Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 7.1
Humanizmi, Letërsia e vjetër shqipe, shkrimtarë të vjetër të Veriut
I gjithë prodhimi letrar shqiptar, që nga shekulli XV e gjer në ditët tona, për lehtësi studimi e veçanërisht për arsye historike, ndahet në dy grupe të mëdha: prodhim letrar para Lidhjes së Prizrenit dhe prodhim letrar pas Lidhjes së Prizrenit. Veprat e para kulturore e letrare, nisin që prej gjysmës së dytë të shekullit XVI deri pothuaj te fundi i shekullit XVIII dhe përmbledhin të gjithë veprimtarinë kulturore e letrare që u zhvillua në qendra të ndryshme të Shqipërisë së atëhershme. Sipas Çabejt, letërsia e vjetër shqiptare daton në shek. XVI –XVIII. Ajo ndahet në tri periudha kryesore:
Letërsia humaniste, shek. XVI, me përfaqësues kryesor Marin Barletin
Letërsia filobiblike (e bazuar në shkrimet e shenjta), shek. XVI-XVIII, me përfaqësues: Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Lekë Matrënga, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Jul Variboba e Pjetër Zarishi.
Letërsia jofetare e bejtexhinjve, shek. XVIII, me përfaqësues: Nezim Beratin, Hasan Zyko Kamberin, Muhamet Kyçykun etj.
Humanizmi në Shqipëri
Humanizmi në Shqipëri u zhvillua nën ndikimin e humanizmit italian. Përfaqësuesi kryesor i humanizmit shqiptar është Marin Barleti. Historia e letërsisë shqipe e konsideron Barletin si figurën më të shquar, me të cilën kultura shqiptare përfshihet në rrymën e madhe të humanizmit të shekujve XV-XVI. Në bazë të veprës së tij lindi një letërsi e tërë historiografike dhe artistike. Me veprën e tij, Barleti u bë jo vetëm mbrojtësi, përjetësuesi dhe himnizuesi i figurës së Skënderbeut, por dhe një nga predikuesit më të zjarrtë dhe më tërheqës të humanizmit. Me përmbajtjen e ideve progresive të veprës së tij, tregoi se procesi i Rilindjes Europiane në përgjithësi filloi të zhvillohet edhe në vendin tonë, proces që me pushtimin dhe robërimin otoman, u ndërpre.
Marin Barleti
Me veprën e Marin Barletit, lexuesi njihet me autorin e parë të letërsisë sonë, me veprën e parë të histografisë shqiptare dhe me një nga burimet më të rëndësishme për njohjen e epokës së Skënderbeut.
Jeta dhe vepra
Mbi jetën e Marin Barletit, priftit katolik nga Shkodra, nuk ka shumë të dhëna. Nuk dihet me saktësi kur lindi dhe vdiq, por nga informacioni që mund të vilet prej veprës së tij, mendohet të ketë lindur aty nga mesi i shek. XV (1450-1460), të ketë jetuar e vepruar gjatë gjysmës së dytë të këtij shekulli dhe të ketë qenë djalë i ri kur vdiq Skënderbeu. Në Rrethimin e Parë të Shkodrës (1474), ai ishte dëshmitar i ngjarjeve, ndërsa në Rrethimin e Dytë (1478), mori pjesë në luftime. Mendohet se ka vdekur më 1513.
Pas rënies së Shkodrës më 4 prill 1479, ai shkoi bashkë me të tjerë në Itali, në Venedik e në Romë, ku shkroi veprat e tij. Barleti është autor i tri veprave të shkruara në latinisht:
■ “Rrethimi i Shkodrës”, botuar në Venedik më 1504.
■ “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut”, botuar në Romë midis viteve 1508-1510.
■ “Përmbledhje e jetëve të papëve dhe perandorëve”, botuar në Romë më 1555, vepër që ia kushton Pjetër Ëngjëllit, kryepeshkop i Durrësit, të vëllait të Pal Ëngjëllit, personit që e shtyu të shkruante historinë e Skënderbeut.