Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 11.3: Analizë Tartufi

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 11.3

“Tartufi” Komedi me 5 akte

Personazhet
Zonja Pernelë – nëna e Orgonit
Orgoni – burri i Elmirës
Elmira – gruaja e Orgonit
Damisi – biri i Orgonit
Mariana – bija e Orgonit dhe e dashura e Valerit
Valeri – i dashuri i Marianës
Kleanti – kunati i Orgonit, vëllai i Elmirës
Dorina – kameriere e Marianës
Zoti Besnik – ftues gjyqi
Flipota – shërbëtore e zonjës Pernelë
Një oficer i policisë

Nga parathënia e veprës mësojmë se tri aktet e para të komedisë ishin luajtur në Versajë, në prani të mbretit, më 12 maj 1664 (shpesh Luigji XIV kërkonte të shihte veprat para se ato të përfundoheshin). Ai u kënaq me këtë paraqitje të parë dhe komedia u luajt në të njëjtin vit, në Rensi (Raincy). Rivalët u zgjuan dhe më të zellshmit filluan të bënin zhurmë e të klithnin kundër Molierit. Molieri, duke parë që kishte kaq shumë armiq, të cilët donin të sulmonin më  shumë atë vetë, sesa veprën e tij, e la pa shfaqur “Tartufin” për një farë kohe dhe më 1667, pasi kishte marrë leje me shkrim te mbreti, e vë përsëri në skenë, por, pas kësaj shfaqjeje, vepra u ndalua sërish. Vetëm pas 5 shkurtit 1669 vepra është luajtur pa ndërprerje në publik, pasi Molieri siguroi një urdhër me shkrim të mbretit. Guximi dhe këmbëngulja për ta shfaqur me çdo kusht para publikut këtë vepër që demaskon hipokrizinë fetare e shoqërore, e ndëshkoi Molierin me shkishërim. Ngjarjet në komedinë “Tartufi” zhvillohen në Paris, në shtëpinë e Orgonit. Një dialog, që në hyrje të komedisë, mes zonjës Pernelë dhe bashkëshortes dhe fëmijëve të Orgonit zbulon përçarjen në shtëpi: nga njëra anë, zonja Pernelë dhe Orgoni, mbrojtës të verbër të Tartufit, mashtruesit të vobektë, të cilit Orgoni i dha strehë e familje dhe, nga na tjetër, Elmira, Damisi, Mariana, Kleanti e Dorina, kundërshtarë të Tartufit, të cilët shohin qartë fytyrën e vërtetë të hipokritit. Për zonjën Pernelë, Tartufi bart aq vlera, saqë nuk mund të krahasohet me familjarët e saj:

Njeri i mirë fort që do dëgjuar,
S’durohet që ta marrë nëpër gojë
Një torollak si ti, pa mend në kokë.

Ndërsa Orgoni mendjeshkurtër, jo vetëm e ka tërë vëmendjen te Tartufi, por i tregon së bijës vendimin që ka marrë për ta bërë Tartufin bashkëshortin e saj, ndonëse i kishte premtuar se do ta martonte me Valerin, djalin që ajo dashuronte. Dorina, personazh me rol tepër të rëndësishëm në komedi, këmbëngul të mos bëhet kjo martesë. Ajo kundërshton me forcë zotërinë e saj dhe përpiqet t’i hapë sytë. Tartufi, sipas saj, është djalli, njeriu me xhinde, hipokriti e horri. Kështu, përmes fjalëve të personazheve, Molieri zgjedh fillimisht të na prezantojnë Tartufin, i cili del në skenë vetëm në aktin III, skena II. Pas daljes së tij, Tartufi do ta plotësojë portretin e tij të përbindshëm pas çdo skene: Tartufi nuk humbet rast dhe i shfaq dashurinë e tij Elmirës, gruas së mirëbërësit të tij; Damisi, që qëndron i fshehur, e dëgjon këtë bisedë dhe vendos t’i tregojë gjithçka Orgonit, i cili nuk e beson të birin, e akuzon për shpifje dhe e zbon nga shtëpia. Tartufi shfaq “përulësinë’: Fale, o qiell, sikundr’e fal dhe unë.

dhe “ndershmërinë” e tij: Edhe ndër mend ta shkoj këtë,
Tmerrohem e më ngjethet gjithë trupi…
Më vjen të çahem… Më coptohet zemra…
S’flas dot… Më zihet fryma. Kjo ‘shtë vdekje.

Për ta qetësuar nga “tronditja e madhe” që pësoi, Orgoni i kërkon Tartufit të bëhet trashëgimtari i vetëm i pasurisë së tij dhe Tartufi nuk mund t’i përgjigjej ndryshe veç:
U bëftë e perëndisë në çdo gjë!

 

 

 

 

 

“Përulësia” e servilizmi i vazhdueshëm i Tartufit e mbush me dhembshuri e gëzim shpirtin e Orgonit, ndaj ai është gati t’i falë atij gjithçka. Elmira, duke parë verbërinë e shurdhërinë e të shoqit, i duhet ta demaskojë Tartufin. Ajo arrin të zbulojë fytyrën e tij të vërtetë dhe Orgoni i kërkon të largohet nga shtëpia, por tashmë është vonë. Tartufi ka gjithë pasurinë në dorën e tij:

Të dilni ju, jam zot i mallit unë!
Shtëpia është imja, e do ta shihni
Se s’pyes për kësi intrigash t’ulta
Që kundër meje doni të kurdisni.

Tartufi nuk kënaqet me kaq, mirëbërësi “duhet shpërblyer” deri në fund: ai ka denoncuar Orgonin për tradhti ndaj mbretit dhe, së bashku me një oficer, vijnë për ta arrestuar. Mbyllja e komedisë merr një drejtim të papritur. Mbreti, duke njohur hipokritin dhe vlerësuar shërbimin dhe devotshmërinë që Orgoni kishte treguar ndaj tij në vite, ka anulluar aktfaljen e pasurisë. Sinqeriteti triumfon ndaj hipokrizisë.

Planet e hipokritit asgjësohen me ndërhyrjen e mbretit, një fund i tipit “deux ex machina”, një zgjidhje artificiale, karakteristike për pjesët teatrale të asaj kohe. Edhe në këtë komedi, si dhe në vepra të tjera të tij, Molieri nuk zgjidh konfliktin, ai është i interesuar më shumë për zhvillimin e intrigës, sesa për mbylljen e saj.

Risitë që solli Molieri
Molieri është krijuesi i komedisë klasike frënge. Ai është shkrimtari më i madh i shekullit XVII dhe, së bashku me Shekspirin, një nga dramaturgët më të mëdhenj të letërsisë botërore. Molieri është piktori i kohës së tij, ai pasqyron në vepër shoqërinë e kohës dhe satirizon veset e saj, duke goditur çdo shfaqje negative të shoqërisë dhe të njeriut në përgjithësi. Nëpërmjet teatrit të tij Molieri shprehu qëndrimin e vet për shumë probleme, si hipokrizia fetare e shoqërore, koprracia, despotizmi prindëror, degradimi moral e shpirtëror, meskiniteti e vulgariteti etj. Veprimi komik në veprën e tij rrjedh natyrshëm, shpejt, me kthesa të papritura dhe demaskimi i së keqes sjell me vete triumfin e drejtësisë. Megjithëse ndiqte parimet e klasicizmit, Molieri shpesh doli përtej rregullave të ngurta të kësaj doktrine, duke vënë themelet e një arti realist në fushën e dramaturgjisë. Molieri e afroi teatrin me jetën dhe, siç ndodh në jetë, ai nuk e ndan prerazi komiken nga tragjikja. Për Molierin është e rëndësishme t’i pëlqejë publikut dhe, duke qeshur, ta bëjë atë të vetëkorrigjohet, të arrijë katarsis-in komik (duke qeshur të kullohet, pastrohet shpirtërisht).