Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 2.3: Epika popullore Eposi i Kreshnikëve

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 2.3

Epika popullore. “Eposi i kreshnikëve”

Kangët e vjetra, qi njifen prej malcorvet me emnin “kangë kreshnikësh, kangë të moçme, kangë lahute”, janë visari ma i çmueshmi, shprehja ma e gjallë e shum ndiesive bujare e përfytyrimi tipik i fizjonomis së kombit tonë.
Visaret e Kombit I, f. IX, Bernardin Palaj dhe Donat Kurti

Epika popullore, nënndarjet, vlerat e saj

Epika popullore mund të ndahet në: epikë legjendare dhe epikë historike.
Në epikën legjendare përfshihen këngët e ndryshme legjendare (përfshirë dhe Ciklin e Kreshnikëve), ndërsa në epikën historike këngët që flasin për ngjarje e personalitete të historisë sonë, duke nisur nga Lufta e Kosovës (1389), figura e Skënderbeut e deri te ngjarjet më të fundit historike. Këngët legjendare janë më të hershme se ato historike, pasi sjellin motive të vjetra që lidhen me botëkuptimin pagan, vullnetin e popullit për të mposhtur forcat e natyrës, për të ndërtuar kështjella e ura, përmes riteve e zakoneve të lashta, siç janë sakrifikimi njerëzor, mbajtja e fjalës së dhënë etj.
Në repertorin e këngëve legjendare përfshihen:
■ Këngët me karakter përrallor e mitik (Djali gjarpër,Vajza e bij e hënës dhe e diellit..);
■ Këngët epiko-lirike apo baladat, me subjekt dashurinë, martesën, besën, sakrifikimin etj. (Konstandini e Dhoqina, Halil Garrija);
■ Këngët me karakter epiko-heroik (Këngë kreshnikësh).

Epika legjendare, “Eposi i kreshnikëve”
Këngët epike legjendare janë këngë tregimtare me karakter fantastik. Në to flitet për ngjarje e personazhe të jashtëzakonshëm, për të cilët mungojnë të dhënat e sakta historike. Gjithashtu, në këto këngë, janë të pranishme besime, zakone e rite të lashta, si dhe elemente mitologjike.

Eposi është forma më e plotë e epikës legjendare. Ai mund të përkufizohet si një tregim poetik i ngjarjeve me rëndësi jetike në historinë e një kombi. Eposi paraqitet në dy forma, si:
■ poemë e gjatë (me një subjekt të caktuar);
■ në formë ciklesh, këngësh të veçanta.
Eposi shqiptar i kreshnikëve i takon formës së dytë. Çdonjëra prej këngëve të tij trajton një temë të veçantë, duke u paraqitur si njësi e plotë dhe e mëvetësishme artistike. Kjo është arsyeja që ato quhen ndryshe edhe epe, rapsodi ose poema. Pavarësisht kësaj, të gjitha këto këngë formojnë një tërësi të vetme poetike, pasi ato i bashkon tematika, fryma e përgjithshme, personazhet, mjediset ku zhvillohen ngjarjet, mjetet shprehëse dhe melodike.

Përhapja dhe mbledhja e Ciklit të Kreshnikëve
Pjesën më madhështore të epikës sonë legjendare e të gjithë folklorit e përbën Cikli i Kreshnikëve, apo siç quhen ndryshe cikli i Mujit dhe i Halilit. Këto këngë janë të përhapura në trevën veriore të vendit tonë, në një zonë që shtrihet mbi lumin Drin dhe që shkon nga brigjet veriperëndimore (Ulqin e Krajë) në Malësinë e Mbishkodrës (Hot, Grudë, Shkrel), në Dukagjin dhe trevën e Kosovës (Rugovë, Malësia e Mitrovicës etj.). Disa këngë të tij këndohen deri në krahinat në jug të Drinit (Pukë, Dibër), madje edhe në Mat, Krujë dhe krahinat veriore të Elbasanit e Librazhdit. Këngët e kreshnikëve janë mbledhur vonë. Kënga e parë u botua më 1904.1 Ndër mbledhësit e hershëm të tyre, në periudhën mes dy Luftërave Botërore dallohen At Bernardin Palaj dhe At Donald Kurti. Në vitin 1937 doli përmbledhja më e rëndësishme e tyre, vëllimi II i “Visareve të Kombit”. Cikli i Kreshnikëve përbën një monument të kulturës sonë shpirtërore. Në këngët e tij shpaloset në përmasa të mëdha bota shqiptare, filozofia dhe psikologjia e shqiptarit, bukuria fizike dhe shpirtërore, forca e fantazisë dhe talentit të tij. Nga ana tjetër, duke bërë pjesë në familjen e madhe të eposeve europiane, ky cikël është një vlerë që na lidh me botën europiane.

Tematika dhe konflikti 
Tema kryesore e eposit shqiptar është qëndresa:
■ qëndresa për mbrojtjen e trojeve, bjeshkëve, kullotave, kullave, nderit dhe dinjitetit të kreshnikëve, fisit, familjes, individit;
■ si dhe qëndresa, konflikti dhe lufta kundër forcave të natyrës.
Me përjashtim të ndonjë kënge, si “Gjergj Elez Alia”, ose “Muji dhe Halili te mbreti”, te të cilat qëndresa e kreshnikëve lidhet me venedikasit (të përfaqësuar nga balozi) apo osmanët, në të gjitha këngët e tjera konflikti kryesor është ai mes çetës së Mujit dhe çetave të fqinjëve etnikë, sllavëve.

Temës kryesore të qëndresës ndaj sllavëve i nënshtrohen edhe tema të tjera, si:
■ lindja e mbinatyrshme e heronjve;
■ mosmarrëveshjet mes vetë kreshnikëve;
■ marrëdhëniet familjare;
■ rrëmbimet e ndërsjellta të grave, kuajve.

Mosha e Ciklit të Kreshnikëve
Cikli i Kreshnikëve e ka nisur rrugën e vet artistike mjaft herët. Këtë e dëshmon, së pari, lënda e gjerë mitologjike, mendimi poetik legjendar, elementet e matriarkatit, botëkuptimi pagan(1), si dhe fjalët apo format e hershme gjuhësore që ruhen të ngurosura në të.
Eposi ynë, sipas studimeve folkloristike, është fryt i periudhave historike ku kalohet nga bashkësitë e gjera politiko-etnike ilire (shek. V-VI) drejt formimit të kombësisë shqiptare (shek. X-XIV). Shekulli IV është kufiri kohor i përfundimit të procesit krijues të eposit. Vetë lënda e gjerë e Ciklit të Kreshnikëve dëshmon se ai nuk është krijuar njëherësh. Si çdo dukuri artistike, ai ka pasur lindjen, vetërritjen, pjekurinë dhe pleqërinë e tij, me një shtrirje të gjatë kohe. Në formën që ka mbërritur te ne, eposi u ngjan dëborërave alpine, ku shtresa zë shtresën. Dy janë shtresat më të dallueshme të tij:
■ shtresa paraosmane,
■ shtresa pas pushtimit osman.
Shtresa e parë përbën bazën e eposit, që i jep atij fizionominë ideo-artistike, si një formë e veçantë folklorike. Pavarësisht nga shtresimet e mëtejshme, bërthama kryesore e eposit ka mbetur e paprekur. Ajo përbëhet nga këngë të tilla, si: “Martesa e Mujit”, “Fuqia e Mujit”, “Martesa e Halilit”, “Gjergj Elez Alia”, “Deka”, “Omeri prej Mujit”, “Ajkuna qan Omerin” etj.

Personazhet, hapësira, koha
Në Ciklin e Kreshnikëve rrëfimi organizohet rreth dy kreshnikëve, vëllezërve Muji dhe Halili, të cilët dallohen nga personazhet e tjerë. Vëllai i madh, Muji, një çoban nga Klladusha, dallohet për forcën e jashtëzakonshme fizike dhe luan në epos rolin e patriarkut(2); ai udhëheq çetën e kreshnikëve, mbron zakonet e maleve ose kanunin(3) në jetën shoqërore dhe morale dhe garanton zbatimin e tyre. Fjala e tij është ligj për të gjithë. Vetë emri i tij, Gjeto Basho Muji, (sllav.gjet/o- çetë dhe turq. bash/e-krye) tregon vendin e tij si bashi i çetës, i pari i kreshnikëve. Por, pavarësisht nga fuqia e tij e mbinatyrshme, Muji jeton dhe vepron si një njeri i zakonshëm në mjedisin e tij familjar. Aty ai zotëron pushtetin e kryefamiljarit: si vëlla i madh, kujdeset për të vëllain, mbron nderin e motrës dhe së shoqes, i mëson të birit mjeshtërinë e luftimit që ta bëjë kreshnik si veten. Vëllai tij, Halili, shquhet gjithashtu për forcën e karakterit dhe për trimëri, por është më i rrëmbyer, ngaqë i mungon përvoja e jetës dhe e luftës. Halili është i pashëm, i guximshëm, i rrëmbyeshëm në aventura. Deri diku, ai del në antitezë, por edhe e plotëson figurën e Mujit.

Një rol të rëndësishëm në epos luan Ajkuna ose Kuna, e cila herë paraqitet si gruaja e Mujit, herë si motra e tij. Një tjetër figurë tipike mes personazheve të Ciklit është ajo e djalit të Mujit, Omerit, i cili jep prova të aftësive të tij të jashtëzakonshme, që në moshë të vogël. Kur mbush shtatë vjeç, Omeri, me një guxim të madh, futet thellë në Krajli, në burgjet ku mbahen “të ndrymë bab e axhë” dhe me trimëritë që bën, i shpëton ata nga skllavëria e Krajlit.Vrasja e tij në këtë moshë bëhet shkak për krijimin e fragmenteve elegjiake, në të cilat shprehen me një forcë të madhe ndjenjat njerëzore, siç është kënga “Ajkuna qan Omerin”.

Çeta e Mujit përbëhet nga 30 agallarët e Jutbinës, të cilët janë luftëtarë që kanë dhënë prova trimërie. Tridhjetë agët e Jutbinës janë të fuqishëm dhe bëhen të papërmbajtshëm kur kanë mes tyre kreshnikun që i udhëheq, Mujin. Mungesa e tij sjell pështjellime dhe fatkeqësi të ndryshme, si humbjen e luftës, zënien rob etj. Ndonjëherë, agallarët bëhen vetë protagonistë të bëmave legjendare, si p.sh. Zuku Bajraktar, një djalë sypatrembur ose Arnaut Osmani, luftëtar i rreptë dhe i besës. Një vend të veçantë zë në epos edhe figura e kreshnikut Gjergj Elez Alia, i cili nuk bën pjesë në çetën e Mujit, por është shembull i forcës morale dhe i qëndresës.

Disa prej personazheve të palës kundërshtare janë Krajli i Kotorrit, i Senjës, i Zadrës, Pajo Harambashi, Behuri, si dhe Kraleviq Marku, heroi kryesor i rapsodive të sllavëve të jugut. Forca e tyre është pothuajse e barabartë me atë të kreshnikëve: Behuri qëndron i rrokur në dyluftim me Mujin për orë të tëra, Pajo Harambashi, që është i veshur me çelik e pancir, grindet me orët e bardha, pse ato ndihmonin Gjeto Basho Mujin.

Muji dhe kreshnikët e tij jetojnë në bjeshkët e larta dhe banojnë në kulla, ndërtesa prej guri dhe të fortifikuara, që shërbejnë jo vetëm për banim, por edhe për mbrojtje. Ushqehen me produkte blegtorale (hanë një dash të pjekur, pinë verë e raki), vishen e mbathen malësorçe (lëkurçe, tirqe, opinga, kapuç i bardhë), luftojnë në “beleg” ose në “mejdan”(dyluftim) me topuzë, mazdrake, heshta, shigjeta, shpata. Bota e kreshnikëve në epos shfaqet si botë etnikisht e veçantë nga ajo e të huajve, edhe për sa i takon traditave, veçorive kulturore, psikologjike. Jeta dhe njerëzit në këto këngë ndjekin normat morale, shoqërore dhe psikologjike të një kanuni të vjetër, në të cilin, rrëmbimi i vajzave, psh., ishte një dukuri e ligjshme, e moralshme, e plotësisht e pranueshme për atë kohë. Në epos, heronjtë karakterizohen vetëm nëpërmjet veprimeve, nëpërmjet bëmave dhe heroizmave që kryejnë. Personazheve u mungojnë tiparet e qarta personale të portretit. Hapësira e veprimit të kreshnikëve është e gjerë, por trojet më të zakonshme janë ato qark Jutbinës (sot një qytet i vogël në Kroaci). Emrat e vendeve më të përmendura ku kryhen bëmat, janë Bjeshkët e Nalta, Mrizet e Mëdha, Lugjet e Verdha. Shpesh kreshnikët, pasi sulmohen nga trimat e krajlit të Kotorrit, ndërmarrin sulme ndëshkimore duke zbritur deri në Kotorr e në Zarë.

Në eposin shqiptar, si në çdo epos tjetër, koha vjen e shkon sipas një kalendari të ndryshëm nga kalendari njerëzor, që të kujton mendësinë e “Epit të Gilgameshit”, ku një ditë në kohën e hyjnive është sa njëmijë vjet në kohën e njerëzve. Heronjtë mitologjikë të eposit shqiptar mbeten të vdekur në mejdan për njëqind vjet dhe, kur zgjohen, thonë: “Paskam marrë nji sy gjumë”. Kur Muji mendohet, “sheh barin kah rritet”. Në epos ka vetëm të shkuar të largët dhe të papërcaktuar. Koha në përfytyrimin mitologjik nuk i bindet orës njerëzore.

Veçori të këngëve të Ciklit të Kreshnikëve

1. Epizmi ose karakteri i gjerë rrëfimtar
Këngët e Ciklit të Kreshnikëve e pasqyrojnë jetën në formë tablosh të gjera “objektive” (rapsodi shtiret sikur vetëm tregon si kanë ndodhur ngjarjet, por në fakt ai mban dhe një qëndrim të caktuar). Frymëmarrja e gjerë është e pranishme në përleshjet dhe dyluftimet homerike, në madhështinë e heronjve, në ndjenjat dhe mendimet e thella, në gjatësinë e këngëve, që shkojnë nga 200 deri 700-1000 vargje, si dhe në gjatësinë e vargjeve.Vargu i eposit është 10-rrokëshi i bardhë, i cili krijon mundësi të mëdha shprehjeje. Rrëfimi është epik, madhështor dhe shpesh mjaft i hollësishëm. Melodia që e shoqëron poezinë është e qetë, si jehonë kohësh të largëta.
2. Legjendariteti
Ky tipar krijohet nga gërshetimi i elementeve reale me ato fantastike. Ashtu si në përrallë, e çuditshmja dhe e jashtëzakonshmja vendosen në qendër të mjaft ngjarjeve dhe personazheve, gjë që theksohet edhe nga përdorimi i tepërt i hiperbolave.
3. Fryma heroike
Eposi i kreshnikëve është epos heroik. Heroizmi nuk del tek ai si diçka e jashtme, por buron në brendësi, nga domosdoshmëria e qëndresës dhe e përballimit të vështirësive. Heroizmi në këngët e Ciklit buron nga mënyra e të menduarit, sjelljes, veprimit, që vë në qendër trimërinë, sakrificën, si vlera të mjedisit shqiptar. Heroizmi del si traditë e lashtë, si model i krijuar në shekuj:
“Tjetër t’mir’ ne t’parët s’na kan’lanë,
Kurrnji nesh mos me dek’ në t’shkrue-me,
Por me shpata m’u pre tuj këndue..”

Mitologjia
Eposi i kreshnikëve është përmendorja më e rëndësishme e trashëgimisë iliro-shqiptare që mbështetet më shumë se çdo krijim tjetër në mitologji. Ndryshe prej eposeve antike, në ciklin e kreshnikëve nuk ka hyjni qiellore dhe nëntokësore. Fuqia e Mujit është dhuratë e zanave, të cilat ai i thërret për ndihmë sa herë gjendet ngushtë. Zanat banojnë në pyje, pranë burimeve dhe kanë pamjen e gruas, vështrimi i së cilës shiton ose nguros edhe më trimat. Sipas studiuesit Eqerem Çabej, Zana e ka prejardhjen nga një perëndi ilire e pyjeve dhe e burimeve, që në interpretimin romak mori emrin Diana. Edhe Orët janë krijesa misterioze dhe të pakapshme, ashtu si Zanat. Ato kanë në dorë fatin e heronjve, të fiseve e krahinës. Çdo hero ka Orën e vet, e cila mund të ndeshet në luftë me Orën e kundërshtarit. Orët janë idhnake, ndaj populli i quan me eufemizëm shtojzovalle ose të lumet. Zanat dhe Orët, si dhe gjithë figurat e tjera mitike, në epos kryejnë funksionin e personazheve artistike.

Poetika dhe vargëzimi i Ciklit të Kreshnikëve
■ Vargu i Ciklit të Kreshnikëve është 10 rrokëshi i bardhë (pa rimë), i ndërtuar sipas sistemit të vjetër tonik.
■ Në mungesë të rimës fundore, muzikaliteti krijohet përmes mjeteve të tilla, si përsëritja, aliteracioni, anafora, epanastrofeja etj.
■ Gjuha e përdorur është shumë e lashtë. Nuancën e vjetërsisë ia jep, sidomos, ruajtja e ë-së fundore, e cila në dialektin e gegërishtes pothuaj nuk ndihet fare. Eposi i kreshnikëve përbën një trashëgimi të paçmueshme të kulturës së gjuhës në të cilën mund të verifikohen dëshmi shumë interesante të proceseve historike e dialektologjike të shqipes. Ajo është konsideruar me të drejtë si “përmendore e artë e gjuhës sonë poetike”.
■ Një dukuri shumë e përhapur në epos është ajo e formulave. Formulat janë grupe fjalësh ose fjalë (siç janë epitetet) që përdoren herë pas here gjatë rrëfimit për të nënvizuar një ide dhe për të ndihmuar në forcimin e stilit epiko-tregimtar. Gjithashtu, rapsodi i përdor ato si mbështetje për të improvizuar lirisht.
■ Stili i përdorur qëndron midis epikës dhe përrallores dhe rreh të japë madhështinë dhe heroikën e trimave dhe të bëmave të tyre e, në të njëjtën kohë, të shfaqë habinë, admirimin adhurimin dhe entuziazmin për gjithçka që tregohet, qoftë për njerëz, për kafshë, për dukuri natyrore etj. Kjo është arsyeja e përdorimit të shpeshtë të mënyrës habitore në epos, të shoqëruar me përsëritjet, pyetjet retorike, formulat, hiperbolat, inversionet, epitetet e vazhdueshme etj.
■ Karakteristikë themelore e eposit shqiptar është shoqërimi me lahutë, vegël që, sipas studiuesve shqiptarë e të huaj, është nga më të lashtat.