Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Mësimi 1.1
1. Ç’është kultura?
Kjo fjalë mbart kuptime të shumta, të cilat përgjithësisht ndërthuren, por edhe ndryshojnë dukshëm nga njëri-tjetri. Në bisedat e përditshme termi “kulturë” përdoret kryesisht për të treguar krijimet më të larta të mendimit, si: letërsinë, artet, filozofinë, shkencat etj. Sipas këtij kuptimi, është krijuar edhe përfytyrimi i zakonshëm për njeriun e kulturuar. Pothuajse në të gjitha shoqëritë bashkëkohore, njeri i kulturuar quhet ai, që ka njohuri të gjera e të thella për historinë dhe artet, që është specialist në një fushë të caktuar të shkencës, që flet një ose disa gjuhë të huaja etj. Sociologët, veçanërisht gjatë shekullit XX deri në ditët tona, i kanë dhënë kuptime më të gjera konceptit të kulturës. Përveç krijimtarisë artistike, shkencore, filozofike etj., në konceptin sociologjik bashkëkohor të kulturës përfshihet edhe tërësia e mënyrave të veprimtarisë dhe të jetesës së anëtarëve të shoqërisë. Kultura shprehet dhe ndikon në të gjitha modelet e të menduarit dhe të sjelljes së njerëzve. Nga kultura e përbashkët e një grupimi njerëzish përcaktohen në masë të madhe mënyrat si ata i krijojnë dhe i përdorin veglat e punës, format e organizimit të të gjitha veprimtarive, si dhe rregullat e marrëdhënieve e të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre. Gjithashtu, nga kultura përcaktohen mënyrat se si vishen e ushqehen ata, si arsimohen dhe si i ushtrojnë ritet fetare, si i organizojnë ceremonitë e gëzimeve e të hidhërimeve, si e kalojnë kohën e lirë dhe deri se si i shprehin gjendjet e tyre emocionale me anë të ndryshimit të mimikës së fytyrës etj. Kultura përbën kornizën brenda së cilës formohet personaliteti i çdo anëtari të kulturës.
2. Kultura: ndërmjet njerëzve dhe natyrës
Me përbërësit e saj kryesorë kultura ka qenë dhe është ndërmjetëse në marrëdhëniet e shumëllojshme të njerëzve me natyrën. Në procesin e zhvillimit të shumanshëm, kultura, e sidomos dijet kulturore i kanë ndihmuar gjithnjë e më shumë njerëzit për të përballuar forcat shkatërruese të natyrës dhe për ta shfrytëzuar natyrën në dobi të përmirësimt të vazhdueshëm të jetës së tyre. Njerëzit e bashkësive primitive, me kulturën e pakët që zotëronin në një periudhë të caktuar, arritën të krijonin vegla pune dhe armë të thjeshta prej guri dhe kocke. Me vegla të tilla ata siguronin ushqim të varfër, përgatisnin banesa të thjeshta për t’u mbrojtur nga kafshët e egra dhe nga rreziqet natyrore. Në kohët moderne, zhvillimet e vrullshme kulturore i dhanë mundësi njerëzve të krijojnë dhe të përdorin pajisje teknike e teknologji të shumëllojshme, të cilat lehtësuan shumë punën, rritën rendimentin dhe prodhimtarinë e saj, përmirësuan vazhdimisht kushtet e jetesës dhe shëndetin e njerëzve etj.
3. Kultura – faktor humanizimi
Kultura është krijimtari mjaft komplekse, që lidhet vetëm me shoqërinë njerëzore. Nuk mund të flitet për kulturë në botën e kafshëve*). Të dhëna të shumta historike tregojnë se, në procesin e zhvillimit të kulturës, janë frenuar ose zhdukur mjaft nxitje instinktive, agresive të njerëzve, duke u bërë gjithnjë më të njerëzishme marrëdhëniet ndërmjet tyre. Kështu, në periudha të gjata kohore, prodhimtaria e punës së anëtarëve të fiseve primitive ka qenë shumë e ulët. Puna e secilit mezi siguronte të mirat materiale më të domosdoshme për të jetuar vetë. Në kushte të tilla, përgjithësisht, të moshuarit dhe të paaftët për punë liheshin në mëshirë të fatit. Në kohët moderne, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, gjendja ndryshoi rrënjësisht. Marrëdhëniet ndërmjet njerëzve të një shoqërie dhe më gjerë janë bërë gjithnjë e më humane. Të moshuarit dhe të paaftët për punë përkrahen vazhdimisht në forma të ndryshme. Në çdo shoqëri është krijuar e po përsoset një sistem i shumanshëm vlerash dhe normash kulturore e ligjore, që mbrojnë e respektojnë të drejtat dhe dinjitetin e çdo njeriu, që nxitin zhvillimin e harmonishëm të personalitetit të çdo individi, të aftë ose të paaftë për të punuar.
4. Kultura dhe shoqëria
Konceptet “kulturë” dhe “shoqëri” kanë përmbajtje të afërt, por edhe dallime të rëndësishme ndërmjet tyre. Kultura lidhet, kryesisht, me mënyrën e jetesës, me trashëgiminë shpirtërore dhe materiale të shoqërisë. Kurse koncepti i shoqërisë ka të bëjë më shumë me sistemin e marrëdhënieve të ndërsjella, që lidhin individët me kulturë të përbashkët. Përvoja historike tregon se ka ndikim të ndërsjellë ndërmjet zhvillimit të kulturës dhe zhvillimit të shoqërisë. Kultura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i jep gjithnjë shtysë zhvillimit të shoqërisë. Nga ana tjetër, sa më e përparuar të jetë shoqëria, aq më shumë masa merr ajo për zhvillimin e shpejtë dhe të shumanshëm të kulturës. Sot në botë ka një numër të madh sistemesh kulturore, që dallohen shumë nga njëri-tjetrin. Pavarësisht nga dallimet, çdo sistem kulturor ka pesë përbërës kryesorë: simbolet, gjuhën, vlerat, normat dhe kulturën materiale.