Këto grupime të popullsisë krijonin probleme dhe shqetësime serioze për banorët më të hershëm dhe me gjendje më të stabilizuar të qytetit. Edhe nën trysninë e kërkesave të qytetarëve, organet shtetërore të vendeve të zhvilluara industriale ndërmorën programe për rigjallërimin e zonave qendrore të qyteteve të mëdha. Banesat e braktisura në zonat qendrore të qyteteve u rindërtuan dhe u përshtatën përgjithësisht si mjedise për zyra biznesi, për veprimtari kulturore, artistike etj. Ky proces kompleks është karakterizuar si përtëritje urbane.

3. Xhentrifikimi dhe eksurbanizimi
Veçanërisht që nga fillimi i viteve ’80 të shekullit XX në zhvillimet urbane të vendeve më të industrializuara veprojnë edhe dy prirje gati të kundërta.
1. Xhentrifikimi, domethënë kthimi i anëtarëve të klasës së mesme ose të lartë në qendrat e rrënuara të qyteteve fqinje. Këta janë përgjithësisht të rinj të racës së bardhë, të martuar, por më së shpeshti pa fëmijë, profesionistë të mirarsimuar, që blejnë apartamente në katet e ulëta dhe i kthejnë në shtëpi të modës. Xhentrifikimi ndihmon në ruajtjen e zonave qendrore të qyteteve, por ndikon në rritjen e çmimeve që shqetësojnë të varfrit.
2. Ndërkohë që disa banorë të pasur të periferive lëvizin drejt qendrës së qyteteve, të tjerë orientohen kah mjediset më fshatarake. Ky periferizim i elitës periferike është karakterizuar si eksurbanizim. Të pasurit ose profesionistët e shquar që ndërtojnë banesat në fshat nuk quhen fshatarë, por ish-qytetarë. Këta punojnë dhe zhvillojnë gjithë veprimtaritë e tjera në qytete dhe shkojnë në fshat për të kaluar një pjesë të kohës së lirë. Kësisoj ish-qytetarët  parapëlqejnë për banim një mjedis fshatarak më romantik, që i largon nga zhurmat, ndotjet dhe stresi i jetës më të vrullshme të qyteteve të mëdhenj.

 

4. Urbanizimi në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore
Ecuria e urbanizimit në Republikën e Shqipërisë në këtë periudhë mund të periodizohet në tri nënperiudha.

4.1 Nënperiudha (1945-1967)
Gjatë këtyre viteve në Republikën e Shqipërisë u ndërtuan shumë fabrika, uzina, u çelën miniera etj. Për të plotësuar nevojat e ndërmarrjeve të tilla për krahë pune organet shtetërore përkatëse nxitën shpërnguljen e popullsisë nga fshatrat dhe sistemimin e tyre me punë e banim në qytete. Por mjaft fshatarë, sidomos ata që banonin në zonat më prodhuese, nuk ishin të interesuar të shpërnguleshin pasi në qytete kishte vështirësi për furnizimin me ushqime dhe për sigurimin e banesës. Gjithashtu, përgjithësisht fshatarët nuk ishin të bindur për përparësitë e mënyrës urbane të jetesës, e paragjykonin atë. Megjithkëto, gjatë këtyre viteve nga harta e Shqipërisë u fshinë emrat e shumë fshatrave dhe numri i qyteteve u rrit më shumë se dy herë, nga 24 në 50. Pesha specifike e popullsisë banuese në qytete u rrit 11.2%, nga 21.3% në vitin 1945 në 32.5% në vitin 1967.

4.2 Nënperiudha e dytë (1968-1990)
Gjatë këtyre viteve shumica e fshatarëve nuk ishin të interesuar të banonin në fshat, ku puna ishte më e rëndë, të ardhurat më të pakta dhe kushtet e jetesës më të vështira. Të vetëdijësuar për përparësitë e mënyrës urbane të jetesës, shumica e fshatarëve synonin të sistemoheshin me punë e banim në qytet. Por organet përkatëse të shtetit kontrollonin me rreptësi dhe pengonin lëvizjen e popullsisë nga fshatrat në drejtim të qyteteve. Si rrjedhojë e një politike të tillë, përgjatë 23 viteve pesha specifike e popullsisë banuese në qytete u rrit vetëm 3.6%, dhe arriti në 36.1%. Në vitin 1990, në prag të shpërbërjes së sistemit socialist, Republika e Shqipërisë kishte peshën specifike të popullsisë banuese në qytete më të ulët se në çdo vend tjetër të Europës.

4.3 Nënperiudha e tretë (1991 deri në ditët tona)
Në mars 1993 u miratua “Ligji për dispozitat kryesore kushtetuese”. Sipas këtij ligji çdo shqiptar kishte të drejtë të zgjidhte vendbanimin dhe të lëvizte lirisht në çdo pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë. Para miratimit të këtij ligji, që në fillim të vitit 1991 filloi lëvizja e shqiptarëve nga fshatrat e qytetet e vegjël periferikë në drejtim të qyteteve të mëdhenj të ultësirës bregdetare. Një lëvizje masive në trajtën e eksodit, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Numri dhe pesha specifike e popullsisë banuese në qytete u rritën me ritme të shpejta. Në vitin 2017 rreth 57.4 % e popullsisë së Republikës së Shqipërisë banonte në qytete. Një pjesë e madhe e të shpërngulurve janë sistemuar me banim në rajonin Tiranë – Durrës. Zonat urbane të këtyre dy qyteteve dhe të qyteteve të afërta me to po zgjerohen me shpejtësi dhe në një të ardhme jo të largët do të formojnë një megalopolis. Banesat e ndërtuara prej të ardhurve në periferi të qyteteve të mëdhenj janë të mira ose shumë të mira. Por atyre u mungon infrastruktura urbane sipas standardeve bashkëkohore. Për t’iu shmangur pasojave të rritjes së shkallës së ndotjes nga gazrat e autoveturave dhe nga zhurmat, një pjesë e të pasurve dhe sidomos e specialistëve të aftë, të mirëpaguar po i ndërtojnë banesat në zona fshatare si Petrela, kodrat ndërmjet Tiranës dhe Vorës etj. Kësisoj po përvijohen fillesat e eksurbanizimit edhe në Shqipëri.

INTERPRETIME SOCIOLOGJIKE TË JETËS SHOQËRORE NË QYTETE

Natyrshëm shtrohen pyetjet: Cilat janë përparësitë dhe mangësitë e mënyrës së jetesës në qytet? Si kanë ndikuar qytetet në zhvillimin e shoqërisë? Si i shpjegon sociologjia bashkëkohore dukuri të tilla?

1. Mënyra urbane e jetesës përballë asaj fshatare
Në fund të shekullit XIX, sociologu gjerman Ferdinand Tënis analizoi në mënyrë krahasuese tipin e organizimit shoqëror në zonat fshatare dhe në qytetet industriale të zhvilluara. Ai përdori konceptin bashkësi për të karakterizuar një tip të organizimit shoqëror me solidarësi të fortë, të bazuar në traditat dhe kryesisht në lidhjet personale. Sipas Tënis, njerëzit që jetonin në zonat fshatare të Europës dhe Amerikës Veriore para revolucionit industrial ishin të lidhur me njëri-tjetrin me marrëdhënie të shumanshme fisnore, të fqinjësisë dhe të miqësisë. Kësisoj, fjala bashkësi shpreh një mjedis shoqëror, ku të gjithë njerëzit formojnë një grup shoqëror parësor.

Për të karakterizuar mënyrën e jetesës në qytete, Tënis përdor konceptin shoqëri ose shoqatë. Sipas tij, shoqëria ose shoqata është një tip i organizimit shoqëror me solidarësi shoqërore të dobët, si rrjedhojë e shumëllojshmërisë kulturore e nënkulturore dhe sidomos e marrëdhënieve shoqërore jopersonale. Në forma të tilla të organizimit shoqëror njerëzit motivohen më shumë nga interesat vetjake, se nga dëshira për të ndihmuar anëtarët e tjerë të grupit të tyre shoqëror. Banorët e qytetit, arsyeton Tënis, kanë pak identitet të përbashkët. Si anëtarë të një grupi dytësor me shtrirje të gjerë, banorët e qytetit priren ta shohin njëri-tjetrin, kryesisht, si aktor për arritjen e qëllimeve vetjake. Lidhjet personale afatgjata, që forconin unitetin në radhët e popullsisë së fshatrave, përgjithësisht zëvendësohen në qytete nga lidhjet e përkohshme dhe në shkallë të madhe jopersonale. Në qytete, brenda një zone të kufizuar, kryejnë veprimtarinë e tyre të përditshme shumë njerëz, zhvillohen ngjarje të shumëllojshme e të ndërlikuara, veprojnë faktorë nxitës të ndryshëm etj. Nën ndikimin e rrethanave të tilla, arsyeton sociologu gjerman Georg Zimel, banorëve të qyteteve u kultivohen qëndrime të zbehta. Me këtë ai nënkuptonte, se qytetarët veprojnë në mënyrë përzgjedhëse ndaj fakteve, dukurive dhe ndodhive të jetës së përditshme: “përqendrojnë” në vëmendje përgjithësisht atë që quajnë të rëndësishme për interesat vetjake dhe shpërfillin pothuajse gjithçka tjetër përreth. Kjo nuk do të thotë, se banorët e qytetit janë pa ndjeshmëri e dhembshuri për të tjerët. Por, ritmi i vrullshëm i jetës u nxit përgjithësisht një shkallë të caktuar indiferentizmi ndaj shumicës së njerëzve të tjerë.

2. Urbanizimi si mënyrë jetese
Në vitin 1938, Luis Uirth botoi një ese, në të cilën zhvilloheshin mjaft ide të rëndësishme, që formojnë Shkollën e Çikagos në sociologjinë amerikane. Uirth shënonte tri karakteristika të qytetit, që e bëjnë të dallueshme jetën shoqërore urbane: 1)masa e madhe e popullsisë, 2) vendbanimi i dendur dhe 3)shumëllojshmëria shoqërore. Ai argumentoi, se këto karakteristika e bëjnë jetën shoqërore në qytete më pak të personalizuar, me njohje më të përcipta dhe marrëdhënie më të përkohshme. Një banor i përhershëm i një qyteti mund të jetë ndoshta i njëmilionti në radhët e popullsisë së tij. Një qytetar i tillë përgjithësisht ka takime shoqërore me më shumë njerëz se një banor i përhershëm fshati. Në qytet çdo njeri mund të njihet me më shumë njerëz duke udhëtuar me autobus, duke punuar në kolektiva përgjithësisht më të gjera, duke blerë në njësi shitjeje të ndryshme etj. Por, njohje të tilla përgjithësisht janë të sipërfaqshme dhe kalimtare. Marrëdhëniet shoqërore në qytete përshkohen kryesisht nga fryma e egoizmit. Një blerës, p.sh., e sheh shitoren e ushqimeve si burim për plotësimin e nevojave të tij. Nga ana e tij, shitësi e sheh blerësin si burim të fitimit vetjak. Me kohë, njerëz të tillë mund të këmbejnë përshëndetje, të bisedojnë për probleme të ndryshme etj., por këto nuk janë motive kryesore të bashkëveprimit të tyre, së paku që në fillim. Njohjet e sipërfaqshme, komunikimet më të shpeshta me njerëz të grupeve shoqërore dhe nënkulturore nga më të ndryshmet, ndikojnë që banorët e qyteteve të jenë më tolerantë se banorët e fshatrave ndaj ndryshimeve shoqërore dhe kulturore. Por banorët e qyteteve, sidomos të atyre me dendësi më të madhe nënkulturash, respektojnë e zbatojnë më pak vlera e norma kulturore të përbashkëta se banorët e zonave fshatare. Banorët e qytetit, në shkallë të ndryshme po e humbin ndjenjën e bashkësisë që karakterizon marrëdhëniet dhe mënyrën e jetesës së njerëzve në zonat fshatare. Në qytete, njerëzit përgjithësisht janë më mospërfillës ndaj njëri-tjetrit. Një sociolog ka shkruar, se veçanërisht në qytetet e mëdha, njerëzit priren të sillen me aq mospërfillje ndaj fatkeqësive të të panjohurve, sikurse shikuesit ndaj fatit tragjik të aktorit në skenë. Nga ana tjetër, lipset të mos mbivlerësohet uniteti shoqëror në radhët e  fshatarëve, pasi mosmarrëveshje dhe konflikte të ndryshme kanë qenë e janë të pranishme edhe ndër banorët e fshatrave. Në qytetet e vogla dhe të mesme të Shqipërisë, shumica e njerëzve jetojnë në mjedise shoqërore dhe kulturore me njohje personale të shumëfishta. Ata respektojnë shumë vlera dhe norma kulturore tradicionale.

3. Ekologjia urbane
Termi ekologji është huazuar nga shkencat natyrore dhe shpreh përshtatjen e bimëve dhe të kafshëve ndaj mjedisit. Ndërsa në studimet sociologjike ekologjia urbane shpreh bashkëveprimin e mjedisit fizik dhe të jetës shoqërore në qytete. Vendbanimet urbane priren të ngrihen në ato zona gjeografike, të cilat ofrojnë më shumë mundësi për jetesën e banorëve. Qytetet e hershme u themeluan fillimisht në Mesapotami, ku klima ishte e ngrohtë dhe tokat jepnin prodhime bujqësore të bollshme. Edhe në hapësirën shqiptare shumica e qyteteve më të rëndësishme në rrjedhën e historisë janë ndërtuar anës deteve ose lumenjve , anës liqeneve ose në fushat më prodhuese, me klimë më të përshtatshme. Mjedise të tilla gjeografike u siguronin banorëve të qyteteve më shumë mundësi për të siguruar ushqimin, për të lëvizur etj.

Ekologjia urbane shpjegon gjithashtu edhe modelet kryesore të organizimit të hapësirave fizike të qyteteve:
1. Modeli i zonave bashkëqendrore. Shpërndarja e banesave të klasave e shtresave të ndryshme shoqërore dhe e veprimtarive të ndryshme realizohen afërsisht në trajtën e zonave rrethore. Zonë qendrore është ajo e biznesit.
2. Modeli sektorial. Veprimtari të ndryshme shtrihen në sektorë të ndryshëm të qytetit, ku përgjithësisht gjenden edhe banesat e personave që realizojnë veprimtari të tilla.
3. Modeli me shumë qendra. Në rrjedhën e viteve veprimtaritë e ndryshme shpërndahen dhe grupohen në atë mënyrë që krijohen shumë qendra në qytet. Një paraqitje skematike e modeleve të tillë të qyteteve jepet në rubrikën “Për më kureshtarët” fund të këtij mësimi.

VEÇORI KRYESORE TË PUNËS NË SHOQËRITË MË TË INDUSTRIALIZUARA

Mjaft sociologë mendojnë se, në ekonomitë industriale shumë të zhvilluara ose pasindustriale puna ka këto karakteristika kryesore.

1. Pakësimi i punës së gjallë të njerëzve në bujqësi
Gjatë shekullit XX, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, prodhimtaria e punës në sektorin e bujqësisë së vendeve më të zhvilluara është rritur me ritme të shpejta. Për këtë mjafton të vëmë në dukje se në fund të shekullit XIX puna e një punonjësi të bujqësisë prodhonte ushqime mesatarisht për 5 vetë. Ndërsa një shekull më vonë një punë e tillë prodhonte ushqime më të bollshme, më të shumëllojshme për rreth 70 vetë. Kjo rritje e vrullshme e prodhimtarisë së punës është rrjedhojë e zbatimit të dijeve shkencore dhe e përdorimit të pajisjeve teknike gjithnjë e më të përparuara, e kultivimit të bimëve të përmirësuara dhe e përdorimit të lëndëve kimike të ndryshme, e formave të reja të organizimit dhe të drejtimit të veprimtarive bujqësore etj.

Në rrjedhën e zhvillimeve të tilla është pakësuar me ritme të shpejta pesha specifike (përqindja) e forcave të afta për punë të punësuara në sektorin e bujqësisë. P.sh., në SHBA në vitin 1900 rreth 40% e njerëzve të aftë punonin në bujqësi. Deri në vitin 2017 të punësuarit në këtë sektor zbritën në rreth 1.5 % të të gjithë punonjësve. Në këtë drejtim, zhvillimet në ekonominë e Republikës së Shqipërisë janë të ndryshme, deri edhe me kahe të kundërta. Sipas të dhënave zyrtare të botuara, nga viti 1960 deri në vitin 1990 forcat e afta të punësuara në sektorin e bujqësisë u pakësuan nga rreth 57 % në 46,9%. Në Republikën e Shqipërisë, procesi i kalimit nga ekonomia socialiste në ekonominë e tregut gjatë viteve ’90 të shekullit XX, u shoqërua me mbylljen e mjaft ndërmarrjeve industriale të mëdha. Shumica e punëtorëve të industrisë të mbetur pa punë, emigruan ose u punësuan në sektorin e bujqësisë. Në rrethana të tilla forcat e afta të punësuara në bujqësi u rritën numerikisht në mënyrë të ndjeshme. Në vitin 2000 rreth 72.1% e njerëzve të aftë për punë punonin në sektorin e bujqësisë. Më pas një tregues i tillë është zvogëluar shkallë-shkallë. Në vitin 2016 në ekonomitë bujqësore private të Republikës së Shqipërisë punonin rreth 40. 2 % e njerëzve të aftë për punë. Kjo gjendje është e përkohshme. Në të ardhmen edhe në Shqipëri do të krijohen ekonomi bujqësore të mëdha, në të cilat do të përdoren pajisje teknike të përparuara. Për rrjedhojë, pesha specifike e të punësuarve në sektorin e bujqësisë do të pakësohet me ritme të shpejta.

2. Rritja e peshës specifike të punëve “jakëbardhë”
Veçanërisht gjatë shekujve XIX dhe XX në vendet më të industrializuara të Perëndimit ngjyra e këmishës ka simbolizuar statusin profesional. “Jaka blu” janë quajtur njerëzit, që sigurojnë mjetet e jetesës nëpërmjet punës fizike në industri, miniera, ndërtim etj. dhe cilësohen si anëtarë të klasës punëtore. Ndërsa“jaka të bardha”quhen njerëzit, që merren profesionalisht me punë mendore, drejtuese e organizuese. Këtu përfshihen nëpunësit, një pjesë e specialistëve të ndryshëm, si: mjekët, inxhinierët etj. Punonjës të tillë cilësohen si anëtarë të klasës së mesme. Gjatë shekullit XX, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, është rritur me ritme më të shpejta se më parë pesha specifike e “jakave të bardha”. P.sh., në SHBA në vitin 1900 rreth 40 % e njerëzve të aftë për punë ishin përfshirë në punë “jakëblu” dhe vetëm rreth 20% në punë “jakëbardhë”. Në vitin 2016 rreth 82% e të punësuarve ishin përfshirë në punë “jakëbardhë”, shumë prej të cilëve në sektorin e shërbimeve. Edhe në Republikën e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht gjatë viteve ’90 të shekullit XX deri në ditët tona, është rritur në mënyrë të përshkallëzuar numri dhe pesha specifike e njerëzve të punësuar në profesione “jakëbardhë”. Kështu, në vitin 2016 rreth 36.2% e të punësuarve në Republikën e Shqipërisë kryenin punë jakëbardhë.

3. Shtimi i profesioneve dhe rritja e rëndësisë së tyre
Tradicionalisht punët profesionale kufizoheshin në sektorin e mjekësisë, të drejtësisë dhe të administratës. Në shoqërinë pasindustriale rrethi i punëve profesionale me shkallë të lartë kualifikimi zgjerohet shumë. Punët profesionale luajnë rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e shpejtë dhe të shumanshëm të shoqërisë bashkëkohore. Në ditët tona shumica e sociologëve quajnë punë profesionale ato veprimtari, që kanë katër veçori kryesore:
E para, zotërimi i njohurive teorike. Për ushtrimin e zanateve përgjithësisht janë të mjaftueshme aftësitë teknike dhe përvoja praktike. Ndërsa për të kryer punë profesionale është e domosdoshme njohja teorike e fushës së veprimtarisë. P.sh., dikush mund të mësojë t’i japë ndihmën e parë një të sëmuri ose të aksidentuari pa pasur njohuri të thella mjekësore, kurse mjeku lipset të zotërojë formim të shëndoshë teorik për shëndetin dhe sëmundje të ndryshme. Specialistët, që kryejnë veprimtari profesionale, arsimohen e kualifikohen në shkolla të larta dhe kurse kualifikimi shkencor pasuniversitar. Në aftësimin profesional të specialistëve, rol gjithnjë e më të rëndësishëm luajnë përpjekjet vetëkualifikuese sistematike të tyre.
E dyta, punëtorët përgjithësisht punojnë nën mbikëqyrje të vazhdueshme, kurse specialistët ose “jakat e bardha” kanë shkallë të lartë pavarësie në e veprimtarinë e tyre profesionale.
E treta, specialistët përgjithësisht zotërojnë dije dhe përvoja praktike shoqërisht të dobishme, që nuk i kanë njerëzit jashtë profesionit. Për këtë arsye, ata kanë autoritet në grupe shoqërore të caktuara dhe respektohen nga klientët ose pacientët e tyre. Përgjithësisht nderohen më shumë specialistët, që merren më drejtpërdrejt me zgjidhjen e problemeve jetike të njerëzve, si: avokatët, mjekët etj.
E katërta, në veprimtarinë profesionale të specialistëve mbizotërojnë interesat e bashkësisë në krahasim me ato vetjake. Përgjithësisht, specialistët theksojnë elementin e altruizmit në punën e tyre. P.sh., puna profesionale e mjekëve u lehtëson dhimbjet dhe shpëton nga vdekja miliona e miliona njerëz. Veprimtaria e specialistëve, drejtpërdrejt dhe sidomos tërthorazi, ndikon më shumë se puna e punëtorëve për përmirësimin e shumanshëm të jetës së njerëzve, të shoqërisë. Ndaj specialistët kanë prestigj shoqëror të lartë. Në shoqëritë moderne, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, shumica e specialistëve sigurojnë me punën e tyre edhe të ardhura të bollshme.

Në të gjitha shoqëritë industriale të zhvilluara, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, është rritur shkallë-shkallë numri dhe pesha specifike e specialistëve me arsim të lartë në më shumë profile. Edhe në shoqërinë shqiptare gjatë kësaj periudhe është e pranishme një prirje e tillë. Në vitin 2016 në Republikën e Shqipërisë kishte rreth 402700 specialistë me arsim të lartë ose rreth 1057 herë më shumë se në vitin 1938. Në shoqërinë shqiptare të ditëve tona specialistët e kualifkuar sigurojnë të ardhura të pakta në krahasim me kolegët e tyre në vendet e zhvilluara. Kjo është një gjendje kalimtare, pasi në të ardhmen, edhe në Republikën e Shqipërisë specialistët do të shpërblehen më mirë.

4. Pakësimi i peshës specifike të të vetëpunësuarve
Zhvillimi i ekonomisë, sidomos në vendet më të industrializuara, është shoqëruar me pakësimin e numrit dhe të peshës specifike të njerëzve të vetëpunësuar ose të punësuar në ekonominë private vetjake. P.sh., në SHBA në fillim të shekullit XIX, rreth 80% e njerëzve të aftë për punë ishin të vetëpunësuar. Në vitin 2016 në këtë vend vetëm 7 % e njerëzve të aftë për punë ishin vetëpunësuar. Pas përfundimit të kolektivizimit të bujqësisë (1967) deri në vitin 1990 në Republikën e Shqipërisë nuk kishte të vetëpunësuar. Të gjithë njerëzit e aftë punonin në njësi ekonomike, shoqërore dhe kulturore shtetërore ose në kooperativa bujqësore. Kalimi nga ekonomia socialiste në ekonominë e tregut u shoqërua me shpërbërjen e shumicës së ndërmarrjeve shtetërore të mëdha dhe të gjithë kooperativave bujqësore dhe me krijimin e njësive të vogla ekonomike private në qytet dhe të ekonomive të vogla bujqësore në fshat. Në shumicën e njësive të tilla punon pronari vetëm ose bashkë me anëtarët e familjes së vet. Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2016 në Republikën e Shqipërisë rreth 59% e njerëzve të aftë për punë ishin të vetëpunësuar. Ndërkohë shkalla e vetëpunësimit në sektorin e bujqësisë ishte edhe më e lartë. Kjo është një situatë ekonomike dhe shoqërore e përkohshme. Kërkesat për shtimin e prodhimeve të shumëllojshme dhe të prodhimtarisë së punës do të ndikojnë që në të ardhmen të ngrihen njësi të mëdha ekonomike, ku të punojnë një numër i madh punëtorësh dhe specialistësh. Kështu do të pakësohet në mënyrë të përshkallëzuar numri dhe pesha specifike e punonjësve të vetëpunësuar.

5. Papunësia
Për shumicën e njerëzve në shoqëritë industriale të zhvilluara, puna është burimi kryesor i sigurimit të të ardhurave. Ajo është edhe burim kënaqësie, prestigji shoqëror, një anë e rëndësishme e shprehjes dhe e zhvillimit të personalitetit të çdo individi. Por, në shoqëritë pasindustriale papunësia është një dukuri e përhershme, që shkaktohet nga pakësimi ose ndërprerja e prodhimit në degë të caktuara të ekonomisë, nga dalja jashtë qarkullimit e profesioneve të caktuara si rrjedhojë e përdorimit të pajisjeve teknike gjithnjë më të përparuara në degë të ndryshme të ekonomisë dhe në fusha të tjera të veprimtarive etj. Në vendet e zhvilluara industriale, papunësia me rreth 5 – 6 % të forcave të afta për punë quhet përgjithësisht normale. Papunësia trajtohet si problem shqetësues kur kapërcen shifrën prej 8 %. Shkalla e papunësisë nuk është e njëjtë ndër anëtarët e grupeve shoqërore të ndryshme. Ajo shpesh përcaktohet nga mosha, profesioni, niveli arsimor, përkatësia gjinore ose etnike etj. Në vendet industriale të zhvilluara përgjithësisht është më e lartë pesha specifike e të papunëve në radhët e të rinjve 16 – 19 vjeç, të punëtorëve të pakualifikuar, ndërkohë që është më e ulët ndër njerëzit e mirarsimuar. Këto ide mund t’i ilustrojmë me të dhënat zyrtare të SHBA. P.sh., në vitin 2015 në këtë vend ishin të papunë rreth 6.2 % të forcave të afta për punë: ndër të rinjtë e grup-moshës 16-19 vjeç të papunët përbënin 19.3%, ndërkohë që vetëm 2.9 % e specialistëve me arsim të lartë ishin të papunë. Gjatë periudhës së regjimit socialist (1945-1990) në Republikën e Shqipërisë nuk kishte të papunë të deklaruar zyrtarisht. Përgjithësisht puna e punëtorëve dhe kooperativistëve kishte prodhimtari të ulët. Për rrjedhojë dhe pagesat ishin të ulëta. Në procesin e organizimit të ekonomisë së tregut pas vitit 1991, edhe në Republikën e Shqipërisë u shfaq dukuria e papunësisë. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikës, në Republikën e Shqipërisë në fillim të vitit 2017 të papunët e regjistruar përbënin rreth 15.6% të forcave të afta për punë. Niveli i papunësisë mund të jetë disi më i lartë.

6. Ekonomia e paligjshme
Në vendet e zhvilluara industriale shumica e veprimtarive ekonomike regjistrohen dhe taksohen nga organet shtetërore përkatëse. Krahas këtyre, funksionon edhe ekonomia e paligjshme, e cila përfshin të gjitha veprimtaritë ekonomike, që sigurojnë të ardhura, por që nuk janë të regjistruara në organet shtetërore të taksimit. Veprimtaritë ekonomike joligjore janë të shumta, nga shitja e limonadës ose e bananeve nga fëmijët para shtëpisë deri te puna e pataksuar jashtë orarit e mjekut, e elektricistit etj. Gjithashtu, të padeklaruara janë edhe të ardhurat nga bakshishi që marrin kamerierët ose ryshfeti që marrin nëpunësit, të ardhurat nga vjedhja, tregtia e lëndëve narkotike etj.

Është vështirë të përcaktohen saktë “përmasat” e ekonomisë joligjore. Megjithëkëtë, në SHBA, në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, ekonomia e paligjshme përllogaritej rreth 10% të gjithë veprimtarive ekonomike. Në vendet, që ndodhen në periudhën kalimtare, si Republikën e Shqipërisë, pesha specifike e ekonomisë joligjore është përgjithësisht më e lartë. Përpjesëtime të tilla përcaktohen edhe nga prirja e mjaft njerëzve për t’u pasuruar shpejt nëpërmjet rrugëve të kundërligjshme, nga mungesa e përvojës së organeve shtetërore për kontrollimin dhe taksimin e veprimtarive të ndryshme ekonomike etj.

7. Rritja e shkallës së shumëllojshmërisë
Veçanërisht gjatë tre-katër dhjetëvjeçarëve të fundit në ekonomitë më të industralizuara është rritur shkallë-shkallë shumëllojshmëria në vendin e punës në aspektin racor, etnik, gjinor etj. Po ritet numri i vendeve të punës ku punojnë njerëz me përkatësi gjinore, racore dhe sidomos etnike nga më të ndryshmet. Një shumëllojshmëri e tillë është e pranishme jo vetëm në hapësirat e gjera të ndërmarrjeve ekonomike kombëtare e shumëkombëshe, por edhe në hapësirat e ngushta të sallave të ndërhyrjeve kirurgjikale nëpër spitale. Shpesh për realizimin e operacioneve të ndërlikuara bashkëpunojnë dorë më dorë mjekë amerikanë, japonezë, gjermanë, turq, shqiptarë etj.

8. Përdorimi i teknologjive të informacionit
Sidomos që nga mesi i viteve ’90 të shekullit XX deri në ditët tona po përdoren gjithnjë e më shumë kompjuterët, teknologjitë e reja te informacionit në shumicën e proceseve të punës. Revolucioni i informacionit ka ndryshuar rrënjësisht veprimtaritë e njerëzve në këta drejtime kryesore:
1. Përmes programeve gjithnjë më të përparuara kompjuterët po realizojnë procese pune të ndërlikuara që më parë i kryenin ekonomistët, llogaritarët, drejtuesit etj. Programet kompjuterike po shkualifikojnë disi punën e specialistëve të tillë.
2. Para përdorimit të teknikave kompjuterike shumica e punëtorëve të industrisë kishin kontakte të drejtpërdrejta me produktet e punës së tyre: i shikonin, i preknin etj. Ndërsa përdorimi i kompjuterëve ndikon që mjaft punonjës të mos kenë kontakte të drejtpërdrejtë me produktet e punës, por me simbolet kompjuterike të tyre. P.sh., në shtypshkronjë të kompjuterizuar shumica e punonjësve nuk punon drejtpërdrejt me librin, por me imazhet kompjuterike të tij.
3. Kompjuterët kufizojnë ndërveprimin e drejtpërdrejtë të punonjësve në vendin e punës. Duke qenë se shpenzojnë më shumë kohë përballë ekranit të kompjuterit, punonjësit po izolohen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri. Gjithashtu, teknikat kompjuterike rrisin shkallën e mbikëqyrjes dhe të kontrollit të drejtuesve mbi punën e punonjësve.