Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 2.1: Folklori Vlerat dhe tiparet e tij

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 2.1

Folklori. Vlerat dhe tiparet e tij

Folklori dhe vlerat e tij
Termi folklor (ang: folk -popull dhe lore-dituri) përfshin në vetvete thesarin e traditave të një populli, psikologjinë, përshkrimin e zakoneve të tij etj. Shkenca që merret me studimin e folklorit quhet folkloristikë dhe ka për detyrë si mbledhjen, po ashtu dhe studimin e këtyre traditave.

Që në kohët e lashta, krijimet folklorike kanë ndërthurur në vetvete elemente të ndryshme të muzikës, koreografisë, letërsisë, si dhe zakone e rite (1) të ndryshme. Folklori, i parë si dukuri artistike dhe jetësore që lidhet me njeriun primitiv, është i vjetër sa vetë njeriu dhe ka lindur si nevojë e brendshme e tij. Ai ka lindur mes njerëzve që jetonin në gjirin e natyrës, që punonin tokën dhe mbarështronin bagëtinë. Më pas, me përparimin e shkencës, krijimet folklorike e humbin karakterin e tyre ritual (2) e magjik. Me zhvillimin dhe qytetërimin e njeriut, krijimi folklorik bëhet më shumë një vepër artistike se sa një vepër e ritualit fetar(3). Kjo shpjegon jetëgjatësinë e folklorit, ruajtjen e tij deri në ditët tona. Shtresa e vjetër e folklorit, ku bëjnë pjesë legjendat, përrallat, besimet e mbinatyrshme rreth botës, njeriut, jetës familjare, dukurive të natyrës, është ajo që përbën “fenë” e parë të njerëzimit apo mitologjinë.(4) Ajo është një relike shumë e çmuar, sepse bart në vetvete psikogjinë e hershme të njeriut. Krijimet e saj ruhen nga brezi në brez, jo vetëm si vepra artistike, por edhe si elemente të qenësishme që flasin për origjinalitetin e një kombi, për identitetin e tij kombëtar. Në krijimet folklorike gjejmë fuqinë krijuese të gjeniut popullor, i cili ka kënduar për atë që ka ditur, për atë që ka parë, për atë që ka ndier dhe për atë që është e njohur nga kolektivi. Meqë letërsia gojore është kultura shpirtërore më e vjetër e popullit, ajo shërben si baza dhe pikënisja e letërsisë artistike. Mjaft autorë të njohur letërsisë shqipe, si Jeronim de Rada, Gavril Dara i Riu, Çajupi, Mjeda, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Kasem Trebeshina etj., e kanë mbështetur krijimtarinë e tyre në folklor. Kjo dëshmon për pasurinë e madhe të motiveve dhe të temave që ka krijuar populli.

Tiparet e folklorit

1- Krijimet folklorike ndërthurin në vetvete elementet e tri gjinive letrare: lirike, epike dhe dramatike, p.sh., vargjet përbri, ndonëse i përkasin epikës sonë popullore, dallohen për tonet e mrekullueshme lirike, si dhe forcën dramatike.
2- Krijimet folklorike kanë karakter improvizues. Këngëtarët dhe tregimtarët popullorë nuk e respektojnë në mënyrë të saktë krijimin e lindur më parë. Ata mund ta ndryshojnë atë përmes interpretimit, mund të rikrijojnë vetë vargje, situata, dialogë, duke bërë që këngët të këndohen në variante të ndryshme.
3- Krijimet folklorike kanë karakter sinkretik. Një këngë lirike, p.sh., ndërthur brenda saj disa elemente përbërëse: tekstin, melodinë dhe vallen. Duke qenë se këngët folklorike lindin njëkohësisht si tekst dhe si melodi, vetëm përmes ekzekutimit dalin në pah vlerat estetike dhe emocionale të këngës. Në folklor nuk ka varg të recituar, por varg të kënduar.
4- Krijimet folklorike kanë karakter anonim, pasi krijuesi i parë i tyre është i panjohur. Karakteri anonim i folklorit lidhet me karakterin e tij kolektiv. Në krijimet folklorike populli ka shprehur dhe ka përgjithësuar dëshirat e veta, të cilat janë bërë pronë shpirtërore e përbashkët. Kolektivi luan rolin më të rëndësishëm, jo vetëm si bartës, por edhe si përpunues i krijimit individual. Në procesin e transmetimit gojor, nga brezi në brez, folklori pasurohet vazhdimisht, si në aspektin tematik, dhe në atë estetik.
5- Krijimi folklorik ka karakter spektakolar (teatral), pasi është i paracaktuar për t’u ekzekutuar para një mase spektatorësh.