Kurrikula
Kursi: Sociologjia Klasa 12
Identifikohu
Mësimi me video

Tematika 1 Mesimi 6 Larmia Kulturore

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Sociologjia 12 Tematika 1 Mësimi 6

LARMIA KULTURORE

1. Ç’është nënkultura?
Koncepti “nënkulturë” ka të bëjë me grupimet e popullsisë që, në raport me shoqërinë, kanë të përbashkëta simbole, vlera, norma dhe modele të tjera të kulturës sunduese, por që ndryshojnë në aspekte të veçanta. Në shoqërinë bashkëkohore, nënkulturat kryesore përcaktohen nga klasat shoqërore, grup-moshat, profesionet etj. Në studimet sociologjike flitet shpesh për nënkultura të fshatarësisë, të klasës punëtore, të klasës së mesme ose të lartë, për nënkultura rinore, të grupimeve profesionale etj. Shpesh nënkulturat, veçanërisht ato profesionale, shprehen edhe në disa mënyra të veçanta të të folurit të anëtarëve të tyre.

2. Kultura shqiptare – mozaik nënkulturash
Studiues vendës dhe të huaj kanë argumentuar se kultura shqiptare është një mozaik i larmishën nënkulturash. Kjo gjendje është rrjedhim i bashkëndikimit të njëkohshëm dhe të kohëpaskohshëm të një vargu faktorësh shoqërorë, kulturorë, ekonomikë, gjeografikë, politikë etj. Ndër ta më veprues kanë qenë ose janë:

2.1 Vendndodhja
Hapësira ku kanë banuar historikisht dhe banojnë shqiptare ndodhet në kufijtë midis Perëndimit dhe Lindjes. Për këtë arsye, në realitetin shqiptar janë ndërthurur dhe ndërthuren ndikime të sistemeve kulturore të ndryshme të popujve të vendeve perëndimore dhe lindore. Përvijimi i veçorive nënkulturore përcaktohet më konkretisht nga fakti se dendësia e ndikimeve të kulturave perëndimore, lindore dhe ballkanike nuk ka qenë e njëjtë në rajone dhe në grupime të ndryshme të popullsisë së Shqipërisë. P.sh., në krahinat jugore ka qenë më i ndjeshëm ndikimi i kulturës greke, në zonat veriperendimore ndikimi i kulturës italiane, në Shqipërinë e Mesme ndikimi i kulturës turke etj.

2.2 Copëzimi feudal më i vonshëm
Në Shqipëri, deri në fillim të shekullit XX, pra më vonë se në vendet e tjera të Europës, u ruajt në një masë të madhe copëzimi feudal. Deri në këtë kohë mungonte një sistem arsimor kombëtar i njësuar. Relievi i thyer malor dhe sistemet e komunikimit mjaft të prapambetura ndikuan që popullsia e mjaft krahinave të jetonte pothuajse e veçuar nga ajo e krahinave të tjera. Kushte të tilla shtonin dhe theksonin veçoritë vendase nënkulturore në të gjitha zhvillimet shoqërore e kulturore.

2.3 Besime fetare të ndryshme
Funksionimi i pesë feve të mëdha: myslimanizmi, ortodoksia, katolicizmi, protestanizmi dhe bektashizmi. Këto predikojnë besime dhe ushtrojnë praktika fetare të ndryshme, të cilat janë të pranishme pothuajse në çdo anë të mënyrës së jetesës dhe të veprimtarisë së besimtarëve të tyre. Besimet dhe ritualet e ndryshme kanë përcaktuar në një masë të rëndësishme ndryshime në mënyrën e të menduarit dhe të jetesës së shqiptarëve sipas përkatësisë së tyre fetare. Dallime të tilla janë shprehur edhe në krijimtarinë folklorike, në artin e kultivuar etj.

2.4 Zona të pushtuara dhe të papushtuara
Në rrjedhën e shekujve hapësira shqiptare ka pasur për periudha të gjata kohore zona të pushtuara dhe të lira. Zona të tilla kishin zhvillime nënkulturore të mëvetësuara në një masë të dallueshme nga njëra – tjetra. Ndikimet e kulturave të pushtuesve, përgjithësisht, kanë qenë më të ndjeshme në zonat e pushtuara sesa në zonat e papushtuara. Në zonat e thella malore, që nuk iu nënshtruan pushtuesve, zhvillimet kulturore kanë qenë përgjithësisht më të ngadalshme, por më origjinale.

3. Ç’është kundërkultura?
Në sociologji kundërkultura përcaktohet si nënkulturë e një grupimi të popullsisë që i përmbahet me vendosmëri një ose disa vlerave kulturore, të cilat u kundërvihen atyre të kulturës sunduese. Për këtë arsye, përgjithësisht anëtarët e kundërkulturave janë ndëshkuar nga shoqëria në forma të ndryshme: janë dënuar nga opinioni shoqëror, janë kritikuar nga gazetat, nga radiot e televizionet etj. Ndaj grupeve kundërkulturore janë përdorur masa kufizuese dhe deri dhunë policore.

4. Të rinjtë dhe kundërkulturat
Në shumë shoqëri, të rinjtë janë më të prirur të formojnë grupe kundërkulturore. Në vitet 1960 në Europë, veçanërisht në SHBA, kanë pasur jehonë të gjerë lëvizjet kundërkulturore të mjaft grupeve rinore. P.sh., grupet e të rinjve amerikanë, që quheshin “hipi”, kundërshtuan me vendosmëri vlerat individualiste, konkurruese dhe materialiste të përkrahura nga shumica e amerikanëve. Hipitë parapëlqenin të jetonin së bashku dhe të ndihmonin njëri – tjetrin me frymë altruiste, duke çmuar shpirtdlirësinë e sinqeritetin më shumë se pasurinë dhe mirëqenien materiale etj. Meqenëse u përmbaheshin vlerave të tilla, shumica e hipive braktisën shtresat e mesme e të larta të shoqërisë dhe jetonin në bashkësi të mëdha kundërkulturore.

Shumica e lëvizjeve kundërkulturore të të rinjve janë shprehje e përpjekjeve të tyre për të provuar një jetë tjetër, rrënjësisht të ndryshme nga ajo e traditës së vjetër e të re. Në kërkim të një mënyre tjetër jetese, ata shpesh jepen pas bredhjeve, drogës etj. Disa grupime kundërkulturore përdorin edhe dhunë për të arritur qëllimet e tyre. Anëtarët e kundërkulturave zhvillojnë edhe folkuejt e tyre të veçantë. Këto shprehen në mënyrat e veçanta të veshjes, në etikat e sjelljes dhe të dëfrimit, në shijet artistike, muzikore etj. Mjaft anëtarë të kundërkulturave të viteve 1960 përdornin bluxhinse dhe veshje të tjera “etnike”, për të simbolizuar afrimin e tyre me njerëzit e zakonshëm të shoqërisë, dëgjonin muzikë rrokenrroll, e cila në atë kohë nuk parapëlqehej nga shumica e qytetarëve amerikanë, lyenin flokët me të gjithë ngjyrat e ylberit ose bënin tatuazhe masive etj. Në ditët tona, kundërkulturat rinore janë më pak në modë se në vitet 1960. Megjithëkëtë, ato janë të përhapura gjerësisht në SHBA dhe në mjaft vende të tjera.

5. Zhvillime të kulturës shqiptare si kundërkulturë
Në Shqipëri kundërkulturat janë shfaqur në forma të ndryshme. Në një kuptim të gjerë, gjatë periudhës disashekullore të pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, kultura përparimtare shqiptare është zhvilluar si kundërkulturë. Ajo i kundërvihej në forma të ndryshme vlerave, normave sunduese dhe trysnisë asimiluese të kulturës së diktuar nga pushtuesit. Veçanërisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare (shekulli XIX deri në shpalljen e Pavarësisë), mjaft elemente të kulturës përparimtare shqiptare u zhvilluan nga mërgimtarët shqiptarë në vende të tjera. Ajo kundërshtonte me argumente bindëse kulturën e pushtuesve. Një kundërkulturë e tillë luajti një rol shumë të rëndësishëm për mobilizimin e masave popullore në lëvizjen për çlirimin kombëtar. Shumica e veprave artistike, letrare e publicistike desidente, që u krijuan në Republikën e Shqipërisë gjatë periudhës së regjimit socialist (1945-1990), kanë qenë elemente kundërkulturore. Edhe Lëvizja Demokratike e Studentëve në dhjetor 1990 ishte kundërkulturore në raport me tërësinë e vlerave e të normave kulturore sunduese të përziera me elemente të natyrës komuniste. Një lëvizje e tillë i çeli rrugën zhvillimeve të shumanshme modernizuese të shoqërisë shqiptare.