Kurrikula
Kursi: Sociologjia Klasa 12
Identifikohu
Mësimi me video

Tematika 2 Mësimi 3: Mjedisi dhe faktorët e shoqërizimit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Tematika 2 Mësimi 3

MJEDISE DHE FAKTORË TË SHOQËRIZIMIT (II)

1. Grupet e vogla të shoqeve ose shokëve të ngushtë
Gjatë kohës që fillojnë shkollimin, fëmijët zbulojnë një mjedis të ri për veprimtaritë e tyre në grupet e vogla të shoqeve dhe shokëve të ngushtë. Këto grupe formohen nga individë, që kanë pozitë shoqërore të përafërt, interesa kryesore të përbashkëta dhe zakonisht të njëjtën moshë. Grupime të tilla quhen shpesh edhe grupe të bashkëmoshatarëve.

1.1 Rol i veçantë në shoqërizimin e adoleshentëve
Grupet e vogla të shoqeve dhe shokëve të ngushtë ushtrojnë ndikim të veçantë në shoqërizimin e fëmijëve, sidomos të adoleshentëve. Përvoja tregon se fëmijët dhe të rinjtë joshen shumë nga grupe të tilla, pasi në to e ndjejnë veten të çliruar nga detyrimet, që iu imponohen nga mësuesit dhe prindërit. Në grupet e bashkëmoshatarëve fëmijët, dhe veçanërisht të rinjtë, flasin për çështje, të cilat nuk mund t’i diskutojnë me mësuesit ose prindërit: për modën e veshjes dhe shijet muzikore, për problemet e seksit, të drogës etj. Brenda grupeve të tilla fëmijët, të rinjtë kanë pavarësi të dukshme, e cila u jep mundësi të krijojnë marrëdhënie shoqërore dhe të pohojnë personalitetin e vet, pavarësisht nga familja. Në shoqëritë bashkëkohore përgjithësisht prindërit janë shumë të interesuar për shoqet ose shokët më të afërt të fëmijëve të tyre. Shumica e prindërve përpiqen t’i afrojnë fëmijët në ato grupe, në të cilat bashkëmoshatarët kanë të njëjtën pozitë shoqërore dhe marrin edukatë të përafërt në familjet e tyre ose edhe më të mirë. Ndër shqiptarët është mjaft e përhapur urtësia “ Zgjidhe shokun më të mirë se vetja”. Prindërit përgjithësisht interesohen që shoqërizimi në grupet e bashkëmoshatarëve të mos shkojë në kundërshtim me shoqërizimin, që realizohet në mjediset familjare.

1.2 Rivalitete ndërmjet familjes dhe grupeve të vogla…
Në shoqëritë që përjetojnë ndryshime të shpejta, grupet e bashkëmoshatarëve shpesh rivalizojnë familjen në procesin e shoqërizimit. Një rivalizim i tillë është më i dukshëm tek adoleshentët. Prindërit përgjithësisht e kanë më të vështirë të përditësohen me ndryshimet e shpejta në vlerat, normat kulturore, në mënyrat e të menduarit dhe të veshjes në krahasim me fëmijët e tyre adoleshentë. Mospërputhje të tilla shpesh bëhen burim mosmarrëveshjesh ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Edhe nën trysninë e këtyre mosmarrëveshjeve të rinjtë, veçanërisht adoleshentët, priren të afrohen më shumë me grupet e bashkëmoshatarëve, të cilët i përvetësojnë më shpejt të rejat në mënyrën e sjelljes, të veshjes, në teknikat e komunikimit etj. Sociologët kanë vërejtur se grupet e vogla të shoqeve dhe shokëve të ngushtë ndikojnë më shumë në interesat afatshkurtra të adoleshentëve që kanë të bëjnë me stilin e veshjes, me shijet artistike etj. Ndërkohë prindërit vazhdojnë të luajnë rol kryesor në formësimin e aspiratave afatgjata të fëmijëve të tyre adoleshentë ,që kanë të bëjnë me arsimimin universitar, kualifikimin mbiuniversitar etj.

1.3 Shoqërizimi i parashikuar
Njerëzit shpesh i vlerësojnë grupet e bashkëmoshatarëve si grupe të brendshme, kurse të tjerët i shohin si grupe të jashtme. Përgjithësisht, individët konformohen me vlerat e normat e grupit të brendshëm dhe përpiqen të formojnë identitetin e tyre, shpesh në rivalitet me grupet e tjera të jashtme. Veçanërisht të rinjtë, shpesh i përshtaten vlerave dhe normave të një grupi të caktuar, në të cilin dëshirojnë të “futen”. Një dukuri e tillë quhet shoqërizim i parashikuar. Në studimet sociologjike shoqërizimi i parashikuar përcaktohet si proces i të menduarit dhe i përshtatjes me pikësynime për të arritur statuse dhe role të caktuara në të ardhmen. P.sh., një i ri që dëshiron të bëhet lojtar i një skuadre basketbolli fillon të stërvitet sipas kritereve të saj, para se të përfshihet në të.

2. Mjetet e komunikimit masiv
Në shoqëritë e qytetëruara të kohës tonë mjetet e komunikimit masiv si: gazeta, radio, televizioni, interneti etj., ushtrojnë ndikim të rëndësishëm në modelet e sjelljes, në mendimet dhe qëndrimet e njerëzve për çështje të ndryshme, pra në procesin e shoqërizimit të tyre. Veçanërisht televizioni dhe interneti, nëpërmjet programeve të larmishme dhe mjeteve shprehëse të shumta, përçojnë mesazhe që komunikojnë natyrshëm me grupime të ndryshme të anëtarëve të shoqërisë. Mesazhe të tilla i ndihmojnë njerëzit të njohin rolet e veçanta të të tjerëve në shoqëri, të orientohen më mirë në zhvillimet politike, të ndryshojnë dhe të zhvillojnë pikëpamjet e bindjet e tyre për probleme të ndryshme shoqërore etj. Ekrani “i vogël” i televizorit dhe i kompjuterit përcjell pa pushim në shtëpitë e njerëzve botën e madhe të nënkulturave dhe të kulturave të ndryshme. Kështu, nëpërmjet programeve të tilla informuese, argëtuese, edukuese etj., njerëzit vetëdijësohen natyrshëm e gjithnjë më shumë për qenien e kulturave të shumëllojshme në botë, të cilat i trajtojnë dhe i zgjidhin në mënyra të ndryshme problemet shoqërore, ekonomike e politike më të rëndësishme të kohës. Mjaft sociologë të komunikimit mendojnë se, në paraqitjen e një “tablloje” të tillë të kulturave realizohet ndikimi i veçantë, më i rëndësishëm i televizionit dhe internetit në procesin e shoqërizimit të anëtarëve të kulturave të ndryshme. Edhe shqiptarët, veçanërisht të rinjtë adoleshentë ndikohen shumë në jetën e tyre nga programe televizive dhe të internetit. Këtë e provojnë edhe të dhënat e një studimi–anketimi të realizuar në vitin 2016, me 1244 nxënës të shkollave të mesme të Tiranës. Rreth 76.2% e vajzave dhe 63.4% e djemve të anketuar janë shprehur se të shikuarit e filmave televizivë me akte dhune i spastron nga instinktet agresive, i nxit të urrejnë kriminelët dhe të mbrojnë njerëzit e pafajshëm. Ndërkohë 72.7% e vajzave dhe 81.3% e djemve të anketuar janë shprehur se shikimi i filmave televizivë me procese gjyqësore u kultivon ndjenjën e drejtësisë.

3. Opinioni Publik
Në shoqërizimin e njerëzve një rol të veçantë luan edhe opinioni publik. Në studimet sociologjike opinioni publik përcaktohet si tërësi pikëpamjesh të shumicës së njerëzve të një shoqërie për çështje të ndryshme, veçanërisht për ato të diskutueshme. Megjithëse grupet parësore kanë rëndësi të madhe në procesin e shoqërizimit, sjelljet e njerëzve shpesh përcaktohen edhe nga ndikimi i mendimeve të anëtarëve të tjerë të shoqërisë. Sociologu Xhorxh H. Mid argumentonte se çfarë të tjerët mendojnë ose çfarë ne mendojmë se ata mendojnë, ushtrojnë ndikime të rëndësishme në mënyrat se si ne perceptojmë veten dhe të tjerët.

3.1 Në kahun e vlerave kulturore sunduese
Opinioni publik përgjithësisht priret të reflektojë vlerat dhe normat kulturore sunduese të shoqërisë. Ndaj të gjithë ata, që veprojnë në kundërshtim me vlera e norma të tilla, “ndëshkohen” në forma të ndryshme nga opinioni publik. Madje, opinioni publik i çdo shoqërie në një periudhë të caktuar i përçmon me disa karakterizime tipike njerëzit me sjellje jokonformiste. P.sh., në shoqërinë amerikane, ata që nuk zhvillojnë shpirtin konkurrues quhen si “njerëz që po humbin karakterin”. Ndërkohë në shoqërinë shqiptare njerëzit që veprojnë ose sillen ndryshe nga “modelet e miratuara prej opinionit” quhen “të krisur”, ose “dele që ndahen nga tufa dhe që përfundojnë te ujku”etj.

3.2 Me forcë të veçantë në shoqërinë shqiptare
Në shoqërinë shqiptare të ditëve tona, opinioni publik ka forcë të madhe ndikuese në modelet e sjelljes dhe të të menduarit të njerëzve. Një ndikim i tillë i opinionit përforcohet nga njohjet e shumta vetjake të shqiptarëve, nga sistemi i lidhjeve aktive fisnore, miqësore dhe shoqërore. Në shoqërinë shqiptare opinioni shoqëror i përcillet individit, jo vetëm nga mjetet e komunikimit masiv, nga organizata e shoqata të ndryshme, por edhe i “përthyer në sytë” e të afërmve, të miqve, të shokëve dhe të të njohurve të shumtë. Shoqërizimi është një proces kompleks, që realizohet edhe në mjedise të tjera, si: organizatat fetare, shoqatat e ndryshme, vendet e punës, klubet artistike etj.