Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 10.1 Uilliam Shekspir dhe teatri elisabetian

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 10.1

Uilliam Shekspir dhe teatri elisabetian
Në të 37 veprat e tij dramatike i gjen të gjitha llojet e njohura në dramturgjinë e kohës: që nga farsa te komedia e te drama përrallore, e gjer te afreska historike e te tragjedia. Thuajse në të gjitha dramat e tij Shekspiri s’bëhet merak të gjejë e të sajojë subjekte të reja e të mirëfillta. Ai merr shkas nga subjekte të njohura për kohën e tij, nga kronika të vjetra, nga ngjarjet e kohës, madje jo rrallë edhe nga vepra të shkrimtarëve të tjerë të kohës. Por në dorën e gjeniut ato shndërroheshin, merrnin domethënie të reja, ngarkesë të re dramatike dhe poetike.

Periudha elisabetiane
Uilliam Shekspiri mund të konsiderohet si poeti më i madh anglez dhe një nga dramaturgët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Nëse në Itali Rilindja u zhvillua deri në mesin e shek. XVI, në Europën Veriore arriti më vonë dhe përfundoi në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XVII. Në këto vite u zhvillua Rilindja angleze, ndihmuar nga mbretëresha Elisabeta I dhe frymëzuar nga kultura italiane, franceze dhe ajo klasike. Periudha elisabetiane dallon disi prej Rilindjes Europiane, për manierizmin dhe stilin barok të vonshëm. Në këtë periudhë, Anglia shënoi hyrjen e saj në kohën moderne, me shtytjen e zhvillimeve shkencore e teknologjike, siç ishin zbulimet gjeografike të Kopernikut dhe fillimet e kolonizimit të Amerikës Veriore. Mbretëria e Elisabetës shënoi kohën e Anglisë si fuqi e madhe në skenën europiane, si dhe u karakterizua nga një zhvillim i madh kulturor e civil, që u quajt në histori si “koha elisabetiane”. Ky lulëzim u shpreh në letërsi, e sidomos në teatër, mbi të gjitha me Uilliam Shekspirin, Kristofer Marloun, Ben Xhonsonin etj. Të njëjtin zhvillim pati muzika dhe arkitektura, ndikuar nga kultura e Rilindjes italiane.

Periudha elisabetiane quhet ajo periudhë historike e Anglisë, gjatë së cilës mbretëroi Elisabeta I (1533 – 1603), si dhe pasardhësi i saj Xhejmsi I, deri më 1625; kjo periudhë njohu një zhvillim të madh ekonomik e kulturor.

Gjatë mbretërimit të Elisabetës I, Anglia u bë fuqi e madhe detare. Pasuri të parrëfyeshme e prisnin sypatremburin dhe kureshtarin në botët e reja që po zbuloheshin. Jo shumë kohë më parë Anglia konsiderohej si skaji i botës, por me zbulimet dhe kolonizimin e Amerikës, u bë qendër e saj. Kjo vetëdije e re e fituar ngjalli tek ishullarët zell, dashuri e forcë për jetën, e cila u shkri me një krenari mbi gjuhën e letërsinë, sa të mund të barazohej me gjuhën italiane. Kishte ardhur koha për lindjen e një poeti të madh anglez.

Teatri elisabetian
Teatri elisabetian u quajt një nga periudhat artistike më të shkëlqyera britanike, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me dy emra: mbretëresha Elisabeta I (1533–1603), si dhe Uilliam Shekspiri (1564–1616). Teatri organizohej në mënyrë të tillë që të ndiqej nga të gjitha klasat sociale, madje shpesh ndiqeshin edhe nga vetë oborri mbretëror. Në këtë teatër gjuha angleze arriti kulmin e saj, sidomos prej veprave teatrale dhe soneteve të Shekspirit.

Jeta teatrale u përqendrua në Londër.
Amfiteatri i parë i kësaj periudhe i hapur për publikun, ishte ai i quajtur thjesht “Teatri”, i ndërtuar nga sipërmarrësi Xhejms Bërbejxh (James Burbage) dhe nga kunati i tij në lagjen periferike të Shorditshit (Shoreditch), më 1576 dhe më pas u krijuan edhe të tjerë teatro, ndër të cilët edhe Glob, 1599. Struktura arkitektonike e përafërt e teatrove “Mjellma”, “Trëndafili”, “Globi” dhe “Fati” e kishin zanafillën te bujtina e kohës së Elisabetës, sepse oborri i bujtinës ishte vendi më i përshtatshëm për aktorët endacakë, që ndaleshin atje për të recituar. Këto ndërtesa ishin të përbëra nga tri kate, me një shesh të hapur në qendër, në qiell të hapur. Skena (pa perde, që do të thotë se çdo ndryshim në skenë shihej nga spektatorët), ishte një platformë e rrethuar nga publiku në tri anët e saj, e palëvizshme, e ngritur nga toka një metër e gjysmë dhe e mbuluar me çati druri, e cila shpesh bëhej shkak për djegien e tyre, si në rastin e teatrit Glob. Në fund të skenës gjendeshin dyert e hyrjes dhe daljes së aktorëve dhe vendi i muzikantëve. Pjesa lart skenës mund të përdorej si ballkon, si p.sh., në skenën e famshme të Romeo dhe Zhuljetës, ose si një vend ku aktorët i drejtoheshin turmës, p.sh., në fjalimet e Jul Qezarit. Teatrot anglezë mund të mbanin deri në tre mijë spektatorë. Veshjet e aktorëve ishin veshje normale të kohës, të zbukuruara e me ngjyra të gjalla. Në Rilindje, me rikthimin e vëmendjes ndaj kulturës klasike, u kthye në modë tragjedia. Lindën gjithshtu edhe tragjikomedia, drama pastorale, melodrama, si burime të kombinimit midis tragjedisë dhe komedisë.