Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 5.2
Tragjedia “Medea”
Tragjedia “Medea” iu paraqit publikut të Athinës për herë tëparë në vitin 431 para erës sonë, në të njëjtin vit kur filloi Lufta e Peloponezit, midis Athinës dhe Spartës. Në konkurset për shfaqjet teatrore të atij viti, vepra u vlerësua vetëm me çmimin e tretë, pasi publiku i Athinës e priti ftohtë dhe i kritikuan ndryshimet që Euripidi i kishte bërë mitit.
Subjekti dhe kompozicioni i veprës
Medea është një nga tragjeditë më të bukura e më të fuqishme të Euripidit. Subjektin ai e mori nga cikli i legjendave mbi argonautët, pesëdhjetë heronjtë e famshëm që me varkën e tyre “Argo”, të drejtuar nga Jasoni, nisen për të gjetur lëkurën e dashit të artë në Kolkidë, të cilën Jasoni arrin ta marrë vetëm nëpërmjet ndihmës së Medeas, vajzës së sundimtarit të Kolkidës, e cila bie në dashuri me të. Pas shumë aventurash, Jasoni dhe Medea, të martuar dhe me dy fëmijë, vendosen në Korint. Pas disa kohësh, Jasoni e braktis Medean dhe fëmijët që kishte me të dhe martohet me vajzën e mbretit të Korintit, Kreuzën. Tragjedia e Euripidit nis atëherë kur Medea, e braktisur nga i shoqi, vendos të hakmerret në mënyrë të tmerrshme kundrejt atij që e mashtroi, e tradhtoi, e çnderoi dhe më pas e braktisi.
Tragjedia është e ndarë në pesë akte:
Akti i parë dhe i katërt kanë nga dy skena; akti i dytë dhe i tretë kanë nga tri skena dhe akti i pestë ka pesë skena.
Prologu (i cili i paraprin tragjedisë) përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë mëndesha e Medeas informon shikuesit dhe lexuesit e dramës për fatin e mjerueshëm të zonjës së saj të braktisur nga i shoqi, Jasoni, i cili është duke u përgatitur të martohet me Kreuzën, princeshën e Korintit. Në pjesën e dytë, pedagogu, duke dialoguar me mëndeshën, rrëfen se mbreti Kreont ka vendosur ta dëbojë nga tokat e Korintit të huajën nga Kolkida dhe fëmijët e saj.
Pro ode (kështu quhet pjesa hyrëse e tragjedisë greke) fillon me një këngë të korit. Në sfond dëgjohet zëri i Medeas që nga brenda shtëpisë i thërret vdekjes ta marrë atë dhe fëmijët, në një moment tjetër i uron vdekjen Jasonit, burrit të saj tradhtar dhe fëmijëve të tij. Mëndesha përpiqet se si t’i mbrojë fëmijët nga zemërimi i tmerrshëm i së ëmës. Në skenën e dytë, jepen disa dialogë lirikë midis korit dhe mëndeshës. Medea vajton fatin e saj se familja po i shkon drejt shkatërrimit. Mendesha përpiqet t’i kthejë mendjen Medeas të mos vetëvritet. Atëherë Medea i drejton hyjnive një “lutje të zezë”, duke dëshiruar me tërë fuqitë e saj, shkatërrimin e Jasonit dhe të nuses së tij të re. Mëndesha dhe kori përpiqen përsëri të ndërhyjnë për ta ndihmuar Medean që t’i heqë nga mendja këto dëshira të saj vrastare.
Episodi I (akti II, 3 skena): Medea del të flasë përpara grave korintjane. Ajo ngre zërin kundër pozitës së vështirë në të cilën ndodhej gruaja greke dhe pas kësaj përshkruan gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhej edhe vetë, por pa u treguar e dorëzuar, përkundrazi, duke deklaruar se do të hakmerret. Gratë e Korintit, nëpërmjet zërit të korit, kanë një simpati të dukshme, nuk habiten, madje e mirëkuptojnë Medean. Në skenën II ndërhyn Mbreti Kreont, i cili e urdhëron Medean të largohet menjëherë nga vendi, së bashku me fëmijët e Jasonit, por Medea, duke përdorur inteligjencën dhe pavendosmërinë e mbretit, duke u shtirë gjithashtu s’i dashamirëse ndaj tij, arrin të fitojë edhe një ditë kohë, një kohë të shkurtër, por të mjaftueshme për të vënë në jetë planin e saj hakmarrës. Në skenën e tretë, kori, në një këngë të shkurtër, tregohet i mëshirshëm me fatkeqësitë e Medeas, e cila merr fjalën duke i shpalosur natyrën e vet heroike e të pamëshirshme ndaj atij që dikur shumë e donte, por që tashmë e urrente me gjithë shpirt. Nëpërmjet strofave dhe antistrofave, kori na paralajmëron pasojat fatale të këtyre veprimeve që do të lënë jehonën e tyre në tërë shoqërinë greke.
Në episodin e dytë Jasoni vjen të takojë ish-gruan e tij. Medea shfryn të gjithë inatin e saj. Të dy ishbashkëshortët shkëmbejnë akuza kundrejt njëri-tjetrit. Arsyet e Jasonit janë të vlefshme vetëm përballë ligjeve të ngushta të pashkruara. Në ndërhyrjen e dytë, kori i bën thirrje Afërditës (perëndeshës së dashurisë), që ajo “të mos dërgojë dashuri të tepruar, por me masë e lehtësi te njerëzit, sepse dashuria e tepruar mund të shpjerë në marrëzi ose tragjedi”. Gjithashtu gratë e Koritit luten që të mos jenë kurrë të privuara nga atdheu i tyre.
Në episodin e tretë, Medea merr premtimin e mikpritjes nga Egjeu (mbreti i Athinës), më pas ajo i zbulon korit planet e saj vrastare. Në këngën e tretë, kori lutet që Medea të mos bëhet vrasëse e fëmijëve të saj, duke i hapur sytë asaj për pasojat e këtij veprimi mizor. Dy strofat dhe dy antistrofat e korit përbëjnë një këngë, e cila ndan nga ana kompozicionale dy episodet. Në strofë kori argumenton rreth vesit të keq të tradhtisë, kurse në antistrofë, kori pohon se Medea, që ka humbur gjithçka, është viktimë emblematike e shpërbërjes së vlerave më të forta që mbështetnin dikur rendin, ekuilibrin dhe harmoninë sociale greke: turpi dhe respektimi i betimit të dhënë.
Në episodin e katërt, Medea shtiret sikur bie në ujdi me Jasonin dhe sikur pajtohen, për të bërë realitet planin e saj të hakmarrjes. Nëpërmjet fëmijëve ajo i çon dhurata (një fustan të hollë dhe një kurorë të artë) nuses së re të Jasonit në shenjë paqeje e urimi. Ndërsa Jasoni, i verbuar prej narcizizmit të vet, e lë veten të rrëshqasë në kurthin e mashtrimit. Në këngën e katërt, kori vajton fëmijët e vrarë nga Medea.
Episodi i pestë përbëhet prej dy skenave dhe një ndërhyrjeje të korit që i ndan ato. Skena e parë përmban një bisedë mes pedagogut dhe Medeas dhe një monolog të protagonistes, ku ajo përpiqet të përligjë veprimet e saj hakmarrëse me fjalët: “duhet të guxoj /ta bëj këtë/ për të mos qenë e përqeshur/ duke i lënë armiqtë/ të pandëshkuar”. Brenda shpirtit të Medeas zhvillohet një luftë e ashpër dhe plot dhimbje midis etjes për hakmarrje dhe dashurisë për fëmijët. Vargjet që përcjellin këto vrulle ndjenjash të kundërta, dhënë përmes monologut, përbëjnë vargjet më të bukura të tragjedisë. Në skenën e dytë, një lajmëtar i tregon për vdekjen e Kreuzës dhe të Kreontit, por kjo vdekje nuk bën të lumtur asnjë.
Në këngën e fundit, kori thërret në ndihmë paraardhësit e fëmijëve, diellin dhe tokën (sipas legjendës, gjyshërit e Medeas nga ana e nënës) që të parandalojnë vrasjen e fëmijëve. Vrasja makabre nuk jepet drejtpërdrejtë nga Euripidi, por e nënkuptuar. Ajo raportohet përmes fjalëve të korit, si himni mitik i Inos, e cila u çmend dhe vdiq duke u hedhur në det së bashku me fëmijët. Kënga korale vjen si një thirrje ndaj problemeve të kohës dhe përcjell mesazhin se martesa është si një institucion: kur ajo nuk funksionon, siç duhet, kthehet në një sëmundje për shoqërinë. Baza e një shoqërie të shëndetshme është një familje e shëndetshme.
Eksodi përfshin skenën e fundit të aktit të pestë, në të cilin Korifeja2 i rrëfen Jasonit veprimet e tmerrshme të Medeas. Jasoni qan plot dhimbje e s’gjen ngushëllim për vdekjen e djemve, kurse Medea largohet duke fluturuar drejt Athinës e hipur në një qerre me dragonj me flakë. Ajo fajëson Jasonin si shkaktar të çnderimit të familjes, që sipas saj, është një faj tepër i rëndë. Jasoni duhet ta shpaguante fajin e tij duke vuajtur për tërë jetën i çnderuar, sepse ky ndëshkim, sipas Medeas, ishte edhe më i rëndë sesa vdekja. Kori e mbyll tragjedinë me vargjet:
Lartë në Olimp
drejton Zeusi
shumë nga ngjarjet
e gjithësisë.
Shpeshherë hyjtë
punët i bëjnë
jo si shpresojmë
ne, bijt’ e vdekjes.
(Akti V, skena V)
Tema dhe konflikti
Me figurën e Medeas, Euripidi shpalosi një qëndrim thelbësisht psikologjik që gërmon thellë brenda shpirtit human, duke nxjerrë në pah problemet ekzistenciale, dobësitë dhe momentet reflektuese të hidhura mbi gjendjen e bashkëkohësve të autorit. Euripidi lidhet fort me realitetin duke marrë elemente nga jeta e përditshme e duke paraqitur tema aktuale, si: pozita e gruas në shoqërinë greke, shthurja morale, mosrespektimi i ligjeve të shkruara e të pashkruara, pozitat e familjes greke, etj. Euripidi, madje e tronditi spektatorin duke paraqitur vuajtjen njerëzore. Në tragjedinë “Medea”, tema qendrore është hakmarrja, si ndjenjë që lind nga mosrespektimi i ligjeve morale në martesë, e cila shpie në shkatërrim familjen, bërthamën e shoqërisë.
Vepra ndërtohet nëpërmjet një konflikti të dyfishtë: për herë të parë në historinë e tragjedisë greke, kemi të bëjmë me një vepër, ku vend qendror zë konflikti i brendshëm që ndodh në shpirtin e një gruaje të tradhtuar dhe braktisur nga i shoqi, të dëbuar nga shtëpia e qyteti dhe të flakur në mes të katër rrugëve, së bashku me dy fëmijët e saj, shumë larg dhe pa mundësinë për t’u kthyer në atdhe. Këtu zhvillohet një betejë e fuqishme midis arsyes dhe pasionit, pasigurisë dhe vendosmërisë. Sytë e Medeas, të errësuar nga pasioni, e shpien atë në rrugën e shkatërrimit. Konflikti i jashtëm është ai midis Medeas dhe Jasonit e familjes së tij të re: nuses së tij dhe babait të saj, mbretit Kreont.
Medea është një personazh kompleks dhe një figurë të veçantë që të mbetet në mendje. Pavarësisht kompleksitetit të saj, nuk ka kontradikta në qenësinë e saj si personazh. Ajo i qëndon besnike rrugës që ka zgjedhur, edhe pse kryen një krim që nuk mund të përligjet, të tmerrshëm dhe barbar. Megjithatë, autori e paraqet me dashuri dhe dhembshuri figurën e saj, madje në fund ia kursen jetën.
Tipologjia e personazhit të Medeas
Medea është një tip personazhi që bashkon veçori tipike të heronjve të Sofokliut, si dhe veçori tipike të heronjve më të shquar të poemave homerike. Në skenën e fundit të tragjedisë, Jasoni njeh te Medea karakterin e saj të egër. Më pas, babai i fëmijëve të vrarë shton një mallkim me epitete, që e karakterizojnë figurën e gruas krejt negative: “zhduku, kriminele me duart e ngjyera me gjakun e fëmijëve”; kurse ajo i përgjigjet si një heroinë homerike, “S’ka dhimbje më të madhe se sa të mos vendosësh në vend nderin e përlyer. Ti nuk duhet, të çnderoje shtratin tim, të jetoje një jetë të lumtur, duke qeshur mbi mua”. Medea, e tronditur nga sjellja mosmirënjohëse dhe e pabesë e Jasonit, parapëlqen të mbahet mend më mirë si “krijuesja e të këqijave” sesa si “gruaja e shfrytëzuar dhe e refuzuar”. Ajo ka një veçori të Antigonës dhe të Akilit: ajo nuk dorëzohet, u shkon gjërave deri në fund, ajo përqafon fatin tragjik, si të vetmen zgjidhje të mundshme që i përshtatet natyrës së qenies së saj. Në disa tragjedi të shkruara nga Sofokliu, heronjtë janë të detyruar të zgjedhin midis vdekjes së mundshme (ose të sigurtë) dhe një kompromisi që, nëse pranohet prej tyre, ata do të tradhtonin konceptin që kanë për veten, të drejtat dhe detyrat e tyre. Heroi i këtyre tragjedive vendos të mos bëjë kompromis dhe ky vendim dënohet nëpërmjet këshillave, kërcënimeve dhe madje dhe forcës. Megjithatë heroi nuk dorëzohet, ai mbetet deri në fund besnik i vetvetes dhe natyrës që ka trashëguar nga të parët e tij, natyrë që përbën thelbin e identitetit të tij. Këtë veçori të heroit sofoklian e gjejmë edhe te heroina e Euripidit, ajo qëndron e bindur ndaj vendimit të marrë, edhe pse zemra i copëtohet nga dhimbja e mëdyshjet. Kur shkruan për heronjtë e Sofokliut, njëri prej studiuesve të Sofokliut i përqas ata me heronjtë e Euripidit, dhe thotë për këta të fundit se heroina si Medea dhe Fedra, pohojnë forcën e natyrës së tyre individuale, kundrejt të ngjashmëve me ta. Ata nuk mjaftohen me përshtatjen me kushtet aktuale shoqërore e intelektuale, por shpesh i tejkalojnë ato. Studiuesi thotë, se Medea, përfaqësohet heroikisht edhe pse ishte një grua e huaj dhe e refuzuar nga shoqëria. Ajo, ashtu si Ajaksi i Sofokliut, ka frikë më shumë se çdo gjë tjetër, që të bëhet qesharake në sytë e armikut. Karakteri i saj i dyfishtë është një kombinim i dhunës brutale të Akilit dhe dinakërisë së ftohtë të Odisesë dhe çka është e rëndësishme, është se ajo është e ndërgjegjshme për të dyja këto anë të karakterit të saj, kur deklaron: “Askush nuk duhet të më konsiderojë të paaftë, as të dobët apo të sëmurë (të çmendur). Tjetër është karakteri im: e dhunshme me armiqtë dhe e mirë me miqtë. Kështu sillen ata që kanë një jetë të lavdishme”. “Tragjedia nuk të mëson dorëzimin…”- thotë filozofi Niçe (Friedich Nitzsche) në një nga veprat e tij.
Idetë e veprës
Euripidi shpalos idetë e tij politike, shoqërore apo morale nëpërmjet veprave të tij. Ai e paraqiti realitetin e kohës së tij me ngjyra të gjalla. Euripidi mban një qëndrim të dyfishtë ndaj demokracisë së Athinës. Në veprën “Medea” ai glorifikon demokracinë, si rendi i lirisë dhe barazisë. Kjo jepet nëpërmjet personazhit të Egjeut, mbretit të Athinës, i cili është i vetmi që e strehon heroinën, pasi atë e dëbojnë nga Korinti dhe këtu, jodrejtpërdrejt, autori paraqet dhe kontradiktat politike midis Athinës dhe Korintit. Në veprën “Medea” përmes analizës psikologjike, me nota melankolike, autori na shpalos dëshirat e tij për një jetë më të mirë të cilat burojnë nga qëndrimi i tij skeptik ndaj realitetit të kohës. Nëpërmjet zërit të korit, ai me trishtim vë re se çdo gjë është përmbysur: drejtësia, besa, ligjet morale, madje “edhe lumenjtë nuk rrjedhin më si më parë”. Të gjitha këto simbolizojnë rënien morale dhe dekompozimin e shoqërisë.
Ne marrim mjaft informacione edhe për pozitën e gruas në shoqërinë greke; ajo është si e burgosur, nuk gëzon shumë të drejta. Në të shumtën e rasteve, ajo nuk e njeh burrin me të cilin martohet. Vetëm një grua e huaj si Medea, që s’i njeh ligjet e pashkruara të vendit, mund të reagojë kaq ashpër nëse tradhtohet ose braktiset nga i shoqi, çka nënkupton nënshtrimin e grave greke përballë situatave të tilla. Autori përpiqet të hyjë thellë në botën e saj të brendshme duke treguar dobësitë, vuajtjet, ëndrrat, dëshirat e zhgënjimet e saj duke i paraqitur të gjitha këto me vërtetësi, çka përbën veçorinë kryesore të artit të tragjedianit të madh. Kori shpesh është transmetues i drejtpërdrejtë i ideve të autorit, p.sh., me këshillat që i jep Medeas, kori na njeh me idetë filozofike të Euripidit dhe simpatinë e tij për ata heronj që u largohen pasioneve të vrullshme. Në kohën kur u shkrua, vepra “Medea”, edhe pse paraqiste me vërtetësi realitetin e kohës, nuk u kuptua dhe nuk u vlerësua sa duhet. Ky ishte fati i shumë prej veprave të Euripidit, të cilat shënojnë fundin e tragjedisë klasike greke.
INFORMACION PLUS
Legjenda e Medeas dhe Jasonit Shkëputur nga Cikli mitologjik i legjendave mbi argonautët
Në qytetin e Orkomenos të Beotisë sundonte një mbret i quajtur Atamas. Ky mbret, pasi e dëboi gruan e tij të parë, perëndeshën Nefele, hyjnesha e reve, me të cilën kishte dhe dy fëmijë: një djalë me emrin Friks dhe një vajzë me emrin Heles, u martua me një tjetër. Po njerka nuk i donte aspak fëmijët e të shoqit dhe mendonte se si të gjente mënyrën për t’i vrarë ata. Sapo e mësoi këtë, perëndësha Nefele, për të shpëtuar fëmijët e saj nga vdekja që u kanosej, u dërgoi atyre një dash me lëkurë të artë, i cili fluturonte.
Të dy fëmijët i hipën dashit dhe u larguan përgjithnjë nga shtëpia e të atit. Helesit, rrugës iu muarën mendtë dhe ra poshtë e u mbyt në det. Vendi ku ajo ra, mori më vonë emrin e saj, Helespont, vend, i cili sot njihet me emrin Dardanele. I vëllai, Friksi, e pati të pamundur ta ndihmonte të motrën. Ai fluturoi larg dhe arriti deri në Kolkidë, një krahinë që ndodhej në brigjet e Kaukazit, në lindje të Detit të Zi. Pasi shpëtoi, Friksi e bëri fli dashin dhe lëkurën e artë ia dhuroi sundimtarit të Kolkidës, mbretit Ajet, i cili e vari lëkurën në një pyll të shenjtë dhe një përbindësh i tmerrshëm, i cili nuk flinte kurrë, e ruante atë. Mbreti Ajet ishte i martuar me Eidën, dhe një prej fëmijëve të tyre ishte Medea, një vajzë e bukur dhe shumë e ditur, e cila prej hyjneshës Hekata kishte fituar dhuratën e magjistarisë. Po në këtë kohë, në qytetin Jolkos të krahinës së Thesalisë, mbreti Aison, u rrëzua nga froni nga vëllai i tij i madh, Peleu. Por Peleu, duke qenë se kishte frikë se mos djali i mbretit të shfronësuar, Jasoni, mund të hakmerrej, pranoi që t’ia kthente mbretërinë, me kushtin që Jasoni t’i sillte lëkurën e artë që ndodhej në Kolkidë. Kjo ishte një përpjekje shumë e rrezikshme, ndaj Peleu shpresonte që Jasoni të mos kthehej më gjallë në atdhe. Jasoni e pranoi propozimin e të ungjit. Ai, me ndihmën e perëndeshës Athina, ndërtoi një anije me emrin Argo dhe për ta ndihmuar u bashkuan me të 50 trimat më të famshëm të asaj kohe, ndër të cilët Herakliu, Teseu, Laerti, Kastori, Dioskurët (djemtë e Zeusit), këngëtari me famë, Orfeu, etj. Këta u quajtën Argonautë (lundërtarë të anijes Argo). Argonautët lundruan për një kohë të gjatë dhe udhëtimi ishte shumë i vështirë e plot rreziqe dhe, pas shumë peripecish, arritën në qytetin Ea të Kolkidës, i cili shtrihej në shpatet e Kaukazit. Mbreti Ajet i priti shumë mirë në fillim, por, kur kuptoi qëllimin e ardhjes së tyre, u tërbua nga inati dhe fshehurazi thuri plane për t’i vrarë. Mbreti i premtoi Jasonit se do ta ndihmonte që ai të merrte lëkurën e artë, por më parë duhej që ai ta ndihmonte Ajetin në zgjidhjen e disa problemeve.
Jasoni duhet të zbuste dy dema të egër, me thundra prej metali dhe që nxirrnin flakë nga goja, dhe, pasi t’i zbuste, t’i mbrehte në një parmendë të artë dhe të punonte me të një fushë shumë të madhe në të cilën duhet të mbjellë dhëmbët e dragoit të shenjtë të Aresit, pastaj të presë deri sa nga këta dhëmbë të rriten ushtarët dhe, në fund, po qe se i vret të gjithë këta ushtarë, lëkura e artë do ishte e tij . Për Jasonin, edhe pse ai ishte një djalë i zgjuar, trim dhe i guximshëm, kjo detyrë ishte e pamundur.
I biri i Friksit, Argu, e çoi Jasonin te Medea për të kërkuar ndihmë. Në çastin kur Jasoni paraqitet para Medeas, Hera dhe Athena u kujdesën që Erosi, zoti i dashurisë, t’ia qëllojë asaj zemrën me shigjetat e dashurisë dhe Medea u dashurua me Jasonin. Duke qenë se kishte aftësi të bënte magjira, Medea e ndihmoi Jasonin të kalonte të gjitha rreziqet. Medea i dha atij një bar që ta ruante nga zjarri i demave, më pas me duart e fuqishme ai i mbrehu në parmendë dhe punoi me ta tërë fushën. Kur nga brazdat e mbjella dolën gjigantë dhe Jasoni nuk dinte si t’i mposhte, Medea e këshilloi që të hidhte një gur të madh midis gjigantevë. Guri u bë një shkak grindjeje mes gjigantëve, të cilët nuk e panë se kush e hodhi gurin dhe kështu u vranë njëri me tjetrin. Edhe pse Jasoni i kreu të gjitha detyrat, mbreti Ajet nuk deshi t’ia jepte lëkurën e artë.
Atëherë Jasoni bindi Medean që ta ndihmonte. Pasi hynë bashkë në pyllin e frikshëm, Medea i bëri magji përbindëshit dhe e vuri në një gjumë të thellë. Ajo e porositi Jasonin që ta merrte lëkurën e artë dhe të zhdukej. Jasoni i propozoi që të lundrojë me të për në Jolk; e dehur nga dashuria ajo pranoi, duke shpresuar se do të bëhej bashkëshortja e tij. Pas tri ditësh lundrim, anija e shpejtë Argo e Jasonit u ndal në buzëderdhjen e lumit të madh të quajtur Istros (Danubi i sotëm). Jasonin dhe shokët e tij , nuk i priti pushimi i dëshiruar: nga Kolkida lundroi flota e madhe e udhëhequr nga Apsirti, vëllai i Medeas. Kur pa se nuk mund ta fitonte betejën, Jasoni përdori një dredhi. Me ndihmën e Medeas, ai i tërhoqi Apsirtin në një vend të shkretë dhe aty e vrau. Trupin e tij e preu dhe gjymtyrët i hodhi në Istros. Deri sa kolkidasit e frikësuar kërkonin dhe mblidhnin copat e udhëheqësit të tyre, anija “Argos” u largua e sigurtë. Pas lundrimit të gjatë dhe pasi vizituan ujëdhesën e magjistarës Circe (që ishte në farefisni me Medean), e cila i pastroi ata nga mallkimi i babait të Medeas për gjakun e derdhur, mbërritën në vendin e popullit të lumtur feakas. Gjatë tërë kësaj kohe, që nga çasti kur Jasoni ia premtoi në Kolkidë, Medea dëshironte vetëm një gjë: të martohej me Jasonin. Jasoni nuk dëshironte të martohej, por detyrohet ta bëjë këtë kur aty i arrin flota e kolkidasve dhe komandanti i kërkon t’i dorëzojë Medean, sepse sipas ligjeve, e bija i takonte të atit, ndërsa gruaja e martuar burrit. Kështu mbreti i feakasve, Alkinou e ftoi Jasonin që të vendosë dhe ai u martua me të ligjërisht, pasi mendonte se mund të kishte nevojë për të. Kur mbërritën në Jolkos, Jasoni i kërkoi të ungjit të respektonte marrëveshjen, por ky përpiqej ta mbante me fjalë. Medea, që tashmë ishte e martuar me Jasonin dhe ishte e etur për pushtet, i bindi vajzat e Peleut që ta thernin të atin, pasi vetë Medea, nëpërmjet magjisë do ta ringjallte, duke e bërë më të ri. Vajzat e magjepsura e vranë të atin, por Medea nuk e mbajti fjalën e dhënë. Jasoni u bë mbret dhe sundoi 10 vjet. Më pas u dëbua nga froni mbretëror nga i biri i Peleut dhe u detyrua, së bashku me Medean, të shkojnë në Korint. Nuk vonoi shumë dhe Jasoni pa se martesa me Medean nuk do t’i sillte dobi të madhe. Atje ai u dashurua me Kreuzën, të bijën e mbretit të Korintit, Kreontit dhe mbreti para se çifti të martohej e urdhëroi Medean të largohej nga qyteti.. E hidhëruar nga tradhëtia e të shoqit, ajo vendos të hakmerret, sepse mendon se kështu do të vërë në vend nderin e cënuar.
Me anë të fëmijëve, Medea i dërgon Kreuzës,si dhuratë, një veshje të helmuar, ndaj Kreuza vdes sapo e vesh atë. Edhe Kreonti , i cili përpiqet t’i vijë në ndihmë të bijës, pëson të njëjtin fat. Sipas mitit, Medea sundon si mbretëreshë në Korint, por populli i Korintit, i pakënaqur nga sundimi i saj, hakmerret duke i vrarë fëmijët. Pas këtyre vuajtjeve të tmerrshme Medea shkon te Egjeu, mbreti i Athinës dhe për mbrojtjen e ofruar i premtoi se do t’i kthejë rininë. Kur Tezeu, i biri i Egjeut, erdhi në Athinë, ajo u përpoq që ta helmojë dhe Egjeu e dëboi nga Athina. Sipas legjendes ajo zhduket në qiell, hipur në një karro të tërhequr nga dragoj me krahë. Kurse Jasoni nuk gjeti kurrë qetësi. Ai endej poshtë e lart nëpër Greqi, derisa në fund, teksa pushonte nën hijen e anijes së vjetër Argo, i bie sipër një direk prej druri dhe vdes. Miti i Argonautëve pasqyron në tërësi përjekjet e lundërtarëve grekë për të kërkuar e grabitur pasuri, dëshira e tyre për t’u futur thellë në viset e Detit të Zi, ku më vonë themeluan kolonitë e tyre për të bërë tregti dhe për t’u pasuruar.