Kurrikula
Kursi: Sociologjia Klasa 12
Identifikohu
Mësimi me video

Tematika 1 Mësimi 5: Normat kulturore

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Tematika 1 Mësimi 5

NORMAT KULTURORE

1. Ç’janë normat kulturore?
Në përcaktimet sociologjike normat kulturore janë rregulla të pashkruara ose të shkruara, nëpërmjet të cilave çdo kulturë drejton sjelljen e anëtarëve të saj. Normat kulturore luajnë rol shumë të rëndësishëm për rregullimin e marrëdhënieve, të bashkëveprimeve ndërmjet anëtarëve të së njëjtës kulturë. Përvoja jetësore tregon se jo të gjithë normat kulturore kanë të njëjtën rëndësi për shoqërinë. Sociologu amerikan Uilliam G. Samner përdori termin more, për të karakterizuar normat kulturore, që kanë rëndësi më të madhe morale e shoqërore për funksionimin e shoqërisë. Shumica e anëtarëve të çdo kulture e çmojnë të domosdoshëm zbatimin e përpiktë të kërkesave të moreve. Për rrjedhim, mosrespektimi, shkelja e moreve shkakton reagime shoqërore të ashpra ndaj dhunuesve të tyre. P.sh., në të gjitha shoqëritë e qytetëruara ka norma kulturore, që ndalojnë abuzimin seksual me fëmijët. Respektimi i moreve që ndalojnë abuzimin seksual me fëmijët ka rëndësi jetike për zhvillimin e shoqërisë. Prandaj zbatimi i moreve të tilla jo vetëm vihet nën kontrollin e vazhdueshëm dhe të rreptë të opinionit shoqëror, por edhe mbështetet nga normat ligjore, të cilat imponohen nga organet detyruese të shtetit. Për normat më pak të rëndësishme sociologu Uilliam Samner përdori termin folkuej. Të tilla janë kriteret e etikës së sjelljeve, të veshjes etj. Moszbatimi i normave të tilla ose nuk bie në sy, ose provokon reagime shoqërore të buta. P.sh., nëse një burrë shkon në konferencë shkencore, në mbledhje solemne ose në mbrëmje vallëzimi pa kravatë, ai nuk respekton një normë të etikës së veshjes. Si reagon opinioni ndaj tij? Shumë–shumë ai mund të përflitet, të bëhet objekt humoresh thumbuese, por ndaj tij nuk mund të ushtrohet asnjë lloj detyrimi.

2. Shumëllojshmëria e normave kulturore
Çdo kulturë ka norma të shumëllojshme. Ato ndryshojnë në rrjedhën e kohës dhe nga njëra kulturë në tjetrën. Në vijim parashtrohen disa prej tyre.

2.1 Urdhëruese dhe udhëzuese
Disa norma janë urdhëruese dhe tregojnë se ç’duhet të bëjnë anëtarët e kulturës. P.sh., në kulturën tradicionale të popullit shqiptar ka një varg normash të hollësishme, që përcaktojnë si duhet të veprojë ndërmjetësi gjatë ecurisë së zgjidhjes së ndonjë mosmarrëveshjeje ndërmjet dy individëve, familjeve ose fiseve etj. Çdo kulturë ka edhe norma udhëzuese. Këto janë më pak detyruese dhe kanë të bëjnë kryesisht me kriteret e etikës së sjelljes, të veshjes etj. Kështu, në kulturën tradicionale të shqiptarëve ka norma që udhëzojnë si ndryshohen ngjyrat në veshjen e grave, kur marrin pjesë në ceremoni hidhërimesh (me të zeza) ose në ceremoni gëzimesh (mbizotëruese e kuqja).

2.2 Ndaluese
Në studimet sociologjike trajtohen shpesh me përparësi normat ndaluese. Këto tregojnë se çfarë nuk duhet të bëjnë anëtarët e një kulture. Disa kultura toleronin gjymtimin fizik dhe të personalitetit të individëve, të grupeve të caktuara shoqërore. Ndryshe nga këto, në kulturën tradicionale të shqiptarëve ka pasur shumë norma, që ndalonin gjymtimin fizik, shpërfilljen, nëpërkëmbjen e dinjitetit, të personalitetit të tjetrit etj. Në kulturat e lashta, normat ndaluese quheshin tabu. Fjala “tabu” është përdorur me kuptimin frikë nga objektet e shenjta ose të përkushtuara. P.sh., pothuajse në të gjitha fiset, në të gjitha shoqëritë ka pasur dhe ka tabu, që ndalojnë martesat e njerëzve me afri gjaku.

2.3 Tabutë në kulturën tradicionale shqiptare
Edhe në kulturën tradicionale shqiptare ka pasur tabu të shumëllojshme. Mjaft prej tyre vepronin deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. P.sh., ndalohej ngrënia e mishit të disa kafshëve, si: iriqi, kërmilli, bretkosa etj., të cilat ishin shumë të parapëlqyera në menytë e vendeve të zhvilluara të Perëndimit. Në fillim të shekullit XX, Edit Durham shkruante: “… shqiptarët nuk i hanë bretkosat, ndonëse pellgjet janë plot me bretkosa të majme dhe njerëzit janë të uritur.” Disa tabu të tjera ndër shqiptarët ndalonin martesat brenda fshatit ose krahinës, ndalonin pjesëmarrjen e grave në jetën shoqërore etj.

2.4 Roli i tabuve
Shumica e tabuve kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm për mbijetesën dhe zhvillimin e shoqërive të kohës. P.sh., po të mos vepronte tabuja që ndalonte martesat e njerëzve me afri gjaku, shumë fëmijë do të lindnin me të meta fizike dhe mendore. Që në lashtësi, por edhe më vonë, tabuve u janë dhënë shpjegime misterioze. Përgjithësisht, tabutë janë vlerësuar si urdhra të fuqive të mbinatyrshme, të perëndive. Në vetëdijen e njerëzve të këtyre shoqërive ishte rrënjosur bindja se fuqitë hyjnore ndëshkonin ashpër cilindo që shkelte sadopak tabutë. Në mungesë të organeve shtetërore detyruese, si: policia, gjykatat etj., hyjnizimi ishte mjeti kryesor që e bënte të detyrueshëm zbatimin e përpiktë të tabuve.

3. Normat kulturore dhe normat ligjore
Në historinë e çdo shoqërie njerëzore, normat kulturore përgjithësisht janë jo vetëm më të hershme se normat ligjore, por edhe më të larmishme. Ato rregullojnë shumë aspekte të bashkëveprimeve ndërmjet anëtarëve të kulturës, për të cilat nuk ka norma ligjore përkatëse. Në kulturën tradicionale shqiptare ka pasur shumë norma të hollësishme që rregullonin procedurat e nderimit të mikut, ceremonialin e ndërlikuar dhe origjinal të mikpritjes. P.sh., për mikpritjen, te Kanuni i Lek Dukagjinit ka pasur më shumë se 65 norma, te “Kanuni i Skënderbeut” rreth 162 të tilla. Kurse në legjislacionin e shtetit shqiptar, që nga shpallja e Pavarësisë deri në ditët tona, nuk ka ndonjë ligj që rregullon mikpritjen në radhët e masave popullore.

Normat kulturore dhe ligjore
Në procesin e zhvillimit historik të gjitha shoqëritë kanë mbështetur me norma ligjore normat kulturore më të rëndësishme. Ndërsa folkuejt, si norma kulturore të etikës së sjelljeve, të veshjes etj., nuk janë përforcuar nga norma ligjore.

4. Kultura tradicionale shqiptare: norma më funksionale
Kultura tradicionale e popullit shqiptar është shumë e pasur me norma kulturore të llojllojshme dhe mjaft origjinale. Ndoshta tek asnjë popull tjetër nuk mund të ketë një normë të ngjashme me atë të traditës shqiptare, të shprehur në paragrafin 643 te “Kanuni i Lek Dukagjinit”. Sipas kësaj norme, shqiptari duhet të mbrojë dinjitetin e mikut nga fyerjet, duke rrezikuar edhe jetën e vet. Normat kulturore janë konceptuar në vetëdijen e shqiptarëve dhe në botimet përkatëse, si norma të tre kanuneve kryesore: Kanuni i Lek Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Labërisë. Këto kanune kanë qenë motërzuar në dhjetëra variante me përdorim në krahina të ndryshme të vendit. Sipas këtyre normave kulturore zgjidheshin të gjitha problemet shoqërore, ekonomike e politike, kulturore e administrative, civile e penale në kushtet e vetëqeverisjes vendore të asaj pjese të popullsisë së zonave malore që nuk iu nënshtrua regjimit të pushtimit osman.

5 Vetëkontrolli
Zbatimi i normave kulturore nuk imponohet vetëm së jashtmi. Për shumicën e anëtarëve të vetëdijshëm të çdo kulture vepron edhe një forcë imponuese e brendshme. Ndodh që ndonjë anëtar, në një çast vetmie nuk zbaton një normë të kulturës së vet. Ai reagon negativisht ndaj vetvetes dhe turpërohet sikur dikush tjetër të kishte parë veprimin e tij të gabuar. Një qëndrim i tillë është rrjedhojë e dukurisë, që në studimet sociologjike quhet brendësim i normave kulturore ose shkrirje e tyre në personalitetin vetjak. Kështu, çdo anëtar ka në vetëdijen e tij një “gjykatës” të brendshëm, që dikton dhe vetëkontrollon zbatimin e përpiktë të normave kulturore.