Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 1.1: Natyra dhe funksioni i letërsisë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 1.1

Natyra dhe funksioni i letërsisë

Objekti dhe natyra e letërsisë
Termi letërsi e ka origjinën nga fjala latine litera-shkronjë, që e nënkupton letërsinë si diçka të shkruar. Vështirësia për të dalluar veprën letrare nga moria e veprave të tjera është ndjerë qysh në kohët antike. Ndërkohë, studimet e ndryshme flasin qartë për lidhjet e letërsisë me fushat e tjera të dijes njerëzore. Ato kanë të përbashkët si objektin, ashtu dhe një pjesë të madhe të mjeteve me të cilat e shprehin atë. Dallimi ndërmjet tyre bëhet vetëm përmes një analize të elementeve të veprave të letërsisë dhe krahasimit të tyre me ato të dijeve e fushave të tjera.

Objekti i letërsisë, ashtu si për gjithë dijen njerëzore, është njeriu dhe bota.
Për një kohë të gjatë, letërsia është shkruar në vargje, prandaj vargu ka qenë një nga elementet përcaktuese të saj. Këtë element deri në ditët tona e ka ruajtur poezia, një nga format e shprehjes së letërsisë. Shkrimi në prozë, si shkrim artistik, letrar, është shfaqur më vonë, veçanërisht me tregimin dhe romanin. Proza, ndryshe nga poezia, e afron letërsinë me fushat e tjera të dijes, si historia, filozofia, sociologjia, etj., për nga mjetet e shprehjes. Por ekziston një dallim i rëndësishëm ndërmjet një romani historik siç është për shembull Skënderbeu i Sabri Godos dhe një libri historie.Trillimi(1) artistik dhe fantazia e shkrimtarit bëjnë që Skënderbeu si personazh të ndryshojë nga ai si figurë historike. Koha dhe hapësira në roman nuk janë ato të jetës reale, por kushtëzohen nga zgjedhjet subjektive(2) të autorit, i cili i jep më shumë rëndësi një apo disa ngjarjeve të caktuara dhe disa të tjera i kalon më shpejt apo i anashkalon.Mbi të njejtën ngjarje apo fakt historik, ai i ofron lexuesit një lloj tjetër njohjeje dhe ndjeshmërie.Kështu materiali i historisë (apo i jetës) në një vepër letrare shpreh kuptimin e vet të veçantë, por edhe kuptimin e ri që merr duke u vënë në një marrëdhënie të re brenda veprës letrare.

Për të kuptuar ç’është letërsia, duhet të dallojmë natyrën e veçantë të veprave letrare.
Si veprimtari krijuese, që shërben për të na dhënë kënaqësi dhe njohuri të veçanta, letërsia është si muzika, piktura, skulptura dhe veprimtaritë e tjera të ngjashme, të cilat i përfshijmë me një emër, art. Veprat artistike përmbajnë përvojën njerëzore mbi jetën dhe botën, të shprehur në një mënyrë që është e veçantë vetëm për to. Nëse shkencëtari dhe filozofi kanë si synim zbulimin e të vërtetës jetësore, shkrimtari nuk e zbulon, por e ilustron dhe e mishëron atë në veprën e tij, duke ndikuar mbi lexuesin me qëndrimin dhe mendimet e tij. Pra, duke lexuar një vepër letrare, lexuesi ndjen dhe përfytyron atë çka është e njohur praktikisht prej tij, por në një nivel tjetër në atë artistik. Një element me shumë rëndësi që çon në përcaktimin e natyrë së letërsisë është gjuha.

Gjuha është mjeti me të cilin krijohet vepra letrare, siç është bronxi apo mermeri për skulpturën, ngjyra për pikturën dhe tingulli për muzikën. Prandaj letërsia quhet arti i fjalës. Mirëpo një pjesë e veprave, sikurse letërsia, shprehen nëpërmjet gjuhës. Dallimi ndërmjet këtyre veprave duhet kërkuar te përdorimi i gjuhës në letërsi dhe i gjuhës shkencore.

Gjuha e shkencës
– Gjuha e shkencës është shenjuese d.m.th. ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë, një për një, midis shenjës dhe asaj çka shënohet.
– Gjuha e shkencës shpreh qëndrimin objektiv.
– Gjuha e shkencës shkon drejt rrudhjes dhe përdorimit të shenjave formula.

Gjuha e letërsisë
– Gjuha e letërsisë është e ngarkuar emocionalisht dhe shpreh qëndrimin dhe ndikimin e autorit ndaj lexuesit.
– Gjuha e letërsisë është plot kuptime të figurshme, ku një rol të madh luajnë ngjyrimet kuptimore të fjalës.
– Gjuha e letërsisë është e gjerë, e pasur dhe e larmishme.

Më i vështirë për t’u përcaktuar është dallimi ndërmjet gjuhës së përditshme dhe gjuhës së letërsisë.

Gjuha e përditshme
– Gjuha e përditshme nuk është uniforme. Ajo përfshin lloje të ndryshme si: gjuhën e folur, gjuhën zyrtare, gjuhën fetare etj.
– Gjuha e përditshme nuk është thjesht një mjet komunikimi, por përmban në vetvete botëkuptimin e folësit, shpreh botën e tij të brendshme.Ajo ka funksion shprehës, që shfaqet në mënyra të ndryshme në varësi të folësit.
Ka raste kur ajo synon të ketë një saktësi të tillë që është e ngjashme me atë të përshkrimit shkencor.

Gjuha e letërsisë
Gjuha e letërsisë i shfrytëzon rezervat e gjuhës së përditshme, i organizon ato, duke i përdorur në mënyrë më funksionale e më sistematike.
– Në gjuhën e letërsisë shkrimtari shpreh personalitetin e tij në mënyrë më të plotë se sa personat në jetën e përditshme.
– Shkrimtari shumë modele gjuhësore i gjen të përpunuara më parë, të kryera nga shumë breza paraardhësish, ndërkohë çdo vepër letrare vendos një rregull të vetin mbi materialin e saj gjuhësor.

Marrëdhëniet ndëmjet gjuhës së letërsisë dhe formave të tjera të ligjërimit janë të ngushta dhe shumë komplekse.Gjuha e letërsisë përfshin në vetvetetë gjitha tipet e ligjërimit, si dhe standartin letrar që e njohim si gjuha letrare.

Gjuha letrare ka një përdorim shumë më të ngushtë se gjuha e letërsisë. Ajo funksionon brenda rregullave të normës së caktuar me një marrëveshje të përdoruesve. Letërsia pranon një gjuhë e cila përfshin tipet e ndryshme të ligjërimit, gjuhën e grupeve sociale, profesionale, trajtat dialektorekrahinore e deri dhe përdorimet e gabuara gjuhësore. Afrimi dhe bashkimi i tyre brenda veprës letrare bëhet nga autori ose rrëfimtari, i cili përdor një gjuhë me ngjyrim emocionues, që në disa raste përcakton edhe vetë llojn letrar: p.sh., tragjedinë, komedinë, elegjinë etj. Prandaj në krahasim me gjuhën e veprave shkencore, gjuha e letërsisë është jashtëzakonisht e pasur. Si një organizim i ri gjuhësor, vepra letrare nuk ka në plan të parë krijimin e fjalëve e të shprehjeve të reja. Risija e secilës vepër qëndron në përdorimin e ri të tyre, në raportin e ri në të cilin vendosen fjalët e shprehjet gjuhësore, madje edhe temat e trajtuara më parë. Në tekstin letrar nuk kemi vetëm një kuptim, por shumë kuptime që funksionojnë njëkohësisht, duke krijuar një tërësi kuptimore. Kjo gjë e bën veprën letrare të qëndrueshme në kohë dhe që gjithmonë të lexohet e rilexohet, duke iu nënshtruar interpretimit të ri në frymën e kohës.

Funksionet dhe vlerat e letërsisë

a) Funksioni estetik
Vepra letrare shkakton te lexuesi një kënaqësi shpirtërore të një lloji të veçantë. Kënaqësia që del nga leximi i tekstit letrar, vlerësohet si një nga elementet bazë që e dallon letërsinë nga veprat e fushave të tjera. Në kohën antike thuhej se poezia është e këndshme dhe e dobishme. Në teoritë e sotme të studimit të letërsisë bëhen përpjekje që këto fjalë të përdoren në kuptimin e tyre të saktë. Kënaqësia që lind nga leximi i veprës letrare nuk duhet kuptuar si një lojë apo kalim kohe, por si një veprimtari e lartë njerëzore, që lidhet me sferën shpirtërore të saj. Dobia, gjithashtu, nuk duhet kuptuar si punë, apo mësim didaktik, (3) por si një seriozitet, që lidhet me përshtypjen artistike që fiton lexuesi gjatë leximit të veprës letrare. Kjo përshtypje është rezultat i një leximi të plotë, ku marrin pjesë ndjeshmëria dhe intelekti. Gjendja emocionale dhe shpirtërore, që krijohet gjatë leximit të plotë të veprës, quhet gjendje e përjetimit artistik.

Funksioni parësor i letërsisë është ai estetik (4), që do të thotë se ajo ngjall te lexuesi ndjenjën e së bukurës. E bukura në art qëndron më lart se e bukura në natyrë, pasi në art, ajo na jepet e plotësuar me anën shpirtërore të krijuesit. Këtej buron vlera e përhershme dhe e pazëvendësueshme e artit të letërsisë.

b) Funksioni shoqëror
Vepra letrare është krijim individual gjuhësor. Përdorimi individual i gjuhës bëhet nga individi të cilin e quajmë autor. Shpesh autori është cilësuar si një njeri i veçantë, i zgjedhur, i cili në çaste të caktuara shpirtërore frymëzohet dhe krijon veprën letrare. Këto çaste të caktuara shpirtërore, në të cilat përzihet realiteti dhe irealiteti, dikur mendohej se lidheshin me veprimin e fuqive mbinatyrore, hyjnive që përkujdeseshin për artet, ose me vetë Zotin. Procesi a gjendja kur krijohet vepra letrare, edhe sot çmohet si gjendje frymëzimi. Çështja e frymëzimit lidhet me vlerën artistike dhe me funksionin shoqëror të letërsisë. Sipas Platonit ajo është një gjendje e përhumbur, e hapur ndaj ndjenjave dhe në dëm të arsyes. Për këtë shkak ai i ka përjashtuar poetët nga shteti, si prishës të mundshëm të moralit qytetar. Më pas ai vuri kushtin që poezia, për të qenë e pranueshme në shtetin ideal, duhet të ruajë frymën e lartë morale.

Veprat letrare përfshijnë në vetvete përvoja dhe njohuri mbi dukuritë e ndryshme të natyrës dhe të shoqërisë. Veç kësaj edhe shkrimtari i përket një shtrese apo klase të caktuar shoqërore. Si përfaqësues i një shtrese shoqërore, shkrimtari në vepër (qoftë ajo poezi, roman ose dramë etj.) shpreh jo vetëm idetë dhe kundërshtitë e saj, por edhe synimet dhe aspiratat e gjithë shoqërisë njerëzore në një kohë dhe vend të caktuar. Shkrimtari i madh italian Dante Aligieri, në veprën e tij me titull “Komedia hyjnore”, ka paraqitur alegorikisht shoqërinë italiane të kohës; Balzaku, në “Komedinë njerëzore”, në mënyrë të thellë dhe realiste ka paraqitur marrëdhëniet shoqërore të shekullit XIX në Francë. Rëndësinë e veprave të letërsisë artistike e dëshmojnë edhe veprat e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë, siç janë veprat e Naimit, “Vargjet e lira” të Migjenit, të Ismail Kadaresë etj., që janë një dëshmi e shoqërisë shqiptare dhe që në vetvete ndërthurin vlera të mirëfillta letrare artistike. Lidhja mes letërsisë dhe realitetit shoqëror është e veçantë dhe e ndërlikuar. Ndonëse veprat letrare duhet të shihen dhe studiohen si përmendore të kulturës dhe burime të dijes, para së gjithash, ato duhet të studiohen si vepra artistike, që dallohen nga shfaqet e tjera të jetës shoqërore.Funksioni i letërsisë në shoqëri është gjithmonë më i gjërë se sa ai i shoqërisë në një çast historik. Nga ana tjetër, veprat letrare si krijime gjuhësore u shërbejnë në shoqëri qëllimeve të ndryshme edukative, morale, politike etj.

Shkenca për letërsinë
Gjatë zhvillimit të saj historik, letërsinë e kanë shoqëruar studime të shumta dhe të larmishme, në të cilat autorë të ndryshëm janë përpjekur ta përkufizojnë dhe të përcaktojnë natyrën e saj, të shpjegojnë rolin e saj, të analizojnë veprën letrare si të tillë. Shkenca që merret me studimin sistematik të letërsisë, quhet shkenca e letërsisë. Meqë vepra letrare është krijim i veçantë, ajo studiohet në forma dhe metoda të ndryshme. Objekt i shkencës së letërsisë, si shkencë e veçantë, është vepra letrare, historia, ligjet e krijimit, si dhe vlerat artistike të saj. Shkenca apo dija e letërsisë ndahet në tri drejtime kryesore:
• historia e letërsisë;
• teoria e letërsisë;
• kritika letrare.

Këto degë, ndonëse merren me probleme të ndryshme të veprës letrare, lidhen ngushtë me njëratjetrën dhe qëllimi i tyre është të analizojnë dhe shqyrtojnë pasurinë shpirtërore në veprat letrare të krijuara, në kohë të ndryshme.

Historia e letërsisë – është dega e shkencës së letërsisë e cila merret me studimin e veprave letrare në rrjedhën e tyre historike.

Synimi i saj kryesor është të studiojë zhvillimin historik të letërsisë së një populli ose të një epoke, përmes studimit të shkrimtarëve të veçantë dhe veprave të tyre, drejtimeve letrare.

Lidhja me degët e tjera të shkencës së letërsisë: Historia e letërsisë mbështetet në kritikën letrare, për ta karakterizuar dhe vlerësuar më mirë një vepër letrare. Duke e shpjeguar vlerën artistike të veprës dhe të shkrimtarit, ajo interesohet edhe për momentin historik në të cilën është krijuar ajo, si dhe pranimin e saj nga ana e lexuesit në kohët e mëvonshme, duke përcaktuar kështu rëndësinë e veprës në zhvillimin letrar dhe kulturor të një populli.

Ndarjet e historisë së letërsisë:
a) historia e letërsisë kombëtare (nacionale) – përcjell zhvillimin
në kohë të letërsisë së një populli. Kështu, p.sh., historia e letërsisë shqiptare përcjell letërsinë tonë, që nga vepra e parë e deri në ditët e sotme
b) historia e letërsisë krahasuese – studion lidhjet dhe raportet midis dy a më shumë letërsive, ngjashmëritë dhe dallimet midis letërsive të ndryshme (p.sh., letërsia shqiptare, ndaj letërsive europiane, etj…).
c) historia e letërsisë së përgjithshme (botërore)- përfshin në vetëvete veprat më të mira klasike të letërsive kombëtare, si kultura e gjithë njerëzimit.

Teoria e letërsisë – ose, siç quhet ndryshe, poetika – është degë e shkencës së letërsisë e cila studion ligjet dhe rregullat formuese dhe vlerësuese të letërsisë.

Synimi i saj është të studiojë tiparet e përgjithshme të veprës letrare si vepër artistike gjuhësore. Të trajtojë natyrën e veprës letrare artistike, format dhe mënyrën e shprehjes letrare, gjuhën si mjet me të cilin krijohet vepra letrare artistike, pastaj strukturën e veprës letrare, formën artistike të saj, unitetin midis formës dhe përmbajtjes së veprës letrare, d.m.th. harmoninë që ekziston midis materies gjuhësore (format e saj, tingëllimën dhe kuptimet e përgjithshme gjuhësore) dhe kuptimit që ngërthen në vetvete një vepër letrare.

Lidhja me degët e tjera të shkencës së letërsisë: Teoria e letërsisë merr parasysh edhe aspektin historik të letërsisë, zhvillimin historik të gjinive të veçanta letrare, të llojeve apo të veprave të veçanta, por pa u interesuar për zhvillimin kronologjik të veprave dhe të historisë së letërsive të veçanta.

Themelet e poetikës antike i kanë vënë filozofi grek Aristoteli në veprën e tij të njohur “Poetika”.

b) historia e letërsisë krahasuese – studion lidhjet dhe raportet midis dy a më shumë letërsive, ngjashmëritë dhe dallimet midis letërsive të ndryshme (p.sh., letërsia shqiptare, ndaj letërsive europiane, etj…).
c) historia e letërsisë së përgjithshme (botërore)- përfshin në vetëvete veprat më të mira klasike të letërsive kombëtare, si kultura e gjithë njerëzimit.

 

 

Kritika letrare – është degë e shkencës së letërsisë që merret me vlerësimin dhe gjykimin e vlerave letrare të veprës artistike. Ajo shpesh përkufizohet si ndërmjetësuese midis veprës letrare dhe lexuesit.

Synimi i kritikës letrare është të zbulojë kuptimin dhe vlerat që barten në veprat konkrete letrare të së tashmes e të së kaluarës, për t’u lehtësuar lexuesve kuptimin e plotë të tyre dhe kënaqësinë që ato ndiejnë kur i lexojnë, si dhe të vlerësojë veprën letrare.
Vepra letrare mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Kjo kushtëzon ekzistencën e formave të ndryshme të kritikës letrare.

Disa forma të kritikës letrare:
Kritika estetike – e studion dhe e vlerëson veprën letrare vetëm në aspektin estetik, duke anashkaluar vlerat e tjera të saj. Në aspektin historik, gjurmët e kritikës estetike i gjejmë në vëzhgimet e para të shprehjes gjuhësore, ku vlera e veprës artistike matej me begatinë e mjeteve shprehëse gjuhësore dhe stilistike (tropeve, figurave letrare). Më së shumti, në këtë drejtim, ka kontribuar retorika klasike greke e cila ka përpunuar terminologjinë për mjetet themelore stilistike, pjesa më e madhe e të cilave pranohet edhe nga shkenca bashkëkohore e letërsisë.

Kritika impresioniste (fr.impressionisme – përshtypje)-Lidhet ngushtë me pikëpamjen e shprehur nga disa studiues, se kritika nuk mund të jetë shkencë apo argument i qëndrueshëm, por vetëm përshtypje leximi (pasi për të njejtën vepër mund të ketë dy shkrime kritike plotësisht të kundërta). Kritika impresioniste nuk i merr parasysh faktet e mundshme, por vetëm shijen personale dhe përshtypjen e leximit nga ana e subjektit. Në kundërshtim me të, që në fillimet e kritikës, është shtruar kërkesa që ajo të kërkojë kuptimet dhe vlerat e letërsisë në mënyrë objektive.

Kritika biografike – e shpjegon veprën letrare duke u mbështetur në biografinë e shkrimtarit. Detyra kryesore e saj është rindërtimi i jetës së shkrimtarit, pasi, sipas saj, në të gjenden të gjitha fshehtësitë e punës krijuese të tij.

Kritika sociologjike – merret me analizën e tekstit, duke marrë parasysh rrethanat shoqërore në të cilat ka jetuar dhe vepruar shkrimtari. Kjo kritikë anashkalon vlerat e tjera të veprës letrare, nisur nga ideja se natyra e veprës letrare është shoqërore.

Kritika gazetareske – është formë e veçantë e kritikës letrare artistike, e cila shkruhet nëpër gazetat e përditshme dhe në ato periodike letrare e kulturore. Për nga forma e jashtme, kritika gazetareske, është pjesë e gazetarisë, kurse për nga thelbi është pjesë e letërsisë.

Në përgjithësi, në praktikë, për të nxjerrë në pah vlerat e një vepre letrare gërshetohen kritika të ndryshme dhe nuk zbatohet vetëm njëra prej tyre. Në këtë mënyrë, kritika mund të përkufizohet më shumë si një aktivitet krijues letrar, që pasuron kuptimin tonë për letërsinë.