Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Tematika 5
RACAT DHE ETNITË
1. Ç’janë racat?
Çështja e racave është nga më të diskutueshmet në shkencat biologjike, shoqërore, kulturore etj. Mjaft studiues mendojnë, se raca është një grupim i madh njerëzish, me disa tipare biologjike të përbashkëta, që trashëgohen nga njëri brez në tjetrin për periudha kohore të gjata. Dallimet kryesore biologjike ndërmjet racave, në kohën tonë, shfaqen në ngjyrën e lëkurës dhe të flokëve, në disa trajta kryesore të tipareve të fytyrës dhe në format e trupit. Në shekullin XIX shumica e biologëve mendonin, se njerëzit e planetit tonë mund të grupohen në tri raca:
Kaukazianët. Njerëzit që i përkasin kësaj race kanë përgjithësisht lëkurë të bardhë dhe flokë të butë.
Mongoloidët. Janë njerëz me lëkurë të verdhë ose kafe dhe me rrudha të dallueshme përreth syve.
Negroidët. Njerëzit me këtë përkatësi racore kanë lëkurë të zezë dhe flokë kaçurrela të ashpër.
Të gjithë njerëzit janë anëtarë të një lloji biologjik të vetëm. Ndryshimet në pamjen e jashtme trupore të tyre janë kryesisht rrjedhojë e ndikimit të kushteve të veçanta të mjediseve gjeografike të gjera, ku kanë jetuar mijëra breza të këtyre tri grupimeve të mëdha njerëzish. Shumë studiues mendojnë se, për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit në vendet me klimë të nxehtë, njerëzve iu zhvillua lëkura me ngjyrë më të zezë në krahasim me lëkurën e njerëzve, që banonin në zonat më të ftohta. Fillimisht ndryshimet biologjike të grupeve racore u përcaktuan nga kushtet e veçanta fizike, klimaterike të rajoneve të ndryshme të botës. Në procesin e zhvillimit të shoqërisë, u rritën shkallë-shkallë migrimet dhe emigrimet, e për rrjedhojë, edhe përzierja e njerëzve të racave të ndryshme. Në kushte të tilla, martesat e njerëzve me përkatësi racore jo të njëjtë u shtuan. Pasardhësit, që lindnin nga martesa të tilla, kanë përbërje gjenetike të përzier dhe shpesh tipare biologjike të jashtme të përziera. Si rrjedhojë e përzierjeve të shumëfishta, të kohëpaskohshme, në ditët tona është vështirë të flitet për raca gjenetikisht të pastra. Kjo duket edhe në “gërshetimin” e tipareve të paraqitjes së jashtme të popujve të ndryshëm. Aktualisht, kaukazianët kanë lëkurë me ngjyrë, që luhatet nga shumë e çelët në shumë të mbyllur. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mongoloidët dhe negroidët. Disa kaukazianë kanë lëkurë më të errët se negroidët. P.sh., kaukazianët e Indisë Jugore kanë lëkurë dhe flokë me ngjyrë të errët, kurse aborigjenët negroidë të Australisë shpesh kanë flokë biondë. Shumë studiues mendojnë, se veçanërisht në vendet me popullsi më të përzier, mjaft njerëz me ngjyrë të zezë kanë një përpjesëtim të madh të gjeneve kaukaziane dhe e kundërta. Si rrjedhojë e zhvillimeve të tilla biologjike, raca nuk është me një çështje “bardhë e zi”. Shumica e popullsive me të njëjtën përkatësi racore kanë jetuar më pranë njëra – tjetrës për mijëra vite. Në proces janë krijuar disa tipare kulturore, që e dallojnë njërën racë nga tjetra. P.sh., në kohët moderne popullsia e racës kaukaziane e ka më të zhvilluar shpirtin konkurrues se popullsitë me përkatësi racore mongoloide.
2. Etniciteti
Në studimet sociologjike etniciteti përcaktohet si trashëgimi kulturore e një kategorie njerëzish. Sikurse raca, edhe etniciteti i dallon njerëzit nga njëri – tjetri në një popullsi të caktuar. Përgjithësisht, anëtarët e një grupi etnik kanë të përbashkët origjinën stërgjyshore, kulturën, gjuhën, fenë etj. Raca dhe etniciteti janë koncepte të dallueshme. Raca ka të bëjë kryesisht me tiparet biologjike të grupeve njerëzore të mëdha, kurse etniciteti shpreh formimin e veçantë kulturor të grupimeve më të vogla të popullsisë. Por, ato shpesh shkojnë paralel. P.sh., amerikanët aziatikë kanë tipare biologjike të dallueshme dhe ruajnë trashëgiminë kulturore të stërgjyshërve të tyre. Përvoja historike tregon, se tiparet e jashtme biologjike të racës ndryshojnë më ngadalë, përmes ndërrimit të disa brezave. Ndërsa etniciteti mund të ndryshojë më shpejt, nëse anëtarët e grupit etnik i përshtaten një kulture tjetër jetese.
3. Pakicat etnike
Në studimet sociologjike grup minoritar ose pakicë quhen kategori njerëzish me disa karakteristika fizike ose kulturore, që i dallojnë nga anëtarët e tjerë, të cilët përbëjnë shumicën e shoqërisë. Pakicat janë të shumëllojta. Ato mund të formohen edhe nga njerëz me të meta fizike, besimtarë të sekteve të ndryshme etj. Por, dy tiparet kryesore, mbi bazën e të cilave formohen pakicat, janë raca dhe etniciteti. Shpesh për grupe të tilla përdoren dy emërtime. Pakica kombëtare quhen grupime të popullsisë, të cilat jetojnë brenda një shoqërie tjetër, por që kanë lidhje të ngushta me popullsinë e shtetit “amë”, janë fqinje me të. Të tilla mund të quhen pakicat greke dhe maqedonase, që jetojnë në Republikën e Shqipërisë. Ndërsa pakicat etnike kanë përgjithësisht lidhje më të zbehta me shumicën e popullsisë së vet. Një pakicë të tillë në Republikën e Shqipërisë e formojnë romët.
Grupet shoqërore të pakicave kanë dy karakteristika kryesore:
E para. Identiteti i dallueshëm. Pjesa e identitetit, që ka të bëjë me tiparet e racës, është më e dukshme dhe ndryshon shumë ngadalë. Ndaj, anëtarët e pakicave janë më të vetëdijshëm për përkatësinë e tyre racore. Ndërsa etniciteti është më pak i dukshëm. Në shoqëritë me popullsi më të përzier, si ajo e Kanadasë, e SHBA etj., shumë njerëz e kanë “braktisur” etnicitetin e tyre, sikurse mjaft të tjerë i kanë ruajtur traditat kulturore edhe duke forcuar ndërmjet tyre unitetin mbi baza etnike. Përgjithësisht, anëtarët e pakicave priren të martohen me njëri–tjetrin. P.sh., në SHBA, edhe në ditët tona është i vogël numri i martesave ndërmjet bashkëshortëve me përkatësi racore të ndryshme. Përvoja tregon, se martesat brenda pakicave racore ose etnike ndikojnë shumë në ruajtjen e traditave të tyre kulturore. Nëse njerëzit do të martoheshin pa marrë parasysh racën dhe etnicitetin, grupet racore dhe etnike do të zhdukeshin brenda disa brezash.
E dyta. Varësia ose nënshtrimi. Pakicat racore ose etnike kanë përgjithësisht vendin më të shpërfillur në sistemin e shtresimit të çdo shoqërie. Jo rrallë anëtarët e këtyre grupeve janë më pak të arsimuar, kanë të ardhura, prestigj profesional dhe ndikim më të pakët në shoqëri. Por, ndërmjet tyre ka edhe shumë të pasur, si p.sh., disa njerëz me ngjyrë në SHBA. Megjithëkëtë, edhe këta të pasur trajtohen me shpërfillje në disa drejtime. Në historinë e shoqërisë njerëzore ka pasur raste kur pakicat i janë imponuar shumicës së anëtarëve të shoqërisë. P.sh., deri në fillim të viteve 1990 të bardhët në Republikën Jugafrikane kontrollonin pothuajse gjithë jetën e vendit, megjithëse nuk përbënin më shumë se 20 % të popullsisë.
MARRËDHËNIET NDËRMJET GRUPEVE RACORE DHE ETNIKE
1. Ç’janë paragjykimet?
Përgjithësimet e paargumentuara për një grupim njerëzish quhen paragjykime. Paragjykimet mund t’u drejtohen klasave ose shtresave të caktuara shoqërore, grup–moshave, grupimeve të caktuara politike etj. Por më të përhapura, më të qëndrueshme dhe më shqetësuese kanë qenë dhe janë ende paragjykimet racore, etnike ose kombëtare. Studiuesit kanë zbuluar, se shumica e njerëzve janë më të prirur të krijojnë mendësi vlerësuese për njerëzit e tjerë, që ngjajnë më shumë me ta, dhe paragjykime shpërfillëse, përçmuese për njerëzit, që dallohen më shumë prej tyre nga pamja e jashtme, formimi kulturor dhe psikologjik etj. Paragjykimet me natyrë racore ose etnike janë të pranishme pothuajse në të gjitha shoqëritë. Por, dendësia dhe forca vepruese e tyre nuk janë të njëjta në shoqëri dhe në kohë të ndryshme. Gjatë 4 mijë vjetëve të fundit të historisë së shoqërisë njerëzore, izraelitët janë ndoshta populli më i paragjykuar në shumicën e shoqërive ku kanë punuar dhe jetuar. Këtë ide e provon edhe eksperimenti i kryer në vitin 1940 nga një sociolog kanadez. Ai u dërgoi 100 hoteleve dhe shtëpive të pushimit, që propozoheshin nga një gazetë e qytetit të Torontos, dy letra të njëjta, nëpërmjet të cilave u kërkohej të rezervonin një dhomë për një datë të caktuar. Të dy llojet e letrave u postuan në të njëjtën kohë, por lloji i parë i letrave nënshkruhej me mbiemrin anglez Lokud, kurse lloji i dytë i letrave firmosej me mbiemrin gjermano – izraelit Grinberg. Ai mori 95 përgjigje nga lloji i letrës së parë, prej të cilave 93 i rezervonin “zotit Lokud” një dhomë. Ndërkohë nga letra e llojit të dytë mori vetëm 52 përgjigje, nga të cilat vetëm 36 i ofronin “zotit Grinberg” një dhomë sipas kërkesës së tij. Pa e njohur fare, shumica e pronarëve ose e administratorëve të hoteleve nuk e pranuan “zotin Grinberg”, vetëm sepse ata kishin paragjykime përçmuese për izraelitët si popull. Dhe kjo ndodhte në Kanada, që është një nga vendet me marrëdhënie më të mira ndërmjet njerëzve me përkatësi racore dhe etnike të ndryshme.
2. Forma të shfaqjes së paragjykimeve
Një formë mjaft e përhapur e paragjykimeve janë stereotipat. Në studimet sociologjike stereotipat përcaktohen si përshkrime të kategorive të ndryshme të njerëzve, të cilat vazhdojnë edhe përballë fakteve, që i kundërshtojnë. P.sh., shumë njerëz kanë kuptim stereotipik për të varfrit si njerëz dembelë, dredharakë, të papërgjegjshëm, të cilët, megjithëse mund t’i dalin zot vetes, parapëlqejnë të jetojnë me ndihmë shoqërore. Por, ky stereotip nuk përputhet me faktet: shumica e njerëzve të varfër në vendet e zhvilluara janë fëmijë dhe pleq ose edhe të tjerë që punojnë shumë, por nuk janë të suksesshëm. Stereotipat paragjykues për racat, grupet etnike, pakicat kombëtare etj., janë të përhapur në shumicën e shoqërive. P.sh., gjermanët, pasues të regjimit hitlerian, propagandonin paragjykimin stereotipik, se “izraelitët si qenie të ulëta shoqërore, nuk mund të konkurronin me gjermanët për nga mençuria”. Në të vërtetë, shumë të dhëna provojnë se, veçanërisht gjatë shekullit XX, izraelitët janë një nga popujt, që kanë demonstruar nivele të larta inteligjencie. P.sh., izraelitët i kanë dhënë njerëzimit shumë shkencëtarë të shquar nobelistë. Një nga format më të skajshme dhe më problematike të paragjykimeve është racizmi, d.m.th., besimi se racat kanë më shumë ose më pak përparësi apo mangësi gjenetike në krahasim me njëra-tjetrën. Besime të tilla nuk janë provuar nga studimet shkencore. Asnjë racë nuk është gjenetikisht më e mirë ose më e keqe se të tjerat. Idetë raciste kanë qenë dhe janë mjaft të përhapura ndër të bardhët. Deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore pikëpamje të tilla i kanë shërbyer shteteve më të fuqishme të Europës për shfrytëzimin e popujve më të varfër të kontinenteve të tjera. Racizmi u zhvillua në pamjen më të skajshme nga regjimi nazist në Gjermani e viteve 1933-1945. Nazistët shpallën racën “ariane”, me flokë të verdha dhe sy të kaltër, si racën më të pastër. Sipas tyre, duke qenë se kishte cilësi dhe nivel më të lartë inteligjencie, raca ariane duhej të drejtonte dhe të sundonte botën. Me ide të tilla, nazistët hitlerianë u përpoqën të justifikonin luftën e tyre çnjerëzore për të spastruar njerëzimin nga “racat me gjak të papastër”, si izraelitët, sllavët, romët etj. Edhe në ditët tona prania e emigrantëve me ngjyrë në vendet e Europës Perëndimore nxit ndjenjat raciste të njerëzve të bardhë.
3. Diskriminimi
Në studimet sociologjike diskriminimi përcaktohet si trajtim i diferencuar i grupimeve të ndryshme të njerëzve në shoqëri. Ndërsa paragjykimet kanë të bëjnë kryesisht me pikëpamjet dhe bindjet, diskriminimi shfaqet më shumë si veprimtari praktike. Diskriminimi quhet pozitiv nëse përkrahen në forma të ndryshme grupime të caktuara të popullsisë. P.sh. në Republikën e Shqipërisë herë pas here u dhurohen libra dhe pajisje mësimore fëmijëve romë, egjiptianë dhe jo fëmijëve shqiptarë. Diskriminimi është negativ nëse keqtrajtohen kategori të tjera të popullsisë. Në Europës praktikisht emigrantët afrikanë pengohen në karrierën e tyre profesionale dhe sidomos politike e shoqërore. Diskriminimi institucional realizohet prej institucioneve të ndryshme të shoqërisë. P.sh., deri në vitin 1954 diskriminimi i banorëve me ngjyrë mbrohej me ligj në SHBA. Në mjaft vende, ligje të tilla kanë penguar për shekuj me radhë zhvillimin e aftësive fizike dhe mendore të njerëzve me ngjyrë, kanë penguar përparimin e tyre. Megjithatë ka ndryshime pozitive të mëdha. P.sh., Barak Obama u zgjodh dy hetë president i ShBA, nga viti 2009 – 2017.
Në ditët tona, në të gjitha shtetet e botës nënshtetasit janë të barabartë para ligjit, pavarësisht nga përkatësia racore ose etnike. Kjo është një arritje e madhe në luftën për emancipimin e gjithë njerëzimit. Megjithëkëtë, edhe në vendet demokratike më të zhvilluara, ende janë vepruese forma të ndryshme të paragjykimeve dhe diskriminimeve. Ndodh kështu për dy arsye kryesore: E para, ndryshimet në mendësitë dhe modelet e sjelljes së njerëzve janë të ngadalshme. Shpesh duhet të ndërrohen disa breza për të harruar disa modele sjelljesh të rrënjosura thellë në vetëdijen e njerëzve. E dyta, edhe vetë njerëzit me ngjyrë e kanë të vështirë t’i kapërcejnë shpejt pasojat e shumanshme të diskriminimit për periudha kohore të gjata, siç janë varfëria, mangësitë e theksuara në shkollim etj. Vetë ata lipset të çlirohen nga paragjykimet nënvlerësuese për racën e tyre, që ia kanë diktuar të tjerët.
MARRËDHËNIET NDËRMJET SHUMICËS DHE PAKICAVE ETNIKE NË SHOQËRITË MODERNE
Shumë shoqëri të kohës moderne karakterizohen nga një shkallë e lartë e përzierjes së popullsive me përkatësi racore dhe etnike të ndryshme. Funksionimi dhe zhvillimi i shoqërive të tilla përcaktohet në një masë të madhe nga marrëdhëniet ndërmjet grupimeve të ndryshme të popullsisë, veçanërisht ndërmjet shumicës dhe pakicave. Shumë sociologë mendojnë, se marrëdhënie të tilla, përgjithësisht mjaft të ndërlikuara, zhvillohen në katër forma kryesore.
1. Pluralizmi
Pluralizmi i përgjigjet një gjendjeje, në të cilën të gjitha grupet racore ose etnike kanë mundësi të barabarta në shoqëri. Përgjithësisht, pluralizmi është një model marrëdhëniesh që, jo vetëm nuk krijon konflikte ndërracore, ndëretnike etj., por edhe nxit zhvillimin e identitetit kulturor të çdo grupimi të popullsisë. Në ditët tona, modeli i pluralizmit zbatohet gjerësisht në shoqërinë e SHBA, të Kanadasë etj. Ligjet e këtyre shteteve u sigurojnë njerëzve, grupeve racore, etnike etj. liri dhe mundësi të gjera për të zhvilluar kulturën e tyre. Brenda qyteteve të mëdha ka grupime etnike të shumta, të cilat ruajnë dhe shfaqin traditat kulturore të paraardhësve të tyre emigrantë. P.sh., në Nju-Jork grupime të tilla formojnë pasardhësit e emigrantëve spanjollë, italianë etj. Në SHBA ka edhe emigrantë, që jetojnë për një kohë të gjatë dhe vdesin atje pa mësuar gjuhën angleze edhe si shenjë nderimi për gjuhën dhe kulturën e tyre. Mirëpo, mospërvetësimi i anglishtes i pengon këta njerëz të integrohen në shoqërinë amerikane, të përparojnë në karrierën profesionale dhe shoqërore.
2. Asimilimi
Asimilim quhet procesi, nëpërmjet të cilit anëtarët e pakicave ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës për t’iu përshtatur modeleve të kulturës sunduese të shoqërisë. Në këtë proces të shumanshëm, njerëzit mund të ndryshojnë emrin e mbiemrin e tyre, mënyrën e veshjes, vlerat e normat kulturore, gjuhën dhe fenë etj. Për shumë kohë, amerikanët i kanë karakterizuar SHBA si një “enë” të shkrirjes, të bashkimit të njerëzve me përkatësi kombëtare të ndryshme, për të formuar një mënyrë të re jetese. Procesi i asimilimit vërehet qartë në shumë familje amerikane. Brezat më të rinj janë amerikanizuar, ndërkohë që më të moshuarit përpiqen të ruajnë traditat kulturore të vendit nga kanë ardhur. Mjaft sociologë mendojnë, se në SHBA, krahas shkrirjes, mund të flitet edhe për përshtatje ndaj kulturës së grupit mbizotërues. Emigrantët, që shkuan në Amerikë, veçanërisht që nga mesi i shekullit XIX deri në ditët tona, u futën në një shoqëri të mbizotëruar nga kultura anglo–saksone e të ardhurve më të hershëm. Kështu, asimilimi shprehej si amerikanizim i mënyrës, i kulturës së tyre të jetesës. Shumë sociologë mendojnë, se edhe në SHBA procesi i shkrirjes ende nuk është realizuar sa dhe si duhet. Sipas tyre, raca dhe etniciteti mbeten “blloqet” ndërtuese të shoqërisë amerikane.
3. Veçimi
Në studimet sociologjike trajtohet edhe veçimi fizik dhe shoqëror i grupimeve të ndryshme të popullsisë. Veçimi mund të përfshijë njërën ose të gjitha anët e jetës: rrethanat e banimit, shkollat, mjediset e punës dhe ato kulturore e artistike, spitalet, deri edhe varrezat. Në disa vende me popullsi të përzier, deri në fillim të viteve 1990, afrikanëve me ngjyrë u ndalohej të futeshin në hotele ose lokale të ndryshme shërbimi për të bardhët, të përdornin autobusët, tramvajet deri edhe burimet e ujit të pijshëm për të bardhët etj. Në historinë e disa shoqërive njihen pak raste të prirjeve për vetëveçim të ndonjë grupi racor ose etnik. Përgjithësisht, veçimi u diktohet grupeve shoqërore në pakicë nga grupet shoqërore, që përbëjnë shumicën e popullsisë ose janë më të fuqishme. Shpesh, veçimi shprehet edhe si shpërfillje dhe përçmim i grupimeve të caktuara racore ose etnike. P.sh., përgjithësisht të bardhët e pasur nuk parapëlqejnë ose nuk pranojnë të kenë miqësi me afrikanët me ngjyrë. Por, shumë të pasur të bardhë punësojnë zezakë si shërbëtorë në shtëpitë e tyre.
4. Shfarosja
Në studimet shoqërore shfarosja përcaktohet si zhdukje e një grupimi njerëzish nga një tjetër nëpërmjet përdorimit të dhunës. Kjo dukuri është quajtur edhe gjenocid dhe përfaqëson formën më të skajshme të etnocentrizmit e të racizmit, një dhunim të gjithë vlerave dhe normave morale më të përparuara, që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet popujve me kultura të ndryshme. Dukuria e shfarosjes ka qenë dhe është e pranishme në shumë shoqëri njerëzore deri në ditët tona. Që nga shekulli XVI e në vazhdim kolonizatorët europianë, spanjollë, anglezë, francezë, holandezë etj., u përpoqën të krijonin perandori të fuqishme në kontinentin amerikan, duke shfarosur popullsinë vendëse. Në shumë raste, popullsia vendëse i priti europianët si miq, kurse europianët i quanin vendësit “njerëz të egër”. Ata e shtypën në mënyrë sistematike popullsinë vendëse, e vranë dhe morën nën kontroll pasurinë e tyre. Historia e shfarosjeve vazhdoi edhe në shekullin XX. P.sh., gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore regjimi hitlerian zhduku rreth 6 milionë izraelitë me pretekstin absurd, se gjoja ky popull ishte shkaktari i të gjitha të këqijave për njerëzimin. Ndërsa shqiptarët, pavarësisht orientimeve politike të djathta ose të majta, gjatë Luftës së Dytë Botërore i kanë mbrojtur izraelitët nga pushtuesit nazistë gjermanë, shpesh duke rrezikuar pasurinë dhe jetën e familjarëve të tyre.
PAKICAT KOMBËTARE DHE GRUPET ETNIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
1. Në Republikën e Shqipërisë banon pak popullsi joshqiptare
Kufijtë zyrtarë të Republikës së Shqipërisë u përcaktuan në vitin 1913. Nën ndikimin e interesave të Fuqive të Mëdha dhe të qarqeve shoviniste të vendeve fqinje, brenda kufijve që iu diktuan shtetit shqiptar mbeti rreth gjysma e tokave dhe e popullsisë shqiptare. Si rrjedhojë e kësaj padrejtësie historike, më tragjikja në Ballkan, Republika e Shqipërisë pothuajse në gjithë gjatësinë e kufijve të saj tokësore kufizohet me toka të banuara nga popullsi shqiptare, pothuajse e papërzier. Përcaktuar kryesisht nga këto zhvillime politike, gjeografike, demografike etj., brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë ka shumë pak popullsi me përkatësi kombëtare greke, maqedonase, malazeze etj. Këto grupime të popullsisë nuk janë në “kufijtë etnikë” ndërmjet shqiptarëve, nga njëra anë, dhe përkatësisht grekëve, maqedonasve dhe malazezëve, nga ana tjetër. Grupime të tilla të popullsisë joshqiptare, për arsye të ndryshme, kryesisht ekonomike, janë futur në thellësi të trojeve shqiptare dhe kanë krijuar “zona” të kufizuara të kulturave të tyre brenda shoqërisë shqiptare. Republika e Shqipërisë është një ndër 3–4 shtetet në botë që kanë popullsi etnikisht më pak të përzier.
2. Pakicat kombëtare
Sipas të dhënave të botuara nga organet statistikore të shtetit shqiptar, del se në përbërjen e popullsisë së Shqipërisë banorët me përkatësi kombëtare joshqiptare zënë një përqindje të vogël. Në vitin 1927 pakicat greke, maqedonase, malazeze etj., përbënin rreth 2.3 % të popullsisë së Shqipërisë. Ndërsa, sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë të vitit 1989, në Republikën e Shqipërisë banonin 64 816 nënshtetas me kombësi joshqiptare, që përbënin rreth 2 % të gjithë popullsisë. Shumica e tyre (58 758) ishin grekë, që banonin kryesisht në rrethin e Sarandës dhe të Gjirokastrës. Rreth 4697 ishin maqedonas, pjesa më e madhe e të cilëve banonin në zonën e Prespës. Për pakicat me kombësi joshqiptare nuk janë mbledhur të dhëna përgjithësuese në regjistrimet e popullsisë pas vitit 1999. Por, si rrjedhojë e emigrimit të përhershëm të mjaft anëtarëve të pakicave kombëtare, pesha specifike e tyre në përbërjen e popullsisë së Republikës së Shqipërisë mund të jetë pakësuar.
3. Grupet etnike
Në Republikën e Shqipërisë jetojnë prej disa shekujsh edhe grupime popullsie me përkatësi tjetër etnike. Këta kanë një varg tiparesh biologjike, psikokulturore etj., që i dallojnë nga njëri–tjetri dhe nga popullsia shqiptare. Pothuajse në të gjitha regjistrimet e popullsisë të kryera në Shqipëri gjatë shekullit XX nuk ka të dhëna zyrtare për këto grupime të popullsisë. Ndër ta disi më të përhapur janë:
1. Aromunët, të cilët thërriten shpesh edhe vlleh. Ata janë të shpërndarë në Shqipërinë e Mesme e të Jugut dhe përgjithësisht janë të besimit ortodoks.
2. Romët. Sikurse në vendet e tjera, janë të ndarë në dy nëngrupe: endacakë dhe të nguluar në rajone të caktuara. Shumica e romëve janë të besimit mysliman.
3. Egjiptianët. Shumica janë të besimit mysliman dhe banojnë në qytetet e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore.
4. Në zonën ndërmjet Shijakut dhe Durrësit jeton një grupim i vogël popullsie me origjinë boshnjake. Banorët shqiptarë të fshatrave përreth i quajnë “muhaxhirë”.
4. Marrëdhëniet harmonike ndërmjet shqiptarëve dhe pakicave
Marrëdhëniet mjaft të ndërlikuara, shpesh të brishta, ndërmjet popullsisë që përbën shumicën dhe pakicave kombëtare dhe etnike përcaktohen nga bashkëndikimi i dy faktorëve kryesorë. Së pari, nga marrëdhëniet ndërmjet shtetit të shumicës së popullsisë dhe shtetit “amë” të pakicave kombëtare dhe grupeve etnike. Këto marrëdhënie janë më vepruese, sidomos kur shtete të tilla janë fqinjë. Marrëdhënie të tilla, përgjithësisht të ndërlikuara, veprojnë në dy kahe. Nga njëra anë, ato ndikojnë në marrëdhëniet ndërmjet shumicës dhe pakicave kombëtare ose etnike. Nga ana tjetër, mënyra e trajtimit të pakicave përcakton, në një masë të ndjeshme, marrëdhëniet ndërmjet shteteve të tilla. Shkalla dhe kahu i këtyre ndikimeve ndryshojnë dukshëm kohë pas kohe. Së dyti, marrëdhëniet ndëretnike brenda një shoqërie përcaktohen në një masë të madhe nga veçoritë e formimit psikokulturor të popullsisë, që përbën shumicën etnike. Përgjithësisht, formimi psikokulturor i popujve ndryshon me ngadalësi. Ndaj, një faktor i tillë është ndoshta kryesor për ecurinë e marrëdhënieve ndërmjet grupimeve etnike në shumicë dhe pakicë.
Cili profil i formimit psikokulturor të shqiptarëve ndikon më shumë në marrëdhëniet e tyre me anëtarët e grupeve të tjera etnike? Studiues të huaj si Edith Durham, Herbert Luis etj. dhe mendimtarë shqiptar si Faik Konica, Fan Noli etj. kanë argumentuar se shqiptarët asnjëherë nuk kanë keqtrajtuar grupet shoqërore në pakicë, sepse shqiptarëve u mungon instinkti i turmave. Në kulturën tradicionale shqiptare kanë funksionuar mjaft norma kanunore që i ndalonin fiset me numër më të madh anëtarësh të keqtrajtonin fiset numerikisht më të vegjël, që i ndalonin banorët vendas të krahinës të keqtrajtonin anëtarët e një familje që vinte të banonte aty. Në këto rrethana grupet shoqërore në pakicë kanë qenë dhe janë gjithnjë të mbrojtur, të mirëtrajtuar nga fryma dhe qëndrimet humane, altruiste të shumicës së shqiptarëve. Marrëdhënie të tilla shumica e shqiptarëve kanë krijuar edhe me pakicat me përkatësi kombëtare dhe etnike jo shqiptare. Në historinë moderne të Shqipërisë nuk ka pasur prirje ose pikëpamje teorike që të përligjnin ose të nxitnin diskriminimin e pakicave kombëtare ose etnike, siç ka ndodhur ose ndodh në shumë vende më të urbanizuara të Europës. Shumë fakte jetësore dhe dokumente provojnë, se në krahasim me mundësitë që ka Shqipëria, pakicat kombëtare, etnike janë mirëtrajtuar më shumë se në çdo vend tjetër të Europës, janë më të përkrahura edhe se popullsia shqiptare. Pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë gëzojnë të gjitha të drejtat politike. Ato kanë krijuar shoqata të ndryshme politike, kulturore deri edhe partitë e tyre politike. Pothuajse në të gjitha organet drejtuese administrative të krahinave ku jetojnë pakica kombëtare ose anëtarë të grupeve etnike dhe në organet drejtuese qendrore të shtetit shqiptar, shkalla e përfaqësimit të popullsisë joshqiptare (me përjashtim të romëve) ka qenë dhe është shumë më e lartë se përqindja e tyre në përbërjen e popullsisë së vendit. Edhe në saje të lidhjeve të shumanshme me shtetin “amë”, anëtarët e pakicave kombëtare, të grupeve etnike po zhvillojnë ekonomitë e tyre private, firma tregtare, po zhvillojnë kulturën, artin, gjuhën e tyre etj. pa asnjë pengesë ligjore ose faktike.