Kurrikula
Kursi: Sociologjia Klasa 12
Identifikohu
Mësimi me video

Tematika 4 Permbledhje e Shtrezimi Gjinor dhe Familja

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Tematika 4

KUPTIMI SOCIOLOGJIK I DEVIANCËS

1. Ç’është devianca?
Në studimet sociologjike devianca përcaktohet si shkelje e normave kulturore të një grupi shoqëror ose të gjithë shoqërisë. Format e sjelljeve deviante më shqetësuese për shoqërinë janë krimet. Përgjithësisht, sociologët quajnë krime shkeljen e normave kulturore më të rëndësishme, të cilat mbështeten edhe nga normat ligjore.

2. Kuptimi relativ i deviancës
Studimet ndërdisiplinore kanë provuar se modelet e sjelljeve deviante janë të pranishme në të gjitha shoqëritë, në të gjithë grupimet shoqërore dhe në të gjitha kohët. Por kuptimi për deviancën ndryshon shumë nga njëri grupim shoqëror ose shoqëri në tjetrën, si dhe në rrjedhën e zhvillimit të tyre. Një model sjelljeje përcaktohet si deviante ose jo, duke u nisur nga këto rrethana kulturore, shoqërore, historike etj.

2.1 Sjellja deviante: në marrëdhënie me norma kulturore të caktuara
Asnjë mendim ose veprim nuk është devijues në vetvete. Ai vlerësohet i tillë në marrëdhënie me vlerat dhe normat e një kulture ose nënkulture të veçantë. Vlerat dhe normat kulturore ndryshojnë nga njëra shoqëri në tjetrën. Për rrjedhojë, edhe kuptimi për deviancën nuk është i njëjtë në shoqëri të ndryshme. P. sh., në ditët tona, në disa shoqëri aborti trajtohet si një e drejtë e ligjshme e grave, kurse në shoqëri të tjera quhet sjellje e rëndë deviante ose krim.

2.2 Rrethanat shoqërore dhe devianca
Një veprim mund të karakterizohet si deviant ose jo përcaktuar edhe nga rrethanat e veçanta të zhvillimit të shoqërisë. P. sh., në të gjitha shoqëritë moderne vrasja e një njeriu në kushtet e zhvillimeve paqësore cilësohet si një nga krimet më të rënda, kurse në kushte lufte vrasja e ushtarëve të ushtrive pushtuese nuk trajtohet si krim nga populli i pushtuar. Përkundrazi, luftëtarët më të guximshëm, më veprues në luftë kundër ushtrive pushtuese çmohen në forma të ndryshme, nderohen më shumë, shpallen heronj të popullit, u kushtohen këngë ose vepra të tjera arti etj.

2.3 Pozita shoqërore: je apo nuk je deviant?
Në shoqëritë moderne disa modele sjelljesh trajtohen si deviante ose jo, duke u nisur edhe nga pozita shoqërore e mbartësit të tyre. Shumica e normave kulturore dhe ligjore në çdo shoqëri janë të tilla që, drejtpërdrejtë ose tërthorazi përkrahin grupet shoqërore ose njerëzit më të priviligjuar. P.sh., një pronar mund të mbyllë përgjithnjë fabrikën e tij dhe të shpunësojë mijëra punëtorë. Ky veprim i njihet atij si e drejtë e ligjshme. Por, nëse një punëtor, në forma të ndryshme, detyron mbylljen e fabrikës qoftë edhe për një orë të vetme, trajtohet si kriminel dhe ndëshkohet ashpër, megjithëse ky pezullim i shkurtër i punës është shumë më pak i dëmshëm për punëtorët e fabrikës se veprimi i pronarit të saj. Të mbrojtur nga prestigji i tyre dhe avokatët e kualifikuar, njerëzit e pushtetshëm në shoqëri kanë mundësi të shmangin etiketimin e tyre, si njerëz që kryejnë sjellje deviante.

2.4 Ndryshime në rrjedhën e kohës
Në çdo shoqëri kuptimi për deviancën ndryshon në rrjedhën e kohës. P.sh., gjatë viteve ’20 të shekullit XX, vlerat dhe normat kulturore sunduese në shoqërinë amerikane theksonin detyrimet e grave në jetën shtëpiake. Përpjekjet e grave për t’u bërë persona publikë, si: politikane, drejtoresha firmash etj., quheshin sjellje deviante. Ndërsa në ditët tona, shoqëria amerikane i nxit vajzat dhe gratë të përparojnë në karrierën profesionale e shoqërore. Në shoqërinë shqiptare tradicionale pa organe shtetërore, gjakmarrja nuk quhej sjellje deviante, por një e drejtë dhe detyrë e burrave të familjes së viktimës. Ndërsa në shoqërinë shqiptare, me shtet të fortë të pas Luftës së Dytë Botërore, gjakmarrja trajtohej dhe trajtohet si krim i rëndë dhe personi, që kryen një veprim të tillë, përgjithësisht, ndëshkohet ashpër në përputhje me normat ligjore përkatëse.

TIPAT KRYESORË TË KRIMIT

1. Krimet kundër personit
Këto quhen shpesh edhe krime të dhunshme dhe përfshijnë dhunën ose kërcënimin për dhunë. Krime të tilla janë vrasja, rrëmbimi i personave, grabitja me dhunë, plagosja, përdhunimi i femrave etj. Në vendet në tranzicion si Republika e Shqipërisë, që nga fillimi i viteve ’90 të shekullit XX deri në ditët tona, krime të tilla kanë qënë dhe mbeten (ndonëse janë pakësuar shkallë–shkallë nga viti 1997) shqetësuese për shoqërinë. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikës i Republikës së Shqipërisë gjatë 24 viteve (1993 – 2016) janë dokumentuar zyrtarisht 5850 të vetëvrarë ose mesatarisht 244 vetë në vit. Shumica e vrasjeve janë shkaktuar nga konfliktet për pronat dhe për kontrollin e trafiqeve dhe jo për gjakmarrje të vjetra, siç përflitet shpesh në shtypin shqiptar dhe të vendeve të tjerë.

2. Krimet kundër pasurisë
Në këtë tip krimi përfshihen vjedhja dhe shkatërrimi i pasurisë që i përket të tjerëve, ruajtja dhe transportimi i pasurisë së vjedhur etj. Përvoja tregon se, në vendet që përjetojnë periudhë tranzicioni përgjithësisht ka prirje të rritet numri dhe pesha specifike e krimeve të tilla. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikës, në Republikën e Shqipërisë, numri i krimeve kundër pronës dhe pasurisë së të tjerëve përgjatë 8 viteve (2009-2016) ishte afro 3 herë më i lartë se numri i krimeve kundër jetës së të tjerëve.

3. Krime të mërisë ose të urrejtjes
Kështu quhen krimet kundër një personi ose pasurisë së tij të nxitur prej paragjykimeve që kanë të bëjnë me faktin se viktima ka tjetër përkatësi racore, etnike, fetare ose tjetër orientim seksual etj. Sipas të dhënave zyrtare në SHBA rreth 90 % e individëve të shoqërisë LGBT fyhen publikisht në mjedise të ndryshme dhe 23 % e tyre dhunohen fizikisht për shkak të orientimit të tyre seksual. Përvoja tregon se në SHBA më të kërcënuar nga krimet e urrejtjes janë ata që ndodhen nën trysninë e paragjykimeve të shumëfishtë. Të tillë janë afrikano–amerikanët me orientim seksual të ndryshëm. Por në shoqëritë shumëracore, shumetnike, shumëfetare etj., si ajo amerikane nga krimet e mërisë ose të urrjetjes janë të kërcënuar të gjithë në masa të caktuara. Në shoqërinë shqiptare nuk kanë qenë dhe nuk janë shqetësuese krimet e mërisë ose të urrejtjes. Viktima të krimeve të tilla mund të bëhen pothuajse vetëm individët e shoqërisë LGBT. Ndërsa dallimet në përkatësitë fetare nuk kanë nxitur dhe nuk nxisin pothuajse asnjëherë krime të mërisë ose të urrejtjes. Përkundrazi, dallimet fetare kanë vepruar si faktor i zbutjes dhe i tejkalimit të konflikteve ndërmjet njerëzve me besime fetare të ndryshme.

4. Krime “pa viktima”
Të tilla vlerësohen përdorimi i jashtëligjshëm i llojeve të ndryshme të narkotikëve, prostitucioni ilegal, disa forma bixhozi etj. Mjaft sociologë mendojnë se emërtimi “krim pa viktima” nuk është krejt i saktë, sepse bixhozçinjtë, konsumuesit e drogave etj., në njëfarë mënyre vetëdëmtohen e deri vetëviktimizohen. Ndaj mjaft studiues arsyetojnë se veprime të kësaj natyre nuk duhen trajtuar si krime nga organet përkatëse të shtetit. Ndërsa studiues të tjerë argumentojnë se drogimi, prostitucioni ilegal, lloje të ndryshme bixhozi etj., drejtpërdrejt, dhe sidomos tërthorazi, janë të dëmshme jo vetëm për individin e përfshirë në veprimtari të tilla, por edhe për grupime më të gjera njerëzish përreth tyre. P.sh., në ditët tona prostitucioni ilegal është një nga rrugët kryesore të përhapjes së infeksionit vdekjeprurës HIV – AIDS. Nën ndikimin e lëndëve narkotike të droguarit mund të ngasin me shpejtësi autoveturën dhe jo vetëm mund të vetëviktimizohen, por mund të aksidentojnë dhe të viktimizojnë edhe të tjerë. Ndaj kjo kategori studiuesish mendojnë se organet shtetërore përkatëse, shkolla, organizatat fetare, shoqërore, kulturore etj., lipset të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre të shumanshme për t’i mbrojtur njerëzit, veçanërisht të rinjtë adoleshentë nga joshja ose “infektimi” prej krimeve “pa viktima”.

5. Krimet e zyrtarëve ose të “jakave të bardha”
Studiuesi Edvin Sutherland quante kështu krimet e kryera nga njerëz me pozitë shoqërore të lartë dhe të nderuar në profesionin e tyre. Përgjithësisht, këta janë nëpunës të lartë, që duke përdorur autoritetin dhe pushtetin, shkelin ligje të caktuara për të siguruar përfitime të pamerituara. Si krime “jakëbardhë” cilësohen mashtrimi tregtar, reklamat fals, ryshfetet që marrin nëpunësit etj. Në ditët tona mjaft shqetësuese për të gjithë shoqëritë, veçanërisht për shoqëritë në tranzicion si shoqëria shqiptare, janë ryshfetet që marrin nënpunës të të gjithë niveleve.

6. Profile shoqërore të statistikave për krimet
Studimet tregojnë se, në çdo shoqëri jo të gjitha grupimet shoqërore janë njësoj të prirura drejt sjelljeve deviante dhe kriminale.

6.1 Të rinjtë më pranë “botës” së krimit
Në shoqëritë industriale të zhvilluara të ditëve tona, krimet kundër personit dhe pasurisë së tjetrit janë më të përhapura ndër të rinjtë e grup-moshës 15-24 vjeç. Kështu, p.sh., në vitin 2016 në SHBA të rinjtë e kësaj grup-moshe përbënin rreth 14% të popullsisë, ndërkohë që përfaqësonin 35,6% të të arrestuarve për krime kundër personit dhe 40,7% të të arrestuarve për krime kundër pasurisë së tjetrit. Edhe në Republikën e Shqipërisë, sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, është rritur numri i të rinjve që kanë kryer sjellje deviante të ndryshme deri edhe krime të rënda. Sipas përllogaritjeve të përafërta gjatë vitit 2016 ndër ata që vuanin dënimin me heqje lirie në Republikën e Shqipërisë për krime kundër jetës dhe pasurisë së tjetrit rreth 39.8 % ishin të rinj të grup-moshës 18-29 vjeç. Ndërkohë të rinjtë e kësaj grup-moshe përbënin rreth 22 për qind të popullsisë së shtetit shqiptar. Shkalla e lartë e përfshirjes së të rinjve shqiptarë në krime të ndryshme përcaktohet jo vetëm nga iluzionet dhe zhgënjimet më të forta të moshës, por edhe nga papunësia masive në rritje, që vihet re për këtë brez. P.sh., gjatë viteve (2010-2016) rreth 62% e të rinjve, që kanë kryer krime kanë qenë të papunë dhe 69.1% me arsim tetëvjeçar ose nëntëvjeçar të mbaruar ose të pambaruar. Përvoja e vendeve të zhvilluara tregon se, punësimi dhe rritja e shkallës së arsimimit janë faktorët kryesorë, që i largojnë të rinjtë nga rruga e krimeve.

6.2 Gratë më pak të kriminalizuara
Në shoqëritë e zhvilluara industriale meshkujt kryejnë më shumë krime se femrat. P.sh në vitin 2016 në SHBA rreth 61,2% e të arrestuarve për krime kundër pasurisë së tjetrit ishin meshkuj dhe vetëm 38,8% ishin femra. Ndërsa për krime me shkallë të lartë dhune dhe agresiviteti, si krimet kundër jetës së tjetrit, një shpërpjesëtim i tillë ishte më i thellë, përkatësisht 79.9% dhe 20.1%. Në Republikën e Shqipërisë vajzat e gratë qëndrojnë edhe “më larg” sjelljeve deviante e kriminale. P.sh., gjatë viteve 2010- 2016, në numrin e përgjithshëm të personave, që vuanin dënimin për krime të ndryshme, vajzat dhe gratë përbënin vetëm 1.8-2%. Ky është një tregues me rëndësi të madhe për të tanishmen dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Vajzat dhe gratë, sidomos nënat, japin ndihmesë të rëndësishme për edukimin e brezave të rinj me vlerat më të përparuara të kulturës shqiptare, për t’i mbajtur ata larg “infektimit nga epidemia” e sjelljeve deviante e kriminale.

7. Filmat me dhunë dhe modelet e sjelljes së të rinjve shqiptar
Në shumë vende të botës janë realizuar studime për masën dhe kahjen e ndikimit te të rinjtë të filmave me dhunë dhe procese gjyqësore që transmetohen në televizione. Një studim krahasimor i vitit 1986, tregoi se shikimi i filmave me dhunë të rinjëve polakë dhe amerikanë, u nxiste prirjet për modele sjelljesh agresive. Studimi provoi një pohim të tillë për djemtë kanadezë, por jo për vajzat, për të rinjtë dhe të rejat izraelite që banonin në qytete, por jo për ata që banonin në fshatra. Kjo problematikë është trajtuar edhe në dy studime të realizuar në Republikën e Shqipërisë në vitet 1997 dhe 2016. Rreth 62 % e nxënësve adoleshentë të anketuar pohuan se shikimi i programeve televizive me dhunë i nxit të jenë më humanë në marrëdhëniet me të tjerët. Kështu, përcjellja e programeve televizive ose të internetit me dhunë realizon funksione katarsi, domethënë të një spastruesi nga impulsimet e instinkteve agresive. Ndërkohë, 74 % e vajzave dhe 61 % e djemëve të anketuar, kanë pohuar se shikimi i filmave me procese gjyqësore u kultivon ndjenjën e drejtësisë.

SHPJEGIME TË DEVIANCËS: PIKËPAMJE BIOLOGJIKE

1. Fillesa të teorive biologjike
Ide të kësaj teorie u përpunuan dhe u përhapën gjerësisht në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, nën ndikimin e studimeve të mjekut italian Çezare Lombroso. Sipas tij, prirjet e njerëzve për sjellje deviante dhe kriminale përcaktohen nga përbërja e veçantë biologjike e tyre që në lindje. Ai mendonte se kriminelët janë qenie më të prapambetura në rrjedhën e evolucionit në krahasim me njerëzit e tjerë. Dhe kjo prapambetje duket edhe në paraqitjen e jashtme të trupit të tyre. Sipas Lombrosos kriminelët ose njerëzit me prirje për sjellje deviante dhe kriminale, kanë veshë të mëdhenj, ballë të rënë, nofulla e mollëza të dala, janë më leshtorë dhe kanë krahë më të gjatë se njerëzit e zakonshëm. Me këto veçori biologjike, kriminelët ngjajnë më shumë me paraardhësit majmunë të qenieve njerëzore. Përcaktuar nga përbërja biologjike më primitive, njerëz të tillë kundërshtojnë normat kulturore e ligjore, kryejnë sjellje deviante dhe kriminale. Mjaft përfundime të teorisë së Lombrosos janë kapërcyer. Në shoqëri të ndryshme ka mjaft njerëz me tipare si ato që përshkruan Lombroso, por që janë njerëz shumë korrektë, nuk kryejnë sjellje deviante dhe kriminale.

2. Struktura e trupit dhe sjelljet deviante
Edhe autorë të tjerë të mëvonshëm janë përpjekur të zbulojnë lidhjet ndërmjet kriminalitetit dhe tipareve biologjike të mbartësve të tij. P.sh., Uiliam Sheldon mendonte se tipi mezomorfik, me trup muskulor dhe atletik, është më i prirur drejt sjelljeve deviante dhe kriminale. Mjaft sociologë arsyetojnë se një lidhje e tillë, as e vërtetuar, as e pavërtetuar, më shumë mund të shpjegohet nga ana shoqërore, se sa nga pikëpamja biologjike. Djemtë e rinj, të shkathët dhe me trupa muskulorë kanë më shumë mundësi të vihen në rolin e “garipave të lagjes ose të fshatit” dhe disa prej tyre e pranojnë këtë rol. Por, nga ana tjetër, edhe mjedisi shoqëror përreth, djemtë muskulorë dhe atletë mund t’i trajtojë si agresivë, çka i nxit ata për veprime agresive.

3. Diçka edhe nga kërkimet gjenetike
Që nga vitet ’60 të shekullit XX, përparimet e shpejta të kërkimeve në fushën e gjenetikës u shoqëruan edhe me përpjekje për të gjetur lidhjet ndërmjet përbërjes kromozomike dhe prirjeve për sjellje deviante e kriminale. Është provuar shkencërisht se gjinia përcaktohet nga kromozomet: femrat kanë dy kromozome X, kurse meshkujt nga një kromozom X dhe një kromozom Y. Është zbuluar se ndër 1000 meshkuj, njëri mund të ketë një kromozom të tretë Y. Disa studiues mendojnë se ka më shumë mundësi që meshkujt me përbërje kromozomike XYY të gjenden në burgje dhe spitale psikiatrike. Ndërsa disa studiues të tjerë arsyetojnë se një përshtypje e tillë është përhapur më shumë nga pamja e jashtme e tyre: duke qenë përgjithësisht trupmëdhenj, meshkujt me këtë përbërje kromozomike duken më kërcënues. Të dhëna të ndryshme tregojnë se shumica e meshkujve me përbërje kromozomike XYY nuk janë më agresivë dhe më të prirur për sjellje kriminale se të tjerët. Studimet e viteve të fundit tregojnë se, faktorët gjenetikë kanë njëfarë ndikimi për t’i nxitur të rinjtë të futen në rrugën e kriminalitetit. Por mjaft studiues argumentojnë se, prirje të tilla biologjike kultivohen ose zbehen dhe zhduken nga ndikimi i mjedisit shoqëror ku jeton dhe shoqërizohet individi. Për këtë, u analizuan modelet e sjelljes të 265 çifte binjakësh identikë, të cilët u shoqërizuan në mjedise shoqërore të ndryshme. Vëllezërit që u shoqërizuan me moshatarë të përfshirë në veprimtari deviante, përgjithësisht u futën në rrugën e sjelljeve deviante. Vëllezërit e tyre, që u shoqëruan me bashkëmoshatarë me sjellje korrekte, nuk kryenin sjellje deviante dhe kriminale. Teoritë biologjike të deviancës përgjithësisht kanë të meta. Ato nuk argumentojnë plotësisht lidhjet shkakësore ndërmjet tipareve biologjike dhe kriminalitetit. Gjithashtu, ato nuk shpjegojnë pse shumë njerëz, që kryejnë krime, nga ana biologjike janë fare normalë. Madje, nganjëherë janë edhe njerëz të shquar në fushën e politikës, të shkencës, të artit etj.

SHPJEGIME SOCIOLOGJIKE TË DEVIANCËS

1. Teoria e kontrollit e Trevis Hirshit
Trevis Hirshi mendonte se çdo njeri gjen së paku disa modele sjelljesh deviante që e joshin. Por parashikimi se mund të turpërohet në sytë e familjarëve, të afrëmve dhe të të njohurve, frika se mund t’i shkatërrohet karriera profesionale e shoqërore i frenon njerëzit të kryejnë sjellje deviante. Sipas Hirshit njerëzit konformohen ndaj modeleve të sjelljeve sunduese në shoqëri nën ndikimin e 4 tipave të ndryshme të kontrollit shoqëror:

1. Lidhjet shoqërore.
Përvoja tregon se lidhjet shoqërore
të forta inkurajojnë frymën e konformitetit. Në të kundërt, lidhjet e dobëta ndërmjet punonjësve në qendrën e punës dhe sidomos ndërmjet anëtarëve të familjes dhe nxënësve në shkollë u krijojnë njerëzve më shumë hapësirë për t’u përfshirë në modele sjelljesh deviante e kriminale. Edhe në shoqërinë shqiptare janë më të rrezikuar të përfshihen në veprimtari deviante fëmijët ose të rinjtë e shoqërizuar në familje problematike, me mungesë të një ose të dy prindërve, me prindër që konfliktohen shpesh ose që nuk kanë marrëdhënie të mira me shoqet dhe shokët e shkollës etj.

2. Mundësitë.
Sa më shumë një person të ketë mundësi për të
përparuar në karrierën profesionale, shoqërore, politike, artistike, sportive etj., aq më i prirur është ai të zbatojë me korrektësi kërkesat e normave kulturore dhe ligjore. Në të kundërt, nëse dikush ka pak ose nuk ka besim në të ardhmen, ai është më i prirur drejt sjelljeve deviante.

3. Angazhimi.
Përfshirja e vazhdueshme e njerëzve në veprimtari të ligjshme si puna, studimi në
shkollë, sportet, krijimtaria artistike etj. i pengon të kryejnë sjellje deviante. Përkundrazi, njerëzit që nuk përfshihen në veprimtari të tilla të ligjshme kanë më shumë kohë dhe energji për të kryer sjellje deviante. Prandaj, për t’i mbajtur sa më larg sjelljeve deviante mjaft prindër në shoqërinë shqiptare, sikurse edhe në shoqëri të tjera bashkëkohore, i angazhojnë fëmijët e tyre që në moshë të vogël në skuadra sporti ose rrethe artistike të ndryshme edhe nëse nuk premtojnë të bëhen sportistë ose artistë të shquar.

4. Besimi.
Respekti për njerëzit më me autoritet në shoqëri dhe besimi te morali tradicional
i paraardhësve i dobëson prirjet drejt sjelljeve deviante. Ndërsa njerëzit që kanë më pak respekt ndaj traditave më të mira morale të popullit joshen më lehtë nga sjelljet deviante.

2. Teoria e etiketimit
Kjo teori thekson karakterin relativ të deviancës. Sipas përfaqësuesve kryesorë të kësaj teorie, e njëjta sjellje mund të etiketohet në mënyra të ndryshme, duke u nisur nga këndshikime të ndryshme. P.sh., një djalë konviktor vesh një xhaketë, që i përket shokut të tij të dhomës, pa i marrë lejë këtij të fundit. Ky veprim mund të quhet vjedhje, d.m.th. sjellje deviante, por mund të quhet edhe marrje hua e xhaketës, pra një sjellje jodeviante. Për këtë arsye, sociologu Hauërd S. Beker theksonte se, devianca mund të përcaktohet si “sjellje siç etiketohet nga njerëzit”. Sipas teorisë të etiketimit, mendimet dhe gjykimet e njerëzve të tjerë ndikojnë shumë në mënyrën se si çdo njeri percepton veten. Përvoja tregon se, qëndrimet e sikletosura, të frikësuara ose më të njerëzishme ndaj njerëzve me të meta fizike, përgjithësisht ndikojnë që këta të bëhen më të vetëdijshëm për dallimet e tyre nga njerëzit normalë.

3. Devianca parësore dhe dytësore
Studiuesi Edvin Lemert ka argumentuar se, duke e etiketuar si devijues, një person mund të ndryshojë më vonë sjelljen e tij. Veprimin e përcaktuar fillimisht si devijues Lemert e quante deviancë parësore. Ai mendonte se, pasi një person etiketohet si devijues, një karakterizim i tillë bëhet pjesë e vetëperceptimit, e identitetit të tij. Si përgjigje ndaj një imazhi të tillë, që të tjerët kanë për të, ky person mund të kryejë një sjellje tjetër deviante, që Lemert e quante deviancë dytësore. Për të ilustruar këto ide, në studimet sociologjike përshkruhet një rast i tillë. Një vajzë e shkollës së mesme me mbipeshë u etiketua fillimisht si “e dhjamosur”. Ky etiketim ndikoi që ajo t’i shmangej veprimtarive fiskulturore në shkollë, të gënjente nënën për peshën e saj, të afrohej me shoqe të prirura për sjellje deviante. Kështu profilohej gjithnjë e më shumë identiteti devijues i kësaj vajze, si në vetëdijen e saj, ashtu edhe në mendimet e të tjerëve për të. Realizimi i deviancës dytësore shënon fillimin e asaj që Erving Gofman e ka përshkruar si karrierë deviante. Ai mendonte se, në mjaft raste njerëzit futen në rrugën e karrierës deviante pasi atyre u është ngjitur një nofkë përçmuese. Si etiketim shoqëror negativ, nofka përçmuese shpesh ndryshon rrënjësisht vetëkonceptimin e një personi, identitetin shoqëror të tij. Nofka përçmuese vë në dukje një të metë të personit që i adresohet, duke shpërfillur shumë cilësi pozitive të personalitetit të tij. Madje, shpesh edhe e kaluara e tij trajtohet nga “këndshikimi” i kësaj nofke. Përgjithësisht, nofka sajohet nga etiketimi i të tjerëve. Por, në shumicën e rasteve, vjen një çast që personi i prekur nga nofka fillon të mendojë se e meriton atë për shkak të të metave dhe të dështimeve personale. Shpesh, në jetën e përditshme edhe njerëz të shëndetshëm, por që nuk përshtaten, tekanjozë etj., etiketohen si “të sëmurë mendorë ose psikikë”. Kështu ndodh shpesh në shoqërinë shqiptare. Në mjaft raste, këto etiketime synojnë të ushtrojnë trysni në njerëz të tillë, që të veprojnë në përputhje me vlerat dhe normat kulturore sunduese të shoqërisë. Përvoja jetësore tregon se nofkat përçmuese janë më të dëmshme në shoqëritë me sistem lidhjesh fisnore më të forta. P.sh., në shoqërinë shqiptare të ditëve tona ende hija e rëndë e ndonjë nofke përçmuese prek jo vetëm personin që i adresohet, por edhe familjarë e të afërm të tij. Shpesh nofka të tilla shkaktojnë konflikte problematike.

FUNKSIONET SHOQËRORE TË DEVIANCËS

1. Devianca dhe pohimi i vlerave kulturore
Çdo shoqëri nuk mund të funksionojë dhe të zhvillohet pa sistemin e vet të vlerave kulturore. Dyrhejmi mendonte se, koncepti për atë që është moralisht e drejtë nuk mund të ekzistojë pa konceptin përkatës për atë çka është moralisht e gabuar. Sipas tij, edhe sjelljet e ndryshme deviante të individëve të caktuar, veçanërisht rrjedhojat e tyre të dëmshme, i ndihmojnë shumicën e anëtarëve të shoqërisë të kuptojnë më mirë rëndësinë e vlerave kulturore, domosdoshmërinë e zbatimit me korrektësi të normave kulturore për funksionimin e shoqërisë. Kësisoj, edhe sjelljet deviante tërthorazi luajnë rol të rëndësishëm për shoqërizimin e shumicës së anëtarëve të shoqërisë. P.sh., në shoqërinë shqiptare vrasjet për hakmarrje dhe gjakmarrje shkaktojnë trauma të rënda ekonomike, shoqërore e psikologjike për familje e fise të tërë dhe veçanërisht për fëmijët e tyre, të cilët detyrohen të ngujohen. Duke pasur parasysh rrjedhoja të tilla, shqiptarët vetëdijësohen akoma më shumë për rëndësinë e respektimit me korrektësi të vlerave dhe normave kulturore e ligjore për ruajtjen e jetës dhe të dinjitetit të tjetrit.

2. Sjelljet deviante dhe përcaktimi i kufijve moralë
Çdo shoqëri, madje çdo grup shoqëror, ka përfytyrimet e veta për modelet e sjelljes, që quhen deviante ose jodeviante. Ndërmjet modeleve të tilla të sjelljes ka një kufi, i cili sipas rastit është më i dukshëm ose më pak i dukshëm. Për të qartësuar kufij të tillë ndikojnë edhe sjelljet deviante. P.sh., në mjaft shoqëri bashkëkohore përdorimi nëpër lokale i pijeve alkoolike në një masë të caktuar lejohet, pasi nuk trajtohet si sjellje deviante. Por, kur dikush e kalon masën në përdorimin e alkoolit, u krijon shqetësime të tjerëve. Në këtë çast, sjellja e tij bëhet deviante dhe të tjerët reagojnë në forma të ndryshme kundërshtuese ndaj tij. Sjellje dhe qëndrime të tilla kundërvepruese u mësojnë shumicës së anëtarëve të vetëdijshëm të një grupi shoqëror, të shoqërisë në tërësi kufijtë ndërmjet sjelljeve të moralshme dhe të pamoralshme, përkatësisht të pranuara dhe të kundërshtuara në një kohë të caktuar.

3. Devianca dhe forcimi i unitetit shoqëror
Përvoja jetësore tregon se, në të gjitha shoqëritë, njerëzit veprojnë në forma të ndryshme ndaj sjelljeve deviante. Shumica e njerëzve të vetëdijshëm të shoqërisë përjetojnë ndjenjën e zemëratës morale kundër sjelljeve deviante, veçanërisht ndaj atyre serioze, krimeve. Dyrhejmi arsyetonte se, duke vepruar në këtë mënyrë, njerëzit bëhen gjithnjë më të vetëdijshëm për vlerat dhe normat kulturore, që i bashkojnë ata. P.sh., veçanërisht në shoqëritë me popullsi të përzier, disa forma të sjelljeve deviante ndikojnë në forcimin e solidaritetit, të bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të grupeve të ndryshme shoqërore. Përvoja tregon se, për t’u mbrojtur nga sjelljet deviante të grupeve të tjera shoqërore, emigrantët me përkatësi kombëtare të njëjtë afrohen me njëri-tjetrin, forcojnë ndjenjën e unitetit dhe të përgjegjësisë për të përballuar së bashku vështirësitë në vend të huaj. Rilindësit tanë të mëdhenj reagonin me ndjenjë të thellë atdhetarie ndaj çdo veprimi të politikanëve shqiptarë që shmangej sadopak nga interesat e Lëvizjes Kombëtare. Qëndrime të tilla të rilindësve forconin unitetin e shumicës së shqiptarëve të përfshirë në këtë lëvizje shumë të rëndësishme për fatet e Shqipërisë.

4. Disa sjellje deviante – burim ndryshimesh shoqërore
Modele të caktuara sjelljesh deviante përfaqësojnë alternativa të tjera në krahasim me vlerat dhe normat kulturore sunduese të shoqërisë. Në rrjedhën e kohës sjellje të tilla deviante masivizohen dhe shkaktojnë ndryshime shoqërore të rëndësishme. Këto përgjithësisht janë modele sjelljesh me përmbajtje të thellë shoqërore, politike, kulturore, fetare etj. P.sh. deri në vitin 1990 në legjislacionin e shtetit socialist në Shqipëri trajtoheshin jo thjesht sjellje deviante, por krime të rënda agjitacioni e propaganda, grevat dhe demonstratat kundër regjimit në fuqi etj. Lëvizja demokratike, e nisur fillimisht nga studentët në dhjetor 1990, në shumë drejtime vinte në kundërshtim me normat ligjore të shtetit socialist në fuqi, i dhunonte ato. Por masivizimi i sjelljeve të tilla deviante, për atë kohë, me përmbajtje të thellë politike e shoqërore, jo vetëm ndihmuan për shkatërrimin e regjimit ekzistues, që ishte bërë pengesë për zhvillimin e vendit, por edhe hodhën themelet për ndërtimin e shoqërisë demokratike shqiptare.

5. Ndëshkimi dhe riedukimi
Sjelljet deviante më pak të dëmshme “dënohen” nga forca e opinionit, nga organizatat e ndryshme shoqërore, fetare, kulturore etj. Kurse njerëzit që kryejnë krime dënohen nga organet e drejtësisë me gjoba, heqje lirie etj. Shumë sociologë theksojnë rolin riedukues të burgjeve për kriminelët. Të tjerë sjellin shembuj se duke jetuar në burgje, veçanërisht të rinjtë, janë më të prirur të përvetësojnë modele sjelljesh deviante, kriminale. Përvoja tregon se edhe në vendet demokratike më të zhvilluara, njerëzit që dalin nga burgjet, përgjithësisht e kanë më të vështirë të integrohen në shoqëri. Në rrethana të tilla, mjaft prej ish të burgosurve për krime kryejnë krime edhe më të rënda. Në vendet demokratike të përparuara, sidomos gjatë katër–pesë dhjetëvjeçarëve të fundit, janë shtuar përpjekjet për gjetjen e mënyrave të reja për riedukimin e njerëzve, që kryejnë sjellje deviante dhe kriminale. Madje, për sjellje deviante me shkallë rrezikshmërie jo të lartë për shoqërinë dhe individin po shmanget edhe ballafaqimi i palëve në gjyq. Shumë mosmarrëveshje ndërmjet njerëzve, që kryejnë sjellje deviante, dhe të tjerëve, që dëmtohen prej sjelljeve të tilla, po zgjidhen me anë të ndërmjetësimit. Që nga viti 1996 një përvojë e tillë ka filluar të zbatohet edhe në Republikën e Shqipërisë.