Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 1.2: Lidhja e letërsisë me artet e tjera

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 1.2

Lidhja e letërsisë me artet e tjera

Letërsia dhe artet e tjera
Në periudha të ndryshme, letërsia ka krijuar lidhje të veçanta me disa nga llojet e artit. Më të drejtpërdrejta dhe të ndërsjellta janë marrëdhëniet e letërsisë me muzikën dhe me pikturën. Në antikitet, muzika shoqëronte domosdoshmërisht lirikën, ndërsa recitimi shoqërohej me muzikë edhe për gjininë epike. Gjithashtu, edhe poezia dramatike gjen te shoqërimi muzikor disa shprehje të efektit të saj dramatik.

Shpesh, veprat letrare shfrytëzohen në tematikën e veprave muzikore, të baletit, të pikturës ose skulpturës. Gjithashtu, jo rrallë, në vend të titullit të zakonshëm në një vepër pikture shohim të shkruara një ose disa vargje të një vepre poetike. Mund të ndodhë që titulli i një pikture të jetë marrë nga titulli i një vepre letare. Një pjesë e mirë e veprave muzikore plotësohen me tekstin gjuhësor-letrar në strukturën e tyre. Lidhjet e poezisë me muzikën shfaqen si në gjinitë muzikore vokale(1), po ashtu edhe tek ato vokalo-instrumentale(2). P.sh., edhe pse opera realizohet përmes gërshetimit të shumë arteve (skena, baleti, koreografia, regjia, orkestra, solistët, kori, dramaturgjia), lidhja kryesore mbetet ajo mes muzikës dhe letërsisë (meqë teksti në këtë gjini është i kënduar dhe i recituar).
Por, jo të gjitha tekstet letrare, shërbejnë edhe për muzikën.

Nga ana tjetër, edhe një vepër e caktuar e muzikës, ose e pikturës mund të jetë objekt frymëzimi për një vepër letrare. Psh. Eqerem Çabej ka përmendur një fragment të poemës së De Radës, si të frymëzuar nga një pikturë e njohur e kohës. Shembull tipik i veprimit të ndërsjelltë, mes pikturës dhe letërsisë, konsiderohet portreti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu

Gjithashtu, shkrimtarët janë përpjekur që me mjetet e letërsisë të arrijnë shprehësinë e muzikës ose të pikturës. Kjo ka ndodhur në disa periudha të zhvillimit të letërsisë, veçanërisht të poezisë. Poetët simbolistë i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë elementit muzikor, sidomos muzikës së Vagnerit. Një shembull të tillë në letërsinë shqipe përbën poezia e Lasgush Poradecit, e cila shquhet për magjinë e saj tingëlluese ose, e thënë ndryshe, për muzikalitetin e veçantë. Ky muzikalitet shprehet nëpërmjet formës së poezisë (kombinimit të zanoreve të hapura me ato të mbyllura, vargjeve të gjatësive të ndryshme, rimave, shenjave të pikësimit, asonancave etj.) të harmonizuar me brendinë, me kuptimin e veprës.

Gjithashtu, ndonjë drejtim letrar, si p.sh. surrealizmi, ka synuar krijimin e formave poetike të ngjashme me pamjen figurative të objekteve ose ideve të caktuara. Sidoqoftë, pavarësisht prej marrëdhënieve të tilla, që letërsia ka krijuar dhe krijon me muzikën dhe pikturën, fjala mbetet fusha kryesore dhe e vetmja, që e dallon atë nga artet e tjera.

Letërsia është një burim i pasur edhe për filmin. Si formë më e vjetër e artit, ajo i ka paraprirë filmit, e ka udhëhequr dhe frymëzuar, si në drejtim të brendisë, ashtu dhe duke i huazuar teknikat e rrëfimit. Shumë filma janë bazuar te vepra letrare (kryesisht në prozë ose dramë). Mund të përmendim regjizorin e madh, Stanley Kubrick, i cili, me përjashtim të dy filmave të parë, të gjithë të tjerët i ka të frymëzuar nga veprat letrare. Po kështu Kurosava, Spilberg-u, Forman-i, Skorcese-ja, etj. Nga ana tjetër, ka ndodhur që edhe veprat letrare të jenë shkruar duke u bazuar te filmi, si p.sh. “Tangoja e fundit në Paris”. Edhe pse filmi është një art i ri krahasuar me letërsinë, muzikën, teatrin, duke i sintetizuar të gjitha artet tjera, ai ka krijuar atë që njihet si arti kinematografik. Madje sot, shumë shkrimtarë të njohur, shkruajnë skenarë filmi dhe janë pjesë e asaj që quhet industri e filmit. E përbashkëta e letërsisë (proza dhe drama) me filmin është që të dyja këto lloje arti kanë në thelb rrëfimin, ngjarjen. Por, ndërsa në letërsi ngjarjet rrëfehen me fjalë, në film rrëfehen kryesisht përmes fotografisë, pamjes (por edhe me fjalë).